Data e sotme
November 19, 2019
Analistët vlerësojnë se shpallja e zgjedhjeve të parakohshme varet nga VMRO-DPMNE-ja

Kërkohen votat me programe etnike

BDI platformën e saj programore e bazon tek tri shtylla kryesore: integrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike, marrëdhëniet ndëretnike dhe zhvillimin e mirëqenies. PDSH përmes Marrëveshjes së saj politike kërkon vendimmarrje me konsensus dhe ndarje përpjesëtimore të buxhetit. Analistët mendojnë se përveç çështjeve etnike duhet tu kushtohet kujdes edhe çështjeve jetësore të shqiptarëve

Platformat programore të partive politikë të shqiptarëve dominohen nga ofertat etnike. Megjithë faktin që kanë kaluar 23 vite nga pavarësimi i Maqedonisë dhe 13 vite nga aprovimi i Marrëveshjes së Ohrit(MO), partitë që përfaqësojnë shqiptarët, kryesisht artikulojnë kërkesa kolektive, që kanë të bëjnë me statusin juridik-kushtetues të qytetarëve shqiptarë. Të gjithë pa përjashtim premtojnë se shqiptarët do të jetojnë më mirë pas zgjedhjeve parlamentare.

 

 

BDI, PDSH dhe RDK me premtime etnike

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), parti e cila së bashku me VMRO-DPMNE-në ishte pjesë e pushtetit që nga viti 2008, platformën e saj programore për zgjedhjet parlamentare e bazon tek tri shtylla kryesore: integrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike, marrëdhëniet ndëretnike dhe zhvillimin e mirëqenien për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë.

Zëvendëskryeministri për integrime evropiane, Fatmir Besimi nga radhët e BDI-së së Ahmetit, është shprehur se platforma e BDI-së është dokument konzistent që përfshin kërkesat e qytetarëve. Ndërsa Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) edhe për këto zgjedhje parlamentare dhe presidenciale votën e shqiptarëve e kërkon me anë të Marrëveshjes politike, për zbatimin e së cilës kërkon një ligj të veçantë, në të cilin parashikohen masa ndëshkuese për shkeljet dhe zvarritjet. Kjo marrëveshje kërkon barazi të plotë dhe përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në sistem, si në shfrytëzimin e begative të sistemit, ashtu edhe në vendimmarrje. Sipas PDSH-së, kjo fushë do të kontrollohet me parimin e konsensusit të plotë. Ndërsa BDI është arsyetuar se integrimi mbetet prioritet, pasi vetëm me këtë proces shqiptarët e rajonit do të jenë të bashkuar, ndërsa Ballkani do të jetë më i qëndrueshëm dhe stabil. Pohimin e ka bërë vetë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë një tubimi në Sllupçan të komunës së Likovës, që njihet si ndër vatrat e konfliktit të vitit 2001. Ahmeti ka shpalosur se në politikën e jashtme, qëllim i BDI-së është anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE. Edhe lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi synon se integrimi nuk ka alternativë, ndërsa emri do të zgjidhet brenda një viti. Ndërsa Rilindja Demokratike Kombëtare e Rufi Osmanit (RDK) poashtu angazhohet për zhbllokimin e integrimeve të Maqedonisë. Një gjë e tillë, sipas Osmanit, arrihet nëpërmjet gjetjes së kompromisit për përdorim ndërkombëtar të emrit të shtetit ose nëpërmjet modelit i cili po zbatohet në rastin e Sllovenisë dhe Kroacisë. Në planin e politikës së brendshme, ndër çështjet e pazgjidhura të shqiptarëve vazhdon të debatohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe. Lideri i BDI-së ,Ali Ahmeti tha se avancimi i gjuhës shqipe, megjithë përpjekjet që janë bërë, ende nuk është mbyllur si kapitull. Njëjtë ka premtuar edhe lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi në hapjen e fushatës politike të kësaj partie në Shkup. Thaçi tha se gjuha shqipe urgjentisht me ligj të ri të bëhet zyrtare. Platformat programore të BDI-së dhe PDSH-së kanë pikëtakime edhe tek funksionimi i institucioneve të shtetit. BDI-ja kërkon me ngulm që në të ardhmen presidenti i shtetit të jetë konsensual, për shkak të mospranimit të së cilës kërkesë bojkoton zgjedhjet presidenciale.

Ndërsa PDSH-ja në marrëveshjen e saj kërkon ligj të ri për funksionim konsensual të Qeverisë.

PDSH-ja me marrëveshjen politike kërkon që njëri nga tri postet kryesore të shtetit: presidenti, kryeministri ose kryetari i Parlamentit t’u takojë shqiptarëve. Kërkesën e njëjtë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti e artikulon që nga viti 2009. Së fundi Ahmeti, gjatë fushatës parazgjedhore, pikërisht nga qyteti i tij i prejardhjes, Kërçova, sërish kërkoi që një nga tre pozitat kryesore në vend t’u takojë shqiptarëve. Më këtë Ahmeti mendon se karakteri shumëetnik i shtetit do të reflektohej në vetë postet më të larta shtetërore.

 

Kauzat konkrete në plan të dytë

BardhylBardhyl Zaimi është analist dhe vrojtues i fushatës parazgjedhore në Maqedoni. Për të faza e para e fushatës është ndër më shterpet dhe është një lloj garimi anemik dhe i pastrukturuar në një platformë të mirëqenë me një vizion për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoni. “Tek shqiptarët nuk trajtohen gjërat kruciale, ato përmenden përciptazi dhe pa ndonjë qasje serioze dhe të argumentuar” tha Zaimi .Pozicioni i partive politike në këtë fushatë mbi temat jetike është më tepër folklorik dhe i paartikuluar në esencën e tyre, thotë Zaimi për Inbox7.

Nuk kanë një vizion real në përputhje me pritjet për ato çështje që përfaqësojnë interesin e shqiptarëve të Maqedonisë”.

Ndërsa Sevdail Demiri, bashkëpunëtor shkencor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH) tha për Inbox7 se gjatë kësaj fushate parazgjedhore, tek partitë shqiptare përgjithësisht vërehet prania më e madhe e elementeve etnikë, të bindur se në këtë mënyrë mund të përfitojnë më tepër simpatinë e votuesve shqiptarë. Kjo sipas Demirit ndodh për faktin se ende nuk janë zgjidhur shumë çështje të hapura të shqiptarëve në Maqedoni me karakter etnik. Ai spikati se ndryshim në këtë aspekt vërehet tek BDI-ja, e cila krahas çështjeve etnike, thekson se prioritet i vendit është integrimi në NATO dhe BE.

Kjo lidhet jo vetëm me emrin e partisë, por edhe me moton e saj në këtë fushatë për zgjedhjet parlamentare: Bashkë për Evropë” mendon Demiri.

Por për analistin Bardhyl Zaimi çështja e integrimeve përmendet vetëm si një slogan mobilizues, pa u ndalur në agjendat konkrete.

Çështja e emrit më tepër përdoret për mobilizime dhe jo për të sqaruar deri në fund kompleksitetin e saj. Në këtë çështje shqiptarët janë ‘out’, pa fuqi për të pretenduar zgjidhje ” tha Zaimi.

Ai vlerësoi se përderisa kjo fushatë, asgjë nuk ka të artikuluar në dimensionin politik,për sa i përket sferave tjera konkrete, ka përmendje aksidentale, por jo edhe strukturime të platformave të denja për konkurrim para elektoratit.

Në kontekst  të diskursit dhe platformave programore të subjekteve politike të shqiptarëve, Zaimi vëren se gati aspak nuk debatohet për ekonominë, kulturën, arsimin, jetën sociale të cilat mbeten preokupim kryesor për qytetarët. “Ka mungesë të jashtëzakonshme të ofertës politike, mungesë artikulimi të problemeve dhe një mungesë për t’u debatuar çështjet madhore me të cilat realisht ballafaqohen shqiptarët e Maqedonisë.Temat folklorike etnike kanë ngadhënjyer mbi pritjet reale të afirmimit të qenies shqiptare në shtet”tha Bardhyl Zaimi, analist politik.

SevdailPër Sevdail Demirin nga (ITSHKSH), çështjet ekonomike, sociale, arsimore, shëndetësore, janë të planit të dytë, meqë te blloku politik shqiptar, ngjashëm si te ai maqedonas prioritet kanë problemet madhore politike. Derisa nuk zgjidhen problemet etnike të shqiptarëve, siç janë: gjuha, flamuri, statusi i ish-pjesëtarëve të UÇK-së, partitë shqiptare do të vazhdojnë të shigjetojnë në këto tema”, tha Demiri.

Por çfarë duhet të ndryshojë në qasjen programore të partive shqiptare?

Demiri dhe Zaimi konsiderojnë se në vend të premtimeve të mëdha boshe, partitë politikë të shqiptarëve duhet të realizojnë dhe të mbyllin sa më shpejtë çështjet etnike, në mënyrë që të orientohen më tepër dhe më seriozisht në zhvillimin ekonomik të rajoneve shqiptare, të hapin vende të reja të punës, fabrika dhe të realizojnë projekte të reja, për të siguruar mirëqenie ekonomike dhe sociale të popullatës shqiptare.

Analistët në Shkup konkludojnë se agjenda etnike tek partitë politike shqiptare dominon nga vitet 90-ta, pasi politikbërja, duke u thirrur në vlera kolektive kombëtare gjithmonë është treguar efektive. Por, ato vlerësojnë se në planin afatgjatë ky diskurs dhe këto përcaktime programore duhet të mbindërtohen me ide, projekte dhe vizione ekonomike dhe shoqërore, të cilat realisht do të sjellin ndyshime pozitive për votuesin shqiptar.

Redaktor: Selim Ibraimi

tahiri@inbox7.mk