Data e sotme
August 16, 2018

I dëbuan nxënësit dhe tani do t’i kthejnë mprapa

Drejtorë, mësimdhënës, prindër, por më së shumti nxënës të hutuar shënojnë fillimin e vitit të ri shkollor në shkollat ​​e mesme publike. Edhe pas një muaji, ata me siguri nuk mund të thonë se ku do të mësojnë dhe ku do ta përfundojnë vitin shkollor.

mon

MASH-i me pritje shumë më të mëdha

 

A ka llogaritur gabimisht Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ose pritjet e saja kanë qenë shumë të larta kur në Konkursin për regjistrim ka parashikuar që çdo nxënës, i cili do të dëshirojë të regjistrohet në arsimin e mesëm – gjimnazet ose në ndonjë nga profesionet shëndetësore, do të duhet të ketë minimum gjashtëdhjetë, përkatësisht shtatëdhjetë pikë? Për këtë dilemë akoma nuk ka asnjë përgjigje nga autoritetet.

“Shkollat ​​të cilat në të dy afatet e regjistrimit nuk i kanë plotësuar vendet e përcaktuara të nxënësve për regjistrim me këtë Konkurs, duhet deri më 22 gusht të vitit 2014 të dorëzojnë deri në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës një kërkesë për marrjen e një miratimi për reduktimin e pikave për shkak të plotësimit të vendeve të zbrazëta”, shkruan ndër të tjera në Konkursin për regjistrim në shkollat ​​e mesme publike për vitin akademik 2014/2015.

Inboks7 ka kontaktuar disa shkolla, kurse situata më kritike është në shkollën e mesme në Bogdanc. Sipas të dhënave të shkollës, pas shkresës nga MASH-i, nga 38 nxënës, dhjetë nxënës është dashur të çregjistrohen dhe të drejtohen për t’u regjistruar në shkolla të tjera.

“Në fillimin e vitit shkollor, kemi marrë shkresë që të çregjistrohen nga shkolla të gjithë nxënësit që nuk e kanë numrin e nevojshëm të pikave. Katër prej tyre shkuan në shkollën e mesme në Gjevgjeli, një nxënës shkoi për t’u arsimuar në Shkup, kurse të tjerët i kemi dërguar në drejtim të tekstilit. Dhe kur fëmijët janë çregjistruar kemi marrë një shkresë të re se nxënësit mund të kthehen mbrapa. Nga dhjetë nxënës, vetëm tre u kthyen”, thotë drejtori i shkollës Emilija Maneva.

Sipas të dhënave të MASH-it, në vitin akademik 2014/2015 në këtë shkollë të mesme, në drejtimin e gjimnazit është dashur të regjistrohen 68 nxënës që është trefishtë më shumë se 28 nxënësit ekzistues.

mm-brico

Në shkollën e mesme “Metodi Mitevski-Brico” kanë kapur trenin e fundit. Vetëm një ditë para çregjistrimit, deri te kjo shkollë ka arritur udhëzimi se nxënësit e regjistruar mund të mbeten dhe të vazhdojnë ta ndjekin mësimin.

“Në shkollën tonë dhjetë nxënës nuk i kanë plotësuar kushtet për regjistrim dhe që në gusht kemi dërguar një shkresë deri te MASH-i. Dhjetë ditë pas fillimit të vitit shkollor nga atje nuk na lejuan që t’i regjistrojmë këta nxënës. Por, vetëm një ditë para çregjistrimit morëm një shkresë të re nga Ministria se nxënësit mund të mbeten në shkollën tonë”, thotë drejtoresha Biljana Petrovska.

Sipas Konkursit për regjistrim të nxënësve në shkollat ​​e mesme publike, në këtë shkollë këtë vit është dashur të regjistrohen 170 nxënës në profesionin e gjimnazit.

Në vitin akademik 2012/2013, klasën e tetë e kanë përfunduar 22.900 nxënës, kurse me Konkursin e MASH-it për regjistrimin e nxënësve në vitin akademik 2013/2014 janë paraparë 34.793 vende për nxënësit. Arsimi i mesëm në Maqedoni është i detyrueshëm nga viti 2008/2009.

 

Në vend të profesorëve, për fatin e nxënësve vendosin politikanët

srednskolci

 

Kërkesa e shkollave ​​të një miratimi nga MASH-i për reduktimin e pikave për regjistrim në shkollat ​​e mesme është një risi e cila është aplikuar këtë vit. Deri vitin e kaluar, për këtë gjë vendoste Këshilli i mësimdhënësve të vetë shkollës. Regjistrimi i nxënësve të çregjistruar në shkolla të tjera është komplikuar edhe më shumë për shkak se për formimin e klasave me numër të caktuar të nxënësve, i cili nuk mund të jetë më i vogël se 25, e jo më i madh se 34, duhet të marrë vendim Këshilli i komunës.

“Jemi duke punuar me 28 nxënës në dy paralele, por ne për këtë gjë duhet të kemi vendim nga Këshilli i komunës së Bogdancit i cili nuk funksionon”, thotë Mineva.

Nga komuna pranojnë se kanë problem me funksionimin, por edhe se deri më tani nuk kanë ndërmarrë asnjë iniciativë për ta zgjidhur problemin.

“Për shkak të mungesës së kuorumit, takimet mbahen shumë vështirë, por Këshilli është i gatshëm të debatojë për këtë çështje nëse vendoset në rendin e ditës në ndonjë nga seancat. Mundet që drejtoresha e shkollës të dërgojë informacion për gjendjen e nxënësve dhe ne do të shqyrtojmë të njëjtën”, thotë zëdhënësja e komunës, Darinka Minova.

Për dallim nga moshatarët e tyre nga Bogdanci,  nxënësit e Gostivarit nga shkolla e mesme (gjimnazi) “Gostivari” kanë pasur fat. Pas inspektimit të cilin e ka bërë Inspektorati Shtetëror i Arsimit, Këshilli i Komunës së Gostivarit ka marrë vendim se paralelet e zbrazëta mund të mbushen me nxënës të cilët janë regjistruar në gjimnazin me më pak se 60 pika.

“Tek ne ka 15 paralele nga të cilat 10 janë me mësim në gjuhën shqipe, tri janë me mësim në gjuhën turke dhe dy paralele janë me mësim në gjuhën maqedonase. Nga të gjitha këto, vetëm një nxënës është çregjistruar, por sidoqoftë regjistrimi i tij ishte i diskutueshëm për arsye të tjera, jo vetëm për shkak të pikave. Ne patëm një problem me vendet e zbrazëta. Në çdo paralele kishim mungesë për 1-3 fëmijë për t’u respektuar minimumi prej 25 nxënësve. Por, Këshilli i komunës na ka lejuar që t’i formojmë paralelet”, thotë Tafa Ameti, profesor në këtë shkollë të mesme.

 

Gjobat e larta për të padëgjueshmit

nadica-nikolovska

Nadica Nikolloska

 

Nadica Nikolloska, drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit thotë se jo vetëm në disa, por Inspektorati ka kryer kontroll në të gjitha 103 shkollat ​​e mesme në Maqedoni.

“Janë konstatuar parregullsi në 38 shkolla të mesme dhe janë ndërmarrë masa ligjore, janë marrë vendime. Nëse dikush ka marrë miratimin e MASH-it për të reduktuar pikat e nevojshme për regjistrim në shkollat ​​e mesme, atëherë ne do të konstatojmë atë”, thotë Nikolloska.

Manastir, në vend të Këshillit të komunës, problemin e ka zgjidhur MASH-i, duke i dhënë fund grevës së prindërve të nxënësve, të cilët nuk kishin leje për regjistrim në shkollën mjekësore “Jovan Kallauzi”.

“Prindërit e pakënaqur kanë përgatitur një peticion të cilin e kemi dërguar deri te Ministria e Arsimit. Na janë përgjigjur pozitivisht dhe të gjithë nxënësit që kishin pesëdhjetë në vend gjashtëdhjetë pikë, u regjistruan në drejtimin farmaceutik, dentar-teknik dhe fizioterapeutik. Ata me 45 pika u regjistruan në drejtimin e optikës së syve. Tani mësimi rrjedh normalisht”, thotë Snezhana Petrovska nga Departamenti i Arsimit në Manastir.

Në Koçan 28 nxënës janë regjistruar në shkolla të ndryshme të mesme, secili sipas njohurive të tija pasi ishin refuzuar në konkursin për regjistrim në shkollën e mesme “Ljupço Santov”.

Situata e paqartë rreth regjistrimit të nxënësve në shkollat ​​e mesme publike ende zgjat, për shkak se siç thotë Nikolloska, aktualisht zhvillohen mbikëqyrjet inspektuese të kontrollit. Të gjitha ato shkolla që kanë regjistruar nxënës me më pak pikë, e njëkohësisht nuk kanë marrë leje nga MASH-i, do të gjobiten me nga 1.500 deri në 2.500 euro, ndërsa personat përgjegjës i presin gjobë prej 1.000 deri në 1.300 euro.

 

Kriteret për përzgjedhjen e nxënësve në shkollat ​​e mesme publike.

– suksesi i mesëm i nxënësit nga klasa V – VIII;

– suksesi i mesëm i nxënësit i arritur në katër lëndët (gjuha amtare, gjuha e huaj dhe dy lëndë që kanë rëndësi për profesionin);

– diplomat e fituara (I, II dhe III) vende në garat ndërkombëtare dhe republikane nga (gjuha amtare, gjuha e huaj dhe lëndët mësimore që kanë rëndësi për profesionin, gjegjësisht për zonën elektorale);

– vlera e mesme e pikave të marra për disiplinë.

* Burimi: Ministria e Arsimit dhe Shkencës

Shkruaj një koment

Koment(e)

opetceska@inbox7.mk