Data e sotme
July 22, 2019

Ana tjetër e reklamave: Kush qëndron prapa biznesit me billbordet në Maqedoni?

Kohët e fundit ka ardhur deri te një rigrupim i forcave dhe një rritje e konkurrencës në këtë biznes, kështu që sot veprojnë kryesisht katër kompani. Ja kush qëndron prapa tyre

author: Vlatko Stojanovski

 

Gjatë 24 orëve në ditë, shtatë ditëve në javë, billbordet e tërheqin vëmendjen e secilit kalimtar të rastit. Kur një njeri i afrohet billbordit, ai thjeshtë nuk mund ta injorojë atë për shkak të madhësisë dhe dukshmërisë së tij, e me atë edhe me porosinë që ia transmeton, për dallim nga porositë propaganduese të televizionit dhe mediumeve të reja, që ndërpriten vetëm me një buton.

Novi bilbordi

Duke pasur parasysh dendurinë dhe shpërndarjen e tyre, thuajse është e pamundur ecja, bile edhe vozitja e njerëzve pa hasur vazhdimisht në panelet reklamuese, të cilat në kuptimin e plotë të fjalës, shihen gjithkund. Kryeqyteti dhe gjithë vendi janë të stërmbushur me këto dërrasa, të cilat promovojnë grupe të ndryshme dhe individë për ndonjë kompensim përkatës ndaj agjencisë, e cila menaxhon me to.

Reklamimi i jashtëm bëhet gjithnjë më atraktiv në situatë kur reklamimi në mediumet tradicionale është i paarritshëm për këdo, sepse kushton shumë më tepër. Po ashtu, edhe për shkak të disa përparësive komparative në lidhje me reklamimin në internet.

Kompanitë private dhe partitë politike gjithnjë e më shumë janë orientuar drejt këtij lloji të reklamimit të ashtuquajtur “jashtë shtëpisë”. Sipas atyre që janë të informuar lidhur me këtë biznes, në vitin e fundit përfundimtar, kompanitë që operojnë në këtë sektor kanë bërë një qarkullim prej rreth 4 milionë eurosh, me tendencë që ky shifër të rritet vit pas viti.

Përqindja më e madhe e kësaj shume të parave është kthyer në kryeqytetin e Shkupit, ndërsa pjesa tjetër e parave në qytetet e tjera nëpër Maqedoni, si dhe në hapësirat ndër-urbane  dhe vendkalimet kufitare, ku janë vendosur të ashtuquajturit bigborde. Kohët e fundit, ka ardhur deri te një rigrupim i forcave dhe deri te rritja e konkurrencës në këtë biznes, kryesisht në Shkup, ku tani kryesisht veprojnë katër kompani të marketingut.

Njëra nga këto ka dalë superiore në këtë treg dhe e ka zgjeruar praninë e saj në gjithë territorin e Maqedonisë. Në fakt, pronësia dhe menaxhimi i kësaj kompanie është në një lidhje të ngushtë familjare me Ministrin dhe Sekretarin e përgjithshëm të njërës nga partitë më të mëdha qeveritare.

 

INTERES I MADH, PAK OFERTA

 

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, kur është kandiduar për herë të parë për kryetar të kryeqytetit, në programin zgjedhor për mandatin e periudhës 2009 – 2013, premtoi se nëse zgjidhet për kryetar të kryeqytetit, do të sjellë një procedurë përmes së cilës do të rregullohet vendosja e billbordeve në hapësirat publike. Atëherë, ai garantonte se hapësira për atë qëllim do të jepet në një mënyrë transparente.

Koce Trajanovski

Koce Trajanovski

“E dimë që më hapjen e kësaj çështjeje do të hasim në shumë presione, sepse në këtë biznes ka shumë para, por doemos duhet të përpiqemi që ta zgjidhim problemin me billbordet” fliste Trajanovski para më shumë se 4 vite.

Shumë shpejtë pas asaj, më saktë në vitin 2010, Këshilli i Qytetit të Shkupit ka marrë një Vendim për përcaktimin e nevojës së vendosjes së pajisjeve urbane, si dhe për kushtet, mënyrën dhe procedurën e dhënies së miratimit për vendosjen e pajisjeve urbane. Dy vite më vonë, Këshilli e ka marrë Programin për vendosjen e pajisjeve urbane – paneleve reklamuese në territorin e Qytetit të Shkupit për periudhën e viteve 2012 – 2027.

Në këtë program, të publikuar në Gazetën zyrtare të Qytetit të Shkupit nr. 9/2012, janë përcaktuar zonat dhe kufijtë se ku mund të vendosen panelet reklamuese. Po ashtu, ky dokument i rregullon edhe llojin dhe formën e paneleve, të cilat patjetër duhet të jenë të unifikuara dhe e parasheh procedurën përmes së cilës fitohen lokacionet për vendosjen e tyre.

Në bazë të këtij programi, Qyteti në fund të vitit 2012 ka publikuar një shpallje publike për mbledhjen e ofertave për fitimin e gjithsej katër pakove të lokacioneve për vendosjen e paneleve reklamuese në qytet. Ndarja e katër pakove automatikisht do të thoshte ulje e pozicioneve të të dyja kompanive të marketingut, të cilat deri atëherë kanë qenë koncesionerë të qytetit: “Llazov Grup” dhe “Akzent Media”.

Për kompaninë “Llazov Grup”, e cila, sipas të dhënave të Regjistrit Qendror, është themeluar në vitin 1996 nga ana e personit Vlladimir Llazov, në muajin janar të këtij viti është hapur një procedurë falimentimi. Dhe si person i autorizuar i firmës në fakt paraqitet drejtuesi i falimentimit Vesna Spirkovska.

Sa i përket firmës “Akzent Media”, e cila është themeluar në vitin 1995, siç vetë ka publikuar në ueb-faqen e saj, paraqet pjesë e kompanisë austriake me një përvojë tetëdhjetë vjeçare  në këtë fushë – “Epa Media”. Firmat e saja simotra, përveç në vendin tonë, veprojnë në Bullgari, Rumani, Sllovaki, Hungari, Çeki dhe Kroaci.

Pas shpalljes së parë publike, tri firma kanë nënshkruar kontrata me qytetin për vendosjen e paneleve reklamuese: “Akzent Media”, “Kallapllakat” dhe “Screen Media”. Për shkak se kishte nevojë për katër firma, u paraqit nevoja për shpalljen e shpalljes së dytë, pas çka u nënshkrua kontratë edhe me “Media-S”.

Kështu, të dhënat zyrtare tregojnë se “Kallapllakat” është formuar si shoqatë për tregti dhe shërbime në vitin 2006. Themeluesi i saj është Krume Apostollov, i cili njëkohësisht është edhe drejtuesi i kompanisë.

Lidhur me “Media-S”, ajo është formuar në vitin 2001. Gjendja e saj aktuale po thotë se themeluesi është Sllavko Sekullov, ndërsa si drejtues paraqitet Fillip Llazov.

Ndryshe, kontratat të cilat kompanitë i kanë nënshkruar me Qytetin, siç njoftoi vet Kryetari i Qytetit pas nënshkrimit, parashohin se në 15 vitet e ardhshme secila prej tyre do të ketë në dispozicion një nga pakot me nga 200 lokacione për vendosjen e paneleve reklamuese – billbordeve. Përveç kësaj, në çdo pako hyjnë nga 62 për të ashtuquajturit sitilajte, si dhe nga 13 për panelet. Për këtë shërbim, ata duhet t’i paguajnë Qytetit nga 302.000 euro çdo vit.

Kjo do të thotë se çmimi fillestar për ankand është tejkaluar për një hap prej 2.000 eurosh, sa është paraparë në shpalljen publike si ankand i parë i domosdoshëm minimal. Në shpalljen është përcaktuar se në luftën për lokacionet për panelet reklamuese kanë pasur të drejtë për të marrë pjesë kompanitë që kanë pasur më së paku dy vite përvojë pune dhe që nuk kanë pasur borxh ndaj qytetit.

Praktikisht, asnjë nga kompanitë nuk ka pasur arsye për të dërguar një ofertë më të lartë se ajo që është dashur ta dërgonte. Në shpalljen e parë, 3 kompani kanë konkurruar për 4 pako, kështu që ato kanë pasur mundësi të garoheshin për cilëndo pako prej tyre, por në fund një kompani nuk ka pasur mundësi të fitonte më shumë se një pako. Në shpalljen e dytë, ndryshe, ka pasur një situatë edhe më të pastër, sepse është paraqitur vetëm një kompani për një pako.

Nga përgjigjet me shkrim që i kemi marrë nga Qyteti i Shkupit, del se katër kompanitë e përzgjedhura nuk kanë qenë kompanitë e vetme të interesuara për një nga katër pakot, por shumicat e tyre kanë hequr dorë nga synimi për të dërguar oferta pas shpalljes së parë. Disa prej tyre madje aspak nuk kanë dërguar oferta që i plotësojnë kushtet për ankand publik.
“Në shpalljen e parë publike, dokumentacionin për shpalljen publike për dhënien e lokacioneve për vendosjen e paneleve reklamuese në territorin e Qytetit të Shkupit e kanë marrë gjithsej 12 persona juridikë, kurse 5 prej tyre kanë dërguar oferta. Pas kontrollimit të kryer të plotësisë dhe vlefshmërisë së ofertës, si dhe pas vlerësimit të kryer të së njëjtës, është konstatuar se gjithsej 3 prej personave juridikë, që kanë dorëzuar oferta, i plotësojnë kushtet për të marrë pjesë në ankandin publik”, na kanë informuar nga Qyteti i Shkupit.
Nga atje shtojnë se të gjitha kompanitë tani për tani i respektojnë obligimet e katër kontratave ndërmjet Qytetit dhe kompanive, si dhe standardet e Programit për vendosjen e pajisjeve urbane – paneleve reklamuese në territorin e Shkupit për periudhën 2012-2027.

 

AKTIVE NË MAQEDONINË PERËNDIMORE

 

Në këtë hulumtim, vendin e veçantë e zë kompania “Screen Media“, sepse pronari dhe drejtuesi i saj, Elmedin Ademi, është nipi i Ministrit të ri të Arsimit, Abdulaqim Ademi. Ministri i Arsimit njëkohësisht është edhe sekretar i përgjithshëm i pjesëmarrësit të dytë të koalicionit sipas madhësisë në qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE – BDI.

Elmedin Ademi

Elmedin Ademi

Dokumentet nga Regjistri Qendror konfirmojnë se formimi i kompanisë në mesin e vitit 2008, me depozitë financiare prej 100.000 eurosh, përputhet  me kohën e kthimit të BDI-së në pushtet, pas qëndrimit dyvjeçar në opozitë. Fillimisht, kompania është formuar nga tre themeluesit (SHPK), por në ndërkohë ndodh një ndryshim të strukturës së pronësisë dhe sot është në pronësi të një personi (SHPKNJP).

Abdylaqim Ademi

Abdulaqim Ademi

Përveç kësaj, Abdulaqim Ademi ka qenë deputet i Kuvendit të Maqedonisë në periudhën 2002-2006. Kur BDI-ja përsëri u bë pjesë e ekzekutivit në vitin 2008, Ademi u zgjodh zëvendëskryeministër i ngarkuar me zbatimin e Marrëveshjes Kornize, ndërsa vitin e ardhshëm ai u bë njeriu i dytë në partinë e tij, pasi në Kongresin e vitit 2009 u zgjodh sekretar i përgjithshëm, funksion në të cilin është rizgjedhur edhe në Kongresin e sivjetshëm të partisë. Ndërkohë, ai ishte edhe Ministër i Mjedisit deri në zgjedhjet e fundit parlamentare, pas të cilave u zgjodh Ministër i Arsimit.
Kompania e nipit të tij 26 vjeçar, “Screen Media” nuk punon vetëm në Shkup, por është e pranishme edhe në pjesët e tjera të shtetit. Duke pasur parasysh se biznesi kryesor është në metropol, billbordet në qytetet e tjera dhe bilbordet në zonat ndër-urbane, thonë ekspertët, më së shpeshti përdoren për të përmirësuar ofertën ndaj klientit që ka të bëjë me kryeqytetin. Megjithatë, as lokacionet në qytetet e tjera më të mëdha në Maqedoni nuk janë për të nënçmuar.

Sipas të dhënave të vetë kompanisë, të publikuara në ueb-faqen e saj, ajo posedon lokacione të veta në Maqedoninë Perëndimore, si në Gostivar, Tetovë, Kërçovë, Strugë. Shumicat e këtyre komunave janë aktualisht nën qeverisjen lokale të BDI-së.

Nevzat Bejta

Nevzat Bejta

Në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2013, kryetar i komunës së Gostivarit u bë nënkryetari i BDI-së, Nevzat Bejta. Siç na thanë nga komuna, para më shumë se një muaj, “Screen Media” e ka marrë të drejtën nga komuna për të menaxhuar me billbordet, por edhe obligimin që vetë ajo t’i ndërtojë të njëjtat.
“Pesë nga gjithsej 20 billborde tashmë janë ndërtuar, kështu që mbeten ende 15”, na deklaruan përmes telefononit nga zyra e kryetarit të komunës, duke vënë në dukje se ka pasur interes edhe një kompani tjetër, por ajo nuk ka shkuar deri në fund.
Komuna e Tetovës, me të cilën drejton edhe një nënkryetar i BDI-së – Teuta Arifi, në bazë të vendimit të këshillit, ka kontrata për reklamim të jashtëm me dy kompani, nga të cilat njëra është “Screen Media”. Por, thonë  nga atje, ato janë të lidhura gjatë mandatit të  kryetarit të mëparshëm të komunës nga radhët e PDSH-së, Sadi Bexheti.

Teuta-Arifi

Teuta Arifi

“Reklamimi i jashtë në Komunën e Tetovës është rregulluar me vendim të Këshillit të Komunës për mënyrën, kushtet dhe kriteret për vendosjen e paneleve reklamuese në territorin e komunës”, na kanë theksuar përmes postës elektronike nga kjo komunë.
Kryetari i Kërçovës, Fatmir Dehari, pas pyetjes sonë së drejtuar drejtpërdrejt deri te ai se si është rregulluar këtë temë në komunë, kërkoi që pyetjen t’ia dërgojmë përmes postës elektronike. Mirëpo, ende nuk kemi marrë një përgjigje.

fatmir dehari

Fatmir Dehari

Për Ministrin e Arsimit dhe sekretarin e përgjithshëm të BDI-së, Ademi, rreth asaj se nëse shikon diçka kontestuese dhe problematike në faktin se kjo kompani ka kontrata me më shumë komuna, kështu që disa prej tyre janë të drejtuara nga kolegët e tij të partisë, ai përmes një porosie SMS na ka shkruar:
“Pothuajse të gjitha kontratat që kompania i ka me komunat janë nga periudha kur BDI-ja nuk udhëhiqte me ato komuna”.

 

E PRANISHME EDHE NË SHTIP, VELES, OHËR…

 

Gjithashtu, “Screen Media” është e pranishme edhe në pjesë të tjera të vendit, gjegjësisht në komunat që janë kryesisht nën qeverisjen lokale të partnerit më të madh qeveritar, VMRO-DPMNE. Disa prej tyre janë Shtip, Veles, Ohër …

ilco-zahariev

Ilço Zahariev

“Në Shtip shumë kompani kanë billbordet e tyre, ka konkurrencë”, tha Kryetari i Komunës nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Ilço Zahariev.
“Screen Media” ka fituar tenderin e komunës së Velesit për menaxhim me billbordet  në qytet në vitin 2010, edhe pse, siç kanë shkruar atëherë mediumet lokale, një kompani tjetër, e cila deri atëherë ka menaxhuar me dhjetëra billborde në qytet, ka dërguar një ofertë më të ulët.
Nga kjo komunë, ku në ndërkohë erdhi një kryetar i ri, po ashtu nga VMRO-DPMNE, na kanë deklaruar se marrëveshja me kompaninë “Screen Media” tashmë ka skaduar, kështu që këshilli ka vendosur që së shpejti të shpallë një shpallje të re publike.
“Koncesioneri i ri do të jetë ai që do të fitojë në ankand”, tha kryetari aktual i komunës, Sllavço Çadiev.
Kompania ka bashkëpunuar edhe me Komunën e Ohrit, në kohë kur kryetari i komunës ishte Aleksandar Petreski nga LSDM-ja, mandati i dytë i të cilit përfundoi vitin e kaluar.
Byroja e prokurimeve publike tregon se Komuna e Ohrit në vitin 2011 ka lidhur një marrëveshje me “Screen Media” me vlerë prej 2 milionë denarësh (32.000 eurosh). Sipas kontratës, komuna nga kjo kompani ka marrë tri automjete motorike udhëtarësh.
Njëkohësisht, kriteri për përzgjedhje nuk ka qenë oferta më e ulët, por oferta ekonomikisht më e përshtatshme. Konkretisht, çmimi ka sjellë 50 pikë, ndërsa 50 pikët e tjera i kanë sjellë karakteristikat teknike dhe garancia e automjeteve, si dhe afati i dërgesës. Kështu, sipas të dhënave të cilat opinioni i ka në dispozicion, “Screen Media” e ka fituar ankandin publik, sepse njëri nga tre ofertuesit ka dërguar ofertë me një çmim më të ulët për rreth gjysmë milion denarësh.

Nga kabineti i kryetarit aktual të Komunës së Ohrit, Nikolla Bakraçeski, shpjegojnë se në periudhën e paraardhësit të tij, janë vendosur billborde pothuajse kudo, pa bërë dokumentacionin e duhur. Prandaj, theksojnë nga atje, Këshilli i Komunës ka marrë një vendim për të evidentuar të gjitha billbordet dhe t’i urdhërojë kompanitë që i vendosin t’i heqin të njëjtat.
“Pastaj, duhet të miratohet një plan për vendosjen e rreth 40 billbordeve në territorin e komunës, por jo në pjesën e vjetër të qytetit. Ato do të duhet të jenë të standardizuara dhe të ndriçuara. Pastaj, do të ketë një thirrje publike në të cilën do të zgjidhet një kompani që do të vendosë dhe do të menaxhojë me to, e nëse do të jetë një ose më shumë kompani, nuk dihet tani për tani”, thonë nga Komuna.
Në lidhje me prokurimin publik të automjeteve me vlerë prej 2 milionë denarësh, nga atje na kanë thënë me gojë se bëhet fjalë për tri automjete të tipit “Ford”, për të cilat janë faturuar 600.000 denarë.
“Ndryshe, “Screen Media” e padit komunën duke kërkuar 3 milionë denarë. Këtu nuk ka asnjë dokumentacion lidhur me këtë shumë”, shpjegojnë nga Komuna e Ohrit, duke shtuar se një tjetër agjenci e marketingut e ka mbyllur borxhin ndaj komunës përmes kompensimit me, po ashtu automjete motorike, për të cilën gjë madje nuk ishte shpallur as tender.

 

BASHKËPUNIMI ME KOMPANITË E TJERA

 

“Screen media” nuk ka lidhur kontrata për realizimin e prokurimit publik me organe të tjera shtetërore, por ka bashkëpunuar me një tjetër agjenci të marketingut, e cila ka lidhur disa kontrata të tilla, e ajo është “Genezis komunikimet”. Ish pronari i kompanisë, Petar Arsovski, konfirmon se kanë bashkëpunuar me kompaninë “Screen Media” për fushatën që e ka bërë për nevojat e një organi shtetëror.

“Veçanërisht kemi bashkëpunuar për billbode në Maqedoninë Perëndimore”, thotë ai.

Arsovski ndërkohë e ka shitur kompaninë e formuar në fund të vitit 2005, e cila në vitin 2013 është transformuar dhe riemëruar në “Tag komunikimet”. Informatat e institucioneve zyrtare zbulojnë se pronari dhe drejtuesi i kompanisë, veprimtaria primare e së cilës është marketingu, por merret edhe me tregtinë e mallrave dhe transportin e njerëzve, është Gazmend Ajdini. Mes tjerësh, “Genezis komunikimet” ka lidhur kontrata me disa organe (Sekretariati për realizimin e Marrëveshjes Kornize; Agjencia e investimeve të huaja; Postat e Maqedonisë…). Por, siç theksojnë nga kompania “Screen Media”, me to kanë bashkëpunuar vetëm për fushatën e ndërmarrjes “Postat e Maqedonisë”. Të dhënat e Byrosë së prokurimeve publike tregojnë se “Genezis komunikimet” kanë lidhur dy kontrata me “Postat e Maqedonisë” në vitin 2011, prej të cilave njëra është për krijimin dhe realizimin e fushatës së marketingut me vlerë prej 33 milionë denarësh, apo gjysmë milionë eurosh. Kontrata e dytë për prokurime publike ndërmjet kompanisë “Genezis komunikimet” dhe ndërmarrjes “Postat e Maqedonisë” në fakt paraqet një aneks dhe zgjerim i kontratës së mëparshme me vlerë prej gati një milion denarësh. Ndryshe, në vitin 2010, “Genezis” dhe “Postat” kanë lidhur një kontratë, për të cilën ka të bëjë aneksi, për krijimin dhe realizimin e fushatës, me vlerë prej 14 milionë denarësh.

Vetëm për informacion, me “Postat e Maqedonisë” në vitet e fundit drejtojnë kuadro të BDI-së. Kështu, Rafiz Haliti ishte drejtor i përgjithshëm në periudhën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2011 e deri në zgjedhjet e sivjetshme, në të cilat u zgjodh deputet. Paraardhësi i tij ishte Ejup Rustemi.

“Ne jemi një kompani afariste që vepron në sferën e reklamimit të jashtëm dhe bashkëpunojmë me shumë kompani dhe klientë. Nuk jemi afër asnjë partie. Ne i shohim partitë vetëm si klientë potencialë dhe pikërisht për këtë shkak kemi bashkëpunuar me të gjitha. Gjatë fushatave politike, në billbordet tona paraqiten shpallje të të gjitha partive me të cilat bashkëpunojmë në bazë të pastër komerciale. Puna jonë afariste nuk mund të lidhet nga asnjë aspekt me kontekstin e politikës. Punimi me institucionet publike dhe shtetërore nuk zë më shumë se 2 apo 3 për qind nga puna jonë”, na bind njeriu i parë i kompanisë “Screen Media”, Ademi.

Ai, në përgjigjen e dërguar përmes postës elektronike, thekson se në disa vitet e fundit nga fillimi i krizës ekonomike është mjaftë e vështirë, në veçanti për shkak të faktit se në kohën e krizave ekonomike shkurtohen buxhetet e reklamimit.

“Për shkak të rregullave të reja të reklamimit të jashtëm në dy vitet e fundit është dashur të bënim investime shtesë. Në tërë Maqedoninë, ne posedojmë gjithsej 400 billborde, megalajte dhe bigborde. Sepse nuk kemi kapacitete financiare për të montuar objektet nëpër Shkup, ne jemi shfrytëzues edhe të një kredie komerciale të bankave vendore, kështu që nuk mund të flitet për ndonjë profit”, përfundon ai.

PUNA ME DONATORIN E PARTISË

Përveç kësaj, ai vepron edhe në biznesin e ndërtimtarisë, si bashkë-pronar i kompanisë ndërtimore “Eurovia”, së bashku me babanë e tij Xhemaledin Ademi, vëllai i Abdulaqim Ademit. Më saktësisht, babai Ademi është menaxher i departamentit teknik, ndërsa biri Ademi është menaxher i përgjithshëm i ndërmarrjes, e cila merret me ndërtime të larta, të ulëta dhe hidro-ndërtime.

Sipas informatave zyrtare nga Regjistri Qendror, kompania është themeluar në vitin 2010. Por, i riu Ademi shpjegon se kjo kompani “funksionon si një kompani familjare dhe ka një përvojë dhe traditë të gjatë në sferën e ndërtimtarisë, e cila nuk punon për institucionet publike dhe shtetërore”.

Informatat të cilat i ka publikuar vetë kompania në internet faqen e saj, flasin se “Eurovia” ka marrë pjesë në projekte me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me Komunën e Karposhit, për rinovimin e spitalit në Çair, përkatësisht për ndërtimin e ndërtesës administrative në Karposh.

Ministria e Shëndetësisë në vitin 2010 ka lidhur një kontratë për aktivitete ndërtimore të Spitalit gjinekologjik në Çair, si pjesë e pakos për rikonstruksionin e poliklinikave “Idadia”, “Bukureshti” dhe “Jane Sandanski”, me kompaninë bullgare “GBS Bllagoevgrad”, me vlerë prej mbi 150 milionë denarë.

Sa i përket ndërtimit të ndërtesës administrative në Karposh, kjo komunë ka lidhur kontratën në vitin e njëjtë 2010 me kompaninë ndërtimore të Tetovës “AK-Invest”, me vlerë prej gati 73 milionë denarësh.

Këto kompani, që kanë lidhur edhe kontrata të tjera për prokurime publike, e kanë angazhuar kompaninë “Eurovia” si nën-kontraktues i të dyja projekteve, edhe atë në kohën shumë shpejtë pas themelimit të kompanisë në vitin 2010.

Dega e kompanisë bullgare në vend tashmë është likuiduar. Nga kompania “AK-Invest”, e themeluar në vitin 2005 nga ana e Hazbi Nuredinit, nuk i kanë përgjigjur pyetjes sonë së dërguar përmes postës elektronike nëse e kanë angazhuar kompaninë “Eurovia” edhe për ndonjë projekt tjetër.

Plotësisht, “Eurovia” ka publikuar se ka ndërtuar një objekt në sipërfaqe prej 1.340 metrash katrorë dhe për nevojat e investitorit juridik të Tetovës, Qatip Fetai. I njëjti person paraqitet në raportin e BDI-së për zgjedhjet lokale të vitit 2013, të dërguar deri te Endi Shtetëror i Revizionit, si donator i partisë me një shumë prej 600.000 denarësh.

Nga të gjitha këto del se në buxhetet e kompanive “Screen Media” dhe “Eurovia” nuk janë derdhur paratë e popullit, së paku jo në mënyrën e drejtpërdrejtë, por vlen të theksohet se kompania ka bashkëpunuar me firma të tjera që kanë bashkëpunuar me organe shtetërore. Në një shtet siç është Maqedonia, ku janë karakteristike lidhjet ndërmjet politikës dhe biznesit, gjithmonë tërheq vëmendje kur një kompani e caktuar do ta arrijë majën në një sferë të caktuar biznesi, dhe kjo gjë do të jetë më e theksuar kur puna e kompanisë, themeluesi i së cilës është një drejtues i cili është në një lidhje familjare me një funksionar të lartë shtetëror, varet nga kontratat të cilat do t’i nënshkruajë me komunat.

 

Kallëzim penal kundër drejtuesit të “Screen Media”

 

Në këtë drejtim, Ministria e Punëve të Brendshme në vitin 2011 ka njoftuar se ka ngritur kallëzim penal kundër drejtuesit të “Screen Media”, Elmedin Ademi, për uzurpim të patundshmërive dhe për vjedhje të rëndë. Ai, sipas fletë-paraqitjes së MPB-së, në 15 lokacione në Ohër ka uzurpuar një hapësirë publike duke vendosur billborde pa pasur miratimin e Komunës dhe i ka lidhur në energji elektrike në mënyrë të paautorizuar për t’i ndriçuar billbordet. Kemi informatë se për këtë rast ende bëhet një proces gjyqësor. Nuk kemi arritur të realizojmë kontakt me ish-kryetarin e komunës, Petreski. 

 

Storia është përkrahur nga QGH SCOOP Macedonia në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”.       

Teksti është botuar ne FOKUS më 14 gusht 2014