Data e sotme
December 12, 2019

Çmimet evropiane, pagat afrikane

Maqedonia është njëri ndër vendet, në të cilat shporta konsumatore është më e lartë se sa pagat mujore. Sipas llogaritjes së bërë nga Lidhja e Sindikatave e Maqedonisë (LSM) shporta konsumatore është në vlerë prej 32 mijë denarë, ndërsa paga mesatare mujore është 21 mijë denarë.

Kjo e dhënë statistikore tregon se shumë familje në Maqedoni jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS) në vitin 2013, nga 650 mijë të punësuar, numri më i madh i tyre, rreth 42 për qind i takon kategorisë së të punësuarve që marrin pagë minimale përkatësisht më pak se 200 euro ose 12 mijë denarë.

Elementet që e formojnë shportën sindikaliste      

Të dhënat statistikore tregojnë se çmimet në Maqedoni vazhdimisht rriten. Çmim konstant në pesë vitet e fundit mban vetëm uji mineral, çmimi i së cilit është 20 denarë. Ulje të çmimit, statistika evidentuan vetëm tek sheqeri, i cili në vitin 2009 shitej për 42 denarë, ndërsa në vitin 2013 u ul në 38 denarë.

 

Vetëm 1,3 e qytetarëve në vend apo 8960 të punësuar marrin pagë më të madhe se 40 mijë denarë. 15 për qind e të punësuarve punojnë për pagë që sillet prej 12 deri në 16 mijë denarë. 10 për qind e të punësuarve kanë pagë më të madhe se sa mesatarja përkatësisht kanë paga që sillen mbi 20 mijë denarë.

 

Rroga 200 euro, shporta konsumatore 500 euro

 

Qytetari Qemal H., që jeton në Gjermani dhe që për pushime qëndron në Maqedoni shpreh habi me nivelin e standardit jetësor në Maqedoni.

“Është shumë shtrenjtë, çmimet janë shumë të larta, rrogat janë shumë të ulëta. Më vjen keq për këtë. Në vend që të çmallem në vendlindje, jam i detyruar që vazhdimisht të dëgjoj ankesat e familjarëve të mi për skamje dhe krizë ekonomike”.

” U ndihmoj sa mundem dhe shpesh mendoj në vete se nuk do të kisha mundur të përballoj muajin në aspektin ekonomik po të kisha vazhduar jetën në Maqedoni”, tha qytetari Qemal H.

Më parë shportën konsumatore e llogariste Enti i Statistikës, por prej para tre viteve këtë e bën Sindikata e Maqedonisë. Enti i Statistikës në këtë llogaritje përfshinte vetëm ushqimin dhe pijet, por jo edhe faturat e shpenzimeve tjera jetësore. Kështu kjo llogaritje për një familje katër anëtarësh nuk e tejkalonte 12 mijë denarshin. Arsyetimi i Entit për mosllogaritjen e shportës ishte se mediat kanë keqpërdorur të dhënat, pasi shpesh raportohej dhe analizohej se mënyra e llogaritjes së shportës nga Enti Statistikor është joobjektive.

“Qëllimi është përcaktimi i gjendjes sociale të punëtorëve, për shkak se metoda e re përfshin më shumë elemente në raport më shportën konsumatore të Entit Shtetëror të Statistikës. Në shportën e Entit përfshiheshin vetëm shpenzimet për ushqim dhe pije për një familje katëranëtarëshe.Në shportën sindikaliste përfshihen edhe shpenzimet për banim, higjienë, transport, kulturë, veshmbathje dhe shëndet. Koncepti sipas së cilit realizohet llogaritja e shportës mujore është marrë nga Evropa Perëndimore” sqaruan në Lidhjen e Sindikatave të Maqedonisë (LSM).

 

Shporta sindikaliste minimale në Maqedoni

Mërgimtarët habiten me çmimet e larta dhe pagat e ulëta

 

Enver Gashi, që para disa viteve vendosi që për ekzistencë më të mirë ekonomikë të shkojë në Zvicër. Pasi në Maqedoni kishte pagë të një mësuesi, që është rreth 300 euro, sot bën një punë që nuk ka lidhje me arsimin, por që është shumë e leverdishme. Paguhet dhjetëfish më shumë.

Për Inbox7, Gashi i cili ditëve të verës gjendet në Shkup, shprehet se Maqedonia dhe Evropa nuk dallojnë shumë në çmime, por ky dallim është si nata me ditën, kur bëhet fjalë për pagat mujore.

“Është një fenomen në vete. Unë si dhe shumica e bashkatdhetarëve e debatojmë se si mund të jetë një standard kaq i ulët në Maqedoni. Çmimet aspak nuk dallojnë nga ato evropiane”.

”Me një rrogë mesatare prej 200 deri në 300 euro, aq sa është në Maqedoni, vërtetë njeriu duhet të jetë shumë i aftë për të siguruar ekzistencën. Kjo është jetë mizore”, theksoi Gashi.

Ndërsa Irfan Agushi është teolog që u shërben besimtarëve të Fesë Islame në Zvicër.Sipas Agushit kur flasim për standardin dhe çmimet është shumë me rëndësi të thuhet se vlera e tatimit të vlerës së shtuar (TVSH) në Maqedoni është mbi 100 për qind më e lartë se ajo e Zvicrës. “Për çdo artikull dhe shërbim, që shfrytëzojnë qytetarët në Zvicër paguajnë TVSH prej 8 për qind, ndërsa në Maqedoni ai  është në vlerën 18 për qind. Rroga mesatare në Zvicër për një person është e paraparë me ligj. Ajo nuk mund të jetë më pak se 4000 franga. Ndërsa në Maqedoni ajo është disa herë më e ulët”, shprehet Agushi.

Sipas tij në Maqedoni edhe çmimet e shërbimeve janë shumë më të larta se sa në Zvicër, krahasuar me pagën mesatare mujore.

“Në Maqedoni tarifa e lartë e energjisë elektrike e përcaktuar nga EVN-ja është 4.5 denarë, ndërsa tarifa e ulët 2.80 denarë, pa llogaritur TVSH-në.

Në Zvicër tarifa e lartë është 5 denarë, ndërsa tarifa e ulët është 3.4 denarë bashkë me TVSH-në. Në disa qytete nuk parashikohet pagesa e ujit”, nënvizoi Agushi.

E ngjashme është gjendja edhe në Gjermani, shtet në të cilin ka shumë mërgimtarë nga Maqedonia. Në këtë shtet paga mujore është rreth 2600 euro, ndërsa për ushqim shpenzohen vetëm 14 për qind e pagës.

Agon Kamberi jeton në Berlin, ndërsa studion në Universitetin Teknik të këtij qyteti. Ai për Inbox7 sjell një pasqyrë lidhur me shportën konsumatore gjermane.

“Më shumë se 1/3 ose 34.5 për qind e mjeteve financiare të shportës konsumatore shpenzohen për banim, energji dhe mirëmbajtje të ambientit të jetesës. Pas kësaj renditen shpenzimet për udhëtim me 14,2 për qind, shpenzimet për ushqim, pije dhe cigare me 13,9 %, ndërsa shpenzimet për kohë të lirë, argëtim dhe kulturë arrijnë në 10.6 për qind. Shpenzimet për mobile shtëpiake arrijnë në 5,5 për qind, për shërbime hotelerie gjithashtu 5,5 për qind , për veshmbathje 4,6 për qind dhe për kozmetikë e shëndetësi 4,2 për qind”, sqaroiKamberi.

Krahasuar me shtetet e rajonit, Maqedonia ka shportë të njëjtë konsumatore me Serbinë, edhe pse paga mujore në këtë shtet fqinj është më e lartë. Shporta konsumatore në Kroaci është në vlerë prej 895 euro, ndërsa paga mesatare është 715 euro, në Bosnjë-Hercegovinë shporta konsumatore është llogaritur dyfish më shumë se sa paga mesatare që është 410 euro. Në Mal të Zi paga mesatare është 484 euro, ndërsa shporta konsumatore është 778 euro.

Nga analiza e çmimeve rezulton për habi se një pjesë e produkteve shiten më lirë në Gjermani së sa në Maqedoni, edhe pse pagat janë dhjetëfish më të larta. Parametrat statistikorë tregojnë se viteve të fundit shënohet rritje e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, thuajse në çdo sektor.

Redaktor: Selim Ibraimi

 

tahiri@inbox7.mk