Data e sotme
December 9, 2019

Nxënësit romë diskriminohen në shkolla

Avokati i Popullit ka rekomanduar ndryshimin e Rregullores për vlerësimin e nevojave specifike të personave me pengesë në zhvillimin fizik dhe mendor

Орхан Цека

ceka@inbox7.mk

Latest posts by Орхан Цека (see all)

Diskriminimi i hapur që po u bëhet nxënësve me përkatësi etnike rome ka marrë përmasa alarmante. Nxënësit romë jenë të stërprëfaqësuar në paralelet ose shkollat për nxënës me nevoja të posaçme.

Diskutimin e inkuadrimit të tepërt të nxënësve romë nëpër shkollat për nxënës me nevoja të posaçme në Republikën e Maqedonisë e ka iniciuar më në masë raporti i Komisioni Europian për Diskriminim Racor i 2010-ës ku ceket se Maqedonia përveç problemit me nivel të ulët të pjesëmarrjes së nxënësve romë në shkollim dhe ndarjes të tyre ka problem edhe me praktikën e dërgimit të nxënësve romë me të meta në mësim në shkollat për nxënës me nevoja të posaçme.

Fatima Kuzmanovska Kundevska nga Qendra e Resurseve Rome thekson ata janë në dijeni për gjendjen e fëmijëve romë dhe janë duke i vazhduar përpjekjet me organizatat ndërkombëtare në përmirësimin e kushteve dhe aprovimin e ligjeve.

Kur do të bëhet ndryshimi i ligjit dhe i normave ligjore, ne menjëherë do të fillojmë  t’i zbatojmë ato për të gjitha kategoritë e femijëve”, nënvizon Kundevska.

Zyra e Avokatit të Popullit ka inicuar një sërë vizitash nëpër shkollat që ofrojnë shkollim për nxënësit me aftësi të kufizuar dhe çdo i dyti nxënës dmth 86 nga 165 nxënës në Shkollën Fillore të Posaçme “Zllatan Stremac” (52%) janë fëmijë me nevoja të vecanta, çdo i treti nxënës, ose 93 nga 253 nxënës në Shkollën Fillore të Posaçme “Ilinden”  (36.8 %), çdo i treti nxënës ose 50 nga 169 nxënës në Shkollën e Mesme për Rehabilitim dhe Arsim “Shën Naum Ohridski” Shkup (29.6%), dhe çdo i pesti nxënës ose 17 nga 84 nxënës në Shkollën e Mesme për Rehabilitim dhe Arsim “Iskra” Shtip.

 

Rregullore e vjetër qeveritare

 

Zyra e Avokatit të Popullor gjithashtu konstatoi se përfundimet dhe mendimet rreth kategorizimit të nxënësve nëpër këto shkolla janë dhënë nga organe dhe institucione të ndryshme, gjë që edhe vetë Minstria për Punë dhe Politikë Sociale ka konstatuar dhe në të njëtjën kohë ka propozuar Qeverisë që të revidohet Rregullorja për llojin dhe nivelin e kufizimit dhe nevojat e veçanta të personave me aftësi të kufizuar.

Si pasojë e problematikës me rregulloren, nga Zyra e Avokatit të Popullit kanë përfunduar se ndodh që nxënësit romë të jenë të transferuar në paralele për nxënës me aftësi të kufizuara para se të sillet vendimi nga institucionet përkatëse ose edhe kur shkollat janë të mendimit se nxënësit mund të transferohen nga paralelja me nxënës me aftësi të kufizuara në shkolla të rregullta, për shkak të moskomunikimit të institucioneve për kategorizim me shkollat nxënësit romë detyrohen të qëndrojnë në paralelet e posaçme. Në raportin gjithashtu thuhet se ca prindër me vetëdëshirë dërgojnë fëmijët e tyre në këto shkolla.

Sipas Raportit për Maqedoninë të Inkuadrimit të Romëve në Fëmijëri të Hershme të 2011-ës, të dhënat e kufizuara dhe mungesa e të dhënave të ndara sipas karakteristikave të posaçme si p.sh: etniciteti për nxënësit që ndjekin mësimin në shkollat e posaçme përbëjnë problemin kyç në rastin e Maqedonisë.

Vendosja e fëmijëve romë në arsimin special sipas këtij raporti bëhet më shumë për arsye socio-ekonomike dhe jo për qëllime arsimore. Arsye shtesë për vendosjen të nxënësve romë në shkolla të posaçme mund të jetë, sipas këtij raporti, edhe fakti se fëmijët romë me gjuhë amtare rome mund të përballet me vështirësi në shkollë ku mësohet në gjuhë tjetër gjë që mund të rezultojë me referimin e këtyre fëmijëve në shkolla të posaçme ku pritjet e mësimit janë shumë më të ulëta se sa në shkollat e rregullta.

 

Raportet ndërkombëtare dokumentojnë diskriminimin

 

Raporti i vitit 2012 i Qendrës Europiane për të Drejtat e Romëve e bazuar në Budapest, në bashkëpunim me Qendrën Nacionale Rome nga Maqedonia, jep një pasqyrë më tjetër dhe më të detajuar të problematikës. Nga anketimi i bërë me prindërit e fëmijëve romë që mësojnë në shkolla thuhet se shumica e prindërve nuk e kuptojnë natyrën e arsimimit që u ofrohet fëmijëve të tyre, më saktësisht 38,6% nuk e dinë se çfarë do të thotë “shkollë e posaçme” ndërsa 45,3% nuk kuptojnë dallimin në mes shkollave të posaçme dhe shkollave të rregullta.

Të pyetur pse kanë pranuar t’i dërgojnë fëmijët e tyre në këto shkolla, 23% të prindërve janë përgjigjur se ashtu u është thënë nga ana e udhëheqësisë së shkollave dhe komisionit për kategorizim, 24% janë motivuar nga fakti se programi mësimor është më i lehtë, 21% janë motivuar nga mundësitë që u është thënë se do të kenë fëmijët e tyre për punësim si rrjedhojë e asaj që janë me nevoja të posaçme, 18% janë motivar nga fakti që fëmijët kanë fituar libra falas, ushqim dhe beneficione tjera, dhe një numër i vogël kanë dërguar fëmijët e tyre në këto shkolla për arsye se fëmijët ndjehen më të sigurt aty dhe se tjerët në lagje i kanë dërguar fëmijët në shkolla të posaçme gjithashtu.

 

Dhunë në klasat e fëmijëve romë

 

Anketimi i bërë nga QEDR gjithashtu potencon faktin se diskriminimi dhe trajtimi i keq që u bëhet nxënësve romë nga ana e mësuesve në shkollat e rregullta si: injorimi total në klasë, nënçmimi para klasës, lendimet fizike nga ana e mësimdhënësve, etj. bën që prindërit të favorizojnë shkollat për nxënës me nevoja të posaçme për shkak se aty fëmijët nuk trajtohen keq. Kërkesa kryesore që del nga ana e këtij raporti është që të mos lejohet regjistrimi i fëmijëve romë pa kufizime në zhvillimin psiqik në shkolla dhe paralele speciale për nxënës me kufizime në zhvillimin psiqik.

Që nga 2012 e këtej Qendra Europiane për të Drejtat e Romëve nuk ka botuar ndonjë analizë tjetër të lidhur me këtë temë. Sidoqoftë, një azhornim është bërë në këtë problematikë në raportin e fundit në shkurt të këtij viti të Avokatit të Popullit lidhur me përfaqësimin e tepërt të nxënësve romë në shkollat e posaçshme, fillore dhe të mesme. Ne Raport thuhet se numri është ulur nga 246 në vitin 2010 në 140 tani, edhe pse ende si përqindje në disa shkolla numri është i konsiderueshëm: 41,2% në Shkollën e Mesme “Iskra” në Shtip, 35,9% në Shkollën e Mesme “Shën Naum Ohridski” Shkup, 32,8% në Shkollën e Posaçme Fillore “Maca Gjorgjieva Ovçarova”, 16,7% në Shkollën e Posaçme Fillore “Zllatan Stremac” dhe 6,7% në Shkollën e Posaçme Fillore “Idnina”.

Një sërë raportesh tjera nga organizata të ndryshme ndërkombëtare i kanë vënë në dukje këto probleme. Avokati i Popullit ka rekomanduar ndryshimin e Rregullores për vlerësimin e nevojave specifike të personave me pengesë në zhvillimin fizik dhe mendor, në mënyrë që të parandalohet mundësia e lëshimit të një përfundimi që nuk korrespondon me gjendjen reale të fëmijës. Gjithashtu për marrjen e masave thelbësore në lidhje me nxjerrjen e konstatimeve dhe mendimit të autoritetit kompetent, kjo zyrë kërkon që komisioni të bashkëpunojë me ekspertë nga shkollat në monitorimin e progresit në zhvillimin e fëmijës.

Redaktor: Selim Ibraimi

ceka@inbox7.mk