Data e sotme
October 20, 2020

Partia e re në teren të ngushtë politik

Njohësit e rrethanave politike thonë se protestat kundër vendimit të gjzkatave për rastin “Monstra” kanë treguar se pakënaqësia e shqiptarëve ndaj përfaqësimit të zbehtë, korruptiv dhe të papërgjegjshëm në insitucione ka arritur kulmin

Kryetari i komunës së Strugës, Zijadin Sela, dhe organizatorë të protestave të fundit kanë paralajmëruar formimin e partive të reja. Derisa BDI dhe PDSH parimisht ftojnë dhe mirëpresin çdo konkurencë politike, megjithatë duket të jenë kureshtarë të dijnë se kush do të përfaqësojë këtë parti, do të ketë një apo paralelisht do të formohen dy subjekte?

Njohësit e rrethanave politike thonë se protestat kundër vendimit të gjzkatave për rastin “Monstra” kanë treguar se pakënaqësia e shqiptarëve ndaj përfaqësimit të zbehtë, korruptiv dhe të papërgjegjshëm në insitucione ka arritur kulmin.

 

Revolta e qytetarëve

 

Kryeredaktori i revistës “Shenja”, Afrim Gashi lidhur me pyetjen se cili është efekti i protestave dhe a do të mund të njëjtat të ndikojnë ndaj pavarësisë dhe mosdikriminimit institucional dhe gjyqësor, u shpreh për Inbox7 se protestat lidhur me rastin “Monstra” ishin shfaqje e akumuluar e revoltës së qytetarëve ndaj proceseve në përgjithësi dhe ndaj rastit “Monstra” në veçanti. “Konsideroj me shumë bindje se efekti i këtyre protestave ishte shumë thelbësor. Në fakt shqiptarët e Maqedonisë gjatë këtyre protestave dëshmuan se kjo politikë shtetërore prodhon diskriminim ndaj shqiptarëve në çdo sferë të jetës, si ekonomike, politike, juridike, sociale e kulturore dhe se përfaqësuesit politik të shqiptarëve nuk janë të denjë që të artikulojnë interesat tona në këtë shtet. Ata dëshmuan se pushteti mund të marrë në qeveri një grup të shqiptarëve të korruptuar e të tjerët t’i mbajë si dekor opozitar, megjithatë nuk mund të mbajë nën kontroll të plotë të gjithë shqiptarët e këtij vendi”, thotë Gashi.

Kryeredaktori i portalit “Zhurnal”, Fami Bajrami vlerëson se protestat kanë pasur jehonë. Sipas tij, ajo preku vetëm në pjesën shqiptare, por jo edhe në pjesën maqedonase ku e gjithë ajo makineri e policisë që më parë tërhoqi kufirin. “Pra, e kam fjalën se zëri i këtyre protestuesve deri te veshi i shtetit arriti përmes mediave, atyre nuk iu lejua qasja deri te Qeveria apo Parlamenti. Së pari ajo preku deri te Gjykata, por që më pas të kontrollohet”, thotë Bajrami.

Që të arrihet efekti i gjithë kësaj, sipas tij, është që Gjykata e Apelit të vendos drejt dhe gjykimi të kthehet nga fillimi, “pse jo ai transmetim i seancës gjyqësore të zhvillohet para syve të publikut e mediave, si në Tribunalin e Hagës”.

“Ndërkohë, situata sipas tij ka një ekuacion të përbashkët-politizimin e skajshëm të gjyqësisë, që rëndë të hiqet qafe. “Në këtë duhet të insistojë politika shqiptare, sidomos BDI, me rritjen e përfaqësimit të drejtë në gjykata dhe Prokurori, një gjë të cilën e shfaqi ministri aktual i Drejtësisë, Adnan Jashari, por edhe zv/kryeministri Fatmir Besimi kur premtoi më shumë fonde evropiane në reformat në gjyqësi”, thotë Bajrami.

Ndërsa analisti Gashi thotë se pas shfaqjes së pakënaqësisë gjithandej rajoneve të banuara me shqiptarë në Maqedoni, e njëjta pakënaqësi duhet të artikulohet me mjete politike që të mund të ketë efektin edhe institucional, duke iniciuar një sërë reformash që përfundimisht të fillojë ky shtet të jetë i drejtë dhe i barabartë ndaj të gjithë qytetarëve.

“Subjektet politike shqiptare ka vite që kanë rënë në një anemi të plotë politike dhe nuk janë në gjendje të lëvizin situatën as me hapat më të vegjël. Andaj, organizimi i një subjekti të ri politik shqiptar është i domosdoshëm jo vetëm për shkak të protestave, por natyrisht edhe për shkakun e tyre”, theksoi Gashi.

 

Profili i subjektit të ri politik të shqiptarëve?

 

Analisti Afrim Gashi thotë se subjekti i ri politik duhet të formohet nga njerëz të rinj dhe me koncept të ri për shtetin. “Ky koncept do të reflektojë realitetin shoqëror në Maqedoni, e ajo është se në këtë vend ka dy popujt shumicë, shqiptarët dhe maqedonasit dhe disa popuj tjerë pakicë. Kjo gjendje duhet të sanksionohet në kushtetutë në të cilën do të ndërtohet një sistem i ri politik në vend i cili do të ndalë diskriminim dhe i cili do të prodhojë drejtësi dhe barazi”, vlerëson Gashi.

Ndërsa i lutur që të komentojë nëse pas protestave ose paralelisht me to revolta të mund të kanalizohet në një lëvizje ose subjekt politik, analisti Fami Bajrami u përgjigj se prania e disa politikanëve në protesta ndoshta mund të kuptohet si tentim për përfitim politik, por kjo më tepër ishte një mundësi për kontrollim të turmës nëse situata del jashtë kontrollit. “Një grup i vogël i protestuesve mund të përkufizohen në atë kontekst, por të gjithë të tjerët kanë pikëpamje tjera”, thotë Bajrami, duke shtuar se dikush këtë e shfrytëzoi sa për të dalë në sipërfaqe, e që deri tani publiku pakëz i ka njohur. “Pra, gjithë ata gishta protestuesish rëndë të vërehet nëse i takojnë ndonjë subjekti të caktuar. Po shohim që me protestuesit të rreshtohen disa politikanë e ish politikanë. Por, ajo që dihet është se Ziadin Sela ka nisur luftën për reformimin e PDSH-së, por të shohim se ku do të del kjo”, nënvizon Bajrami.

Njëri ndër pjesëtarët e gjeneratës së re është studenti i filozofisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT), Denis Raufi, i cili është pro aktivizimit politik të të rinjve. Sipas tij subjekti i ri politik duhet të kërkojë që barazia të jetë pikënisje, e jo pikëmbërritje, ndërsa për barazinë dhe drejtësinë nuk duhet bërë kompromis. “Ky subjekt i ri duhet të tregojë se shqiptarët në Maqedoni janë komb shtetformues dhe se Maqedonia do të ketë kuptim vetëm nëse e ndryshon kushtetutën e saj dhe të shkruhet qartë se Maqedonia është shtet i shqiptarëve dhe maqedonasve dhe jo të trajtohemi si minoritet nën ombrellën “të tjerët” . Ky subjekt i ri politik duhet të kërkoj barazi të plotë në sferën ekonomike, e cila do të nënkuptoj barazi në vendimmarrje, në përgjegjësitë politikbërëse dhe barazi në punësim”, theksoi Raufi.

Ndërsa Artan Grubi, deputet i BDI-së dhe shef i kabinetit të Ali Ahmetit para disa javëve në një emision në Koha Televizion (KTV) kërkoi që partia e re, për të cilën aq shumë flitet, le të formohet sa më shpejtë dhe të matet me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI)-në në zgjedhje.

Subjekti i ri politik i shqiptarëve nuk pritet të paraqitet në skenë ë shpejti, por pritet të jetë një proces I cili do të burojë nga qarqet intelektuale dhe në të përfshihen shtresa të ndryshme të shoqërisë.

 

 

 

 

 

 

 

 

tahiri@inbox7.mk