Data e sotme
August 8, 2020

Në pritje të Samitit të NATO-s: A do të ketë ftesë për Maqedoninë?

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të Maqedonisë, partia shqiptare në pushtet,Bashkimi Demokratik për Integrim(BDI), doli me premtimin që do ta anëtarësojë vendin në NATO me çdo kusht. Ky premtim ishte ndër më kryesorët gjatë fushatës elektorale që kjo parti pati

Në datat 4-5 shtatorë 2014 në Uells organizohet  takimi më i madh i liderëve ndërkombëtarë të mbajtur ndonjëherë. Samit i i NATO-së kësaj radhe do të mbahet në Britaninë e Madhe dhe presidentët е vendeve më të fuqishme nga SHBA, Gjermania, Franca priten të marrin pjesë së bashku më liderët  dhe ministrat tjerë nga rreth 60 vende të botës.

Samiti i NATO-s  do të ndiqet me interes dhe nga Republika e Maqedonisë e cila sipas gjitha gjasave do të dështojë dhe kësaj radhe të bëhet pjesë e këtij sistemi të sigurisë kolektive, sepse nuk arriti të sigurojë ftesë.

Analistët dhe expertët vlerësojnë që një gjë e tillë pritej duke pas parasysh politikën e Maqedonisë e cila nuk bën punë të mjaftueshme drejt reformave euro-atlantike.

Gjakush Kabashi: Ftesa për anëtarësim nga samiti i NATO-s do të mungojë dhe në vitet në vazhdim

Gjakush Kabashi: Ftesa për anëtarësim nga samiti i NATO-s do të mungojë edhe në vitet në vazhdim

“Për shkak të politikës që Maqedonia bën, ftesa për anëtarësim nga samiti i NATO-s do të mungojë edhe në vitet në vazhdim”, thotë për Inbox7 Gjakush Kabashi .

Sipas tij flirti me Moskën për “Rrjedhën Jugore”, heshtja ndaj okupimit në Ukrainë dhe mosrespektimi i vendimeve për sanksionimin e Rusisë, detyrimisht është regjistruar nga aleanca.

Ndërsa Magdalena Lambovska nga think-tanku “Analytica” ,shprehet që nga samiti i ardhshëm i NATO-së nuk duhet të presim asgjë të re sepse është e qartë që zgjerimi i organizatës  nuk është pjese e agjendës së tanishme ngaqë aleanca përballet me sfida tjera.

Fokusi i samitit në shtator  është i diktuar nga ndodhitë në Ukrainë, dhe çdo gjë tjetër kalon në plan të dytë. Shtetet anëtare janë të fokusuar  ti forcojnë marrëdhëniet ndërmjet veti”, shprehet Lambovska. Sipas saj Evropa Lindore është shumë në interes të NATO-së por edhe për vendet Baltike (Estonia, Latvia dhe Letonia).

 

Premtimet  elektorale të  BDI-së për ta anëtarësuar vendin në NATO!

 

Magdalena Lambovska: Nga samiti i ardhshëm i NATO-së nuk duhet të presim asgjë ngase fokusi do jetë te Ukraina

Magdalena Lambovska: Nga samiti i ardhshëm i NATO-së nuk duhet të presim asgjë ngase fokusi do jetë te Ukraina

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të Maqedonisë, partia shqiptare në pushtet,Bashkimi Demokratik për Integrim(BDI), doli me premtimin që do ta anëtarësojë  vendin në NATO me çdo kusht. Ky premtim ishte ndër më kryesorët gjatë fushatës elektorale që kjo parti pati. Tani kur na ndajnë vetëm disa javë  nga samiti i NATO-së, sipas analistëve, BDI  si pjesë përberse e qeverisë, refuzon të mbaj përgjegjësi për dështimin e vendit në integrimin e strukturave euro-atlantike dhe deklaron që nuk e ka ndërmend të lëshojë qeverinë.

Sekretari i përgjithshëm i BDI-së z.Abdylaqim Ademit  rreth kësaj çështje ka refuzuar ti  përgjigjet Inbox7, me pretekstin se është shumë i zënë me punë.

Për këtë çështje Kabashi thotë që  BDI nuk ka kapacitet dhe as vullnet për ta futur Maqedoninë në NATO. Sipas Kabashit ky premtim i BDI-së vjen si pasojë e dështimeve të tyre të një pasnjëshme në sfera te ndryshme.

Premtimet e BDI se do ta anëtarësojnë vendin në NATO është vetëm retorikë e tyre në mungesë të sukseseve në cilëndo fushë. Kjo lojë e dyfishtë është poshtërim për shqiptarët, kundrejt aleancës që i shpëtoi shqiptarët e Kosovës nga zhdukja në vitin 1999”,sqaroi Kabashi.

Lambovska mendon që premtimet e BDI-së për anëtarësim të vendit në NATO nuk duhen parë shumë e shumë si premtime elektorale, por si një mesazh që e përçojnë tek partneri i tyre qeverisës VMRO-DPMNE.

“Deklaratat dhe aktivitetet e Bashkimit Demokratik për Integrim për anëtarësim në NATO duhen të kuptohen si mesazh deri tek partneri i tyre maqedonas në qeveri, që një ndër prioritetet më të mëdha të shqiptarëve në Maqedoni, është integrimi i vendit në NATO”. 

Lambovska  shton që deklarata e Bujar Osmanit, zyrtarë i  BDI-së, se ” BDI është e gatshme të pranojë legjitimitetin e presidentit Ivanov nëse Maqedonia bëhet anëtare e NATO-së në shtatorë”, tregon që edhe pse ata janë të vetëdijshëm që një gjë e tillë nuk do të ndodhë, në këtë mënyrë ata e theksojnë urgjencën e adresimit të çështjes së shqiptarëve dhe gatishmërinë konstruktive nga ana e tyre në mënyrë që të përshpejtohet procesi.

Ndërsa analisti i njohur nga Shqipëria  Arian Galdini  thotë për Inbox7 që dështimi i Maqedonisë për tu anëtarësuar në NATO vjen si pasojë e  keq- politikëbërjes  së Kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevskit me qasjen që ai ka ndaj shqiptarëve.

Politikisht Maqedonia duhet të ketë një qeverisje gjithëpërfshirëse, të drejtë, përfaqësuese dhe mbrojtëse të parimeve dhe të drejtave të njeriut e vlerave të lirisë, bashkëvepruese dhe bashkërenduese me etnitë dhe faktorë politike brenda vendit e sigurisht edhe me vendet fqinje”,thotë ai.

Sipas Galdinit, deklarata më e fundit e Gruevskit, ku ai shprehet se “ne jemi maqedonas dhe flasim maqedonisht”, dëshmon se politikisht  Kryeqeverisësi i këtij vendi, nuk e ka kuptuar ende se ky vend është multietnik.

Galdini shprehet që Ali Ahmeti dhe BDI e kanë të vështirë ti mbajnë premtimet e tyre që i bëjnë në fushata zgjedhore. “Nëse BDI nuk ia del dot mbanë që si komponent bashkëqeverisjes, të arrijnë të bëjë të kuptojë Kryeministrin Gruevski se Maqedonia flet sipas Marrëveshjes së Ohrit, atëherë gjithçka është e dështuar sepse kjo mendësia e Gruevskit është e papërputhshme me aspiratën për anëtarësim në NATO”.

Partia opozitare PDSH, për inbox7 njoftoi që së shpejti do të dalë me prononcim për këtë çështje, por njëkohësisht potencuan që qëndrimi i tyre dihet “rreth mashtrimeve të BDI-së që gjoja do të anëtarësojnë vendin në NATO-së”.

 

Çfarë humbasim nga mos-anëtarësimi në NATO?

 

Arian Galdini: NATO e ka bërë Shqipërinë që të listohet ndër vendet serioze ku mund të tërhiqen investimet e huaja dhe zhvillohen nisma të mëdha politike

Arian Galdini: NATO e ka bërë Shqipërinë që të listohet ndër vendet serioze ku mund të tërhiqen investimet e huaja dhe zhvillohen nisma të mëdha politike

Me anëtarësim në NATO nuk nënkuptojmë vetëm siguri të përgjithshme të vendit por benefitet janë të shumta si përmisimi efikas i institucioneve shtetërore, ulja e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe përmisimi i sundimit të ligjit. Ekonomia e vendit padyshim që përmisohet dukshëm sepse investitorët e huaj ndjehen më të sigurtë të investojnë në një vend që është pjesë e NATO-së.

Galdini thotë që Shqipëria si pjesë e NATO-së tani është në tryezën e madhe të vendimmarrjeve bashkë me shumë vende tjera të rëndësishme të botës ku ka të drejtën e fjalës dhe votës. “NATO e ka bërë Shqipërinë që të listohet ndër vendet serioze ku mund të tërhiqen investimet e huaja dhe zhvillohen nisma të mëdha politike, ekonomike dhe të fushave te tjera”.Sipas Gladinit, Shqipëria ka fituar një hapësirë të pafundme me mundësi.

“Ushtria shqiptare po modernizohet në doktrinë, mendësi dhe teknologji. Institucionet shqiptare janë rreptësishtë të kërkuara dhe testuar për kapacitetet e tyre demokratike dhe zhvillimore. Na takon neve në Shqipëri, që këtë ‘mundësi e hapësirë’ të dhënë e krijuar pas anëtarësimit në NATO, ta shfrytëzojmë me efiçencë të lartë”, thotë Gladini. Bosnja dhe Herzegovina, Serbia dhe Maqedonia presin të bëhen anëtare të NATO-së nga rajoni  i Ballkanit Perëndimor. Por a është Ballkani i sigurtë me këto vende jashtë strukturës së NATO-së? Analistët vlerësojnë që po sepse NATO ka siguruar Ballkanin në kufijtë e jashtëm dhe kjo e ka rritur sigurinë rajonale.

Ballkani është i sigurtë dhe me gjasë do të mbetet kështu, ndonëse ka shumë rreziqe në sferën sociale dhe ekonomike, që mund të kombinohet keq me urrejtje etnike dhe fetare”, thotë Kabashi.

Galdini mendon që pavarësisht që NATO është një organizatë sigurie ajo nuk është domosdoshmërisht tampon sigurie për vendet e rajonit …

Ballkani do të jetë i sigurt dhe i paqtë, kur mendësia dhe kultura e përjashtimit, urrejtjes, politikës mitologjike, të largohet bashkë me liderët politikë dhe elitat akademike që e përfaqësojnë.Një brez i ri, me kulturën e drejtë të mirëkuptimit, gjithëpërfshirës, bashkëpunimit e bashkërendimit, do ta bënte Ballkanin të sigurt”,shprehet Galdini.

 

Maqedonia  vazhdon të aspirojë NATO-n

100415a-HQ28-004 NATO Headquarters Brussels.

Anëtarësimi i NATO-së është prioritet strategjik i RM-së dhe ky angazhim gëzon konsensus të gjerë politik dhe shoqëror

 

Analistët vlerësojnë që Maqedonia aspiron NATO-n me çdo kusht dhe se duhet të vazhdojë të punojë në drejtim të anëtarësimit të saj duke gjetur zgjedhje sa i takon çështjes së emrit.

Lamboska potencon që anëtarësimi i NATO-së është prioritet strategjik i RM-së dhe ky angazhim gëzon konsensus të gjerë politik dhe shoqëror, mirëpo anëtarësimi nuk do ti zgjedh problemet e brendshme që Maqedonia i ka.

Është e qartë që anëtarësimi i vendit në këtë sistem kolektiv do të sjellë  siguri dhe stabilitet në vend në plan afatgjaëe, mirëpo anëtarësimi i NATO-se nuk do ti zgjedh problemet e brendshme që i kemi me të cilat përballemi gjithë kohës dhe të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në kualitetin e jetës së qytetarëve”, thotë Lambovska.

Kabashi vlerëson që problemi i Maqedonisë nuk vjen nga jashtë por nga politika e gabueshme brenda dhe braktisja e orientimit perëndimorë,  ndërsa Lambovska vlerëson që për të siguruar stabilitetin e brendshëm ,mbi të gjitha kemi nevojë për të mbajtur angazhimin e reformave në lidhje me sundimin e ligjit dhe krijimin e shërbimeve efikase të sigurisë.

Aamiti në Uells pritet të ketë rëndësi të madhe ku shtetet anëtare do të mundohen të forcojnë lidhjet mes veti dhe të sigurojnë që misioni i NATO-së të vazhdojë dhe në të ardhmen.

 

Redaktor: Selim Ibraimi

bajrami@inbox7.mk