Data e sotme
August 8, 2020

Grushta deputetësh në Parlament

Deputetë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në pushtet dhe të Parisë Demokratike Shqiptare (PDSH) në opozitë janë përleshur me grushte të martën në mbledhjen e Komisionit për rebalancin e buxhetit.

Në bazë të video-incizimeve, rahja fillon në momentin kur deputeti i PDSH-së Orhan Ibrahimi mban fjalim në foltore, ndërkohë që replikon me kolegë të tij nga BDI-ja. Në një moment Ibrahimi i drejtohet një deputetit të BDI-së me fjalët “O majmun…” dhe mëpastaj gjuan me stilolaps dhe lëshohet në drejtim të tyre. Në bazë të raportimit të mediave, Ibrahimi është provokuar nga deputeti i BDI-së Talat Xhaferi, i cili thuhet ta ketë sharë.

Në rahje përfshihen 9 deputë të të dyja partive, me çrast më aktiv në video shihet se është Rexhail Ismaili i BDI-së por edhe Bekim Fazliu i PDSH-së.

Pas fillimit të rahjes, zv/ministri i Financave Ardian Xheladini, i cili mbronte rebalancin e propozuar të buxhetit, shihet duke lëshuar me shpejtësi sallën e komisionit, ndërkohë që deputetë nga partitë tjera mundohen të qetësojnë situatën.