Data e sotme
December 5, 2019

Rriten çmimet, xhepat zbrazen

Çmimet e disa shërbimeve publike dhe produkteve ditëve të fundit janë rritur. Por si zakonisht, politika e defokusoi debatin nga kriza tek tensionet etnike

Në Maqedoni sërish rriten çmimet e shërbimeve dhe disa produkteve ushqimore. Çmimi i energjisë elektrike do të jetë më i lartë për 3.5 për qind, edhe pse vetëm para disa muajve çmimi i saj ishte ulur për 4.7 për qind. Bukën do ta blejmë për 5 denarë më shtrenjtë, ndërsa shtrenjtim është vërejtur edhe në tregun e gjelbër. Rritja e çmimeve do të godasë edhe xhepin e duhanxhinjve. Cigaret shtrenjtohen mesatarisht për 5 denarë. Ndërkohë  Komisioni Rregullator i Energjetikës vendosi uljen e çmimit të derivateve të  naftës, por nga ana tjetër u bë rritja e çmimit të  taksës rrugore për 10 denarë. Taksa për regjistrimin e makinave ka shënuar rritje prej mbi 40 për qind.

 

Jonuzi: Kriza-impakt ndaj mirëqenies psikosociale

Kriza ka impakt edhe ndaj konsumimit të pijeve alkoolike dhe substancave narkotike, me ç’rast personi për t’i ikur realitetit në të cilin gjendet, synon të gjejë “prehjen” në gjendjen kur ai nuk është i vetëdijshëm se çka ngjan në rrethin ku ai jeton. 

 

Rritja e çmimit të energjisë elektrike pritet që në shtator të reflektohet edhe ndaj rritjes së çmimit të shumë shërbimeve dhe produkteve tjera, ndërsa një situatë e këtillë ekonomike, kur çmimet rriten e rrogat vendnumërojnë, më së shumti pësojnë kategoritë e rrezikuara sociale, njerëzit në nevojë dhe ata që kanë të ardhura minimale.

 

Rritet çmimi i taksë s rrugore

 

Pika në Gllumovë dhe Zhelinë, në vend të 30 denarëve kushton 40 denarë

Në rrugën Tetovë – Gostivar taksa kushton 30 denarë

Në rrugë n Shkup – Milladinovc taksa kushton 40 denarë

Në rrugën Ramanli-Milladinovc taksa paguhet 60 denarë

Në pikat pagesore Sopot dhe Otovicë taksa paguhet 80 denarë

 

Debati mbi padrejtësisë sociale, perspektivë për ndryshime

 

Artan Sadiku: Mobilizimi i fundit qytetar social, Lëvizja AMAN dështoi pikërisht për faktin se në Maqedoni demokracia kuptohet si mbinumërin i thjeshtë në Parlament

Artan Sadiku: Mobilizimi i fundit qytetar social, Lëvizja AMAN dështoi pikërisht për faktin se në Maqedoni demokracia kuptohet si mbinumërin i thjeshtë në Parlament

Por edhe pse shtrenjtimi vështirëson jetën e qytetarëve, nuk vërehet ndonjë pakënaqësi e shprehur dhe e dukshme ndaj valës së shtrenjtimit. Artan Sadiku, aktivist qytetar thotë për Inbox7 se shtrenjtimi në Maqedoni fatkeqësisht është një tendencë e cila nuk shihet si problem politik dhe si problem i masave të qeverisë ndaj tregut. Prandaj, sipas tij, qytetarët kanë një dozë indiference ndaj çmimeve të rritura. “Mobilizimi i fundit qytetar social, Lëvizja AMAN dështoi pikërisht për faktin se në Maqedoni demokracia kuptohet si mbinumërin i thjeshtë në Parlament. Mospranimi i iniciativës qytetare me dhjetëra mijëra nënshkrime të mbledhura, demotivoi qytetarët në motivin e tyre që të besojnë në ndikimin demokratik ndaj institucioneve. Prandaj, besoj se shtrenjtimi i fundit nuk do të mund të nxisë një protestë sociale, por ndërtimi i një retorike politike me bazë të gjerë shoqërore, e cila do të përqendrohet tek çështjet e padrejtësisë sociale në Maqedoni, mund të jetë një perspektivë reale për ndryshime sociale”, analizoi Sadiku.

Ndërkohë përfaqësuesi i Lëvizjes së Majtë ‘Solidarnost’ (LMS), Zdravko Savevski analizon për Inbox7 se nuk është e rastësishme që shtrenjtimi bëhet në kohën kur në Maqedonia ndodhin turbulenca politike dhe protesta. Kjo sipas tij është rezultat i faktit që Maqedonia ka qeveri të aftë propaganduese. “Duke i ndjekur rregullat e propagandës, qeveria e di se një masë jopopullore mund të mos shkaktojë reagim të madh, nëse arrihet që qytetarëve tu tërhiqet vëmendja me tema të tjera. Në kuadër të kësaj ngriti procedurën për ndryshimin e Kushtetutës, ndërsa tendosjet etnike i mban në nivel të lartë. VMRO-DPMNE dhe BDI gjatë gjithë periudhës sa janë në pushtet, me marrëveshje krijojnë situata tensionuese midis maqedonasve dhe shqiptarëve, me qëllim që vëmendja e tyre të orientohet drejt asaj se çfarë bëjnë pjesëtarët e etnikumit tjetër, e jo ndaj bartësve  të pushtetit”, u shpreh Savevski. Sipas tij përderisa maqedonasit dhe shqiptarët urrehen mes vete, VMRO-DPMNE dhe BDI, pa pengesa po qëndrojnë në pushtetin e tyre kleptokratik.

 

Rritja e vazhdueshme e çmimeve do të shkaktojë protesta

 

Zdravko Savevski: VMRO-DPMNE dhe BDI gjatë gjithë periudhës sa janë në pushtet, me marrëveshje krijojnë situata tensionuese midis maqedonasve dhe shqiptarëve

Zdravko Savevski: VMRO-DPMNE dhe BDI gjatë gjithë periudhës sa janë në pushtet, me marrëveshje krijojnë situata tensionuese midis maqedonasve dhe shqiptarëve

Sipas Savevskit strategji politike qeveritare është edhe fakti që shtrenjtimi ndodh në verë, kur qytetarët janë në pushime dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre janë të gatshëm që të dalin në protesta, e veçanërisht më të moshuarit, të cilëve ekspozimi në diell mund tu shkaktojë probleme serioze shëndetësore. “E njëjta ndodhi edhe para dy viteve kur kishte protestave masive të organizuara nga Lëvizja Qytetare AMAN. Prandaj në këtë moment, tani për tani, për shkak të arsyeve të përmendura dhe për shkak të faktit që tek qytetarët ekziston lodhje dhe apati nga protestat, nga të cilat nuk shihen efekte konkrete, Lëvizja Majtiste ‘Solidarnost’ (LMS) nuk do të bëjë thirrje për protesta”, pohon Savevski. Por nëse trendi i shtrenjtimit vazhdon, në mënyrë plotësuese do të rritet pakënaqësia tek qytetarët dhe kjo sipas Savevskit do të ndikojë që ‘Solidarnost’ të bëjë thirrje për protesta ose do t’u bashkëngjitet të njëjtave, të cilat do të jenë sociale, qytetarë dhe antinacionaliste.

Ndërkohë psikologu Muhamed Jonuzi shpreh hipotezën se pas protestave të fundit për rastin “Monstra”, përveç kërkesave legjitime për drejtësi dhe mosdiskriminim nga organet gjyqësore, mund të fshihen edhe kërkesa sociale-ekonomike. “Kriza ekonomike në kontekstin social ndikon që njerëzit të kenë botëkuptim tejet negativ për rrjedhat socio-politike dhe si pasojë e pamundësisë së shprehjes së revoltës dhe ndryshimit të aktualitetit si individë, sikurse në rastin tonë konkret u bashkëngjiten edhe turmave në protesta të ndryshme, të cilat pos karakterit etnik e politik që mund të kenë, në vetë ngërthejnë edhe pakënaqësi të thella nga kriza ekonomike”, u shpreh Jonuzi.

Në Maqedoni gjithmonë  interesimi I opinionit publik, nga ana e politikës është defokusuar me mjeshtëri nga problemet reale ekonomike tek problemet politike dhe të  sigurisë . Shpallja e vendimit të Gjykatës së Shkupit lidhur me rastin “Monstra”, duke ditur impaktin e këtij vendimi, pikërisht në një afat kohor që koincidon me rritjen e çmimeve është i ngjashëm me ngjarjet e Gostivarit në  vitin 1997. Pikërisht më 9 korrik të vitit 1997, policia ndërhyri në Gostivar, me qëllim që të pengojë valëvitjen e flamurit shqiptar, ndërsa u vranë  tre protestues. Po atë natë Qeveria e atëhershme e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe Partisë së Prosperitetit Demokratik (PPD) shpalli devalvimin e denarit për 17 për qind, ndërsa supozohet se në esencë ky ka qenë shkaku kryesor i ndërhyrjes së policisë.

Nga ana tjetër institucionet e shtetit nuk alarmohen fare nga kriza. Pavarësisht valës së shtrenjtimit të energjisë elektrike, taksës rrugore, taksës së makinave dhe cigareve, por edhe prodhimeve nga drithërat, Banka Popullore e Maqedonisë (BPM) kumtoi se inflacioni gjatë vitit 2014 nuk do të tejkalojë një përqindëshin (1%), që është shifër në kuadër të normales.

 

Kriza ekonomike ka efekte në shumë dimensione

 

Muhamed Jonuzi: Shikuar nga këndvështrimi psikologjik, kriza ekonomike ka impakt tejet negativ si në rrafshin personal e familjar, gjithashtu edhe në ato social

Muhamed Jonuzi: Shikuar nga këndvështrimi psikologjik, kriza ekonomike ka impakt tejet negativ si në rrafshin personal e familjar, gjithashtu edhe në ato social

Psikologu Muhamed Jonuzi konstaton se qytetarët tashmë janë bërë imun ndaj krizës ekonomike, por ajo lë pasoja. “Nëse te gjithë njëzëri konstatojmë se njeriu i sotëm ka humbur sensin e vetëefikasitetit, vetëbesimit, vetërespektit, produktivitetit, kënaqësisë nga jeta – kjo me padyshim i vishet edhe vazhdimësisë së të jetuarit gjithnjë e më shumë në krizë ekonomike. Shikuar nga këndvështrimi psikologjik, kriza ekonomike ka impakt tejet negativ si në rrafshin personal e familjar, gjithashtu edhe në ato social. Në rastin kur kriza ekonomike shtresëzohet në psikikën e njeriut si fenomen i cili siç shihet merr përmasa gjithnjë e më të qëndrueshme në kontekst kohor, tek njeriu humbet shpresa, kemi demotivim të thellë dhe në këtë rast optimizmi tek njerëzit do dukej iluzion”, komentoi Jonuzi.

Sipas psikologut nga pesimizmi i vazhdueshëm që mund të shkaktojë kriza ekonomike dhe të jetuarit në varfëri, tek njeriu bashkëkohor paraqiten ç’rregullime të ankthit, stres, por madje edhe depresion. “Në aspektin familjar, përshkallëzimi i krizës ekonomike shkakton zënka në celulën shoqërore. Shpesh anëtarët e familjes fajësojnë njëri tjetrin për “shpenzime enorme”, apo për “status-quonë” ekonomike. E tërë kjo madje mund të ndikojë ndaj përhapjes së fenomenit të dhunës verbale a fizike, duke u bërë pjesë e përditshmërisë në familjet tona. Nuk janë të pakta rastet e denoncimit të së njëjtës, jo vetëm në rrafshin burrë-grua, prind-fëmijë, por tashmë kemi raste edhe të përkeqësimit të raporteve familjare dhe të ushtrimit të dhunës nga fëmijët karshi prindërve, si fenomen i cili nuk ka qenë “praktikë” e mentalitetit dhe vetëdijes sonë shoqërore”, spikat psikologu Muhamed Jonuzi në analizën psikologjikë mbi krizën ekonomike, enkas për Inbox7.

Sipas tij aktualisht qytetarët i godet kriza ekonomike si pasojë e papunësisë, ndërsa rritja enorme e çmimeve të shërbimeve dheartikujve të përditshëm konsumues, do të ketë impakt edhe më negativ ndaj mirëqenies e gjithëmbarshme psikosociale, e sidomos ndaj mirëqeniessë shqiptarëve pas muajit të Ramazanit!

 

Ulen çmimet e benzinës

 

EUROSUPER BS-95 ulet për 2 denarë për litër dhe kushton 81 den/litër

EUROSUPER BS-98 ulet për 1,50 denarë dhe shitet për 83 den/litër.

EURODIZELI ulet për 2,50 den/litër dhe çmimi do të jetë 67,50

Vajit ekstra i lehtë ulet për 2.50 denarë dhe shitet për 56,00 den/litër.

Çmimi me pakicë i mazutit ulet për 1,84 den/kg dhe do të shitet me çmim prej 40,34 den/kg.

 

 

 

 

 

 

tahiri@inbox7.mk