Data e sotme
July 22, 2019

E vërteta e paktit slloveno-serb kundër Jugosllavisë dhe tregtisë me armë

Takimi, të cilin kroatët e kishin kuptuar si tradhti, ishte zhvilluar nën rrethana dramatike. Në Beograd, derisa ekzistonin kërcënimet e APJ-së me grusht shtet, u takuan delegacionet e Serbisë dhe Sllovenisë. Presidenti serb, Slodoban Milosheviq, ishte në shoqërinë e presidentit të Kuvendit Popullor, Slobodan Unkoviq, mandatarit për formimin e qeverisë së re, Dragutin Zelenoviq dhe kryeministrit Stanko Radmiloviq

Блаж Згага

Словенечки новинар и ко-автор на трилогијата „Во името на државата“
http://www.uimedrzave.com/

Latest posts by Блаж Згага (see all)

Atëherë ne do t’i themi ferrit “A u mbushe?”

Dhe ferri do të përgjigjet: “A ka ende?”

 

Mesha Selimoviq, “Dervishi dhe vdekja”

(Thënie nga Kurani)

 

Më shumë se 130.000 të vrarë, një numër shumëfish më i madh i të plagosurve, mbi një milion të zhvendosur, të përndjekur dhe të dëbuar. Jetë, familje dhe ardhmëri të shkatërruara. Njëzet vjet plaçkitjeje të shfrenuar dhe të papenguar, ashtu si edhe shkatërrim të lidhjeve shoqërore. Shpërhapje. Kështu do të mund ta përshkruanim në vitin 2014, rajonin e Jugosllavisë së dikurshme, njëzet e tre vjet pas fillimit të luftërave të përgjakshme, që e vulosën fatin e qytetarëve të shtetit që dikur ishte një nga më të zhvilluarit dhe më të pasurit të bllokut socialist.

jna

Opinioni botëror dhe i brendshëm përgjegjësinë më të madhe për shpërbërjen e federatës ia vë liderit serb, Slobodan Milosheviq, i cili përmes realizimit të dhunshëm të projektit për Serbinë e madhe, me ndihmën e Armatës Popullore Jugosllave (APJ) kishte shkaktuar vrasje dhe vuajtje pothuajse gjithandej nëpër Jugosllavi.

Sllovenia kaloi më së miri gjatë këtij procesi të shpërbërjes. Ajo pati një numër të vogël të vrarësh në radhët e saj dhe disa dhjetëra çunakë të vrarë nga radhët e APJ-së. Por, ajo u tregua e dobishme gjatë luftërave të mëvonshme në fqinjësi, duke përfituar mirë nga shitja e armëve. Fjala nuk është për shitjen vullnetare dhe të paligjshme të shtetasve të caktuar, zyrtarëve apo ministrave, por për vendime të menduara mirë të kreut shtetëror, të cilët shtetin e ri dhe të

pavarur e shndërruan në profiter lufte. Në të njëjtën kohë, kreu shtetëror i Republikës së Sllovenisë ishte instanca që merrte vendime, të cilat kontribuonin rrënjësisht në shtjellimin e dhunshëm të krizës jugosllave, madje edhe duke e

përshpejtuar.

Tashmë pas më shumë se njëzet vjetësh, qytetarët e Sllovenisë jetojnë të izoluar nga rrjedhat ndërkombëtare të informimit dhe ato intelektuale. Ata janë të shkëputur nga e vërteta rreth ngjarjeve vendimtare, rreth veprimeve të liderëve dhe përgjegjësisë së tyre në periudhën e krijimit të shtetit të ri. Ndonëse shumë individë e dinë se çfarë kishte ndodhur atëbotë, ata vazhdojnë të heshtin, sikur ta kenë të ndaluar që të flasin. Qysh nga krijimi i shtetit, është duke u krijuar miti për “luftën për pavarësi”, miti që u shkon për shtat në radhë të parë liderëve të atëhershëm.

Por, e vërteta dallon prej miteve që në Slloveni përsëriten vit pas viti. Opinioni botëror dhe ekspertët e jashtëm kanë informata ndryshe për ngjarjet e atëhershme në Jugosllavi, shpërbërjen e saj të përgjakshme, si dhe përgjegjësinë e Sllovenisë dhe udhëheqjes së saj. Ajo e vërtetë vazhdon që të ruhet me kujdes nga opinioni slloven.

“Sa interesant që është ky rrëfim. Interesant dhe në të njëjtën kohë edhe depresiv, pasi që flasim nga pikëvështrime të ndryshme. Kur flitet për atë se si të zbulohen gjëra të reja për luftërat në Jugosllavi, juve ju thuhet më pak sesa neve, ndonëse keni jetuar atje dhe keni pika të tjera reference. Neve na kanë folur ndryshe rreth asaj se çfarë ka ndodhur dhe përse”, më kishte shkruar një nga redaktorët e dikurshëm të BBC-së britanike në dhjetor të 2013-s, në letrën rreth pikëvështrimit tim të ngjarjeve nga periudha e pavarësimit dhe e tregtisë me armë. Letra e tij më tronditi dhe më nxiti që të hulumtoj më detajisht rreth asaj se çfarë kishte ndodhur me të vërtetë.

Sot, kur Sllovenia ndodhet në një krizë të thellë ekonomike, shoqërore dhe morale, duke i përngjarë here pas herë një mbretërie gënjeshtrash dhe panairi të kotësisë, duket se kontribut të madh kanë dhënë pikërisht mitet dhe gënjeshtrat rreth së kaluarës. Ashtu sikur autoritetet kishtare sllovene që fryn flluskën e madhe financiare, duke bërë që Selia e Shenjtë t’i ndëshkojë, ashtu edhe autoritetet politike sllovene fryn flluskën e gënjeshtrave, të cilat opinionit slloven ia pamundësuan që ta marrë vesh të vërtetën për vendimet dhe veprimet e mëparshme, pasojat e të cilave ndihen edhe sot. Ajo flluskë duhet që të largohet dhe të lirohet e vërteta.

Disa sllovenë mendojnë se bota shpesh nuk i kupton. “Sllovenia sot në raportet ndërkombëtare nuk ka as aleatë, e lëre më miq”, shkruan historiani, Bozho Repe (Mladina, 20 dhjetor, 2013). Sllovenët në të vërtetë tashmë njëzet vjet konsiderohen nga pjesa më e madhe e botës si popull egoist, që pati bashkëpërgjegjësi për shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë.

pretsedateli republiki

Parathënia e Slaven Leticas për përkthimin kroat të librit të parë të trilogjisë “V imenu drzave” (Në emër të shtetit: Shitja, Jesenski dhe Turk, Zagreb, shtator, 2013) pati tronditur thellë pjesëtarët dhe përkrahësit e udhëheqjes së atëhershme shtetërore.

Ish-këshilltari personal i kryeministrit kroat, Franjo Tugjman – u largua nga ai post në mars të vitit 1991, kur e kuptoi se Tugjmani me liderin serb, Slobodan Milosheviq, po merrej vesh për ndarjen e Bosnjës – në bazë të përvojave dhe duke qenë në njohuri të takimeve sekrete, në të cilat kishte marrë pjesë edhe vetë, e ka vënë tregtinë sllovene me armë në një kornizë të re, duke folur për marrëveshjet e presidentit të Sllovenisë, Milan Kuçan, dhe presidentit serb, Slobodan Milosheviq. Pra, marrëveshjet e Sllovenisë dhe Serbisë, të cilat gjatë asaj kohe po e konsolidonin shtetësinë e re, po shkatërronin organet federale, duke shkatërruar në këtë mënyrë me dinakëri Federatën jugosllave.

 

Takimi i sllovenëve me Dobrica Çosiqin

 

“Në mënyrë që udhëheqja sllovene ta merrte vendimin për shitjen masive të armëve të konfiskuara nga kroatët, ajo është dashur të jetë e sigurt se më nuk i kanoset rreziku nga agresioni i APJ-së dhe i Serbisë”, vlerëson Letica (Në emër të shtetit: Shitja, Jesenski dhe Turk, Zagreb, shtator 2013, faqe 15).

Presidenca e Sllovenisë, që përbëhej prej presidentit Milan Kuçan dhe anëtarëve Matjazh Kmecl, Ciril Zlobec, Ivan Oman dhe Dushan Plut, në cilësinë e një udhëheqjeje kolektive e kishte marrë vendimin më 26 gusht të vitit 1991 që Sllovenia “ta ndihmojë Republikën e Kroacisë në fushën e mbrojtjes, por në atë mënyrë që nuk do t’i rrezikonte kapacitetet mbrojtëse të Sllovenisë”. (Procesverbali i 67-të i mbledhjes së Presidencës së Republikës së Sllovenisë, Lubjanë, 26 gusht 1991).

Ishte ky vendimi i udhëheqjes shtetërore, që lejonte formalisht shitjen e armatimit, ndonëse kjo shitje kishte filluar në korrik të vitit 1991, menjëherë pas marrjes së depove ushtarake të APJ-së dhe vendimit të korrikut të Këshillit për Mbrojtje pranë Presidencës së Sllovenisë.

“Ngjarja që pati rëndësinë vendimtare për të kuptuar dhe për ta interpretuar në mënyrë të duhur vendimin e udhëheqjes shtetërore sllovene… ishte pakti i fshehtë për mossulm midis Sllovenisë dhe Serbisë, që ishte arritur në Beograd as edhe dy javë më herët: 14 gusht të vitit 1991”, thekson Letica (Në emër të shtetit: Shitja, Jesenski dhe Turk, Zagreb, shtator 2013, faqe 15).

Atëbotë, në banesën e shkrimtarit serb me ndikim, Dobrica Çosiq, eminencës gri të projektit serbomadh dhe presidentit të mëvonshëm të Serbisë, kishin ardhur presidenti i Kuvendit të Sllovenisë, France Buçar, dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Dmitrij Rupel. Se si kishte kaluar ai takim i fshehtë i intelektualëve, më vonë në memoaret e tij e kishte përshkruar detajisht vetë Dobrica Çosiq. (Histori personale e një periudhe – koha e zhvillimeve. 1981-1991, Lajmëtar zyrtar, Beograd, 2009, faqe 309-311).

“Erdhën me aeroplan. Para shtëpisë u ndalën tri vetura: dy policore, si përcjellje dhe vetura e tyre me përcjellës. Ata siguroheshin nga SUP-i federal. E luta Bozhicën që të mos shfaqë sinqeritet para mysafirëve. Buçar dhe Rupel ishin të buzëqeshur. U ulëm në tarracë dhe duke pirë kafe, filluam bisedën si miq të mirë dhe të vjetër që u takonin krahëve të kundërt. Ata ma shprehën qëllimin që të vendosin kontaktet indirekte me Serbinë, të gatshëm për neutralitet strikt në kontestin kroato-serb, në mënyrë që ta marrin nga Serbia përkrahjen për shkëputjen e tyre…

Thonë se erdhën tek unë me pajtimin dhe marrëveshjen me Kuçanin dhe Dërnovshekun,  dhe nëse unë pajtohem me qëndrimet e tyre, atëherë do t’i drejtohen Milosheviqit, me ndërmjetësimin tim… Dhe unë jam i bindur: interesat ekonomike i kanë detyruar ta bëjnë këtë politikë të re. Atëherë diktuan platformën e tyre dhe propozimet për politikë të re me Serbinë. Unë i shkrova në gjuhën serbe dhe Rupel në atë sllovene. I thashë se do ta informoj Milosheviqin dhe do t’ua kumtoj qëndrimin e tij. Ata u larguan pas një bisede treorëshe, të kënaqur. Mua ma ngarkuan barrën e shqetësimit dhe inkuadrimit në politikë.

E kërkova Milosheviqin. Ai ndodhet ‘diku në Serbi’. Më informoi se në parim e pranon bisedën, por se ‘do t’ua kthejë mirë të gjithë atë që e kishin bërë kundër Serbisë’. Porosita Buçarin që të hënën t’i lajmërohet Milosheviqit.

Dhe platforma për politikën e re të Sllovenisë karshi Serbisë, e nënshkruar nga ne të tretë si një formë e marrëveshjes, u ngjason ujdive dhe marrëveshjeve të arritura në Bordin jugosllav gjatë kohës së Luftës së Parë Botërore”, shkruan Çosiq.

Në memoare ai e botoi tërë “platformën”, të cilën Slaven Litica në parathënien e librit të vet e prezantoi si “marrëveshje sekrete Kuçan-Milosheviq. Shkrimi i Çosiqit ishte publikuar qysh në vitin 2002, në uebfaqen e gazetës më të lexuar serbe, “Veçernje Novosti”, por mediet dhe historianët sllovenë nuk e kishin vënë re. (http://novosti.rs/dodatni_sadrzaj/clanci.119.html:275794-Lukava-ponuda-Slovenaca).

 

Në tekstin e “platformës” së publikuar në librin e Dobrica Çosiqit shkruan:

1. Sllovenia të mos ndërhyjë në çështjet e brendshme të shteteve të tjera dhe çështjet e kufijve të brendshëm, duke mos marrë asnjë anë zgjidhjen e agonisë jugosllave. Sllovenia nuk do të lejojë të instrumentalizohet në kontestet ndërpopullore jugosllave.

2. Sllovenia mbi bazën e interesave nacionale, pa paragjykime dhe pa emocione, arrin marrëveshje me Serbinë për raportet dypalëshe. Në këtë mes, ajo respekton rolin vendimtar të Serbisë në zgjidhjen e situatës jugosllave.

3. Sllovenia konsideron se zgjidhja e raporteve serbo-kroate është e mundur vetëm mbi bazën e vetëvendosjes së popujve, prej së cilës duhet të dalin forma të ndryshme të autonomisë.

4. Sllovenia e konsideron reale dhe të arsyeshme lidhjen federative midis Serbisë, Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës dhe Maqedonisë. Sllovenia e njeh të drejtën e Kroacisë që të përcaktohet rreth kësaj federate.

5. Sllovenia do të jetë e pavarur dhe sovrane karshi këtyre subjekteve shtetërore. Sllovenia është e gatshme që të bashkëpunojë në mënyrë aktive në proceset e konstituimit të atyre subjekteve, po qe se ato e duan një bashkëpunim të tillë.

6. Duke pasur parasysh parimet e mësipërme, Sllovenia dhe Serbia duan që të zgjidhin raportet e tyre pa ndërmjetësim të faktorëve të jashtëm, e aq më pak federatës.

 

(Nënshkruar më 14 gusht 1991, në Beograd nga Dobrica Çosiq, France Buçar dhe Dmitri Rupel)

 

Marrëveshja që ndryshoi fatin e Jugosllavisë

 

E përditshmja sllovene, “Mladina”, më 18 tetor të vitit 2013 ia kishte kushtuar parathënies së Leticës të librit të parë të trilogjisë së titulluar “Pakti slloveno-serb” ballinën dhe tetë faqe, në të cilën pjesëmarrësit në mënyrë jobindëse dhe me plot kundërthënie mohojnë atë që kishte shkruar Çosiqi në memoaret e veta – në rend të parë se ata kishin nënshkruar ndonjë gjë dhe se kishin ardhur me pajtimin e Kuçanit, ashtu si edhe se Çosiqi me kërkesë të tyre ia kishte përcjellë Milosheviqit propozimin slloven.

Presidenti i atëhershëm i kuvendit, France Buçar, kishte shkruar: “Sllovenia gjatë asaj kohe ishte ende pjesë e Jugosllavisë dhe ne kërkonim mënyrë për të dalë prej saj. Ishim në kërkim të marrëveshjes me protagonistët kryesorë, me përfaqësuesit e pushtetit të atëhershëm, me bashkëpunëtorët e tyre, madje edhe me opozitën e atëhershme… Kur unë dhe Rupel mbërritëm në Beograd, përcjellja policore na priste dhe shkuam tek ai. Atje u ulëm në tavolinë, koha kalonte shpejt, një orë apo dy biseduam kryesisht jozyrtarisht, personalisht, pa procesverbal, si partnerë… Që të jem më direkt, po bënim sllallom me njëri-tjetrin, ashtu dhe kështu, si të dilet nga Jugosllavia”.

Ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme, Dmitrij Rupel, ishte më direkt: “Në të vërtetë, askush nuk nënshkroi kurrfarë dokumenti, ‘pakti’ apo diç të ngjashme. Fjala ishte – pa marrë parasysh spekulimet – vetëm për një bisedë”.

E bija e Çosiqit, Ana, pasi që kishte folur me babanë e sëmurë, kishte deklaruar: “Biseda midis babait tim, Rupelit dhe Buçarit, më 14 gusht të vitit 1991 e kishte formën e procesverbalit. Vetëm procesverbal. Përmbajtja e tij është e njohur për Rupelin dhe Buçarin, derisa të dytë kanë njohuri edhe për përmbajtjen e bisedimeve që janë zhvilluar në shtëpinë e tij në Beograd. Ai procesverbal i takimit sot ndodhet në arkivin personal në shtëpinë e Dobrica Çosiqit, pra në shtëpinë tonë. Babai im shton se ajo bisedë, përkatësisht dokumenti rreth asaj bisede nuk ka kurrfarë lidhjeje me Milosheviqin. Midis tjerash, edhe fakti se ajo letër ndodhet në arkivin personal dëshmon se fjala nuk është për kurrfarë dokumenti shtetëror apo pakti sekret”.

Rreth kësaj u prononcua edhe presidenti i atëhershëm, Milan Kuçan. “Për vizitën personale të Rupelit dhe Buçerit bërë Çosiqit, në gusht të 1991-s, nuk kam ditur asgjë. Në Serbi kishin shkuar pak pas agresionit mbi Slloveninë, në momentet e përleshjeve më të mëdha me Beogradin, Milosheviqin dhe ushtrinë, dhe pas marrëveshjeve në Brione, ku me marrëveshjen tonë Dernovshek nisi marrëveshjet me presidentin e presidencës së RSFJ-së, Borisav Joviq, rreth tërheqjes së armatës jugosllave nga Sllovenia. Në atë periudhë, ajo vizitë do të më dukej e palogjikshme dhe e pakuptimtë, ashtu si më duket edhe sot. Si qendër e vendimmarrjes rreth çështjeve shtetërore atëbotë mundohej të vepronte edhe DEMOS, e cila shumëçka, posaçërisht gjërat që kishin të bënin me mbrojtjen apo punët e brendshme, ia fshihte presidencës dhe mua. Por, nuk besoj se Rupel dhe Buçar kanë nënshkruar diçka në Beograd”, kishte shkruar ai, duke theksuar në vijim: “Me Milosheviqin nuk kam negociuar kurrë, as personalisht, as përmes ndërmjetësuesve e aq më tepër në mënyrë sekrete”.

Burime të shumta ndërkombëtare konfirmojnë se presidenti i atëhershëm, Milan Kuçan, nuk po ia tregonte të vërtetën opinionit slloven. Këtë gjë e dëshmojnë edhe deklaratat e tij, të dhëna në të kaluarën.

Pra, “platforma”, “procesverbali”, “marrëveshja” apo “marrëveshja sekrete” në të vërtetë ekzistonin. Takimin midis intelektualëve nuk e mohoi askush, duke ofruar vetëm interpretime të ndryshme dhe duke ia ulur rëndësinë takimit dhe marrëveshjes sekrete. Por, ai takim në Beograd kishte qenë vetëm rezultat i marrëveshjes paraprake sllovene-serbe, e arritur në nivelin më të lartë – midis Slobodan Milosheviqit dhe Milan Kuçanit.

Këtë gjë Letica e ka përmendur në përgjigjën dhënë Kuçanit (Mladina, 25 tetor 2013): “Është e vërtetë historike se ekziston një marrëveshje dukshëm më e hershme dhe direkte Milosheviq-Kuçan, e 24 janarit të vitit 1991, për të cilën nuk kam shkruar në parathënien e librit “Shitja”. Ai takim i parë historik që e dha marrëveshjen midis Milosheviqit dhe Kuçanit kishte ndodhur pikërisht në ditën kur presidenca e Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë u mundua që ta legjitimonte ndërhyrjen ushtarake të APJ-së në Kroaci… Duke pasur parasysh se atëbotë isha këshilltar personal i presidentit Tugjman, i kisha të njohura deri në detaje rrjedhat dhe rezultatet e takimit Kuçan-Milosheviq, më 24 janar të vitit 1991…

Shkuarja e Milan Kuçanit në Beograd, për të arritur marrëveshje sekrete që Sllovenia të dalë nga Jugosllavia prej neve u mor si tradhti, pasi që katër ditë më herët, Sllovenia dhe Kroacia kishin nënshkruar një marrëveshje për mbrojtje të përbashkët, po qe se APJ-ja do të ndërhynte në ndonjë nga shtetet që atëbotë ishin republika të RSFJ-së. Marrëveshja për mbrojtjen e përbashkët ishte nënshkruar nga Martin Spegelj dhe Josip Boljkovac në emër të Republikës së Kroacisë, si dhe Janez Jansha dhe Igor Bavçar në emër të Sllovenisë”.

 

Pranimi i “Serbisë së madhe”

 

Takimi, të cilin kroatët e kishin kuptuar si tradhti, ishte zhvilluar nën rrethana dramatike. Në Beograd, derisa ekzistonin kërcënimet e APJ-së me grusht shtet, u takuan delegacionet e Serbisë dhe Sllovenisë. Presidenti serb, Slodoban Milosheviq, ishte në shoqërinë e presidentit të Kuvendit Popullor, Slobodan Unkoviq, mandatarit për formimin e qeverisë së re, Dragutin Zelenoviq dhe kryeministrit Stanko Radmiloviq. Në anën sllovene, krahas presidentit Milan Kuçan ishin edhe kryetari i Kuvendit, France Buçar, anëtari i presidencës, Dushan Plut, dhe nënkryetari i qeverisë, Jozhe Mencinger. Pas takimit ata kishin lëshuar një komunikatë të përbashkët për shtyp. Komunikatat e këtij lloji janë gjithnjë fryt spekulimesh dhe nënkuptojnë se të dyja palët janë pajtuar rreth tekstit. Pjesa më e rëndësishme e komunikatës zyrtare të takimit të 24 janarit të vitit 1991 ishte si në vijim:

“Është konstatim yni i përbashkët se gjatë zgjidhjes së krizës jugosllave duhet të nisemi nga e drejta e popujve për vetëvendosje, e cila nuk duhet të kufizohet me asgjë përpos me të drejtën e barabartë dhe të njëjtë të popujve tjerë. Të dyja palët vlerësojnë se realizimi i kësaj të drejte kërkon respektim të specifikave dhe interesave të ndryshme.

Serbia e respekton interesin e Sllovenisë që mbi bazën e së drejtës së popujve për vetëvendosje dhe përmes procesit të arritjes së marrëveshjes për raportet në të ardhmen midis republikave, ta sigurojë realizimin e papenguar të të drejtave të popullit slloven dhe të Republikës së Sllovenisë dhe përcaktimin në aspektin e lidhjeve të ardhshme me popujt tjerë jugosllavë, përkatësisht republikat. Sllovenia e respekton interesin e popullit serb të jetojë në një shtet dhe që në marrëveshjen e ardhshme jugosllave ai interes duhet të respektohet.

Në negociata është konstatuar se nuk është e mundur që në të njëjtën mënyrë të definohen raportet midis të gjithë popujve dhe republikave në Jugosllavi. Rregullimi i ri jugosllav duhet që për atë arsye të respektojë dallimet dhe interesat e të gjithë popujve jugosllavë dhe republikave, në përpjekjet që kriza jugosllave të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe në proces demokratik të negociatave për të ardhmen e Jugosllavisë”.

(Njoftim për bisedimet midis delegacionit slloven dhe serb, 24 janar 1991, në Beograd; shkruar nga Boxho Repe: “Burimet e demokratizimit dhe pavarësimit të Sllovenisë”, pjesa e dytë, Arkivi i Sllovenisë, Lubjanë, 2003, faqe 268).

Ashtu si shkruan edhe në revistën “Mladina”, më 25 tetor të vitit 2013, në një shkrim të gazetarit boshnjak, Esad Heqimoviq, i cili kishte marrë pjesë në hulumtimet për tregtinë me armë gjatë përgatitjes së trilogjisë “Në emër të shtetit”, Kuçan e kishte përsëritur qëndrimin e njëjtë rreth takimit beogradas dy ditë më vonë, më 26 janar të vitit 1991, gjatë një vizite në Sarajevë.

“Sa i përket qëndrimit të Sllovenisë se e respekton dëshirën e Serbisë që populli serb të jetojë në një shtet, gjë e cila është e shkruar edhe në njoftimin për bisedimet sllovene-serbe, Kuçan thotë se një e drejtë nuk mund t’u kufizohet të tjerëve, kështu që nënkuptohet se pranimi i së drejtës së sllovenëve për vetëvendosje nënkupton edhe pranimin e së drejtës së serbëve të jetojnë në një shtet”. (“Oslobogjenje”, 27 janar  1991, ballina dhe faqja e dytë).

Milan Kuçan e ka sqaruar më detajisht takimin rreth një javë më vonë (“Mladina, 8. studeni 2013”):

“Do t’ju kujtoja se për çfarë bëhej fjalë në takimin e atëhershëm në Beograd. Pas referendumit për pavarësinë e Sllovenisë, nga presidenca e gjerë e Sllovenisë u pranua vendimi që në takime dypalëshe të njoftojmë udhëheqjet e republikave tjera për qëllimet dhe qëndrimet e Sllovenisë. Pas takimit e patëm lëshuar një komunikatë për shtyp, të cilën dr. Letica e interpreton si pajtim të Sllovenisë, përkatësisht Kuçanit që Milosheviq, përkatësisht Serbia, ta krijojë shtetin serb në tërë rajonin në të cilin jetojnë serbët, me ç’rast Sllovenia, përkatësisht Kuçani, do të pranonte ndryshimin e kufijve midis republikave të Jugosllavisë së dikurshme dhe marrjen serbe të territoreve të Republikës së Kroacisë. E komunikata zyrtare për shtyp ishte bukur e qartë: e drejta e secilit popull për ta pasur shtetin e vet nuk duhet të dëmtojë të drejtën e barabartë të popujve tjerë, përkatësisht republikave për shtetin e tyre…

Do ta përsërisja: shkuarja ime, përkatësisht shkuarja e delegacionit slloven në Beograd nuk ishte sekrete e aq më pak ishte fjala për një marrëveshje sllovene-serbe për largimin e Sllovenisë nga Jugosllavia”.

Kuçan në vazhdim shton: “Sllovenia i kishte ndihmuar Kroacisë në luftë me aq sa kishte mundur, përmes aktiviteteve diplomatike, komunikimit të hapur, formësimit të opinionit publik botëror, por edhe duke ia lënë armët, të cilat Sllovenisë më nuk i duheshin për mbrojtjen e vet. Por, tregtia me armë ka qenë e paligjshme dhe nuk ka pasur bazë në vendimet e presidencës së shtetit”.

Megjithatë, shumë ekspertë të jashtëm, atë takim vendimtar e vlerësojnë ndryshe: aty u vulos fati i Jugosllavisë. Pala serbe ia lejoi Sllovenisë shkëputjen dhe në shkëmbim me atë, Sllovenia ua pranoi serbëve të drejtën për Serbinë e madhe.

 

Interpretime të ndryshme të takimit Kuçan – Milosheviq

 

Një nga anëtarët e delegacionit slloven, Jozhe Mercinger, kujton se deklarata zyrtare rreth takimit ishte shumë e afërt me atë për të cilën ishte biseduar.

“Ajo që është publikuar në gazeta i përgjigjet saktësisht asaj që kishte ndodhur. Pra, që Milosheviqi nuk kundërshton largimin e Sllovenisë nga Jugosllavia. Për atë nëse kanë ekzistuar edhe kushte të tjera nga pala sllovene, duhet t’i pyesni tjerët, unë këtë gjë nuk e di. Atmosfera gjatë takimit nuk ishte e tensionuar. Kuçan dhe Milosheviq kuptoheshin mirë, pasi që njiheshin prej më herët. Vështrimi im paksa joadekuat, përkatësisht përshtypja personale ishte se ‘po e shoh që politikanët po kuptohen mes vete, por, siç duket, jo edhe popujt”.

“Më habiti fakti që gjatë kthimit u ndalëm në Zagreb”, tha Mercinger. “Në aeroport na priste Tugjman. Nuk mora pjesë në takimin me të, por e di se ai kishte qenë bukur I zemëruar për shkak të deklaratës se Serbia e pranon të drejtën e serbëve të jetojnë në një shtet”.

“Atë takim me Milosheviqin nuk e kuptoja aq seriozisht sa tjerët. Por, serbët ishin pala e gatshme për të arritur marrëveshje. Qysh në vitet nëntëdhjetë kam shkruar se Milosheviqi ishte një nga më meritorët për pavarësimin e Sllovenisë. Në njërën anë, ai i vështirësonte rrethanat dhe vepronte sikur me të nuk mund të merreshe vesh, por në të njëjtën kohë nuk kishte asgjë kundër asaj që Sllovenia të largohej nga Jugosllavia”, ka sqaruar ai.

Por, a arritën Kuçan dhe Milosheviq që më 24 janar të vitit 1991 të takohen në katër sy?

“Mendoj se jo. Mendoj se tërë kohën ishim të gjithë së bashku. Nuk e di nëse kanë folur ndonjëherë pa delegacione”, ka shtuar më tej.

(Bisedë e B.Z. me Jozhe Mercingerin, Lubjanë, 4 shkurt 2014).

 

“Konspiracion botëror” kundër interpretimit slloven, apo e vërtetë?

 

Milosheviqi vdiq në vitin 2001, pjesëmarrësit sllovenë mohojnë se ka ekzistuar marrëveshja për daljen e Sllovenisë nga Jugosllavia, derisa opinioni slloven edhe sot e kësaj dite i di vetëm mitet e “luftës për pavarësi”, të cilat nuk kanë lidhje me realitetin. Qëndrimet e historianëve të huaj, të specializuar për Evropën Lindore dhe Ballkanin shpesh janë kritike karshi rolit slloven, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për ekspertë të shteteve të tjera, të dala nga ish-Jugosllavia, apo ekspertë nga kryeqytetet botërore. Po ashtu, shumë shkrime në mediet ndërkombëtare paraqesin një të vërtetë ndryshe prej asaj të cilën e ka njohur opinioni slloven deri më tani.

Historiani kroat, Ivica Lukiq, shkruan në këtë mënyrë rreth marrëveshjes: “Kryetari i Kryesisë së Bosnjës, më 26 janar të vitit 1991, kishte biseduar me presidentin e Sllovenisë, Milan Kuçan, për një ‘koncept të përgjithshëm jugosllav’, për të cilin Izetbegoviq mendonte se është i pranueshëm për të gjithë. Gazetarët e pyetën Kuçanin për rezultatin e bisedimeve të tij me Milosheviqin, përkatësisht për bisedimet slloveno-serbe, të mbajtura më 24 janar në Beograd, pas të cilave ishte bërë e ditur se pala sllovene ‘e respekton interesin e Serbisë që populli serb të jetojë në një shtet’, pasi që ‘pranimi i së drejtës së sllovenëve për vetëvendosje nënkupton pranim i së drejtës së serbëve për të jetuar në një shtet’ (“Oslobodjenje”, 25 janar 1991 dhe 27 janar 1991).

Kuçan i është shmangur përgjigjes së asaj pyetjeje, ashtu si i ishte shmangur gjatë konferencës së shtypit në Lubjanë, pas kthimit në Beograd. Ishte e dukshme se edhe “Delo” lubjanase e kishte heshtur këtë çështje kryesore për zgjidhjen e krizës jugosllave. (“Oslobodjenje”, 26 janar 1991). Ishte evidente se sllovenët e kishin ndryshuar retorikën pas takimit të fundit me udhëheqjen serbe… Dhe, nga deklaratat e mëvonshme të Kuçanit shihej se nuk ishte fjala për ndonjë deklaratë të formuluar pa kujdes apo për ndonjë mosmarrëveshje, por për një shkallë të lartë të pajtimit midis Kuçanit dhe Milosheviqit. Në takimin me kancelarin austriak, Franz Vranitzky, në Vjenë, më 14 mars të vitit 1991, ai pati deklaruar se ‘Kroacia duhet të marrë parasysh pozitën speciale të serbëve në territorin e tyre, i cili mbase sjell deri te pranimi i autonomies politike”. (“Shkaqet e luftës”, Despot Infinitus dhe Instituti kroat për Histori, Zagreb, 2013, faqe 295).

Avokati i njohur serb, Sergja Popoviq, në një analizë të qartë ligjore të konspiracionit dhe tradhtisë nga ana e Slodobodan Milosheviqit, Borislav Joviqit dhe Velko Kadijeviqit, të titulluar “Shpërbërja e Jugosllavisë: Ata po shkëputem dhe ne nuk po i lejojmë, Pesscanik, Beograd, 23 shtator 2008, http://pescanik.net/wp-content/PDF/raspad_ sfrj.pdf) midis tjerash shkruan:

“Përgjigja nuk ndodhet në nivelin ligjor, por në atë politik: republikat e tjera i frikësoheshin Serbisë aggressive nacionaliste me APJ-në. Të themi, Kuçan takohet më 24 janar të vitit 1991 me presidentin e Serbisë “sovrane dhe të pavarur”, duke kërkuar prej tij (dhe duke e marrë) lejen që të dalë nga RSFJ-ja”, theksoi Sergja Popoviq.

Rreth bisedimeve midis Kuçanit dhe Milosheviqit ka folur në mënyrë shumë precize njëra prej njohëseve më të mira të Evropës së Mesme dhe të asaj Lindore, politikologia norvegjeze, Sabrina P. Ramet.

 

Pakti, sekret për sllovenët, i njohur për ndërkombëtarët

 

”Si pasojë e asaj që APJ, në pranverën e vitit 1990, kishte marrë armët, të cilat Sllovenia i kishte siguruar për Mbrojtjen e vet Territoriale, ndjenja e të qenit në rrezik tek sllovenët ishte rritur në mënyrë eksponenciale. Por ajo që nuk dihej prej tyre ishte se regjimi i Milosheviqit kishte pasur, ndonëse në një masë të madhe kishte qenë i pajtimit me APJ-në, qëllimet e veta dhe strategjitë që ndryshonin në mënyrë radikale nga qëllimet e APJ-së, sa i përket Sllovenisë. Një gjë e tillë u bë e qartë më 24 janar të vitit 1991, kur presidenti i atëhershëm i Sllovenisë, Milan Kuçan, u takua personalisht me Milosheviqin. Ashtu si më ka thënë Kuçan më 1999, në shkëmbim me garancitë e Milosheviqit se Beogradi nuk ka pretendime territoriale karshi Sllovenisë, ai ia kishte siguruar Milosheviqit ‘mirëkuptimin’ për interesat e tij të bashkimit të të gjithë serbëve në ‘Serbinë e Madhe’”. (Sabrina P. Ramet: The Slovenes as Subjects And as Objects of History, (2008) 58:29-44, Lubjanë, faqe. 35).

Ramet kishte zhvilluar intervistë me Kuçanin më 6 shtator të vitit 1999 në Lubjanë. Një interpretim i njëjtë ndodhet edhe në artikullin, “Shpërbërja e Jugosllavisë; Rrëfimet e kundërta të armiqësive dhe fajit”. Në kuadër të studimit të universitetit amerikan, “Purdue” ajo ka drejtuar tubimin ndërkombëtar të historianëve, me historianen e njohur serbe, Latinka Peroviq dhe në artikullin e mësipërm e ka shkruar edhe këtë:

“Milosheviqi e ka konfirmuar marrëveshjen në një bisedë personale me Borisav Joviqin, anëtarin serb të presidencës së SFRJ-së nga maji i vitit 1990 në maj të vitit 1991, të cilit, për shembull, në shkurt të vitit 1991 i kishte thënë ‘ta linte Slloveninë rehat’, duke përsëritur në qershor të vitit 1991: ‘Përse të mbrojmë kufijtë sllovenë – kjo është e parakohshme. Duhet të mbrojmë atë që do të jetë e përhershme’”. (Borisav Joviq: Ditët e fundit të RSFJ-së, Fragmente nga ditari, Politika, Beograd, 1995, faqe 281 dhe 343).

Marrëveshja e janarit midis Kuçanit dhe Milosheviqit është përmendur edhe në shumë biografi të Slobodan Milosheviqit, si dhe monografi shkencore. Në vijim do të përmendim vetëm disa prej tyre: Adam LeBor (2004), “Milosheviqi: Biografi”, Biblioteka e Universitetit Yale; Louis Sell (2002): “Slobodan Milosheviqi dhe shkatërrimi i Jugosllavisë”, Universiteti Duke; Stuart J. Kaufman (2001), “Urrejtjet moderne: Politika simbolike e luftërave etnike”, Universiteti Cornell; R. Craig Nation (2003) “Lufta në Ballkan, 1991-2002”, Instituti për Studime Strategjike; Brendan O’Shea (2012): “Perceptimet dhe realiteti në konfliktin modern jugosllav” 1991-1995, Routledge.

Në marrëveshjen, e cila për opinionin slloven vazhdohej të mbetej e panjohur, ndërkohë po raportonin mediet më të mëdha ndërkombëtare. BBC britanik, për shembull, më 18 gusht të vitit 2006, në artikullin “Rruga e Slobodan Milosheviqit drejt shkatërrimit” kishte përzgjedhur shtatë vendime, të cilat Milosheviqin e kishin shpënë drejt shkatërrimit. Marrëveshja e tij me Kuçanin, e 24 janarit të vitit 1991, është ranguar në mënyrë kronologjike në pozitën e dytë.

“Ata arritën marrëveshje mes vete për shpërbërjen e Jugosllavisë. ‘Sllovenia mund të dalë’, tha Milosheviqi. Aty nuk ka serbë’… Këshilltari i ngushtë i Milosheviqit, Borisav Joviq, po atë ditë kishte shkruar në ditarin e tij: ‘Dita e sotme mbase ka ndryshuar tërë zhvillimin e Jugosllavisë dhe krizës’”. (http://news.bbc.co.uk/2/hi/europe/4819388.stm).

Megjithatë, marrëveshjen Kuçan-Milosheviq dhe konspiracionin kundër federatës jugosllave më së miri e kanë paraqitur Laura Silber dhe Allan Little në librin “Vdekja e Jugosllavisë”, e cila ka dalë nga seria e dokumentareve të BBC-së me të njëjtin emër.

“Milosheviq po ashtu e kishte bërë të ditur se Serbia nuk do të tentonte ta pengonte Slloveninë që të shkëputet prej Jugosllavisë. Kur natën e 24 janarit presidenca federale ishte takuar për herën e dytë atë muaj, me kërkesë që policia kroate të çarmatoset, Milosheviqi kishte zhvilluar një takim të ndarë me presidentin slloven, Kuçan. Ata arritën një marrëveshje të thjeshtë. Kuçan tha: ‘Në atë takim ishte evidente se serbët nuk do të insistojnë që Slloveninë ta mbajnë në Jugosllavi… Ne sllovenët thamë se e duam të drejtën për ta pasur shtetin tonë. Milosheviqi tha se serbët e duan pranimin e të drejtës së barabartë edhe për ta, pra që të gjithë serbët në Jugosllavi të jetojnë në një shtet. Përgjigjja ime natyrisht se ishte që serbët e kanë atë të drejtë, por në të njëjtën mënyrë si sllovenët, pa shkelur të drejtat e popujve të tjerë. Milosheviqi u përgjigj: ‘Po natyrisht. Kjo është e qartë’. Më pas shkuam në shtëpi në Lubjanë”.

Serbët nuk jetonin në Slloveni dhe shikuar nga perspektiva beogradase, nuk kishte dallim midis popullit slloven dhe Republikës sllovene. Por, kjo nuk vlente edhe për Kroacinë. Kur u bë e ditur marrëveshja serbo-sllovene, kroatët u mllefosën. Ata e kuptuan në atë mënyrë që Kuçani ia kishte dhënë Milosheviqit lirinë që ta ndante Kroacinë”… (Laura Silber, Allan Little : Vdekja e Jugosllavisë, Penguin Books & BBC Books, Londër, 1995, faqe 113 dhe 114).

 

Dyfytyrësia e Milosheviqit dhe egoizmi slloven

 

Autorët në shumë vende në libër kanë folur për rezultatet e marrëveshjes midis Sllovenisë dhe Serbisë. Në kapitullin e titulluar “Erdhi momenti për Evropën: Lufta e dukshme sllovene”, ata kanë treguar në mënyrë të qartë se si pala sllovene pa nevojë dhe me agresivitet e kishte rrëzuar helikopterin “Gazela” me pilotin Toni Mrlak, e para së gjithash se si Serbia në presidencën federale e kishte penguar sulmin e përgjithshëm mbi Slloveninë, që planifikohej nga gjeneralët e APJ-së. Joviqi, më 30 qershor, në emër të Milosheviqit, “i kishte rrëzuar përtokë” (fq. 161), pasi që, si anëtar serb i presidencës, kishte votuar kundër sulmit të propozuar, derisa presidencës, si komandante supreme e APJ-së, i mungonte vetëm edhe një votë. Befasia ishte edhe më e madhe, pasi që Serbia në paraqitjet publike ishte më agresivja karshi Sllovenisë, derisa në të vërtetë, kur gjërat u bënë serioze, pengoi sulmin frontal ushtarak. Po qe se e marrim parasysh marrëveshjen Kuçan-Milosheviq, ky hap në dukje jologjik i Joviqit, bëhet disi i arsyeshëm.

Në negociatat në Brione, më 8 korrik, Sllovenia më në fund arriti të shkëputej.

“Kur atë mëngjes u mblodhën përfaqësuesit, aleanca midis udhëheqësve serbë dhe atyre sllovenë, e lidhur më 24 janar, kur Milosheviq dhe Kuçan u morën vesh për herë të parë rreth shkëputjes, më në fund erdhi në pah”. (faqe 164)

“Marrëveshja e Brioneve u përshëndet si sukses i diplomacisë evropiane. Por, e vërteta dallonte shumë… Fitorja diplomatike u takonte Milosheviqit dhe Kuçanit, që ishin marrë vesh personalisht rreth largimit slloven nga federata, në serinë e takimeve që filluan më 24 janar në Beograd dhe përfunduan me seancën e presidencës së Jugosllavisë, më 18 korrik (atëherë ishte pranuar tërheqja e njësiteve të APJ-së nga Sllovenia, vërejtje e B.Z). Çështjet kyç janë zgjidhur nga vetë pjesëmarrësit, pa ndihmën e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë. Milosheviqi dhe Kuçani vetë kanë mashtruar – dhe në të vërtetë kanë shkatërruar – Jugosllavinë federale”. (faqe 166).

“Liderët serbë dhe ata sllovenë ishin deri në fund të korrikut të vitit 1991, dhe në të vërtetë edhe para kësaj, me qëndrime të harmonizuara rreth synimeve të përgjithshme dhe rreth kundërvënies ndaj strukturave federale, për të cilat mendonin se janë duke i kufizuar. Kuçan dhe Milosheviq ishin në aspektin ligjor bashkëkonspiratorë, derisa gjeneralët e APJ-së mbetën jashtë lojës. Ata mendonin se janë duke e mbrojtur tërësinë territoriale të Jugosllavisë. Por, nuk e dinin se ajo tërësi tashmë ishte shitur edhe atë prej atij që në opinion përfaqësohej si mbrojtësi kryesor i saj”. (faqe 166).

Deklarata dhe konstatime që dëshmojnë ekzistencën e marrëveshjes midis Sllovenisë dhe Serbisë ka plot, derisa libri “Vdekja e Jugosllavisë” është pranuar në botë si një prej dëshmive më të besueshme të shkatërrimit të përgjakshëm të federatës së dikurshme.

“Rrëfim fascinues dhe i dokumentuar me kujdes i asaj se si ekspansionizmi serb, nacionalizmi kroat dhe secesionizmi slloven e shkatërruan Jugosllavinë e Titos”, shkruan për librin Michael Ignatieff në “New York Review of Books”.

“Analiza më bashkëkohore deri më tani… Autorët bindshëm tregojnë se luftën e koordinuan njerëzit që synonin të mbeteshin në pushtet, duke përdorur të gjitha mjetet që kishin në dispozicion”, shkruan Maggie O’ Kane në “Guardian”-in londinez.

Ndërkohë në rishikimin prestigjioz, “London Review of Books”, recensionin e ka shkruar një nga njohësit më të mirë të luftërave në Ballkan, Mischa Glenny, korrespondenti i dikurshëm i BBC-së nga Vjena.

Në artikullin e titulluar “Si e fitoi luftën Tugjmani” (4 janar 1996), ai ka vlerësuar se asnjë libër tjetër nuk ofron fakte të kontrolluara me një kujdes aq të madh.

“Anatomia e konspiracionit për shkatërrimin e federatës jugosllave, e përgatitur nga udhëheqja e Sllovenisë dhe ajo e Serbisë, paraqet një mjeshtëri të analizës bashkëkohore politike. Dyfytyrësia e Serbisë karshi federatës, një entiteti politik të respektuar relativisht, të cilin Milosheviqi në dukje mundohej ta ruante, derisa në të vërtetë mundohej ta shkatërronte, nuk do të kishte pasur sukses pa perfiditetin e egoizmit slloven. Autorët kanë dëshmuar në mënyrë të pakontestueshme se udhëheqja sllovene ishte e gatshme ta nxiste shkatërrimin e dhunshëm të Jugosllavisë, në shkëmbim për një dalje të lehtë nga federata. Lubjana natyrisht se nuk e bart përgjegjësinë morale për atë që ndodhi më vonë, por Silber dhe Little dëshmuan në mënyrë bindëse se sllovenët luajtën një lojë të ndytë politike”.

Recesionit të Glennyt menjëherë iu referuan korrespondenti i dikurshëm i BBC-së, Mark Thompson, dhe historiani, Marko Attila Hoare, njohës i luftërave jugosllave. Në një polemikë të zjarrtë ata mbronin mendimet e kundërta rreth pasojave të cilat sollën deri tek Marrëveshja e Daytonit, duke vlerësuar në të njëjtën kohë hapat e ndërmarrë nga Tugjmani dhe Milosheviqi, por nuk e vunë as edhe një herë në dyshim ekzistencën e lidhjes sekrete sllovene-serbe, e cila e shkatërroi Jugosllavinë.

 

Prej marrëveshjes me Milosheviqin tek tregtia me armë

 

Edhe ambasadori i fundit amerikan në Beograd, Warren Zimmerman, ishte tejet kritik karshi hapave sllovenë.

“Në kundërshtim me qëndrimin mbizotërues, sllovenët ishin ata që e nisën luftën. Deklarata e tyre e pavarësisë, e cila u pranua pa as edhe një përpjekje për negociata, bëri që tërë kufijtë dhe pikëkalimet kufitare me dy shtetet fqinje, Austrinë dhe Italinë, të vihen nën mbikëqyrjen e tyre. Kjo nënkuptonte se Sllovenia ishte kalimi i vetëm ndërkombëtar midis Perëndimit dhe Jugosllavisë, dhe se njëanshmërisht I mori të drejtat mbi mallrat e dedikuara për republikat e tjera, ashtu si edhe të ardhurat nga doganat, që përbënin rreth 75 për qind të buxhetit federal. Madje edhe një ushtri më pak e ashpër sesa APJ-ja do të reagonte ndaj një gjëje të tillë. Më e keqja është se dëshira e kuptueshme e sllovenëve për pavarësi e dënoi pjesën tjetër të Jugosllavisë me luftë”. (Ambasadori I fundit: Memoaret për shpërbërjen e Jugosllavisë, “Foreign Affairs mars/prill 1995).

“Në dëshirën e tyre për t’u larguar nga Jugosllavia, ata thjesht kanë shpërfillur 22 milionë banorët e Jugosllavisë, të cilët nuk ishin sllovenë. Ata bartin përgjegjësi bukur të madhe për gjakun e derdhur pas shkëputjes së tyre”, shkruan në vijim ambasadori.

A kishte alternativë për Slloveninë dhe udhëheqjen e saj? Josip Boljkovac, ministri i atëhershëm kroat I Punëve të Brendshme, në memoaret e tij shkruan se në pjesën e dytë të nëntorit të 1990-s, në një ishull pranë Kërkas u takuan përfaqësues të të dyja republikave. Presidenti Kuçan shoqërohej prej presidentit të Parlamentit, France Buçar, kryeministrit Lojze Peterle, ministrit të Mbrojtjes, Janez Jansha dhe ministri i Brendshëm, Igor Bavçar. Me kryeministrin kroat, Tugjmanin, udhëtuan kryeministri Josip Manoliq, ministri Bolkovac dhe këshilltarët Slaven Letica dhe Dushan Bilanxhiq.

“Pasi që ishte e qartë se qëllimi I vetëm i Sllovenisë ishte të dalë sa më parë prej Jugosllavisë, ne i lutëm, pasi që ishim në gjendje shumë më të rëndë ta shtynim atë për pak apo ta ngadalësojnë, në mënyrë që të mos mbesnim vetë, duke pasur parasysh se Bosnja dhe Maqedonia ende nuk e kishin guximin për ta bërë një gjë të tillë”, kujton Bolkovac. (“E vërteta duhet të dalë jashtë”, Golden Marketing, Zagreb, 2009, faqe 223).

“Duke sqaruar se çfarë rrjeti serbomadh është duke u mbështjellë rreth Kroacisë… Më pas sulmova Buçarin, që i paraqiste qëndrimet e palës sllovene. ‘Zotëri president, mbeta i shtangur pas prezantimit tuaj. Ju shkoni në Evropë dhe ne po shkojmë të vetëm në një luftë të pistë. A njëmend ju sllovenët doni ta bëni një gjë të tillë? Deri më tani gjatë historisë gjithnjë kemi qenë të bashkuar. Të presim pak që Bosnja të deklarohet rreth konfederatës. Do ta kemi edhe Maqedoninë në anën tonë. Do të jemi katër. Edhe krahinat, Kosova dhe Vojvodina, do të na mbështesin në rastin e parë që u jepet mundësia të shprehen. Unë ju them se Milosheviqi nuk ka fuqi që të bëjë luftë kundër të gjithëve. Ushtria ende nuk është e tëra e Milosheviqit. Prandaj ju lus që të ngadalësoheni pak në atë rrugë drejt Evropës!””. Akademiku dhe historiani kroat, Dushan Bilanxhiq, ndërkohë ishte munduar ta bindte Milan Kuçanin: “Pritni pak. Nëse ecni ngadalë, hap pas hapi, ne të tjerët do t’ju bashkëngjitemi – Bosnja, Maqedonia dhe natyrisht, Kroacia. Priteni koalicionin kundër Milosheviqit”. (Vdekja e Jugosllavisë, faqe 149).

A ka mundur udhëheqja sllovene që më 24 janar të vitit 1991 të dijë apo madje edhe të hamendësojë se marrëveshja me Milosheviqin do të shpjerë drejt shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë dhe drejt luftës?

“Ngjarjet në qendrën beogradase ‘Sava’ në ato ditë vendimtare të janarit të 1990-s kujtonin një kronikë të llojit të vet, në prag të një tragjedie të paralajmëruar. Kur delegacioni slloven, më 22 janar, e braktisi Kuvendin e Katërmbëdhjetë të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, në sallë mbretëronte një molisje… Megjithatë, ndonëse gjërat edhe para Kuvendit ishin kryesisht të qarta, në qendrën Sava, atë mbrëmje të nxehtë dimri, mbretëronte një paqartësi e dukshme. Posaçërisht midis gazetarëve të huaj, të cilët, posa që Kuvendi ndërpreu punën, na vërshuan me pyetje neve, gazetarëve sllovenë… Kur njëri prej tyre më pyeti me nervozizëm se çfarë do të ndodhë me Jugosllavinë tani, pasi që partia sllovene e kishte shfaqur në mënyrë aq të qartë mospajtimin me politikën federale, unë, duke mos më lëvizur qerpiku, iu përgjigja: ‘La guerra! Luftë!”.

Me këto fjalë ka përshkruar pritjet dhe frikën gazetari Branko Soban, në parathënien e botimit slloven të librit të parë të trilogjisë “Në emër të shtetit”. Ka pak të ngjarë që për rrezikun e tillë të mos ishte e vetëdijshme udhëheqja e atëhershme republikane, e cila krahas presidentit të dikurshëm të Lidhjes së Komunistëve përbëhej prej përfaqësuesve të Opozitës Demo-kratike të Sllovenisë (DEMOS).

Sllovenia në të vërtetë, po atë vit, në dhjetor të vitit 1990, nga jashtë kishte pranuar në mënyrë secrete dërgesën e parë të madhe me armë për Mbrojtjen Territoriale. Fjala ishte për pushkë automatike me prejardhje nga Singapuri, që arritën me ndihmën e Izraelit. Më vonë, kur u rregulluan punët me armatim me Rusinë, në limanin Koper filluan të arrijnë anijet e mbushura nga limanet evropianolindore. Një pjesë e vogël e armëve u mbeti ushtarëve sllovenë, derisa pjesa më e madhe u shit me çmime të larta për luftërat kroate dhe boshnjake.

 

Shitja me lejen e Kuçanit

 

Edhe sot e kësaj dite pjesën më të madhe të fajit për tregtinë me armë e bart ministri i Mbrojtjes, Janez Jansha, i cili në qershor të vitit 2012 u dënua me dy vjet burgim për korrupsion rreth furnizimit me autoblinda “Patria”. Aq shumë parregullsi, intriga dhe arbitraritet si në Ministrinë e Mbrojtjes në vitet nëntëdhjetë nuk kishte lejuar asnjë institucion tjetër shtetëror.

Por,fakti se armët shiteshin edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pra në polici dhe shërbimin e sigurimit-informativ mbi të cilat Jansha nuk kishte kurrfarë kompetencash, tregon se fjala ishte në të vërtetë për një operacion sekret shtetëror, të miratuar nga nivelet më të larta.

Mundësia që ministri atëbotë 33-vjeçar, Jansha, që nuk njihte gjuhët e huaja, ndonëse i rrethuar nga bashkëpunëtorë dhe këshilltarë të aftë, si Ludvik Zvonar dhe Andrej Lovshin, të merrej vesh vetë për punët e mëdha rreth armatimit, është shumë e vogël.

Ai në të vërtetë, në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes zbatonte vendimet e Këshillit për Mbrojtje pranë Presidencës së Sllovenisë, që udhëhiqej nga presidenti Milan Kuçan. Në seancat, në të cilat merreshin vendimet kryesore, merrnin pjesë njerëzit më të rëndësishëm në shtet. Por, Kuçan tashmë njëzet vjet pohon publikisht se Sllovenia “ia kishte lënë” armët Kroacisë, përkatësisht se fjala ishte vetëm për një “ndihmë”. Kur ishte fjala për shitjen apo stërshitjen, sipas tij, atëherë kishim të bënim me një tregti të paligjshme.

Por, procesverbali i takimit të tretë të Këshillit për Mbrojtje pranë Presidencës, mbajtur më 9 qershor të vitit 1992 (shih dokumentin) e zbulon esencën e aferës së armëve. Në takimin sekret kishin marrë pjesë krahas Milan Kuçanit dhe kryetarit të Parlamentit, France Buçar, edhe kryetari i Qeverisë, Janez Dernovshek, ministri i Mbrojtjes, Janez Jansha, ministri i Brendshëm, Igor Bavçar, ministri i Jashtëm, Dmitrij Rupel, dhe komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Territoriale, gjeneralmajori Janez Slapar.

Ata biseduan rreth pozitës së rëndë në Bosnjë dhe vizitës së nënkryetarit të Qeverisë, Muhamed Çengiqi. Ai ishte lutur për armë dhe municion, për t’u mbrojtur nga ofensiva serbe, derisa ministri i Brendshëm, Janez Jansha, e luti Këshillin për mendim nëse duhet të jepet përgjigje pozitive rreth kërkesës.

“Në diskutim morën pjesë të gjithë anëtarët e Këshillit. Ata konstatuan se Mbrojtja Territoriale e Sllovenisë ka në dispozicion disa prej mjeteve të kërkuara dhe u pajtuan që ato mjete t’i lëshohen deri në atë masë sa nuk vihen në rrezik kapacitetet mbrojtëse të Sllovenisë”.

“Presidenti Milan Kuçan diskutimin e përmbylli me pajtimin e të gjithë anëtarëve të Këshillit me qëndrimin se Këshilli pranon propozimin e ministrit të Mbrojtjes, që një pjesë e armëve dhe e pajisjeve ushtarake t’u jepej Bosnjë-Hercegovinës. Në këtë mënyrë organet kompetente pajisjet e armatimit dhe municionit do t’i shesin, derisa pajisjet ushtarake të dorës së dytë do të jepen pa kompensim”. (Procesverbali i takimit të tretë të Këshillit për Mbrojtjen e Presidencës së Sllovenisë, Lubjanë, 12 qershor, 1992, thekson BZ).

Regjistrimi i armatimit, për të cilin kishte bërë lutje Qeveria boshnjake, bën të ditur se fjala ishte për armë dhe pajisje për një mijë pjesëtarë të ushtrisë, të cilët në verën e vitit 1992, nën organizimin e Mbrojtjes Territoriale sllovene ishin stërvitur në mënyrë sekrete në Svetli Potok. Pajisjet ushtarake të dorës së dytë, që u dhanë pa pagesë, ishin para se gjithash uniforma dhe pajisje të tetarëve.

Kreu shtetëror i Republikës së Sllovenisë ishte ai që në qershor të vitit 1992, pas pranimit ndërkombëtar dhe anëtarësimit të Sllovenisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara vendosi unanimisht për shitjen e armatimit, me gjithë embargon ndërkombëtare për eksportimin e armëve në rajonin e Jugosllavisë së dikurshme.

Edhe përmes stërvitjes së njësiteve të huaja ushtarake në territorin e saj, Sllovenia si anëtare e OKB-së kishte shkelur shumë konventa ndërkombëtare. Armët në sasi të mëdha nga Sllovenia shiteshin edhe më parë. Sipas të dhënave deri më tani të njohura, vendimin e parë për shitjen e armëve Këshilli e kishte marrë qysh në korrik të vitit 1991, ndonëse për këtë gjë ekzistojnë vetëm dëshmitë gojore të pjesëmarrësve, derisa dokumentacioni i shkruar ende nuk është vënë në dispozicion të opinionit publik. Presidenca e Sllovenisë “ndihmën” dhënë Kroacisë e kishte konfirmuar zyrtarisht më 26 gusht të vitit 1991.

Megjithatë, Jansha disa herë i kishte informuar anëtarët e Presidencës rreth shitjes së armëve. “Në pajtim me këtë orientim të Presidencës gjatë seancës së fundit kur po zgjidhej ai problem… është pranuar vendimi… që të shkohet me shitjen e sistemeve mobile raketore, të cilave këtë vit apo më 1991 u skadon afati formal i përdorimit. Për Kroacinë kjo gjë është e rëndësishme, pasi që ka nevojë për to”, u kishte thënë, midis të tjerash, ne besim në nëntor të 1991-tës. (Magnetogrami i seancës së 81-të të Presidencës së Sllovenisë, nëntor 1991). Për shitjen e armëve, përkatësisht “lejimin” dhe “ndihmën” ishte folur edhe gjatë disa seancave. Shprehjet e përdorura shumë shpesh të politikanëve kryesorë atëbotë, si “ndihma” dhe “lejimi” ishin eufemizëm për “shitje” fitimprurëse.

Përndryshe, këto marrëveshje në parim për shitjen e armëve “arriheshin në nivelin më të lartë, midis Izetbegoviqit, Kuçanit dhe Tugjmanit”. (Deklaratë e dëshmitarit Ivan Horvat, blerës i armëve për kroatët e Bosnjës para gjyqtarit hetues në Gjykatën e Qarkut në Lubjanë, më 8 dhjetor të vitit 1998).

Tregtia me armë u miratua unanimisht nga po ata liderë sllovenë, të cilët në janar të vitit 1991 kishin arritur marrëveshje me liderin serb, Slobodan Milosheviq, apo të cilët në gusht 1991 biseduan në mënyrë sekrete me Dobrica Qosiqin. Aspekti operativ i shitjes së armëve menaxhohej nga ministri i Mbrojtjes, Janez Jansha.

Deri më tani, për tregtinë me armë dhe parregullsitë e lidhura me të në Slloveni nuk ka dhënë askush përgjegjësi penale. Elitat politike në të vërtetë, përmes ndikimit në drejtësi kishin siguruar imunitet në aspektin e tregtisë me armë. Në Kil dhe Argjentinë sa i përket shitjes së armëve Kroacisë është vepruar ndryshe. Në Kil është dënuar kreu i atëhershëm ushtarak, derisa i dyshimtë ishte edhe presidenti Augusto Pinochet, që vdiq para gjykimit. Presidentin argjentinas, Carlos Menem, e dënuan me shtatë vjet burgim.

 

Takimi i fundit në Hagë

 

Vendimi për ndaljen e tregtisë me armë ishte marrë më 6 janar të vitit 1993, në takimin e thirrur nga presidenti i Republikës, Milan Kuçan. Në të kishin marrë pjesë kryetari i Parlamentit, Herman Rigelnik, kryetari i Qeverisë, Janez Dernovshek, ministri i Mbrojtjes, Janez Jansha, ministri i Brendshëm, Igor Bavçar, dhe ministri i Jashtëm, Dmitrij Rupel.

“Prej këtij momenti gjithçka që bëhet nga secili në Slloveni është e paligjshme dhe mund të ndiqet penalisht”, u ka thënë të tubuarve Milan Kuçan. Në të vërtetë, qysh nga viti 1991, në Slloveni vlenin të njëjtat ligje, ndonëse disa deri në atë takim i kishin shkelur pa kurrfarë pasojash. Por ministri i Mbrojtjes, Janez Jansha, më vonë nuk e kishte respektuar ndalesën për shitjen e armëve dhe mospajtimet midis tij dhe presidentit Kuçan kanë rezultuar me “zbulimin” e armëve në Aeroportin e Mariborit.

Gjatë atij takimi, përfaqësuesit më të lartë të Sllovenisë e kishin marrë edhe një vendim tjetër të rëndësishëm. Presidenti Kuçan u kishte kërkuar zyrtarëve të pranishëm që të heshtnin. Ai u kishte thënë po ashtu se “jashtë vlen qëndrimi që Sllovenia nuk i ka ndihmuar kurrë Kroacisë dhe Bosnjës me armë dhe stërvitje të ushtarëve”. Në vazhdim kishte shtuar: “Të vërtetës nuk do t’i hyjë në punë, pasi që këtu ekzistojnë dy të vërteta: njëra për opinion dhe tjetra për këtë”. (Magnetogrami i takimit tek presidenti i Republikës, Lubjanë, 6 janar 1993).

Propozimet e tij nuk i kishte kundërshtuar askush. Ishte arritur pajtimi që Sllovenia që nga ajo ditë të mos shiste apo të transportonte armë në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Ata kishin ardhur tek konstatimi që për opinionin – qytetarët e Republikës së Sllovenisë – ekziston një e vërtetë tjetër: shitje të armëve nuk kishte pasur kurrë. Atëherë në të vërtetë kishte lindur afera e tregtisë me armë.

Në pyetjen e gazetarëve nëse në janar të vitit 1991 kishin qenë të vetëdijshëm se pranimi i së drejtës i të gjithë serbëve të jetojnë në një shtet kishte rezultuar me ndryshimin e dhunshëm të kufijve të republikave dhe me luftëra, Milan Kuçan ishte përgjigjur që përmbajtja e deklaratës për bisedimet e janarit në Beograd “tregon në mënyrë të qartë se çfarë ka shprehur Sllovenia para pjesëmarrësve të bisedimeve për të ardhmen e republikave të RSFJ-së. Gjatë këtij prezantimi kemi respektuar parimin e Deklaratës së Helsinkit për ndryshimin pa dhunë të kufijve, pasi që ishim të vetëdijshëm se qëndrimi i tillë në të njëjtën kohë e garanton zgjidhjen paqësore të krizës. Qëndrimi i tillë i Sllovenisë përfshinte edhe mbrojtjen e pakicave nacionale, që jetonin brenda kufijve të popujve shumicë”.

Ai ka përsëritur se ka qenë e qartë se e drejta e secilit popull për ta pasur shtetin e vet nuk mund të shkojë në dëm të së drejtës së barabartë të popujve të tjerë për ta pasur shtetin e tyre. “Në takimin në Beograd, ashtu si edhe në takimet me udhëheqësit e republikave të tjera nuk kemi thënë asgjë tjetër, përpos asaj se të drejtën tonë për vetëvendosje, të cilën e kishim konfirmuar në mënyrë demokratike, në referendumin e dhjetorit të 1990-s, duam që ta realizojmë në mënyrë paqësore dhe me marrëveshje, dhe jo në dëm të të drejtave të barabarta të popujve të tjerë. Dhe, rreth asaj se sa qëndrimet në aspektin e të drejtave të barabarta të popujve të tjerë kishin qenë njëmend qëndrime të përbashkëta,  kjo gjë mund të dëshmohet nga ngjarjet e mëvonshme në hapësirën e RSFJ-së së dikurshme”, ka shkruar ai. “Në parimet që kishim mbështetur në bisedimet e atëhershme në Beograd dhe në republika të tjera, nuk është e mundur të gjenden argumente për justifikimin e ndryshimit me dhunë të kufijve, zgjidhjes me dhunë të krizës jugosllave, përkatësisht luftës”, ka shtuar ai. (Përgjigje e Milan Kuçanit në pyetjet e gazetarëve, 13 shkurt 2014).

Në pyetjen nëse ishte pajtuar ndonjëherë me shitjen e armëve nga depoja e Mbrojtjes Territoriale, ai është përgjigjur: “Edhe Presidenca, e edhe Këshilli për Mbrojtje ishin të pajtimit që Sllovenia edhe më armë të ndihmojë republikat e sulmuara, Kroacinë dhe Bosnjën, në atë masë sa të mos vihet në rrezik siguria jonë. Kemi vlerësuar se ajo ndihmë në të njëjtën kohë është edhe mbrojtja më e mirë e Sllovenisë, para rrezikut që lufta të kthehet në territorin slloven. Nuk kam arsye që të shtoj ndonjë gjë sa u përket qëndrimeve të mia të atëhershme. Këto punë ishin kryer në mënyrë operative nga Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes”.

Udhëheqja politike e Sllovenisë fillimisht me marrëveshjen me serbët i kishte tradhtuar kroatët.

Më pas me shitjen sekrete të armëve Kroacisë dhe Bosnjës i kishte mashtruar serbët. Sot, njëzet vjet më vonë, qytetarët e Sllovenisë mund të ndiejnë se e njëjta elitë politike i kishte mashtruar edhe ata, pasi që jetojnë në një shtet plot rrena dhe mashtrime, pa vende të punës, të ardhme dhe pa perspektivë.

Qytetarët e Sllovenisë tashmë janë duke paguar për mëkatet, të cilat me veprimet joetike i kishte shkaktuar udhëheqja që e zgjodhën vetë.

“Në përplasjen e dy armiqve të kamotshëm, sot ish-presidentët e Ballkanit u konfrontuan në mejdanin në gjykatën e OKB-së. Derisa rekonstruktuan betejën e tyre të para më shumë se dhjetë vjetësh, ata akuzuan njëri-tjetrin për përhapje të luftës. Toni i tyre ishte i ftohtë”, shkruan më 22 maj të vitit 2003 “New York Times”  në raportin për seancën dëgjimore të Milan Kuçanit në Tribunalin e Hagës.

“Në karrigen për dëshmitarë, në gjykimin për krime lufte kundër Slobodan Milosheviqit qëndronte i ulur Milan Kuçan, lideri shumëvjeçar i Sllovenisë, republikës së parë që u shkëput nga ish-Jugosllavia më 1991. Të dy udhëheqësit e vjetër komunistë ishin takuar disa herë në negociatat që i paraprin shpërbërjes së Jugosllavisë. Kuçani Milosheviqit, që qëndronte i ulur disa metra më larg, nuk ia hodhi as edhe një shikim…

Sot Milosheviqi, ashtu si i është bërë zakon, u mundua t’i ndërronte rolet. “Për çfarë u duhej ajo luftë?”, e pyeti Kuçani… Ai pohoi se konfliktet më 1990 dhe 1991 kishin mundur të shmangeshin, duke i thënë haptazi Kuçanit: Ju e zgjodhët dhunën, patët personalisht rolin vendimtar”.

Kuçani si dëshmitar i Prokurorisë paraqiti rrëfimin e tij, që ndryshonte. Ai tha se qysh në vitin 1989, kur kishin filluar tensionet politike midis republikave jugosllave, i ishte bërë e qartë se Milosheviqi do të përdorte të gjitha mjetet, përfshirë edhe dhunën, që të ruante të gjithë serbët në shtetin jugosllav.

“Porosia e Milosheviqit ishte se nëse shpërbëhet Jugosllavia, ‘Serbia kurrë nuk do të pajtohej me pozitën në të cilën një pjesë e popullit serb, që jeton jashtë Serbisë, do të mbetej jashtë kufijve të saj’, dëshmoi Kuçan. Qëndrimi i tillë tregonte se ‘kufijtë do të ndryshojnë me dhunë’”. (The New York Times, 22 maj 2003).

E në pyetjen konkrete të prokurorit Geoffrey Nice, për takimin e 24 janarit të vitit 1991 në Beograd, në të cilin u arrit marrëveshja për Paktin slloveno-serb, Kuçan u përgjigj: “Në aspektin e atij takimi dypalësh midis udhëheqjes së Sllovenisë dhe asaj të Serbisë… ishim të pranishëm i akuzuari dhe unë, ne mund të konstatonim se atëherë i kishte ardhur fundi rregullimit të Jugosllavisë në konfederatë”.

(Dëgjimi i dëshmitarit Milan Kuçan, Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte për ish-Jugosllavinë, Hagë, 21 maj 2003, faqe 20893).

Gjysmë viti më vonë shpërtheu lufta.

 

Blaž Zgaga është gazetar hulumtues nga Sllocenia. INBOX7 ka të drejtën ekskluzive të autorit për botimin e këtij hulumtimi.

 

Словенечки новинар и ко-автор на трилогијата „Во името на државата“ http://www.uimedrzave.com/