Data e sotme
July 18, 2018

Maqedonia me kushte më të këqija për lehonat në rajon

Në Maqedoni ka kushte më rigoroze për lehonat në krahasim me vendet e tjera të rajonit, përkatësisht me kushtet që i ofrojnë vendet e ish-Jugosllavisë. Deri te këto njohuri kemi ardhur pas analizës së të dhënave për kohëzgjatjen e pushimit të lehonisë, për lartësinë e kompensimeve dhe për pagesën e tyre të rregullt. Lehonat në vend presin edhe nga 2 muaj për pagesën e parave të lehonisë:

Marina Dimitrova ka lindur para 50 ditësh. Deri tani nuk ka fituar asnjë qindarkë të vetme nga shteti.

Jam duke punuar për gjashtë vjet pa ndërprerje. Sipas ligjit, dua të marr një kompensim për pushimin e lehonisë, por për fat të keq, pas 50 ditësh pasi kam lindur nuk kam marrë asnjë qindarkë“, thotë Dimitrova.

Me probleme të ngjashme po ballafaqohet edhe 30 vjeçarja Mirjana nga Shtipi.

Kam lindur vitin e kaluar në dhjetor. Kompensimin e parë të lehonisë e kam marrë në shkurt. Më 5 nëntor, e kam marrë edhe kompensimin e fundit (të nëntë), edhe pse është dashur që paratë të gjenden në llogarinë time që në shtator“, thotë Mirjana.

Kudo në rajon shtetet kujdesen më shumë për nënat e reja. Marija Kostiq nga Nishi, Serbia, ka djalin njëvjeçar dhe thotë se kompensimi i lehonisë i vjen me kohë.

Situata është e njëjtë edhe në Mal të Zi. Atje për pushimin e lehonisë paguhet në tre muaj, por vjen rregullisht thotë 34-vjeçarja Bojana nga Podgorica.

 

Kush e paguan pushimin e lehonisë?

maja-parnagieva

Maja Parnaxhieva Zmejkovska

Reagime të shumta në opinion kishte këto ditë kur drejtoresha e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore Maja Parnaxhieva Zmejkovska paralajmëroi se pushimet e lehonisë, të cilat deri më tani i ka paguar shteti, do të transferohen te kompanitë. Kjo do të thotë se kompanitë dhe institucionet do t’i paguajnë kompensimet e nënave, kurse më vonë do të dorëzojnë kërkesat për rimbursimin e mjeteve nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

Ekonomistët komentojnë se kjo masë do të krijojë shumë probleme të tjera:

Goran Stojanovski

Goran Stojanovski

Me transferimin i kompensimeve të lehonisë te kompanitë, shteti do t’i shkaktojë një goditje shtesë ekonomisë nga njëra anë, kurse nga ana tjetër ai në mënyrë indirekte pranon se administrata e tij nuk është e aftë për t’ua paguar të hollat lehonave me kohë“, thotë Goran Stojanovski, analist ekonomik.

Ai shton se shteti duhet të qëndrojë prapa kategorive të ndjeshme të popullatës, siç janë nënat dhe pensionistët. Dhe derisa për pensionistët ka një sërë përfitimesh, lehonat me fëmijë të vegjël tani do të jenë në kurrizin e kompanive.

 

Administrata e paaftë është një kancer i shoqërisë së Maqedonisë, komentojnë biznesmenët.

 

Shteti tani vonon me pagesën e kompensimeve të lehonisë nga dy ose tre muaj, kur do të vijë koha të na paguajë neve do të vonojë nga 20 muaj, siç kishte borxhe me kthimin e TVSH-së“, thotë një biznesmen nga Maqedonia lindore, i cili nuk dëshiron të flasë publikisht.

Ai shton se kostoja për çdo fëmijë të lindur në kompani do të rritet për 200%. Nga njëra anë, lehonës do të duhet t’ia paguajnë pagën e plotë, kurse nga ana tjetër do të duhet të angazhohen një punonjës i ri në vendin e saj.

Reagime ka edhe te Odat ekonomike. Ato edhe pse kanë reaguar te Qeveria se kjo masë nuk është e mirë, megjithatë shteti e shtyn projektin “Pagesa më e shpejtë e kompensimeve të lehonisë dhe të pushimeve mjekësore”.

Reagojnë edhe organizatat jo-qeveritare, të cilat theksojnë se ky model është diskriminues dhe se do të ketë pasoja të këqija për vajzat dhe gratë që nuk kanë lindur fëmijë.

 

Çfarë bën modeli slloven?

 

Drejtoresha e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore Maja Parnaxhieva-Zmejkovska ka deklaruar se kanë punuar me kujdes në përgatitjen e këtij projekti, me të cilin do të mundësohet një pagesë më të shpejtë të pushimeve mjekësore.

Përvojën sllovene e kemi marrë me kujdes të madh për shkak të kënaqësisë së madhe të të siguruarve dhe njëkohësisht e kemi përpunuar më mirë dhe e kemi përshtatur me kushtet e Maqedonisë. Shembulli i Sllovenisë është që pagesën e kompensimeve përkohësisht ta kryejnë kompanitë, kurse FSSH-ja në një afat të shkurtër t’i kompensojë kompanitë në tërësi“, deklaroi Parnaxhieva-Zmejkovska.

Për Inbox 7, Vesna Zadravec, gazetare në Radio Televizionin e Sllovenisë, ka shpjeguar se modeli slloven i pushimeve të lehonisë nuk përfshin rimbursimin e parave.

Vesna Zadravec

Vesna Zadravec

Pushimi i lehonisë në Slloveni zgjat 12 muaj. Tre muajt e parë i paguan kompania nga është lehona (punëtorja) e siguruar, ndërsa 9 muajt e tjerë i paguan Ministria e Punës“, thotë Zadravec.

Një model të ngjashëm siç paralajmëron Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka zbatuar edhe Mali i Zi. Por, përveç se janë rritur kostot e kompanive dhe ka vonesë të pagesës së kompensimeve të lehonisë, komente të tjera për këtë model nuk vijnë prej atje.

Lehonia në Maqedoni më e shkurtër

Pushimi i lehonisë në Maqedoni dhe Bullgari është më i shkurtër. Lehonat e Maqedonisë kanë nëntë muaj, kurse pothuajse në të gjitha vendet fqinje pushimi i lehonisë është 12 muaj.

 

Nënat në Maqedoni kanë të drejtë të qëndrojnë në shtëpi edhe pas nëntë muajve, por pa asnjë kompensim nga shteti.

Kam përdorur pushimin e lehonisë prej 12 muajsh. Ai përfundoi në ditën kur është dashur ta festoja ditëlindjen e parë të fëmijës. Menjëherë pas pushimit të lehonisë e kam marrë edhe pushimin vjetor, dhe kështu kam arritur të kaloj me vajzën time 13 muaj, kur i nevojitem më shumë“, thotë Maja Petroviq nga Beogradi.

Situata është e ngjashme edhe në Mal të Zi, thotë Bojana.

Është interesant rasti i Bosnjës dhe Hercegovinës. Atje ka rregulla dhe ligje të ndryshme për pushimin e lehonisë, por më së shpeshti pushimi i lehonisë zgjat 12 muaj. Ashtu është edhe në Republikën Sërpska. Nëse nëna ka binjakë ose ka më shumë se dy fëmijë asaj i takon një pushim lehonie prej 18 muajsh.

Redaktor: Stojanka Mitreska

 

REAGIM DHE DEMANT

Për tekstin “MAQEDONIA ME KUSHTE MË TË KËQIJA PËR LEHONAT NË RAJON”, i publikuar në ueb portalin Inbox7 më 13.11.2014 nga gazetari Goran Lefkov.

 

Të nderuar, në mënyrë më të rreptë demantojmë një pjesë të të dhënave të publikuara lidhur me kohëzgjatjen e pushimit të lehonisë që paguhet në Maqedoni dhe në rajon. Gazetar dëshiron ta prezantojë Maqedoninë në mënyrë shumë tendencioze si një vend me të drejtat më të këqija dhe me pagesë më të ulët në fushën e pushimit të lehonisë. Për të qenë opinioni i informuar tërësisht, në tabelën e mëposhtme do të Jua prezantojmë gjendjen reale mbi gjatësinë dhe lartësinë e kompensimit të pushimit të lehonisë. Vlerësoni vetë nëse jemi më të këqij apo gjendemi në grupin e vendeve me mbulimin më të lartë të pushimit të lehonisë.

 

Vendi Numri i javëve Përqindja e kompensimit
Kroacia 58 100% deri në 6 muaj, pastaj paushall
Mali i Zi 52 100%
Bosnja e Hercegovina 52 50% – 80%
Shqipëria 52 80%
Maqedonia 39 100%
Norvegjia 35 85%
Bullgaria 32 90%
Polonia 26 100%
Serbia 20 100%
Danimarka 18 100%
Finlanda 18 70%
Greqia 17 100%
Kanadaja 17 55%
Franca 16 100%
Holanda 16 100%
Spanja 16 100%
Sllovenia 15 100%
Gjermania 14 100%
Suedia 14 80%
Britania e Madhe 14 80%
Burimi: ILO 2014, Maternity and paternity at work, Law and practice across the world

 

 

Përveç kësaj, duam që të kërkojmë falje për të sigurueren M.D., për të cilën 61 ditë të tëra nga lindja e saj askush nuk ka dorëzuar dokumente në FSSH-në për pagesën e kompensimit. Ne nuk duam të tregojnë me gisht nëse faji është i punëdhënësit ose i vetë të siguruarit, por mendojmë se do të ishte korrekte nga ana e saj po të thoshte se punëdhënësi ose i siguruari për dy muaj nuk kanë dorëzuar kërkesë për pagesën e kompensimit të lehonisë, e jo fajin ta kërkojë tek ne, kur ne për 46 ditë pas dorëzimit të dokumenteve kemi bërë tri pagesa të kompensimit të pagës në vlerë prej 100% të pagës të cilën e ka marrë në kompani. Kjo do të thotë në çdo 15 ditë kemi paguar nga një pagë mujore me qëllim që të anulohet vonesa e dorëzimit të dokumenteve nga ana e kompanisë apo të siguruarit.

 

Me Respekt,

 

FSSHM

Shkruaj një koment

Koment(e)

lefkov@inbox7.mk