Data e sotme
November 17, 2019

Gazetarët dhe avokatët kërkojnë lirim të Kezharovskit

Aktgjykimi i vetëm i mundshëm është lirimi i gazetarit Tomisllav Kezharovski, porositën nga “Këshilli iniciativ për shpëtimin e gazetarit Kezharovski”, pas fillimit të sotëm të diskutimit publik në Gjykatën e Apelit në Shkup për rastin “Likuidim”. Në të njëjtën kohë, Këshilli Gjyqësor pesë-anëtarësh i ka shqyrtuar ankesat e tetë personave të dënuar, ndër të cilët është edhe gazetari Kezharovski, i cili u dënua me 4.5 vjet burg për artikujt e botuar në revistën “Reporter 92” në vitin 2008

Tomisllav Kezharovski është dënuar për diçka që është baza e veprimit tonë si gazetarë, deklaroi sot Tamara Çausidis, kryetarja e Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve të Maqedonisë (SPGM) pas fillimit të shqyrtimit të ankesave të të dënuarve në rastin “Likuidim”.

Kezo-apelacija-nadvor

“Presim të vetmin aktgjykim të mundshëm, e ai është lirimi i Kezharovskit. Gjithashtu presim që gjykata t’ia heqë arrestin shtëpiak”, tha Causidis.

Derisa gazetarët shprehnin në mënyrë paqësore mbështetjen e tyre para gjykatës, brenda në sallën e Gjykatës së Apelit në Shkup, avokatët e të dënuarve zhvillonin një betejë ligjore për të dëshmuar se tetë të dënuarit janë të pafajshëm.
Filip Medarski, avokat i gazetarit Kezharovski, gjatë arsyetimit të ankesës për dënimin me burg, tha se kjo është një goditje e jashtëzakonshme për lirinë e shprehjes.

Kezo-Apelacija-1

Vazhdimisht po flasim për dëshmitarin e rrezikuar dhe askund nuk ka ndonjë akt të shkruar me të cilin është fituar ky status. Kjo zgjidhje nuk është nxjerrë dhe shpjeguar në aktgjykim. E lus gjykatën t’i lexojë tekstet e kontestuara të Kezharovskit për t‘u parë nëse identiteti i dëshmitarit me të vërtetë është kërcënuar. Nëse identiteti i tij është zbuluar, pse atëherë dëshmitari “Breza” më vonë ka fituar statusin e dëshmitarit të mbrojtur”, pyeti Medarski.

Përveç Kezharovskit, në diskutimin e sotëm janë shqyrtuar ankesat e shtatë gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe biznesmenëve të tjerë që janë po ashtu të dënuar me dënime me burg për veprat penale, zbulimi i identitetit të një dëshmitari të mbrojtur, ndërmjetësimi në ryshfet, shpërdorim të pozitës zyrtare.

Mbështetja vjen nga të gjitha anët

Edhe pas një viti e gjysmë nga arrestimi i gazetarit Kezharovski, nuk pushojnë reagimet e opinionit vendas dhe botëror.
Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) dhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dje kanë lëshuar një njoftim të përbashkët në të cilën, ndër të tjera, shkruan se “autoritetet e Maqedonisë duhet të sigurohen se të gjitha akuzat absurde kundër gazetarit Tomisllav Kezharovski do të tërhiqen, kështu që do të mbizotërojnë drejtësia dhe liria e shprehjes”.

Tomisllav Kezharovski është dënuar padrejtësisht për kryerjen e profesionit të tij dhe mbrojtjen e burimeve të tija. Kërkojmë të konfirmohet drejtësia dhe Kezharovski të mund të shkojë larg nga ky makth, si një njeri i lirë”, thotë Presidenti i Federatës Xhim Bumela, i cili e vizitoi gazetarin në shtëpinë e tij në mars të këtij viti.

EFJ-i ka bërë një video të shkurtër që tregon solidaritetin ndërkombëtar për Kezharovskin.

 

Solidarity with Kezarovski from EFJ on Vimeo.

Në fund të muajit, një delegacion i përbashkët i Federatës evropiane dhe ndërkombëtare do të takohet me Andrej Lepavcovin, Ambasadorin e MaqedonisëUnionin Evropian për të biseduar lidhur me rastin “Kezharovski”, por edhe më gjerë për shkeljet e lirisë së mediave në vend.
Gjithashtu dje, në kremtimin e festës së luftës revolucionare maqedonase “Këshilli iniciativ për shpëtimin e gazetarit Tomisllav Kezharovski” vuri lule në afërsi të Muzeut të luftës maqedonase për të shënuar një vit pasi që policia nuk i ka lejuar gazetarët të protestojnë para muzeut dhe të kërkojnë lirim të kolegut të tyre.

Një vit më vonë jemi përsëri këtu për të kujtuar se kolegu ynë Kezharovski ende është në paraburgim. Duam të theksojmë se lufta për lirinë dhe të drejtat e njeriut ende vazhdon dhe ne e dimë se në këtë ditë, në themelimin i VMRO-së historike, ideja, mendimi dhe agjenda ishte lufta për liri dhe për drejtësitë e njeriut, por për fat të keq pushteti i sotëm nuk i respekton këto ideale të VMRO-së. I ftojmë gjyqtarët të gjykojnë sipas ligjit dhe të drejtave, të heqin dorë nga presioni politik dhe të tregojnë guxim dhe profesionalizëm dhe të marrin një vendim të drejtë dhe të lirojnë kolegun tonë“, porositi gazetari Zoran Dimitrovski.

Më 21 tetor 2013, Gjykata Penale Shkup 1 e dënoi gazetarin Tomisllav Kezharovski me një dënim prej 4.5 vjet burg për, siç shpjegoi gjykata, zbulimin e identitetit të një dëshmitari të mbrojtur në tekstet hulumtuese, të botuara në vitin 2008 në gazetën “92 Reporter”.
Gazetari u arrestua në maj të vitit të kaluar dhe kaloi gati gjashtë muaj në burgun Shutka. Që nga nëntori i kaluar, ai është në arrest shtëpie. Pas shqyrtimit të ankesave të tetë personave të dënuar, Gjykata e Apelit në Shkup do të duhet të vendosë nëse do t’i konfirmojë dënimet e shkallës së parë, nëse do t’i ulë ose do t’i rrisë, ose rastin përsëri do ta kthejë në gjykim në Gjykatën Themelore Shkup 1.

Maqedonia në shoqëri me Pakistanin, Kongon dhe Bangladeshin

Jordani, Rusia, Bangladeshi, Kuvajti, Maqedonia, Pakistani dhe Republika e Kongos janë vendet të cilat në vitin 2013 kanë pasur gazetarë në burg, publikoi Komiteti Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) me seli në Nju Jork në raportin e fundit në fund të vitit 2013.

Në vitin 2013, 211 gazetarë kanë qenë në burg në mbarë botën. Kjo shifër është më e ulët në krahasim me vitin e kaluar, kur 232 gazetarë janë burgosur, por megjithatë ende mbetet në një nivel historikisht të lartë. Janë vrarë 52 gazetarë, që është për një e treta më pak se në vitin 2012, edhe pse 30 të tjerë janë regjistruar si të humbur në luftërat në Siri, ku janë vrarë 21 gazetarë. Gjashtë gazetarë janë vrarë në Egjipt, pesë në Pakistan, katër në Somali, tre në Brazil dhe në Irak, ndërsa në Mali dhe Rusi janë vrarë nga dy gazetarë“, shkruan në raportin e CPJ-së.

Përndryshe, Turqia me 40 gazetarë të burgosur në vitin 2013, vitin e dytë me radhë e mban epitetin vend – rekorder në botë. Pas saj vijojnë Irani dhe Kina, për shkak se në burgjet e këtyre vendeve gjenden më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të gazetarëve të burgosur në gjithë botën. Në Vietnam vitin e kaluar ka pasur 18 gazetarë në burg në krahasim me vitin 2012 kur ky numër ishte 14. Pas tyre vijojnë, Eritreja, Siria, Azerbajxhani, Etiopia, Egjipti, Uzbekistani dhe SHBA-të. Në listën është gjetur edhe Maqedonia me një gazetar të burgosur.

Tribunali i Hagës me më shumë të dënuar për zbulimin e identitetit të dëshmitarit të mbrojtur

Me përjashtim të vendimeve të Tribunalit të Hagës, në Evropë thuajse nuk ka proces gjyqësor që është zhvilluar kundër gazetarëve sepse e kanë zbuluar identitetin e një dëshmitari të mbrojtur në raste në të cilat ndiqen penalisht dhe gjykohen persona të akuzuar për vepra penale dhe krim të organizuar.
Sipas të dhënave të gjykatës, në njëzet vitet e fundit për këtë vepër penale janë dënuar katër gazetarë kroatë. Dy prej tyre janë dënuar me 15.000 euro dënim sepse e kanë shpallur publikisht dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur nga seanca e mbyllur e gjykatës në rastin e gjeneralit kroat Tihomir Blashkiç. Me një dënim me burg prej tre muajsh dhe një gjobë me para prej 10.000 eurosh është dënuar edhe një gazetar kroat, i cili në faqen e tij të internetit ka publikuar një listë të dëshmitarëve, mes të cilëve edhe ata të cilët kanë qenë të mbrojtur po ashtu në rastin “Blashkiç”.
Për publikimin e emrit të dëshmitarit të mbrojtur në rastin “Haradinaj”, me një gjobë me para në lartësi prej 7000 eurosh, është dënuar gazetari i gazetës kosovare “Haxhi”, i cili ka raportuar për gjykimin e Tribunalit.
Megjithatë, rasti më i veçantë ndër rastet e tjera është rasti i gazetarit kroat Domagoj Margetiq, i cili në vitin 2005 ishte dënuar nga Tribunali i Hagës për mospërfillje të gjykatës. Sipas shpjegimit, Margetiqi me Markica Rebiqin, Stjepan Shesheljin dhe Ivica Marijaçiqin kanë zbuluar se ish-presidenti kroat Stipe Mesiç është dëshmitari i mbrojtur në rastin e gjeneralit kroat Tihomir Blashkiç. Margetiçi u dënua me një gjobë prej 20.000 eurosh. Margetiçi u dënua nga Tribunali i Hagës edhe në vitin 2006, kur prokurorja e atëhershme Karla del Ponte ka ngritur një akuzë kundër tij përsëri për zbulimin e identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur të prokurorisë. Atëherë Margetiçi u dënua me tre muaj burg dhe një gjobë prej 10.000 eurosh.
Jashtë Evropës, gjykata në Kajro, në qershor të këtij viti dënoi gjashtë gazetarë për, siç kanë vlerësuar gjyqtarët, shtrembërim informacionesh dhe bashkëpunim me organizatën e ndaluar, “Vëllazëria myslimane“.
Australiani Piter Greste, Mahmad Fadel Fami, gazetari egjiptian – kanadez dhe producenti i televizionit “Al Jazeera” në gjuhën angleze Bahter Muhamad, u dënuan me nga shtatë vjet burg. Tre gazetarë të tjerë, për një akuzë të ngjashme morën dënime me burg nga dhjetë vjet. Paraprakisht, autoritetet egjiptiane e kanë liruar Abdullah Elshamijin, një tjetër gazetar i televizionit “Al Jazeera”, i cili punon në programin në gjuhën arabe.
Një muaj më parë, anëtarët e Shtetit Islam të Irakut dhe Levantes (Isil) treguan një video porosi në të cilën është xhiruar fotoreporteri John Hunt, i rrëmbyer në nëntor 2012, si i ardhshëm në listën e likuidimit pas ekzekutimit të gazetarëve amerikanë, James Film dhe Stiven  Sotlof.

Redaktor: Stojanka Mitreska

opetceska@inbox7.mk