Data e sotme
December 5, 2019

Do të mësojnë të pjesëtojnë me 1.000, a nuk dijnë të numërojnë deri 100

A do të arrijë Maqedonia të ndërtojë sistem arsimor në të cilin nxënësit do të mendojnë me kokën e tyre, do të jenë kritik dhe hulumtues? Atë e ofron programi i ri për filloristët deri në klasën e tretë, i përgatitur sipas modelit britanez. Arsimtarët paralajmërojnë se do të jetë i komplikuar dhe rëndë për tu mësuar

Nxënësit e klasës së parë deri në të tretën nga ky vit shkollor do të mësojnë sipas programit të njejtë me moshatarët e tyre në Britaninë e Madhe. Pa përgatitje paraprake, ata në fund të vitit do të duhet të mësojnë të numërojnë deri në njëmijë ose të pjesëtojnë, edhe pse para asaj nuk kanë mësuar aspak as të numërojnë deri në njëqind, as operacionet matematikore si shumëzimi dhe pjesëtimi. Këto janë vërejtjet më të shpeshta të arsimtarëve për programin e ri. Por, ekspertët e angazhuar për t’i zbatuar risitë i theksojnë anët cilësore të programit arsimor në të cilin nxënësi do të ketë vendin qendror dhe do të ballafaqohen me të menduarit kritik.

Vesna Horvatiq

Dituria e nxënësve në Maqedoni në matematikë dhe shkencat natyrore nuk është në nivelin e duhur, për këtë shkak Qeveria e angazhoi Entin për Zhvillim Arsimor (EZHA) të ndërmerr aktivitete për përmirësimin e cilësisë në arsim, pas vendimit Vesna Horvatoviq thotë se, nxënësit në arsimin fillor nga ky vit shkollor të mësojnë sipas programeve arsimore të përgatitura nga qendra e njohur botërore për arsim Kembrixh nga Britania e Madhe.

“ Adaptimi i programeve arsimore në lëndët e matematikës dhe shkencave natyrore është bazë e shkëlqyeshme për zhvillimin e vazhdueshëm të nxënësve edhe në periudhat vijuese arsimore gjatë shkollimit. Programet përmbajnë koncept të ri për përvetësimin e matematikës dhe shkencave natyrore, më tepër hulumtim shkencor nga ana e arsimtarit dhe nxënësve. Me këtë do të zhvillohet vetbesimi dhe mendimi kritik tek nxënësit, ata do të mund lirisht të mendojnë dhe të shfrytëzojnë faktet nga hulumtimet. Me realizimin e këtyre programeve mësimore  nxënësi vihet në qendrën e procesit arsimor”, thotë Horvatoviq për Inboks 7.
Nxënësit e klasës së parë do të kenë vështirësi të mëdha

 

Më vështirë do të jetë për nxënësit e klasës së parë, thotë Nikolina Nasteska, arsimtare në Shkollën Fillore “Mirçe Acev” nga fshati Lazhan, komuna e Dollnenit.

“Programi i ri është tepër i vështirë dhe aspak nuk është i adaptuar me moshën e fillestarëve. Ata nuk kanë përgatitje paraprake dhe do të jetë me të vërtetë rëndë t’i përgatisim fëmijët për atë çka i pret në klasën e dytë dhe të tretë. Programi jo i përshtatshëm do të sjell edhe pasoja tjera siç është testimi ekstern. Ne, mësimdhënësit do të jemi të notuar në bazë të rezultateve të cilat do t’i tregojnë fëmijët të cilët do të mësojnë sipas programit të ri të cilin vështirë se do ta realizojmë”, thotë Nasteska.

cambridge

 

Lençe Jovanovska, profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë maqedone në shkollën e mesme  elektro-makinerike “Sveti Naum Ohridski” në Ohër thotë se në asnjë mënyrë nuk mund të zbatohet mënyra e arsimimit në Britaninë e Madhe dhe në Maqedoninë.

“ Dituria nuk fitohet vetëm përmes testimeve. Konkretisht te ne, në llogari të arsimit humbet procesi i edukimit të cilit duhet t’i kushtohet vëmendje. Kuptimi i procesit edukativo-arsimor është të formojmë nxënës të cilët do të mendojnë me kokën e tyre, e jo nxënës të cilët me fat rrethojnë njërën nga përgjigjet e ofruara në teste dhe me të marrin nota kaluese ose më të larta se ato që ndoshta i meritojnë” thotë Jovanovska.

Horvatoviq përsëri siguron se adaptimi i programeve mësimore në lëndën e matematikës dhe shkencave natyrore si dhe programet e deritanishme mësimore të arsimimit fillor nëntëvjeçar në thelb nuk kanë dallime të mëdha.

“ Kjo do të thotë se i kushtohet vëmendje e veçantë qasjes metodike për realizimin e programit mësimor e cila është spiralë, gjegjësisht nxënësit mësojnë temë të caktuar, për të cilën më vonë gjatë mësimit kthehen përsëri dhe e përvetësojnë në nivel më të lartë. Programet mësimore  përfshijnë edhe punë hulumtuese e cila duhet t’i inkurajojë nxënësit të parashtrojnë pyetje dhe vetë me ndihmën e mësimdhënësve të vijnë deri te përgjigjet. Theks të veçantë vihet në zgjidhjen e problemeve, përmes të cilëve nxënësit, përmes shembujve duhet të mësojnë se matematika dhe shkencat natyrore do tu ndihmojnë të zgjidhin probleme të caktuara në jetën e përditshme”, sqaron Horvativiq.
Për efektet dhe kundërefektet

Përveç cilësisë së programeve të reja mësimore të punuara sipas modelit të shkollimit fillor anglez, Horvatoviq vë në dukje, siç thotë, librat dhe doracakët e ri dhe cilësorë.

Fançe Joshevska mësimdhënëse në shkollën fillore “Elpida Karamandi” nga Manastiri thotë se nga përvoja e trajnimeve të deritanishme të mësimdhënësve nuk premton asgjë të mirë, se realizimi i programit të ri mësimor do të shkojë vështirë, ndërsa efektet ose do të jenë të vogla ose më të këqija, do të ketë kundërefekte.

“Asnjëri prej nesh nuk është kundër reformave, por kjo duhej së pari të bëhet përmes pilot projekteve përmes të cilave do të shihen efektet nga ky ndryshim.Për programin e ri të cilin do ta mësojnë nxënësit në klasën e tretë dhe të katërt e kuptuam në prill të këtij viti. Ajo që e kemi parë deri tani  si mungesë në programin e ri është ajo se ka  mospërputhje në librat. Ashtu që në lëndën e matematikës nxënësit në klasën e tretë duhet të mësojnë të pjesëtojnë me mbetje, kurse ata në klasën e dytë aspak nuk e kanë mësuar operacionin me pjesëtim. Ose për shembull nxënësit e njejtë tani duhet të mësojnë të numërojnë deri 1.000, ndërsa në klasën e dytë kanë mësuar më së shumti deri në 100. Kjo vlen edhe për lëndët tjera të shkencave natyrore, por edhe për nxënësit e klasës së katërt dhe të pestë të cilët nga viti i ardhshëm shkollor duhet të mësojnë sipas këtij programi”, thotë Joshevska.

Për mësimdhënësit problem do të jenë edhe kushtet e punës.

“Problem plotësues për ne do të jetë edhe si do të sigurojmë pajisjet e nevojshme për punë. Në trajnimet të cilat i organizonte Enti për Zhvillim të Arsimit na u tha se duhet të gjindemi vetë. Ja për shembull nëse duhet të mësohet shumëzimi me dhjetë, për çdo nxënës duhet të sigurohet nga dhjetë sende për numërim, ja për shembull kapak të shisheve të cilët më lehtë gjinden. Nëse në një klasë ka afërsisht tridhjetë nxënës  atëherë vetëm për atë do të na duhen 300 kapakë, që të mundemi nxënësve më thjeshtë tua qartësojmë operacionin e shumëzimit” , thotë Joshevska.
Në vitin e  ri shkollor, nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën do të mësojnë matematikë dhe njohje me mjedisin sipas programeve mësimore nga Kembrixhi.
Futja e programeve mësimore dhe librave në lëndët nga fusha e shkencave natyrore dhe matematikës për nxënësit e klasës së katërt deri në klasën e  gjashtën është paraparë në vitin shkollor 2015/2016, përderisa përfundimi i plotë i reformës është paraparë në fillim të vitit shkollor 2016/2017, kur do të jenë të inkuadruara programet mësimore dhe librat për nxënësit e klasës së shtatë deri në klasën e  nëntë. Programet mësimore do të jenë në gjuhën maqedonase, shqipe, turke dhe serbe.

Çka është “Programi mësimor Kembrixh”?

matematika-cambridge
Karakteristikat kryesore të programeve të adaptuara mësimore në lëndët e matematikës dhe shkencave natyrore është i ashtuquajturi programi spiral mësimor sipas të cilit nxënësit mësojnë temë të caktuar, por më pas gjatë mësimit kthehen te e njejta dhe e përvetësojnë në nivel më të lartë dhe në kontekst të ndryshëm.
Karakteristika tjetër e programeve të reja mësimore janë hulumtimet shkencore, qëllimi i të cilëve është, nxënësit të orientohen se si në të ardhmen të bëhen shkencëtar.

Programet përmbajnë hulumtime të cilat i inkurajojnë nxënësit të parashtrojnë pyetje dhe me mbështetjen e mësimdhënësve vetë të vijnë deri te përgjigjet. Ky metod duhet tu mundësojë nxënësve të zhvillojnë mendim kritik, të mendojnë dhe t’i përdorin faktet tek të cilat arrijnë gjatë mësimit.

Edhe një karakteristikë tjetër e “ Programeve të reja mësimore të Kembrixhit” është zgjidhja e problemeve. Me këtë pritet që nxënësit shumë lehtë të mësojnë se matematika dhe shkencat natyrore janë të rëndësishme dhe se ato do tu ndihmojnë në zgjidhjen e probleme në jetën e përditshme.

 

Redaktor: Stojanka Mitreska

Përktheu nga maqedonishtja- Armend Nuhiu

opetceska@inbox7.mk