Data e sotme
June 23, 2018

Karta sekrete e BDI-së me ndërkombëtarët

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti përsëri kërkoi ndihmë nga Sekretari i posazgjedhur i NATO-s- Jens Stoltenberg.

Ndihmë për zgjidhjen e problemeve të grumbulluara nga qeveria ku bën pjesë vetë ai, duke dëshmuar njëkohësisht edhe ‘fuqinë politike’për të bindur partnerin e koalicionit për të vepruar bashkë në skenën rajonale.

Qeveria ka thënë se është duke i plotësuar kushtet që i ka kërkuar BE për sa i përket fillimit të bisedimeve.

Komisioni Evropian (KE) raporton ndryshe nga ajo që thotë Shkupi.

Ndërsa Sergey Lavrov, ministri i Jashtëm i Federatës Ruse nxorri në sipërfaqe në një intervistë fushatën e vjetër të perandorisë drejt Ballkanit, duke i testuar mjaft mirë qeveritë dhe shijet e liderëve lokal.

Pas Evropës Lindore dhe Qendrore tani rrezik për perandorinë e Putinit paraqet avancimi i NATO-s në Ballkan,pra anëtarësimi ish-republikave jugosllave në Aleancë.

Po ç’farë po ndodh tani më partitë që morrën legjitimitetin zgjedhor në Maqedoni, duke thënë se do të udhëheqin vendin drejt strukturave dhe trendeve ndërkombëtare?

BDI, parti pjesëmarrëse në qeverinë e kryeministrit Gruevski, të premten e përshendeti Sekretarin e ri të NATO-s Stoltenberg me një urim të jashtëzakonshëm.

Sipas njoftimit, Ahmeti i ka kërkuar sekretarit të ri që të angazhohet rreth çështjes së emrit.“Roli i NATO-s për Maqedoninë dhe për rajonin është i jashtëzakonshëm dhe ne jemi mirënjohës për këtë kontribut që solli paqën nëpërmjet të Marrëveshjes së Ohrit bashkë me të gjitha të arriturat e vendit gjer më sot”.

 

 G+3 shtetet

 

“Maqedonia nuk ka të ardhme tjetër përveç se në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Ky është premtimi i të gjitha partive politike në vend para elektoratit dhe gjersa kjo nuk realizohet, nuk mund të themi se i kemi plotësuar zotimet tona, por njëkohësisht as komuniteti ndërkombëtar nuk e ka përfunduar detyrën e vet në rajonin e brishtë të Ballkanit Perendimor,” thuhet në kumtesën e lëshuar nga BDI.

Për më shumë , zyrtarë të lartë të partisë bashkë me liderin Ali Ahmeti prezentuan sipas tyre idenë e suksesve qeveritare, duke i përmbledhur të gjitha në 100 projekete të sukseshme për 100 ditë të qeverisjes nën udhëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Ajo çka tha Lavrov sikur i zuri të papërgatitur partitë politike, këta të fundit duke mos i qartësuar mirë  pozicionet e tyre se cilat tendenca të jashtme synojnë ta lënë jashtë NATO-s Maqedoninë.

Zv/Kryeministri në qeverinë e Maqedonisë Musa Xhaferi në një debat televiziv nuk tha se pse Kremlini është i interesuar që Maqedonia dhe ish-republikat jugore (G+3) të qëndrojë jashtë sferës perëndimore, por shtoi se Rusia do të bëjë përpjekje të depërtojë në rajon.

Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup nuk është deklaruar rreth synimeve të ministrit të Jashtëm rus Lavrov.Në prill të vitit 2011 ministri Sergey Lavrov e vizitoi Maqedoninë gjatë një turneu rajonal,edhe atë menjëherë pasi në Ballkan qëndroi diplomati  amerikan James Steinbauer.

 

Zona speciale, Lavrov dhe amerikanët

 

Presidenti Ivanov tha se me Rusinë, Maqedonia dëshiron të ndërtojë marrëdhënie speciale dhe të vazhdojë rrugën për në NATO dhe BE.

Maqedonia deri më tani ka një kërkesë të konsideruar si gjysëm aktive në krahasim me Malin e Zi dhe Kosovën.

Serbia nuk pretendon për një anëtarësim të menjëhershëm në NATO dhe sipas Beogradit, anëtarësimi në Aleancë nuk paraqet ndonjë përparësi strategjike.

Duke lëvizur në të njëjtën trajektore të dizajnuar nga Fuqitë e Mëdha dhe të rangut të mesëm, Maqedonia dhe partitë politike që bëjnë pjesë në koalicion, mund të ndërtojnë një qëndrim po të njëjtë të paraqitur nga zyrtari i lartë rus, por me pasoja për të ardhmen e vendit dhe kursin e njoftuar pro-perëndimor.

Partitë politike shqiptare në koalicionet qeveritare kanë thënë se janë për proceset e nisura të integrimeve evropiane dhe sundimin e ligjit.

Mirëpo gjendja faktike tregon se të gjithë këto premtime kanë qenë vetëm një bazë për të mbajtur pushtetin dhe vazhduar lojën me faktorin ndërkombëtar.

Dështimi i partive pjesëmarrëse në qeveri duke mos përjashtuar edhe rolin e opozitës për të krijuar një balancë socio –etnike, është  vrojtuar si një pikë mjaft e nxehtë  në gjitha raportet vjetore të BE-së dhe Departamentit të Shtetit për Maqedoninë.

Sipas shtypit qeveria nuk arriti ti përmbushë kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare dhe aktualisht pas Rezolutës së OKB-së,qeveria është përqëndruar në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit global.

 

Si qëndron BDI në  pushtet?

 

Raporti i “Freedom House “për vitin 2014 e nxjerr vendin në një pozitë të zymtë demokratike me tendeca që të ulet shkalla e përceptimit demokratik.

Drejtuesit politik që sot kërkojnë mbështeteje nga faktori i jashtëm, sipas vlerësimeve duhet të lëvizin nga pozita aktuale dhe ti kundërvihen tendencave të jashtme me një qasje tjetër.

BDI dhe ish lideri politik i guerilës së vitit 2001 Ali Ahmeti, teoritikisht mund ta veçojë veten nga vrulli anti-demokratik që i mbështjellet vendit pas Samitit të Uellsit.

Partia e tij, në planin e jashtëm të përkrahjes nga faktori ndërkombëtar ka vazhduar të mbështetet fuqishëm përshkak të garancave të dhëna nga lideri Ahmeti për vazhdimin e politikave paqësore dhe luftimin e ekstremizmit të të gjitha llojeve në Maqedoni.

Kur diplomatja amerikane Victoria Nuland e vizitoi Shkupin në korrik të gjithë liderët thanë se do të punojnë drejt përmirësimit të imazhit të vendit dhe proceseve të nisura.

A ndodhi kjo dhe a e kanë mbajtur fjalën ata? Si duket jo,sepse në forumin e CEPA-s, në Uashington zyrtarja e lartë e DASH-it tha se liderët e harruan ëndrrën për të cilën luftuan.

Ajo e ka cilësuar korrupsionin dhe ngecjet demokratike si kancer për qeveritë e  rajonit.Varësinë  e shteteve evropiane nga gazi rus e karakterizoi si një ndër marrëveshjet e këqija të këtyre qeverive…

Pasi kemi hyrë në dekadën e gjeopolitikës së unioneve, presionet e jashtme  që vijnë drejt Maqedonisë dhe Ballkanit do të rriten me gjasa për të kërkuar dhe ndryshime.

”Anëtarësimi i Maqedonisë dhe i rajonit në NATO nuk mund të jetë provokim ndaj askujt, por vetëm realizim i synimeve të qytetarëve të vendeve tona dhe ky proces është rrugë njëdrejtimëshe nga e cila nuk ka kthim,” thotë kumtesa e BDI-së.

Nëse alternativa e vetme është BE dhe NATO, atëherë filtrimi dhe rreshtimi i BDI-së do të bëhet domosdoshmëri.

Përndryshe kjo do ti ndihmonte amerikanët dhe faktorët tjerë për të parë se ç’farë ndodhë me të vërtetë në Maqedoni me forcat politike të profileve që influencohen nga jashtë.

Megjithatë vizita e paralajmëruar e presidentit rus Vlladimir Putin në Serbi mund të shtojë oreksin për më shumë vonesa në Maqedoni dhe në Gadishull.

Shkruaj një koment

Koment(e)

ibraimi@inbox7.mk