Data e sotme
November 19, 2019

Amnezi apo amnisti: Bie numri i gjobave para zgjedhjeve

Me shpalljen e zgjedhjeve votuesit e Maqedonisë mund të presin dy gjëra. gjëja e parë që mund të pritet është marrja e vendimit lidhur me emrin që duhet qarkuar në fletën e votimit, ndërsa gjëja e dytë ka të bëj me faktin që gjatë periudhës parazgjedhore shanset për t’ju gjobitur për një shkelje në komunikacion ose për t’ju kontrolluar Inspektorati i Tregut janë shumë më të vogla

Author: Aleksandar Dimitrievski

Teksti është përgatitur si pjesë e Projektit për gazetari hulumtuese dhe bashkëpunim mes mediave dhe sektorit qytetar.

-Progam i USAID-it për forcimin e mediave të pavarura në Maqedoni. – Këtë projekt e implementon BIRN Maqedoni, në bashkëpunim me Qendrën për komunikime qytetareQendrën për gazetari hulumtuese “SCOOP Maqedoni“ emisionin hulumtues “Kod” dhe gazeta ditore “Koha”.

 

Hulumtimi i BIRN vërtetoi legjendën urbane sipas të cilës, kur bëhet fjalë për shërbimet e inspektimit, shteti bëhet më liberal gjatë periudhës zgjedhore. Numri i gjobave të shqiptuara për shkeljet në komunikacion gjatë periudhës zgjedhore pothuajse përgjysmohet, ndërsa Inspektorati shtetëror i tregut gjatë kësaj periudhe ul intensitetin e punës për shtatë herë.

koli policija

Foto: Aleksandar Dimitrievski

Kontrollimi i mbi 100 dokumenteve të fituara në përputhje me Ligjin e qasjes në informatat me karakter publik ose me ndihmën e bazave publike të të dhënave vërtetojnë se shërbime të caktuara kanë tendenca për të rritur numrin e gjobave pas kalimit të periudhës zgjedhore, ndërsa shërbimet e tjera, siç janë Njësiti i veçantë policor “Alfa” dhe Inspektorati komunal i qytetit, nuk i lidhin aktivitetet e tyre me ciklet zgjedhore.

Me qëllim që ky hulumtim të trajtojë nivelet e ndryshme të pushtetit, ne u drejtuam në pesë sektorë të katër institucioneve shtetërore. Për këtë qëllim analizuam të dhënat lidhur me gjobat dhe kontrollet gjatë një periudhe 10-vjeçare, që përfshin 6 cikle zgjedhore.

Nga policia kërkuam numrin e gjobave që u janë faturuar shoferëve që kanë kryer shkelje të ndryshme. Gjithashtu, ne pyetëm sa persona ka arrestuar Njësiti i veçantë policor “Alfa”. Nga Qyteti i Shkupit të njëjtën kohë kërkuam numrin e gjobave që janë shqiptuar nga ana e inspektorëve komunalë, ndërsa nga dy inspektoratet më të mëdha shtetërore, ai i tregut dhe ai i punës, kërkuam numrin e kontrolleve që janë realizuar nga ana e inspektorëve të tyre.

Të dhënat në fjalë i kërkuam për dhjetë vitet e kërkuara, për të kontrolluar sjelljen e garniturave të ndryshme politike. Njëkohësisht, ne kërkuam shifra konkrete për çdo muaj ose për çdo tremujor, për të analizuar periudhën zgjedhore dhe parazgjedhore.

Gjobiten më pak shoferë

pajak

Shërbimi “Parkingu i qytetit”: Gjatë periudhave zgjedhore në një masë të madhe ulet numri i gjobave lidhur me shkeljet në komunikacion

Sipas të dhënave që i siguruam lidhja më e qartë midis zgjedhjeve dhe numrit të gjobave ka të bëj me gjobat që janë faturuar për shkeljen e Ligjit të sigurisë në komunikacion nga viti 2008 e deri më sot. Ndërkaq, nuk ekzistojnë statistika zyrtare lidhur me numrin e gjobave që janë faturuar para vitit 2008


 

Periudha para zgjedhjeve parlamentare të 1 qershorit, viti 2008, ka kaluar me përgjysmimin e gjobave të shqiptuara për shkeljet në komunikacion, krahasuar me muajt e kaluar. Për shembull, gjatë muajit mars janë faturuar 6601 gjoba, gjatë muajit prill janë shqiptuar 6670 gjoba, ndërsa në maj ose gjatë muajit të fushatës zgjedhore numri i gjobave është ulur në 3729. Gjobat gjithashtu kanë shënuar një rënie të madhe edhe para zgjedhjeve lokale dhe presidenciale që u mbajtën në vitin 2009. Sipas të dhënave zyrtare në muajin shkurt janë regjistruar 7718 gjoba, ndërsa në mars dhe prill, gjatë periudhës parazgjedhore, janë regjistruar 5576 dhe 4946 gjoba, që do të thotë se numri i gjobave është ulur për një të tretën. Megjithatë, rënia më e madhe e numrit të gjobave është regjistruar para zgjedhjeve parlamentare të 5 qershorit të vitit 2011 dhe para zgjedhjeve lokale, në fund të marsit dhe në fillim të muajit prill të vitit 2013. Para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2011 janë regjistruar 2876 gjoba. Krahasuar me një muaj më parë, gjatë muajit prill policia rrugore ka faturuar dy herë më shumë gjoba ose 5508 gjoba, ndërsa në mars të të njëjtit vit janë faturuar 6986 gjoba. Para zgjedhjeve lokale të vitit 2013, në mars të të njëjtit vit, janë regjistruar 2820 gjoba komunikacioni, për dallim nga 5615 gjobat që janë faturuar në muajin shkurt dhe 5071 gjobat e faturuara në janar të të njëjtit vit. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk janë dakord me konstatimin se zgjedhjet kanë ndikuar në numrin e gjobave, duke sqaruar se më pak gjoba janë faturuar edhe gjatë muajve të caktuar kur nuk ka pasur zgjedhje. „Lidhur me kërkesën tuaj dua t’ju informoj se Ministria nuk mund të vërtetoj se ulja e numrit të gjobave ka të bëj me proceset zgjedhore që janë zhvilluar gjatë viteve të kaluara. Përkundrazi, mund të konstatohen muaj të ndryshëm kur nuk ka pasur zgjedhje, por numri i gjobave ka qenë shumë i ulët“, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sipas të dhënave zyrtare ulja e madhe e numrit të gjobave në rastet kur nuk ka pasur zgjedhje, me përjashtime të caktuara, mund të vërehet gjatë periudhës së festave të fundvitit. Më aktivë gjatë pushimeve sesa gjatë zgjedhjeve

koli

Inspektorati i tregut: Me afrimin e ditës së zgjedhjeve është ulur në një masë të madh numri i kontrolleve

Përveç Ministrisë së Punëve të Brendshme, institucioni i dytë për të cilin ne konstatuam variacione gjatë realizimit të detyrave gjatë periudhës zgjedhore është Inspektorati shtetëror i tregut. Nga ky Inspektorat ne fituam të dhëna për periudhën dhjetëvjeçare në nivel vjetor, ndërsa për kontrollet për çdo tremujor zyrtarët e Inspektoratit na drejtuan në faqen e Internetit të këtij institucioni. Ky institucion nuk ka mundur të sigurojë të dhëna për periudhën para vitit 2011.

Të dhënat sipas katërmujorëve tregojnë më pak kontrolle të realizuara në firmat gjatë muajve të periudhës zgjedhore. Në vitin 2011 zgjedhjet parlamentare u zhvilluan në 5 qershor. Me afrimin e ditës së zgjedhjeve numri i kontrolleve ka shënuar një ulje drastike, por deri në fund të vitit ky numër përsëri është rritur në mënyrë drastike. Më saktësisht, nga fillimi i janarit deri në fund të muajit mars të këtij viti Inspektorët e tregut kanë realizuar 12730 kontrolle. Gjatë tremujorit të zgjedhjeve parlamentare, nga fillimi i muajit prill deri në fund të qershorit inspektorët kanë ulur numrin e kontrolleve pothuajse për shtatë herë ose kanë realizuar 1851 kontrolle. Gjatë tremujorit të radhës ose gjatë periudhës korrik-shtator inspektorët kanë realizuar 3631 kontrolle ose dy herë më shumë krahasuar me tremujorin e zgjedhjeve, megjithëse ka qenë periudha e pushimeve vjetore. Gjatë tre muajve të fundit të vitit numri i kontrolleve përkatëse është rritur për disa herë, duke arritur shifrën e 11809 kontrolleve.

Sa për krahasim, në vitin 2012 nuk janë zhvilluar zgjedhje. Megjithatë, edhe gjatë këtij viti regjistrohen variacione, por me një intensitet shumë më të vogël. Gjatë verës numri i kontrolleve është ulur por, siç kanë theksuar edhe në Inspektorat me raportet përkatëse, punonjësit gjatë kësaj periudhe kanë qenë në pushime vjetore. Më saktësisht, gjatë tre muajve të parë janë realizuar 12227 kontrolle, gjatë tremujorit të dytë janë realizuar 9577 kontrolle, nga korriku deri në shtator 7963 kontrolle të tjera, ndërsa gjatë tre muajve të fundit të vitit numri i kontrolleve është rritur në 10213.

Gjithashtu, ekzistojnë indikacione të caktuara edhe për vitin 2013, kur janë zhvilluar zgjedhje, megjithëse këto indikacione janë më pak të theksuara krahasuar me vitin 2011. Më 24 mars dhe 7 prill të këtij viti u zhvilluan zgjedhjet lokale, që do të thotë se raundi i parë i këtyre zgjedhjeve u zhvillua gjatë kuartalit të parë, ndërsa raundi i dytë gjatë kuartalit të dytë të të njëjtit vit. Për dallim nga dy vitet e kaluara, kur u regjistruan rreth 12000 kontrolle, numri i kontrolleve gjatë periudhës janar-mars u ul në 7245, ndërsa gjatë muajve prill-qershor ky numër u ul në 6994 kontrolle. Në këtë kontekst interesant është fakti që gjatë tre muajve të pushimeve verore, nga 1 korrik deri më 30 shtator, inspektorët kanë realizuar më pak kontrolle ose gjithsej 9154 kontrolle. Gjatë tremujorit të fundit inspektorët kanë realizuar 21873 kontrolle ose një numër të përafërt me kontrollet e zhvilluara gjatë gjithë vitit.

Në mbështetje të këtyre shifrave krijohet përshtypja se inspektorët kanë “amnistuar” para zgjedhjeve por gjatë muajve pas zgjedhjeve kanë intensifikuar kontrollet për të arritur numrin e duhur të gjobave.

Në Inspektoratin Shtetëror të Tregut nuk kanë dashur të komentojnë rezultatet e hulumtimit.
„Inspektorati Shtetëror i Tregut, në kuadër të kompetencave, nuk posedon të dhëna lidhur me mënyrën dhe intensitetin e ndikimit të zgjedhjeve mbi punën e Inspektoratit gjatë periudhave të caktuara, siç është përmendur me kërkesën Tuaj“, thuhet në përgjigjen me shkrim të Inspektoratit Shtetëror të Tregut.

Shqyrtimi i të dhënave në nivel vjetor nuk mund të vërtetojë gjithmonë se numri i kontrolleve shënon ulje gjatë periudhës zgjedhore. Për shembull, me shqyrtimin e të dhënave të vitit 2013 për çdo tremujor mund të konstatohen variacionet lidhur me kontrollet, por në nivel vjetor nuk mund të vërehen dallime. Nga ana tjetër, tipik ka qenë viti zgjedhor 2011. Gjatë këtij viti numri i kontrolleve ka shënuar një ulje të madhe gjatë kuartalit të zgjedhjeve, por edhe në nivel vjetor është ulur numri i kontrolleve. Më saktësisht, ky vit ka qenë viti me më pak kontrolle gjatë dekadës së fundit.

Në këtë kontekst, një rënie e ngjashme e numrit të kontrolleve është regjistruar vetëm në vitin 2006. Rastësisht ose jo vitet 2011 dhe 2006 kanë qenë vite kur janë zhvilluar zgjedhje. Për këto dy vite, përveç rëndësisë në aspektin politik, elementi i përbashkët ka të bëj edhe me numrin e votave që i kanë fituar partitë politike rivale gjatë dekadës së fundit. Në mbështetje të të sipërpërmendurës mund të konstatohet se sa më të përafërta të jenë rezultatet e zgjedhjeve, aq më të vogla janë shanset për realizimin e kontrolleve ose faturimin e gjobave.

Më pak kontrolle lidhur me të drejtat e punëtorëve vetëm para zgjedhjeve parlamentare të 2011-tës

Në kohën kur shifrat tregojnë uljen e numrit të gjobave lidhur me shkeljet e rregullave të komunikacionit dhe uljen e numrit të kontrolleve të Inspektoratit Shtetëror të Tregut gjatë periudhës së zgjedhjeve, ky konkluzion nuk vlen plotësisht për Inspektoratin e Punës. Duke qenë organi më i rëndësishëm mbikëqyrës në fushën e marrëdhënieve të punës, nga ky Inspektorat ne kërkuam numrin e kontrolleve të realizuara në nivel mujor, duke filluar nga viti 2005. Megjithatë, nga ana e Inspektoratit fituam shifrat përkatëse nga fillimi i vitit 2010 e deri më sot.


 

Shqyrtimi i të dhënave përkatëse vërteton variacione të shumta gjatë periudhës së hulumtuar. Për dallim nga grafikët identikë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Inspektoratit Shtetëror të Tregut, në rastin e Inspektoratit të Punës lidhja midis zgjedhjeve dhe kontrolleve mund të supozohet vetëm para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2011. Më saktësisht, në shkurt dhe mars të këtij viti, inspektorët e Inspektoratit të Punës kanë zhvilluar rreth 1500 kontrolle çdo muaj. Në muajin prill numri i kontrolleve është ulur në 876, në maj është ulur në 862, ndërsa në qershor numri i kontrolleve ka arritur në 709. Ndërkaq, në muajin korrik, megjithëse ka qenë muaji pushimesh, numri i kontrolleve është trefishuar dhe ka arritur 2133. Megjithatë, ky trend nuk është përsëritur gjatë ciklit zgjedhor të radhës ose gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2013. Duhet theksuar se është konstatuar një rritje e vogël e numrit të kontrolleve në ditët e votimit, më saktësisht më 24 mars dhe 7 prill. Në janar të këtij viti janë regjistruar 2086 kontrolle, në shkurt janë realizuar 2521 kontrolle, në mars janë realizuar 2368 kontrolle, në prill 2781 kontrolle dhe në muajin maj 2164 kontrolle. Gjatë muajve korrik dhe gusht numri i kontrolleve është ulur në rreth 1400, që ka të bëj me pushimet vjetore. Në mbështetje të të dhënave të mësipërme mund të konstatohet se Inspektorati i punës ka amnistuar vetëm gjatë kohës së zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në vitin 2011. Inspektorët komunalë të qytetit dhe ALFAT nuk marrin parasysh zgjedhjet Organi i parë nga të gjitha organet që u analizuan, puna e të cili në asnjë mënyrë nuk mund të lidhet me zgjedhjet është njësiti “ALFA”. Ky konkluzion ka të bëj me arrestimet e këtij njësiti në nivel vjetor gjatë vitit 2005 dhe gjatë vitit 2010.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nga viti 2005 deri në vitin 2013, në nivel vjetor ulje e madhe e numrit të arrestimeve mund të vërehet vetëm gjatë vitit zgjedhor 2009. Megjithatë, bëhet fjalë vetëm për një rast që është regjistruar gjatë gjithë dekadës.

Statistikat në nivel mujor, duke filluar nga viti 2011, tregojnë një pamje jo shumë të ndryshme. Muajin e zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2011, më saktësisht gjatë muajit qershor, është ulur numri i arrestimeve, por ky trend ka vazhduar edhe gjatë muajit korrik, ndërsa në një nivel të ngjashëm ka qenë edhe muaji gusht. Në vitin 2012, kur nuk ka pasur zgjedhje, janë regjistruar ulje dhe rritje më të mëdha të numrit të arrestimeve për dallim nga viti 2011. Ndërkaq, para zgjedhjeve lokale, që u mbajtën më 24 mars dhe 7 prill të vitit 2013, të dhënat në nivel mujor kanë shënuar variacione pozitive dhe negative.

Në përgjithësi, gjatë muajve për të cilat u siguruan të dhënat sipas muajve, numri i arrestimeve të njësitit “Alfa” ka shënuar variacione të shpeshta dhe të mëdha. Tre ndryshimet më të mëdha dhe më të vogla janë konstatuar jashtë periudhave zgjedhore, një gjendje kjo e ndryshme nga gjobat lidhur me shkeljet në komunikacion dhe kontrollet e inspektorëve të tregut. Në mbështetje të të sipërpërmendurës, mund të arrihet në konkluzionin se puna e ALFA-ve ka ndryshuar nga muaji në muaj, ndërsa ndryshimet sipas të gjitha gjasave kanë të bëjnë me natyrën e vetë punës së Alfave.

Nga të gjitha institucionet e zgjedhura për nevojat e këtij hulumtimi përgjigjen më të detajuar e fituam nga ana e Inspektoratit komunal të Qytetit të Shkupit. Ky shërbim është i veçantë edhe me vetë faktin që autoritetet e tij nuk kanë asnjë lidhje me proceset zgjedhore. Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i gjobave të inspektorëve të këtij shërbimi është në rritje të vazhdueshme, pa dallim të periudhës së organizimit të zgjedhjeve. Ky trend në një masë të madhe ka të bëj me Ligjin e pastërtisë publike, me të cilin pushteti lokal fitoi një numër të madh kompetencash.

Ryshfetdhënie e organizuar për votuesit

Nëse kontrolli institucional do të dështojë gjatë periudhës zgjedhore, kjo gjendje mund të rezultojë me pasoja të ndryshme. Dëmtimi i shtetit të së drejtës, parimit të sundimit të drejtë, stimulimi i anarkisë, qoftë edhe shkelje të rregullave të komunikacionit, janë vetëm një pjesë të pasojave të mundshme.

Vlado Buckovski

Vlado Buçkovski: Ekziston një rregull i pashkruar sipas të cilit para zgjedhjeve bie intensiteti i kontrolleve të shërbimeve të inspektimit!

Ish kryeministri, ministri dhe kryesuesi i Këshillit të Qytetit të Shkupit, z. Vlado Buçkovski, ka konfirmuar liberalizmin e institucioneve para çdo cikli zgjedhor.

– „Për mendimin tim ekzistojnë dy arsye. Njëra arsye është subjektive, ndërsa tjetra objektive. Arsyeja e parë ka të bëj me vetëdijen e inspektorëve, të cilët me qëllim ulin numrin e kontrolleve që të mos i irritojnë votuesit, ndërsa arsyeja e dytë ka të bëj me faktin që administrata e partizuar gjatë periudhës parazgjedhore u jep prioritet aktiviteteve partiake në terren dhe jo interesave të shtetit”, tha Buçkovski!

Buçkovski gjithashtu ka folur edhe për një tjetër dukuri karakteristike për disa nga ciklet e fundit zgjedhore, më saktësisht për frikësimin e votuesve. Sipas tij, një pjesë e shërbimeve të inspektimit përdoren për të frikësuar votuesit partiakë, që nuk janë interesuar për të votuar ose votuesit që duan të votojnë për opozitën.

Për dallim nga Vlado Buçkovski, ish anëtari dhe kryetari i komisionit shtetëror për luftimin e korrupsionit, z. Dragan Malinovski, vlerëson se nuk bëhet fjalë për një rregull të pashkruar, por për ryshfet që organizohet nga ana e strukturave më të larta.

-„Aktivitetet përkatëse nuk janë të rastësishme ose incidentale, por janë rezultat të vendimeve politike të pushtetit që institucionet të ndryshojnë regjimin e tyre të punës para zgjedhjeve, duke manifestuar në këtë mënyrë kujdes më të madh dhe tolerancë ndaj qytetarëve.

dragan malinovski

Dragan Malinovski: Bëhet fjalë për korrupsion zgjedhor që nuk është i rastësishëm

Për Malinovskin nuk ka dyshime që kjo praktikë është e pranishme vite me radhë, por sipas tij dilema ka të bëj me intensitetin e manifestimit të kësaj praktike gjatë viteve. Sipas tij, niveli i abstinencës të shërbimeve të inspektimit para dhe gjatë kohës së zgjedhjeve ka një lidhje proporcionale me politizimin e institucioneve, ndërsa pasojat e sjelljes së tillë janë të shumta.

„Institucionet dhe shërbimet e inspektimit para së gjithash manifestojnë dobësi ndaj ndikimeve politike, që në fakt vë në pikëpyetje integritetin e tyre profesional. Gjendja e tillë implikon edhe parregullsi në punën e tyre, që do të thotë se qytetarët dhe subjektet juridike nuk mund të kenë një qëndrim të qartë lidhur me aktivitetet e lejuara ose të ndaluara dhe cili është pragu i tolerancës së institucioneve lidhur me shkeljet e caktuara të ligjit“, thotë Malinovski.

Sipas tij, dalja nga kjo gjendje duhet kërkuar në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe në sigurimin e integritetit.

Ndërkohë, qytetarët dhe firmat me të drejtë mund të presin që me nisjen e karvanëve zgjedhore shanset për t’u gjobitur për një shkelje në komunikacion ose për t’u kontrolluar nga ana e Inspektoratit të tregut janë më të vogla.