Data e sotme
January 16, 2018

Mariet Shurman: Qytetarët janë lodhur nga “Shkupi 2014”

INBOX7: Mysafire e Inbox7 në intervistën e kësaj jave është Ekselenca e saj ambasadorja Mariet Shurman, e emëruar për përfaqësuese speciale e NATO-s për femra, paqe dhe stabilitet. Ju lutemi të na spjegoni çka do të thotë të jesh përfaqësuese speciale e NATO-s për femra, paqe dhe stabilitet për karrierën tuaj të ardhshme dhe pritjet tuaja për funksionin e ri?

Mariet Shurman: Pozita ime në NATO do të jetë që ti ndihmoj NATO-s në implementimin e asaj që ne e emërojmë Rezoluta 1325 në punën e tyre ditore, që do të thotë të integrohet perspektiva gjinore në punën e përditshme. Praktikisht, të ndihmohet në sigurimin e pjesëmarrjes së grave në operacionet paqësore, misione dhe zgjidhje të konflikteve, dhe ana tjetër e agjendës është që gratë të mbrohen në mënyrë adekuate, posaçërisht nga dhuna seksuale gjatë konflikteve. Pra, agjenda është e ngjeshur dhe NATO, si organizatë, dhe vendet e saja partnere, përfshirë këtu edhe Maqedoninë, janë të obliguar ndaj saj, ndërsa puna ime është që ti këshilloj dhe tu ndihmoj që kjo të zbatohet në mënyrë sa më efikase.

INBOX7: Pozita juaj e re nënkupton se, mes tjerash, do të punoni me problemet e lidhura me femrat. Kjo është interesante, nëse merret parasysh se ju personalisht në një mënyrë ishit viktimë e maltretimit seksual. Ju u përgjigjët me citimin e Voleterit. A është kjo e mjaftueshme kur femra sulmohet në këtë mënyrë?

Mariet Shurman: Sipas meje, qëllimi nuk ishte në atë masë që të jem viktimë e maltretimit seksual, por përpjekje të më diskreditojnë për diçka që unë e kam thënë në opinion. Me përgjigjen time, përfshirë edhe citimin e Volterit, desha ta thekson rëndësinë e lirisë së shprehjes, sepse unë e respektoj lirinë e shprehjes së njerëzve tjerë dhe ky është misioni im dhe mesazhi që e provokoi këtë rekasion, këtë sulm, si do ta quani. Në fakt, mesazhi im ishte: nuk do të mund ta mbroj lirinë e shprehjes në këtë vend dhe çka do që kam thënë nuk është mendimi im personal, është mesazh i qeverisë së Holandës, qëndrim i qeverisë dhe mesazh, vlerat themelore që ne i reflektojmë  dhe presim që vendet që synojnë të bashkangjiten në UE dhe NATO ti respektojnë, janë shumë të rëndësishme për ne dhe ne jemi këtu ti ndihmojmë qeverisë së RM, popullit maqedonas, që ti mbështesin këto standarde. Liritë themelore, të drejtat themelore janë pjesa thelbësore e vlerave që i reflektojmë.

INBOX7: Holanda është e njohur si njëri nga donatorët më të mëdhenj në Maqedoni, duke donuar mbi 200 milionë euro në grante. Nga ana tjetër, ju u sulmuat qartë për shkak të mbështetjes së mediave të pavarura në Maqedoni. Si e komentoni këtë?

Mariet Shurman: Deri në masë të caktuar, sulmet, nëse duani ashtu ti quani, kritikat për mbështetjen tonë të mediave ndoshta vetëm treguan faktin se ka nevojë për mbështetje të profesionalizimit të mediave dhe shumëllojshmëri të pejsazhit mediatik. Në përgjigjen tonë, atë që ne deshëm ta theksojmë është se kjo është tërësisht në pajtueshmëri me agjendën e qeverisë, agjenda për të cilën qeveria u pajtua me vetë gazetarët, se nevojitet më shumë hapësirë për lirinë e shprehjes, posaçërisht liria e mediave dhe profesionalizimi i mediave dhe gazetarisë. Kjo është agjenda që ne e mbështesim. Ne jemi tërësisht transparentë dhe llogaridhënës për atë që bëjmë, çdo gjë është online në ueb-faqen tonë, të gjitha programet tona për mbështetje dhe qytetarët mud vetë të vërtetojnë informatat dhe të shohin çka punojmë.

INBOX7: Në vitet e kaluara Holanda investoi më se 40 milionë euro në përmirësimin e sistemit arsimor të vendit. A jeni të kënaqur me ndryshimet e realizuara?

Mariet Shurman: Ky program për mbështetje mbase kishte përfunduar para se të arrij unë, andaj unë nuk kam eksperiencë personale në këtë program. E di se njerëzit që ishin kyçur ishin paksa të dëshpëruar nga impakti, pra nëse e shohim qëndrueshmërinë e sistemit arsimor, unë pranoj se kjo është diskutabile.  Por, e njëjta ilustrohet edhe me reformat, posaçërisht ata arsimore, sistemin shëndetësor ose sektorin publik se nuk mjafton të investohet në pajisje, nevojitet shumë kohë që të bëhen ndryshime strukturore në sistemin dhe mënyrën e punës së tyre, në qëndrimet, dhe ky ndryshim asnjëherë nuk do të vijë nga jashtë, nga donatorët, kjo është çështje e mirëkuptimit, vullnetit të popullit dhe liderëve të tij. Unë mendoj se arsimi është kritik për çdo vend, dhe mendoj se këtu në masë të madhe pranohet se reformat në arsim dhe përmirësimi i kualitetit të arsimit janë kritikë për ardhmërinë e vendit, por edhe për prosperitetin dhe rritjen ekonomike. Kjo është në fakt brengosja e çdo qytetari dhe shpresoj se kur vitin e ardhshëm ose së shpejti do të ketë rezultat fillestar nga studimi PIZA në të cilin Maqedonia përsëri merr pjesë pas 10 vitesh, ku krahasohet kualiteti i arsimit të mesëm me vendet fqinje dhe evropiane, kjo do të inicojë debatë publike për atë që duhet të bëhet me qëllim të përforcimit dhe rritjes së kualitetit të arsimit. Të shpresojmë se kjo do të jetë debatë e mirëfilltë kombëtare, e papolitizuar, sepse është çështje e rëndësishme, nuk është çështje e cila mund të përdoret si propagandë ose politikë partiake, por vërtet duhet të jetë debatë kombëtare.

Reformat në arsim janë ndër më të vështirat dhe për to nevojitet më shumë se një mandat. Për shembull, në Holandë, edhepse kemi sistem edukativ solid, mësues të trajnuar mirë, administratë solide, shkollat luftojnë të jenë në rrjedha me idetë dhe instrumentet e reja të cilat në një mënyrë imponohen nga kreatorët e politikave. Mendoj se më e rëndësishmja është sigurimi i arsimit kualitativ për fëmijët tanë që të kenë jetë të mirë dhe të jenë të rëndësishëm për krejt shoqërinë e cila duhet të jetë e depolitizuar. KJo nuk ka lidhje me lap-tope, kompjuterë dhe ndërtesa. Arsimi realizohet nga mësimdhënësit. Fillon me mësimdhënës kualitativë të cilët shpërblehen për profesionalizmin e tyre. Mendoj se nëse dëshironi ta përmirësoni kualitetin, kjo është pika ku fillon kualiteti, dhe kjo është të keni arsimtarë të mirë për fëmijët tanë dhe si ta arrini këtë.

 

INBOX7: A keni vërejtur shenja të politizimit nëpër shkolla në vitet e kaluara?

 

Mariet Shurman: Tregime të tilla dhe të ngjashme dëgjoj çdo ditë. Çdonjëri, fëmiu i të cilit shkon në shkollë është i prekur nga kualiteti i shkollave ku shkojnë fëmijtë, interesohen për të njëjtit dhe mendoj se është me të vërtetë pozitive që qytetarët e Maqedonisë janë sinqerisht të përkushtuar arsimit. Njerëzit investojnë shumë në arsimimin e fëmijëve të tyre. Pra, prindërit janë të përkushtuar dhe mendoj se është mjaft e rëndësishme që të përfshihen në vendimmarrje kur bëhet fjalë për programet arsimore, mënyrën e edukimit të fëmijëve, deri në çfarë mase i inkurajoni që të jenë hulumtues, të kërkojnë informacione, ta hapin mëndjen e tyre. Unë nuk jam ekspert për arsim, por si prind dhe person që jeton në Maqedoni, kur bisedoj për arsimin e shoh se kjo i tangon të gjithë. Kjo është temë e shkëlqyeshme për debat kombëtar sepse me të vëretë i prek të gjithë dhe është shumë e rëndësishme që të bëhet pjesë e politikave anuese.

 

INBOX7: Liria e mediave po përkeqësohet vazhdimisht, që është shënuar edhe nga institucione të ndryshme ndërkombëtare. Njëri nga raportet e fundit ishte edhe ai i Freedom House i cili e rradhiti Maqedoninë në fund të tabelës në rajon për shkak të gjendjes me liritë e mediave. A pajtoheni me këtë rangim?

 

Mariet Shurman: Marrë në përgjithësi, do të isha shumë e kujdesshme me rangime dhe statistika, sepse është shumë lehtë të mashtrohet me statistika. Por, nëse e vëreni konzistencën mes indikatorëve të ndryshëm kur bëhet fjalë për lirinë e mediave, jo vetëm në periudhën prej 1 viti, por shumë më gjatë, ka përkeqësim të situatës në Maqedoni gjatë viteve të fundit, ku vendi është ndër më të poshtmit në këto rangime. Me këtë vërtetohet brengosja jonë për lirinë e mediave. Sinqerisht mendoj se shumë njerëz nuk do ta mohojnë faktin se ka problem në dialogun mes qeverisë, gazetarëve dhe pronarëve të mediave. Njerëzit nuk mohojnë se ka nevojë për përmirësim dhe garantim të hapësirës për liri të shprehjes dhe gazetarisë kualitative.  Agjenda është parashtruar, dhe mendoj se është shumë më me rëndësi të fokusohemi në mënyrën se si do ti qaemi kësaj çështjeje, se sa vetëm verbërisht të mundohemi të drejtojmë. Botërisht dihet se kur bëhet fjalë për mediat e lira, është kritike që të ekzistojnë media të lira për funksionimin e demokracisë dhe të ketë hapësirë për përmirësim. Pra, duhet vetëm të jemi të sigurtë se përparojmë.

Mendimi im personal nuk është i rëndësishëm. Por, siç thashë, gazetarët bashkë me qeverinë erdhën deri te një udhërrëfim- ndërsa të gjitha temat janë aty: financimi qeveritar i mediave; transparenca e reklamimit qeveritar nëpër media, të dyjat përmes reklamave ose financimit të shërbimeve publike definitivisht janë tema kryesore për brengosje. Ata gjenden lartë në agjendë dhe duhet të zgjidhen. Por, siç thashë, agjenda është shumë e qartë dhe ka mirëkuptim të përgjithshëm për atë se çka duhet bërë. Reklamimi i qeverisë është një çështje që definitivisht është kritike, vetërregullim me qëllim të përmirësimit të standardeve profesionale dhe të plotësohet sjellja profesionale është çështje tjetër në të cilën gazetarët kohët e fundit punojnë shumë. Kjo duhet lëvduar. Ka përpjekje të jashtëzakonshme të gazetarëve që ti vendosin szandardet e tyre dhe Kodeksin etik dhe sistemin që të përmbahen. Ka disa iniciativa në lidhje me këtë, hapi i parë ishte dekriminalizimi i shpifjes. Agjenda është aty. Mendoj se është me rëndësi që të ripërtërihet dialogu për të dhe të ndiqet. Të gjithë e dijmë cilat janë problemet, vetëm duhet tu qasemi që ti zgjidhim.

 

INBOX7: Para disa ditëve një delegacion nga Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu e vizitoi Maqedoninë dhe shprehu gadishmëri në lidhje me stagnimin dhe përkeqësimin në fushën e dialogut politik dhe të drejtave dhe lirive themelore. Në çfarë u bazua mendimi i tyre?

 

Mariet Shurman: Ai ishte mision kolektiv i hulumtimit të fakteve. Përfundimet që ata i publikuan në ditën e fundit të misionit të tyre ishin të bazuar mbi takimet dhe bisedimet që i kishin me qeverinë, partitë politike, diplomatët, organizatat ndërkombëtare. Përfundimet e tyre janë rezultat i takimeve të shumta që i realizuam ata tre ditë.

Delegacioni nuk dha rekomandime konkrete, por e reflektoi mendimin e qeverisë sonë, çështje për të cilat edhe ne vlerësojmë se janë objekt i brengosjes dhe që qeveria duhet ti analizojë. Në deklaratën për shtyp që e publikuam në fund të misionit, siç edhe thatë, ata qartësisht shprehën brengosje për të cilën ne mendojmë se duhet të punohet. Unë mendoj se kjo është një mesazh i rëndësishëm se vendet anëtare të UE-së nuk e kanë harruan Maqedoninë, ata qëllimisht zgjodhën për vizitë pikërisht këtë vend, dhe jo ndonjërën nga vendet fqinje, që të marrin informata të dorës së parë. Andaj mendoj se kjo ishte një vizitë shumë e dobishme që të sigurohet se Maqedonia mbetet në agjendën e bashkësisë ndrkombëtare, posaçërisht UE.

 

INBOX7: Мaqedonia e pret Raportin e ri të KE-së. Siç e dini, vërejtjet e vitit të kaluar kishin të bëjnë për pavarësinë e gjygjësisë, situatës së keqe ekonomike dhe papunësisë, si dhe përkeqësimin e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave. Si janë pritjet tuaja në lidhje me raportin e këtij viti?

 

Mariet Shurman: Është me rëndësi të theksojmë se nuk e dimë çka ka në raport. Raportin e shkruan Unioni Evropian dhe vetë vendet-anëtare nuk e dijnë çka shkruan në të derisa nuk publikohet në tetor. Mendoj se data është 8 tetori, së pari do të prezantohet para qeverisë, dhe pastaj para opinionit. Pra, nuk e di çka ka në raport, por e di se Komisioni mundohet të jetë sa më objektiv, duke siguruar pasqyrë pr atë se ku gjendet Maqedonia në lidhje me çështje të ndryshme, gjygjësinë dhe sistemet që duhet të jenë në pajtim me UE-në, pra larg jeni nga rruga për Evropë sa i përket institucioneve, por do të ketë vlerësim nga ana e Komisionit për atë se sa në çfarë mase Maqedonia vazhdon ti përmbushë kriteret themelore për nisjen e negociatave për anëtarësim. Pra, çdoherë janë prezente këta dy komponente.

Unë mendoj se problemet kryesore do të mbeten të njëjtat. Komisioni tha se strategjia është rifokusuar në parimet themelore, dhe ato janë kriteret ekonomike dhe politike, respekt ndaj të drejtave të njeriut, liritë themelore, sundimi i së drejtës, media të pavarura. Pra, këto çështje me siguri do të theksohen bashkë me funksionimin e ekonomisë së tregut. Këto janë parimet themelore të bashkësisë së UE-së ku duhet të përqëndrohemi në raportin e ri për përparim.

 

INBOX7: Ekselenca juaj, opozita e bojkoton parlamentin e ri dhe duket se kjo krizë politike do të vazhdojë. Si e komentoni këtë dhe si mendoni se do të reflektohet mbi progresin e shtetit?

 

Mariet Shurman: Asnjëherë nuk kam komentuar për vendimin nëse bojkotohet ose jo, por me rëndësi është të merret parasysh kjo krizë politike në njëfarë mënyre e mbrojtur të cilën e shohim dhe e cila në fakt është që nga 24 dhjetori 2012. Shkëputja e besimit mes partive politike dhe liderëve të tyre dhe mungesa e dialogut politik, kjo është shkak për brengosje.

НNe vazhdojmë të apelojmë te të gjitha partitë, të gjitha palët e spektrit politik të fokusohen në interesin kombëtar dhe jo atë shtetëror, pra të angazhohen, të mundohen të gjejnë zgjidhje, të angazhohen në dialog dhe të mundohen ta kthejnë besimin e qytetarëve për shkak të funksionimit të demokracisë parlamentare. Dhe kjo është obligim i të dy palëve, opozitës dhe qeverisë. Qeveria ta kthejë opozitën në Kuvend, ndërsa opozita të veprojë drejt ndaj njerëzve që e kanë votuar dhe që i përfaqëson. Pra, ky është problem që ne e theksojmë, apelojmë ndaj të gjithë njerëzve që mbajnë përgjegjësi që të njëjtën ta marrin në duar dhe të bëjnë çdo gjë që munden që të gjendet zgjidhje dhe të ripërtërihet dialogu si dhe besimi në funksionimin e demokracisë funksionale parlamentare.

 

INBOX7: Çka mendoni, si do të reflektohet kjo mbi ardhmërinë nëse ky bojkot do të vazhdojë?

 

Mariet Shurman: Kjo është vështirë të parashikohet. Nuk është vështirë, por e pamundur për të parashikuar. Nuk dua të mendoj për skenarin më të keq. Sinqerisht, unë besoj në kuptim të përgjegjësisë dhe kuptimit të urgjencës që kjo të zgjidhet, në udhëheqësinë politike të këtij vendi, se në emër të qytetarëve të tij megjithatë në fund do të gjejnë zgjidhje dhe do ta kuptojnë rëndësinë e kësaj dhe do të pajtohen për atë që duhet të bëhet, ti qasen problemit kur bëhet fjalë për procesin zgjedhor, për zgjedhje të reja, fer dhe demokratike dhe funksionim të parlamentit. Kjo do të nënkuptonte se dëgjohet zëri i njerëzve. Kjo në fakt edhe është demokracia, që njerëzit të munden të funksionojnë lirisht në sjelljen e vendimeve për shtetin e tyre. Në esencë kjo është edhe shpresa ime dhe sinqerisht, unë jam e bindur se ka mirëkuptim, vullnet politik nga të dy anët, të shtrëngohen dhëmbët, të ulen dhe ta zgjedhin problemin.

 

INBOX7: Kohëve të fundit tema më interesante në opinion është vendosja e pesë përmedoreve të reja në qendër të Shkupit, tema e cila inicoi shumë çështje rreth përmendoreve dhe prapaskenës së tyre. Si shikon Holanda në projektin “Shkupi 2014” me pamjen e re të kryeqytetit të Maqedonisë që në të kaluarën ishte temë diskutimi?  

 

Mariet Shurman: Përsëri, nuk është te ne të kemi mendim për estetikën e përmendoreve ose tregimin për përmendoret. Diksuh mund të pyesë pse projekti vazhdon edhe më tej edhe pas vitit 2014 kur është kontrovers. Ka shumë kontroverse dhe më duket se ekziston lodhje te qytetarët. Por, mendoj se problemi kryesor dhe objekti i brengosjes është mungesa e transparencës rreth mjeteve që shfrytëzohen për projektin, mungesa e transparencës dhe llogaridhënies rreth mjeteve që shfrytëzohen për projektin, mungesa e transparencës dhe llogaridhënies rreth mjeteve në vend me ekonomi shumë të vogël dhe buxhet shtetëror shumë të vogël. Andaj mendoj se brengosja e qytetarëve është e arsyeshme, jo vetëm nga Shkupi, por edhe nga qytetet tjera kur duhet të përgjigjen në pyetjen çka ndodh me paratë e mia nga tatimet. Dollarin, euron apo denarin tuaj mund ta harxhoni vetëm njëherë, dhe siç thashë në lidhje me harxhimet e parave të obliguesve tatimorë në investime joproduktive, që shikuar afatgjatë nuk kontribojnë për rritjen ekonomike dhe prosperitetin. Qytetarët me të drejtë parashtrojnë pyetje a ka mundur të ketë investime më produktive. Problemi kyç është problemi i tranparencës dhe llogaridhënies dhe diskutim se si të përdoren financat publike.

 

INBOX7: Ekselenca e Juaj, me siguri edhe personalisht u shqetësuat nga fakti se shumica e udhëtarëve në aeroplanin e Malezisë që u rrëzua në Ukrainën lindore ishin qytetarë holandezë. A mund ta ndani me ne brengosjen tuaj në lidhje me këtë aksident tragjik?

 

Mariet Shurman: Kjo fatkeqësi tragjike për Holandën erdhi si shok i madh. Ndikoi seriozisht në gjithë shoqërinë dhe qëndrimet politike rreth krizave aktuale në Evropë, posaçërisht mbi krizën në Ukrainë. Por, qëndrimi i qeverisë sime, i mbështetur gjërësisht nga popullata, është që së pari të gjenden fakte para se të thuhet çkado qoftë. Të gjenden trupat dhe gjërat e tyre personale, të ketë qasje deri te vendi i fatkeqësisë për shkak të këtyre dy qëllimeve, dhe pastaj të kënaqet edhe drejtësia. Këto janë prioritetet tona më të larta dhe qeveria e Holandës u përmbahet këtyre prioriteteve. Nga njësia hulumtuese u publikua raporti kombëtar, që nuk është hulumtim i gabuar, por hulumtim për përcaktimin e fakteve. Ky raport u publikua në opinion dhe me siguri do të nevojitet edhe një vit që të dalë raporti përfundimtar për shkakun e këtij incidenti, dhe ky është hapi i parë. Apelojmë te të gjitha palët që të sigurojnë qasje të sigurtë deri te vendi i fatkeqësisë dhe të vazhdojmë ti gjejmë të vdekurit, ti kthejmë tek familjet e tyre bashkë me mjetet e tyre personale. Kjo vazhdon të jetë prioriteti ynë numër një.

Përktheu nga maqedonishtja – Armend Nuhiu 

Shkruaj një koment

Koment(e)