Data e sotme
January 16, 2018

Nuland shkoi, ç’ka do bëjnë liderët

Diplomatja amerikane e rangut të lartë Victoria Nuland tha të hënën në Shkup se bashkëpunimi ,investimet,paqja dhe siguria janë baza e këtij vendi. Ndihmës sekretarja Nuland tha se SHBA mbështet aspiratat euroatlantike të Maqedonisë dhe se ato janë prioritet edhe i SHBA-ve.

“Ne biseduam edhe për atë se si mund të thellojmë dhe përmirësojmë bashkëpunimin, përfshirë edhe rajonet në Maqedoni ku jetojnë shqiptarë. Këtë duam ta bëjmë me investitorët tanë, kompanitë dhe me këtë të forcojmë edhe integrimin ekonomik në këto rajone dhe zhvillim të të dyja komuniteteve”, tha Nuland gjatë takimit me zyrtarët e Shkupit. A mund qeveria ti plotësojë detyrimet që dalin nga marrëveshjet dhe konventat ndërkombëtare? Pse zv.sekretarja Nuland e theksoi si pikënisje Marrëveshjen e Ohrit?

Zotimet e bëra deri më sot nga liderët, kanë treguar se çdo akt i nënshkruar është devijuar dhe nuk ka gjetur zbatim në terrenin e republikës së re. Porositë e të dërguarëve të jashtëm të SHBA-ve dhe BE-së për shtetet dhe qeveritë ka qenë dialogu dhe investime qeveritare në rajonet ku krizat etnike i kanë burimet e mosbesimit dhe konflikteve. Megjithatë sikur drejtuesit e këtyre shteteve i haruan recetat e të dërguarëve special se ç’ka në të vërtëtë duhet të bëjnë. Filluan të zbatojnë politika të ndara, shkelje të principeve  bazë të drejtave të njeriut dhe shpeshherë këto sjellje u bënë edhe burime të reja për zënka  etnike.

Diplomatja Nuland do të niset drejt Londrës dhe Brukselit, ndërsa liderët kanë shumë punë për të bërë; Foto: MIA

Diplomatja Nuland do të niset drejt Londrës dhe Brukselit, ndërsa liderët kanë shumë punë për të bërë; Foto: MIA

BE, SHBA, OSBE dhe organizatat vëzhguese kanë theksuar se përveç çështjeve të jashtme vendi ballafaqohet edhe me një rrezik permanent të dëmtimit të proceseve të nisura, duke përmendur  projektet në mungesë dhe investimet joadekuate në rajonet shumë etnike. Përveç këtij fakti, këtu një kërcënim serioz për vendin jo aq të akomoduar në skenën rajonale, paraqet pasurimi i shpejtë i politikanëve, dukë vënë në harresë se për ç’ka janë zgjedhur.

Amerikanët që nga Marrëveshja e Dejtonit, Kumanovës dhe e Ohrit u përpoqën që t’i ndryshojnë rrjedhat politike dhe ekonomike në zonat e përfshira nga konfliktet etnike.Ndërsa tani përsëri në Bosnjë dhe Maqedoni, të gjitha këto marrëveshje janë vënë në rrezik nga qeveritë  dhe politikanët , që janë lënë jashtë çdo kontrolli demokratik.Ndonjëherë edhe vetë qeveritë dhe institucionet  shtetërore vendore janë  bërë gjeneratorë të zënkave dhe fërkimeve të brendshme etnike.

Ballkani për më shumë se një shekull ka qenë fuçia e barrotit, ku liderë dhe rryma të caktuara kanë vendosur për ardhmërinë e kombeve. Këtu nuk duhet përjashtuar nga faji edhe liderët lokal ,të cilët jo më pak se qeveria qendrore mbajnë përgjegjësi për situatën aktuale këtu dhe në rajon.Liderët lokal që kanë përfaqësuar palën shqiptare në qeveri nuk kanë treguar se a i kanë çuar përpara premtimet e dhëna ndaj diplomatëve ndërkombëtar.Ish ndërmjetësi amerikan në Maqedoni dhe kreatori i MO-së James Perdju  tha në mars gjatë një vizite në Shkup se fajin për shumë rrjedha në Maqedoni  e mbajnë edhe liderët shqiptarë,duke mos bërë presion për zbatimin e MO-së.Garancitë që i kërkojnë liderët tanë duhet të shkojnë paralel me përmbushjen e detyrimeve që dalin nga po këto garanci që i kanë vënë si kusht Fuqitë e Mëdha për Maqedoninë.

Gjetja e liderëve adekuat për zbatimin dhe normalizimin e gjendjeve post konfliktuoze në rajon është  mjaft e rëndësishme për administratën dhe personelin amerikan në Ballkan dhe Maqedoni.Trembëdhjetë vite pas nënshkrimit të MO-së, vendi përsëri u vërshua nga dërgatat diplomatike të BE-së dhe SHBA-ve. Vizioni për harmoni dhe përparim demokratik në një Ballkan me liderë që kanë vepruar njëjtë si në shtetet e Botës së Tretë, do të vështirësohet, edhe atë nëse nuk fillojnë masat e shtërngimit nga ana e fuqive të jashtme. A do të fillojnë reformat në të gjitha sektorët ashtu siç i premtuan znj. Nuland liderët gjatë takimit të djeshëm? Kjo është për tu parë dhe vëzhguar se si do të veprojë qeveria pas Samitit të NATO-s. Drejtimi strategjik sipas qeverisë ngel po i njëjti dhe nuk do të ndryshojë kursi drejt BE-dhe NATO-s.

Prezenca dhe depërtimi amerikan duhet parë në drejtim të zbutjes së dallimeve dhe respektimit të marrëveshjeve të nënshkruara nga palët.Largimi nga parimet demokratike që promovon Uashingtoni në gadishull që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, njëherit është edhe shkelje  e angazhimit disa dekadësh amerikan për një Ballkan të përparuar dhe integruar në strukturat perëndimore.

Çdo fragmentim dhe iluzion tjetër do të kishte pasoja për demokracitë e brishta, ashtu njëjtë siç ndodhi në Evropën Lindore.Investimet amerikane nuk kanë munguar për vite me rradhë për Maqedoninë dhe botën. Administrata amerikane duke e parë fluksin e kapitalit kinez në rajon me siguri se do ti risë investimet në rajonet e krizës. Ndonjëherë kjo ndodh edhe përshkak të mos vullnetit të qeverisë qendrore të bëjë shpërndarje të barabartë të kapitalit në të gjithë shtetin.Partneriteti strategjik me interesa të përbashkëta, përbën apo tregon edhe për suksesin e një diplomacie publike.Diplomatja Nuland do të niset drejt Londrës dhe Brukselit, ndërsa liderët kanë shumë punë për të bërë.

Premtimet që i japin përpara diplomatëve duhet edhe ti mbajnë.Shansi amerikan përsëri duhet shfrytëzuar.Dekada që kemi hyrë do të jetë e vështirë për shtetet me kapacitete të dobëta projektuese.Prandaj ashtu siç thonë të jashtmit, liderët duhet ti kthehen rendit dhe zbatimit të reformave.

Shkruaj një koment

Koment(e)

ibraimi@inbox7.mk