Data e sotme
June 5, 2020

Besimi: Rekomandimi pozitiv, vërejtjet kërkojnë punë

Në intervistën për magazinën online Inbox7, zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane, Fatmir Besimi flet për raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë, të cilin e vlerëson si të rëndësishëm për shkak të përsëritjes së rekomandimit për të gjashtën herë për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian, që sipas tij gjithsesi se ndikon në pritjen e qytetarëve dhe në dinamikën e reformave. Besimi komenton edhe vërejtjet e Komisionit Evopian sidomos lidhur me reformat në gjyqësor, administratën shtetërore dhe publike, reformat në fushën e ekonomisë, lirinë e mediave, por komentoi edhe dallimet midis partnerëve qeveritarë lidhur me emrin dhe integrimin

Inbox7: Z. Besimi cili është vlerësimi i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë sa i përket raportit të fundit të Komisionit Evropian për progresin që ka shënuar vendi?

 

Besimi: Fillimisht dua të them se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Maqedonia edhe këtë vit ka rekomandim për të filluar bisedimet me Bashkimin Evropian. Ne jemi të vetëdijshëm se përsëritja e rekomandimit për të gjashtën herë, gjithsesi ndikon në pritjen e qytetarëve dhe në vet dinamikën e reformave, por është e rëndësishme që edhe këtë vit të mund të përqendrohemi drejtpërdrejt në agjendën e reformave dhe të temave që janë të shënuara në raport, siç janë: gjyqësori, liria e shprehjes, marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe zgjidhja e cështjes së emrit. Pra vetë rekomandimi është një mundësi plus që të përqëndrohemi në këto tema që janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Dua të theksoj se Raporti është dokument pune, dokument objektiv në të cilin tanimë ne po përqendrohemi në të gjitha kritikat dhe sugjerimet që janë të shënuara aty që të mund gjatë kësaj periudhe apo vitit që vjen të tregojmë progres.

 

Inbox7: A mjafton rekomandimi, kur dihet se pati kritika të shumta, apo vërejtje serioze në raportin e Komisionit Evropian. Si i shihni ju këto vërejtje, paraqesin shqetësim për kabinetin qeveritar dhe si planifikoni të reagoni ndaj këtyre vërejtjeve?

 

Besimi: Gjithesesi, do të thotë siç përmenda e rëndësishme është që ka rekomandim por më e rëndësishme dhe ajo që do të na marrë më shumë kohë gjatë kësaj periudhe janë vërejtjet që shënohen në këtë raport, pavarësisht se vërejtjet kanë një ton më rigoroz apo më diplomatik për ne janë cështje serioze që duhet të përqëndrohemi gjatë kësaj periudhe. Ky do të jetë angazhimi ynë gjatë ditëve në vijim por dhe gjatë gjithë vitit. E para që do të bëjmë, tani menjëherë kemi filluar të bëjmë një analizë, e ashtuquajtura GAP analiza dhe të shohim ajo që ka qenë e paraparë për vitin që shkoi dhe si është vlerësimi i Bashkimit Evropian. Në të njëjtën kohë po bëjmë përgatitjen e një plani aksional, të cilin qeveria brenda muajit edhe zyrtarisht do ta miratojë për të marrë hapat konket lidhur me këtë dhe ndërkohë deri sa të bëhet kjo, ditët që vijojnë duke filluar nga dita e sotme ne do të kemi takime me të gjithë pjesëtarët apo të gjithë aktorët e rëndësishëm në këtë proces, që të jetë procesi sa më gjithëpërfshirës. Kështu do të kemi takime me shoqatat joqeveritare, pra sektorin civil, me përfaqësuesit e mediave dhe gazetarëve, me pjesën akademike, përkatësisht universitetet, ekspertët, me gjyqësorin, me të gjitha institucionet me radhë, kështu që të krijojmë një proces gjithpërfshirës dhe të jemi sa më aktiv dhe sa më konkret në aktivitetet që priten nga ne në këto tema. Faza e parë do të jetë deri në dhjetor cfarë mund të bëjmë duke përfshi këtu edhe dialogun politik, për të cilin duhet të krijojmë një klimë më të mirë dhe progres në këtë drejtim deri në dhjetor, poashtu edhe në temat e tjera të cilat janë të përmendura në raport.

 

Inbox7: Maqedonia përveç që ka problem me emrin me Greqinë, si kusht për anëtarësim në BE ka edhe zbatimin e reformave në gjyqësor, administratë, efikasitet institucional, pastaj në fushën e ekonomisë e shumë fusha tjera. A e rrezikon statusin e vendit kandidat që ka për në BE me ngecjet lidhur me emrin, por edhe me mungesën e dialogut politik dhe moszbatimin me përpikëri të reformave?

 

Besimi: Ajo që është vlerësimi i Komisionit Evropian, është se Maqedonia në këtë fazë në nivel të mjaftueshëm i plotëson kriteret politike, të cilat janë si bazë për rekomandimin të cilin Komisioni Evropian e jep për Maqedoninë dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Gjithsesi procesi i integrimit dhe reformave në të gjitha fushat është jashtëzakonisht e rëndësishme që Maqedonia të tregojë kapacitete demokratike, kapacitete institucionale dhe ekonomike që të jetë nesër pjesë e barabartë e Bashkimit Evropian. Këtu dua të përmend se sa i përket dialogut politik është jashtëzakonisht e rëndësishme ashtu dhe sic thotë raporti përgjegjësia është në të dy anët, edhe në anën e partive të spektrit qeveritar dhe atyre opozitar që të japin dicka më tepër mbi interesat partiake duke shikuar në interesin shtetëror që të ketë një progres. Dhe këtu sidomos është me rëndësi që VMRO-DPMNE dhe LSDM të tregojnë një progres në këtë dimension, në dallimet që parashtrohen. Mirëpo gjithashtu është e rëndësishme edhe në gjyqësor, pra ajo që kërkohet, raporti përmend që Maqedonia është në një fazë të avancuar të legjislacionit, mirëpo ajo që pritet është një implementim i mirëfilltë i legjislacionit si në aspektin e efikasitetit, pavarësisë së gjyqësisë dhe qasje e cila do të rritë cilësinë e gjyqësorit dhe do të krijojë një besueshmëri më të madhe tek sistemi gjyqësor në Republikën e Maqedonisë për një gjyqësor të drejtë.Ajo që është me rëndësi është të krijohet një ambient dhe një përshtypje më e mirë në drejtim të lirisë së shprehjes, një vlerë kjo demokratike të cilën e vlerëson Bashkimi Evropian dhe ne do të përkushtohemi që të tregojmë që kemi kapacitete që edhe në këtë drejtim të jemi sa më gjithpërfshirës dhe të krijojmë një situatë më të mirë për Republikën e Maqedonisë. Marrëdhëniet ndëretnike gjithashtu janë një temë e rëndësishme dhe përcillen nga Bashkimi Evropian, që të rritet besimi midis komuniteteve në Republikën e Maqedonisë. Përmenden raste që janë sfiduese gjatë kësaj periudhe. Marrëdhëniet ndëretnike janë një detyrim të cilin duhet ta bëjmë për të mirën tonë dhe këtu përmendet edhe analiza kualitative që pritet të bëhet sa i përket zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

 

Inbox7: Kur jemi te cështja e emrit dhe integrimi euroatlantik a ekzistojnë dallime brenda koalicionit qeveritar, pra midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së në këtë drejtim?

 

Besimi: Sa i përket çështjes së emrit, në raport theksohet shumë qartë se çështja e emrit është një nga temat kryesore, që paraqitet edhe si pengesë në proceset e integrimit evropian të Maqedonisë dhe gjithashtu Komisioni Evropian kërkon të ketë një kyçje më proaktive të lidershipit të Bashkimit Evropian, gjë që e kemi theksuar gjatë tërë kohës dhe tani shifet se ajo është pjesë e raportit dhe një progres në drejtim të negociatave me qëllim që të kijohet një moment sa më i përshtatshëm lidhur me këtë. Unë personalisht besoj që tani me përbërjen e re të Komisionit Evropian, deklaratat e komisionerit Reihan dhe iniciativa tjera dhe iniciativa tjera për Ballkanin sic janë procesi i Berlinit apo kancelaria gjermane dhe të tjerë që të krijojmë një atmosferë të re në këtë drejtim. Sa i përket pozicioneve brenda koalicionit për këtë çështje, dua të them se që në fillim të koalicionit ne bëmë një komunikatë të përbashkët si partnerë të koalicionit, ku jemi marrë vesh që prioritet të jetë integrimi euroatlantik i vendit dhe punojmë në këtë drejtim. Cështja e emrit është një temë e cila drejtpërdrejt e ndikon këtë proces dhe ne jemi të interesuar që kjo të gjejë një zgjidhje të mundshme sa më shpejt. Sipas asaj që e vlerësojnë si proces duhet një kyçjë proaktive nga të dyja palët, duhet të jemi konstruktiv, edhe atë të dz palët, Maqedonia dhe Greqia, që ti japim mundësi zgjidhjes. Është fakt që Maqedonia ka më tepër interes që ky proces të ecë më shpejtë, për shkak se ne jemi të interesuar që të bëhemi anëtar të Bashkimit Evropian dhe angazhimi është i pakontestueshëm, qoftë i joni si partner koalicioni, qoftë i qeverisë, që të kemi një progres për çështjen e emrit. Së fundi është edhe interesi qytetarëve të cilët janë prononcuar edhe në raportin e fundit që doli nga anketa e IRI-t, sipas të cilit mbi 70 për qind e qytetarëve vazhdon të tregojnë interes dhe të shohim Bashkimin Evropian si një pikë e rëndësishmë për Republikën e Maqedonisë.

 

Inbox7: Ju përmendët pak më parë se sa të rëndësishme janë marrëdhëniet ndëretnike, edhe Komisioni Evropian rekomandon qasje më proaktive dhe e përbashkët ndaj promovimit të shoqërisë shumetnike inkluzive? Por a mund të flitet për këtë kur dihet se vazhdon realizimi i projektit Shkupi 2014, që është projekt ekskluziv etnik?

 

Besimi: Ajo që përmendet në raport për marrëdhëniet ndëretnike, është një mesazh shumë i rëndësishëm. Mesazhi është që të punojmë dhe të bëjmë aktivitete dhe të promovojmë relacione ndëretnike, që të rrisim mirëbesimin. Këtu do të përmend më shumë raste, por është edhe projekti Shkupi 2014, rreth të cilit vazhdimisht si partnerë koalicioni kemi apeluar dhe brenda koalicionit kemi diskutuar që projekti duhet të reflektojë realitetin shumëetnikë të vendit, pasi kjo është në të mirë të qytetarëve dhe në të mirë të Maqedonisë. Në atë mënyrë do të kemi edhe përkrahjen e qytetarëve, pasi çdonjëri do të ndjehet pjesë e procesit dhe vlerësojmë se jo vetëm ky projekt, por edhe projekte duhet të kenë qasje të njëjtë, të jenë transparente dhe të jenë gjithpërfshirëse, ku çdo qytetar do të ndjehet pjesë e saj, sepse e fundit ata janë paratë e qytetarëve.

 

Inbox7: Për fund do doja edhe një pyetje. Një ndër fushat në të cilat kritikohet pushteti është liria e mediave? Edhe dialogu me komunitetin mediatik nuk është duke funksionuar? Çfarë do të ndërmerret në këtë drejtim?

 

Besimi: Sa i përket mediave, vitin që shkoi dhe është pjesë e këtij raporti të progresit janë ndryshmet që u bë në ligjet për media dhe shërbime audiovizuale. Me një komunikim me përfaqësuesit e mediave dhe gazetarëve, pavarësisht që ai komunikim ishte shumë kompleks dhe i komplikuar, megjithatë u arrit që pas përgatitjes së ligjeve dhe pas komenteve ndaj ligjeve, se ligji u dorëzua për koment në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës dhe pas vërejtjeve, që të merren parasysh komentet e këtyre institucioneve dhe disa komente që erdhën, menjëherë pasi u miratuan ligjet në Kuvendin e Maqedonisë, brenda dy javëve u bënë ndryshimet e ligjeve të posasjellura sipas marrëveshjes apo rekomandimeve që vinin nga përfaqësuesit e mediave dhe ideja ishte që të vazhdojë ky komunikim në të ardhmen. Moment tjetër që u bë ishte një nga kërkesat që të publikohen të gjitha raportet sa i përket kampanjave informative të qeverisë në media dhe në tre vitet e fundit janë shpallur në ueb faqen e qeverisë dhe normalisht këtu mbeten edhe shumë tema që duhet të realizohen në këtë drejtim dhe vlerësoj se edhe shumë tema duhet te realizohen dhe me një komunikim transparent, të sinqertë me Shoqatën e gazetarëve dhe me përfaqësues të mediave do të japin rezultatet e veta. Ne jemi të përcaktuar në çdo fjalë në raportin e progresit ta adresojmë dhe të punojmë që gjatë këtij viti të dëshmojmë që pavarësisht që Maqedonia nuk ka marrë zyrtarisht datë për të filluar bisedimet ne realizojmë reforma që pritet ti bëjmë në drejtim të integrimit evropian.

 

Redaktor: Selim Ibraimi

tahiri@inbox7.mk