Data e sotme
November 19, 2019

UPDATE Deputetet shqiptare, të padukshme në Parlament

Disa nga deputetet gjatë mandatave kanë qenë aq shumë të padukshme saqë ata nuk posedojnë as biografi në ueb faqen zyrtare të Parlamentit të Maqedonisë

 

Parlamenti i Maqedonisë u shpërbë të mërkurën dukë lënë mundësinë që gjatë mandatit të ardhshëm, partitë politike, kryesisht shqiptare të mendojnë për një përfaqësim më të gjërë të femrës shqiptare. Zëri dhe aftësia e femrës shqiptare nuk u dëgjua në parlament dhe u keqpërdor nga liderët për qëllimet e politikave partiake dhe ditore.

Sipas statistikave, pozita politike e femrës shqiptare në Maqedoni, është për tu lakmuar në krahasim me shumë shtete tjera që janë në tranzicion të demokracisë.  Partia Demokratike Shqiptare ishte partia e parë që ia besoi postin e ministres së Arsimit  znj. Mirije Rushani në vitin 1998. E njejta parti, për herë të parë në historinë e Maqedonisë në vitin 2009 nxori kandidaten e parë femër shqiptare për president të vendit znj. Mirushe Hoxha. Në vitin 2005, Sanije Sadiku nga BDI-ja zgjidhet kryetare e komunës së Osllomesë, e cila nga 2013-ta i është bashkuar komunës së Kërçovës. Disa vite më vonë, Teuta Arifi u emërua ministre e Integrimeve  ndërsa tani ajo ban postin si kryetare e parë femër e një komune në vend nga rradhët e Bashkimit Demokratik për Integrim. Ndërsa në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë për herë të parë femrat shqiptare filluan të mbajnë postet e deputeteve në vitin 2002. Prej vitit 2002 deri në vitin 2014, gjithsej 27 femra shqiptare kanë qenë përfaqësuese të popullit në parlament nga parti të ndryshme shqiptare.

Rushani: Çdo gjë është partiake, negative dhe regresive

Inbox7: Si e shihni ju sot pozitën e femrës shqiptare në politikë në Maqedoni meqë ju në vitin 1998 mbanit një pozitë shumë të rëndësishme shterore kur femrat atëherë e kishin më të vështirë të inkuadrohen në pozita të atilla?

Rushani: Femrat e kanë pasur gjithmonë shumë vështirë të inkuadrohen në politikë për arsyet që dihen. Së pari politika në të gjitha sistemet historike ka qenë mashkullore dhe shumë agresive, ashtu si është kryesisht ende sot. Por gruaja e ka pasur vështirë të inkuadrohet edhe në fushat tjera: shkencë, art, kulturë, ekonomi, administratë, etj. Bile edhe atëherë kur ka qenë qinda herë më e mirë se burrat.

Në shoqëritë e civilizuara pozita e gruas është përmirësuar gradualisht dhe sot ajo së paku formalisht ka aritur deri në nivelin e standardeve më të larta ndërkombëtare bashkë me të drejtat e njerut, bile edhe mbi sovranitetin e shteteve, edhe ate vetëm përmes angazhimit kualitativ të vetë grave. Por jo edhe të implementohet, për shkak të skemave mentale patriarkale nëpër vendet e caktuara.

Maqedonia e cila synon një pozitë në mesin e vendeve të civilizuara, me gjithë njohjen e “paritetit formal” midis dy gjinive, për fat të keq ende nuk ka bërë asnjë hap përpara në realizimin e së paku atyre të drejtave të grave që garantohen me kushtetutë dhe me një varg konventash ndërkombëtare. Me vetë faktin se për të drejtat e grave nuk ka sankcione, ato praktikisht janë të parealizueshme.

Në veçanti pozita e gruas shqiptare mbetet shumë diskriminuese në të gjitha format e saj, duke filluar nga të drejtat për punë dhe punësim, e deri te të drejtat politike. Në krahasim me gratë e përkatësive tjera por edhe në krahasim me gratë shqiptare në regjion, janë më të diskriminuarat, përveç tjerash edhe për faktin se ato diskriminohen së pari mbrënda bashkësisë së vet e cila është thellësisht patriarkale.

Nuk është pra aspak e rastësishme pse kaq pak gra janë të përfshira në jetën publike, pse kaq pak gra shqiptare janë të punësuara dhe pse kaq pak në shoqërinë civile dhe në politikë.

 

Inbox7: Ka vlerësime se sot femrat politikane në vendin tonë, në vend që të jenë më të zëshme, ata janë më pasive se kurrë. Ku qëndron shkaku?

Rushani: Shkakun duhet kërkuar pikë së pari te vetë subjekti politik prej nga ato vijnë dhe pozita e tyre mbrenda partisë prej nga vijnë si dhe te biografia paraprake e punës dhe angazhimit të tyre politik përpara se ta pranojnë vullnetarisht një përgjegjsi aq të madhe, si është përfaqsimi i interesave të një populli i cili ka votuar për ta, sigurisht jo për të mos bërë asgjë.

Kjo ka lidhje me mënyrën se si femra shqiptare kyçet në politikë: nëse kyçet me vizionin dhe programin e vet politik, apo kyçet për ndonjë interes banal për përfitime materiale, familiare, etj. Pra për rahatimin e saj dhe të familjes së saj. Ose kyçet apo ftohet të kyçet për aftësitë e saja. Shumë gra anëtare të partive tona janë gra e farefis dhe akraba të antarëve të ngushtë të partisë dhe jo pse kanë ndonjë vizion të vetin politik. Praktika ka treguar se ky lloj i kyçjes së gruas dhe mënyra se si ajo trajtohet nga vet subjekti i saj politik, e ka degraduar deri në fund kauzën e gruas në mënyrë tipike provinciale. E njejta gjë ndodh edhe kur në listat zgjedhore ato futen vetëm formalisht. Nuk duhet të habitemi pse ato janë pasive deri në apsurditet ose pse merren me gjëra triviale politike.

Kjo mund të quhet gjithçka por jo angazhim i gruas në politikë. Ja pse gruaja shqiptare në Maqedoni është gruaja më e diskriminuar se tjerat, sepse është dyfish e diskriminuar, pik së pari mbrenda komunitetit të vet dhe mbrenda partisë së vet që është patjetër reflektim edhe i diskriminimit të saj në familje dhe në punën profesionale.

Kjo mënyrë e kyçjes së gruas në politikë i shërben vetëm ruajtjes së mëtejshëm të pushtetit të burrit përmes prezencës fiktive të grave të cilat në këtë mënyrë i japin pëlqim diskriminimit të gruas në emër të të gjitha grave.

Rjedhimisht nga kjo, të drejtat e gruas shqiptare në Maqedoni, jo vetëm se nuk janë avancuar në rrethanat e “demokracisë” por përkundrazi janë reduktuar vazhdimisht dhe kanë rënë edhe më poshtë se në kohën e socializmit: llogaritne vetëm papunësinë e gruas shqiptare në Maqedoni që është më e larta në regjion.

Partitë politike i kanë uzurpuar edhe hapsirat tjera shoqërore dhe nuk kanë lënë asnjë hapsirë për ndonjë angazhim tjetër alternativ politik të gruas por edhe të tjerëvë. Nuk funksionojnë më as këshillat për të drejtat e njeriut, as organizatat e grave, as shoqëria civile, as mediat e pavarura. Çdo gjë është partiake, negative dhe regresive.

Pikërisht këto gjëra kanë ndikuar që shumë gra por edhe burra për shkaqe parimore ose janë larguar nga politika ose nuk janë kyçur fare.

Kuantiteti “mbulon” kualitetin

Problemi madhor qëndron tek fakti se femrat në politikë nuk janë zë i vetvetës, por ndodhen nëpër pozita “udhëheqëse” falë lidhjeve të ndryshme që i krijojnë me partitë politike.

Analisti Robert Nesimi vlerson që arsyeja pse në dekadën e fundit është shtuar dukshëm numri i femrave shqiptare në jetën politike është për shkak të ligjit që një e treta e deputeteve duhet të jetë femër. “Mendoj që përfaqësimi i femrave në parlament është vetëm kuantitativ dhe jo kualitativ. Me disa përjashtime, femrat shqiptare në politikë janë të panjohura edhe pse mbajnë poste të rëndësishme.Nuk mund të thuhet se kanë ndonjë rol të rëndësishëm në krijimin e politikave shtetërore apo ato të partive të tyre”,  mendon Nesimi.

Ndërsa Afërdita Haxhijaja Imeri, eksperte për përfshirje sociale, këtë çështje e karakterizon si “dhuratë” që rezervohet nga partitë politike të cilat në esencë nuk i promovojnë vlerat e vërteta demokratike.

Strukturat partiake janë të mbyllura, të përfaqësuara në mënyrë dominante nga meshkujt , ku fjalën e  parë dhe të fundit e ka lideri i partisë. Ndërsa femrat janë të margjinalizuara sa i përket përfaëqsimit në numër.Procesi i vendimmarrjes në partitë politike shpeshherë nuk është transparent, pasi që gati  çdoherë kanë përparsi kandidatët të cilët janë lojal ndaj lidershipit”, sqaron Imeri.

Politikanet shqiptare të padukshme në parlament

Duhet të cekim se ka pasur ka femra  shqiptare, anëtare të parlamentit, të cilat ishin dhe janë aktive edhe sot. Këtu do të vecoja Teuta Arifin, Flora Kadriu, Erimra Mehmeti dhe Mirushe Hoxha.

Aktiviteti i tyre i atribuohet fuqisë së tyre si individë, e nuk është normë  për të cilën  insistohet dhe duhet të plotësohet nga  secila anëtare e parlamentit”, nënvizon Imeri. Por këtë lëvizje analisti Nesimi e vlerson si pasojë e ligjit që funksionon në Maqedoni, ku femrat kanë një të tretën e vendeve në Kuvend të garantuar.

”Ato zakonisht zgjidhen si rezultat i kompromiseve në mes klaneve të ndryshme brenda partive politike”.

Përkundër kësaj, ky mekanizëm nuk ekziston në vende  si Britania e Madhe apo SHBA, ku femrat si Margaret Thacer apo Nensi Pelosi kanë arritur poste të larta, vetëm e vetëm sepse atje u është dashur të luftojnë vetë dhe me kualitet për të ngjitur drjet shkallëve të pushtetit. Sipas vlerësimeve të shtypit nuk është ngritur ndonjë inciativë ligjore që do të mundësonte përmirsimin e gjendjens ekonomike dhe sociale të femrave shqiptare në Maqedoni. Disa nga deputetet gjatë mandatave kanë qenë aq shumë të padukshme saqë ata nuk posedojnë as biografi në ueb faqen zyrtare të Parlamentit të Maqedonisë.

Më i theksuar ky problem ka qenë gjatë dy mandateve të fundit në Kuvend. Sipas hulumtimeve, femrat politikane që mbajnë poste partiake si psh: forumet e grave nuk janë aktive gjëtë tërë procesit politikë, por aktivizimi formal vërehet vetëm kur afrohen zgjedhjet qofshin lokale, parlamentare dhe presidenciale.

Partitë politke keqpërdorin statusin e femrës në shoqëriPor angazhimin e mirëfilltë të femrave në politikë, anaslitët këtë situatë e krahasojnë me situatën e përgjithëshme në Maqedoni të politikëbërjes.

Për këtë zhvillim, ekspertja për përfshirje Afërdita Haxhiaja Imeri thotë:”Fatkeqësisht Komisioni Shtetëror Zgjedhor nuk e pranon listen e kandidatëve po që se ajo nuk përmban 30% të kandidatëve nga gjinia tjetër. Partitë politike shqiptare nuk kanë  në ‘dispozicion’ femra aktive në politikë. Andaj është e mundur që i njejti trend zgjedhor të ndodh dhe gjatë zgjedhjeve aktuale “.

Në këtë mënyrë femrat shqiptare në Maqedoni paraqiten si kategori e dytë nga vetë partitë politike dhe nga shoqëria në përgjithësi. Është e pamundur femrat t’i mbrojnë interesat shoqërore në rast se statusi i tyre nuk do të është i kënaqshëm dhe i prezentuar më qartë. Megjithatë Maqedonia në muajin prill do të përballet me zgjedhje të dyfishta, ato presidenciale dhe parlamentare, ku këto të fundit priten të luajnë një rol të rëndësishëm për të nxjerrë në skenë deputetë të rinjë nga të gjithë grup moshat dhe gjinitë.

Redaktor: Selim Ibraimi

 

 

 

 

bajrami@inbox7.mk