Data e sotme
August 16, 2018

Mosmarrëveshjet VMRO-BDI: a rrezikojnë koalicionin qeverisës?

Zyrtarë të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së kanë shkëmbyer akuza të njohura për votuesit.Aksionet policore dhe masat qeveritare rreth ndotjes kancerogjene në Tetovë krijuan përshtypjen se partnerët e koalicionit kanë dallime të mëdha.

Zemri Qamili thoshte që DAP ka kërkuar polici në aksione, ndërsa u përgënjeshtrua nga Argëtim Hasani.Qamili dhe Hasani nuk pajtohen mes vete. Që të dy zyrtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim(BDI), i pari zëvendësministër i Punëve të Brendshme, ndërsa i dyti zëvendësdrejtor i Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP). Njëri tjetrit ia hodhën fajin dhe përgjegjësinë lidhur me aksionet e ditëve të fundit të inspektorëve tatimorë, me asistencën e madhe të njësive speciale policore.

Pavarësisht përgjegjësisë, aksionet policore janë realizuar me forca policore në qytetet e banuara me shqiptarë, por edhe në Strumicë dhe Ohër. Këto aksione kanë shkaktuar edhe “dridhje” brenda koalicionit qeveritar, pasi partia shqiptare në pushtet- BDI ankohet se nuk ka pasur nevojë për numër të madh të policëve në aksionet eDAP-it. Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri ka kërkuar përgjegjësi lidhur me praninë e policisë.

 

A i njohin ligjet zyrtarët e BDI-së?

jugohrom

Mospajtime dhe mosmarrëveshje brenda qeverisë janë shfaqur edhe lidhur me vendimin e Qeverisë për vazhdimin me punë të Kombinatit Metalurgjik “Jugohrom”

Por VMRO-DPMNE-ja u kundërpërgjigj me ton nënçmues përmes ministres së Brendshme, Gordana Jankullovska se zyrtarët e BDI-së nuk i njohin ligjet lidhur me pjesëmarrjen e policisë në aksione.

Mospajtime dhe mosmarrëveshje brenda qeverisë janë shfaqur edhe lidhur me vendimin e Qeverisë për vazhdimin me punë të Kombinatit Metalurgjik “Jugohrom”JegunovcëTetovës. BDI-ja përmes ministrit tëAmbientit Jetësor, Nurhan Izairi njoftoi se edhe pse është pjesë e Qeverisë Gruevski nuk pajtohet me vendimin për vazhdimin me punë “Jugohromit” edhe për dy vite edhe pse nuk plotëson standardet ekologjike.

Botuesi i gazetës së përditshme “LAJM”, Fejzi Hajdari deklaroi për Inbox7 se mosmarrëveshjet e theksuara brendaqeveritare midis BDI-së dhe VMRO DPMNE lidhur me ndotjen e ajrit, por edhe lidhur me aksionet policore te DAP në pronat e shqiptarëve dëshmojnë një dukuri shumë alarmuese për shqiptarët, që është injorimi total i partisë shqiptare në pushtet-BDI.

Të injorohet partia shqiptare pjesëmarrëse në pushtet, në momentin kur për një aksion rutinor të DAP-it, ngritën në këmbë njësite policore të armatosura deri në “dhëmbë” dhe në mënyrë pothuajse selektive dyqanet shqiptare gjuhen si shtrigat, kjo është për vaj dhe mjerim. Kjo dëshmon për mungesën e ndikimit të BDI-së në qeveri. Krekosjet e disa funksionarëve shqiptarë, të tipit se do të kërkojnë përgjegjësi, në mënyrë atraktive dhe ofenduese e nënçmuese, i hodhi poshtë kryepolicja Gordana Jankullovska, kur u tha funksionarëve të BDI-së, se “ata s’i njohin ligjet”. Ky është turpi dhe ofendimi më i madh që u bëhet shqiptarëve”, tha Hajdari.

 

Koalicioni vazhdon qeverisjen

 

Ndërkohë profesori universitar dhe analisti politik, Jove Kekeonovski vlerësoi për Inbox7 se koalicionin qeveritar midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së nuk do të tronditet përshkak të mospajtimeve lidhur me ndotjen e ajrit dhe aksionet e DAP-it dhe policisë.

Koalicioni midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së ka funksionuar, funksionon dhe në të ardhmen do të funksionojë sepse interes i vetëm i të parëve dhe të tjerëve është kënaqja me benefitet të cilat i ofron praktikimi i pushtetit në një shtet. Ka pasur edhe kriza më të mëdha në këtë koalicion qeveritar, por megjithatë ai mbijeton. Kështu që nuk shoh arsye që të dyshoj se diçka do të prish shoqërimin e tyre politik të interesit”, u shpreh Kekenovski.

Por botuesi Hajdari shprehet i befasuar se si BDI-ja duron nënçmimin.

Nuk e di cfarë duhet të ndodh më tepër, për t’u ndier të nënçmuar këta zotërinj. Të pohosh, si Musa Xhaferi, se “është normale” të kësh mosmarrëveshje për aksione që frikësuan dhe maltretuan shqiptarët dhe të mos ndërmarrësh asgjë për të kërkuar përgjegjësi, kjo do të thotë se ose bëhet fjalë për politikanë kukulla ose për politikanë që pajtohen me aksione të tilla. Në njëfarë mënyre mua më vjen keq për këtë pafuqi të BDI-së në qeveri. Jam i bindur se as Musa Xhaferi, e as Bekim Neziri, as Asani e tjetri, nga radhët e BDI-së, nuk do të guxojë ta hap gojën, e lëre më të kërkojë përgjegjësi për këto aksione, sepse Gruevski do t’ua tregojë menjëherë derën e daljes nga qeveria”, shprehet Hajdari.

Ndërsa profesori Kekenovski vlerëson se aksionet kanë për qëllim të vendosin rendin dhe shtetin ligjor në tërë territorin e Maqedonisë.

 

Ligje të njëjta për të gjithë qytetarët

Qeveria

Jove Kekeonovski vlerësoi për Inbox7 se koalicionin qeveritar midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së nuk do të tronditet përshkak të mospajtimeve lidhur me ndotjen e ajrit dhe aksionet e DAP-it dhe policisë

Aksionet duhet dhe patjetër të kenë një dhe qëllim të vetëm, që është funksionimi i shtetit ligjit në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë. Ligjet duhet të vlejnë për të gjithë njësoj përkatësisht të mos ketë zbatim selektiv dhe në këtë shtet të mos ketë qytetarë të rendit të parë dhe të dytë. Të gjithë qytetarët patjetër duhet të kuptojnë se të drejtat, liritë dhe detyrimet vlejnë për secilin njësoj, pavarësisht cilit etnikum i takojnë”, komentoi Kekenovski.

Në opinionin publik pati deklarata qe flasin për mosmarrëveshje edhe brenda BDI-së, pasi zyrtaret shqiptare ishin të painformuar lidhur me aksionet policore dhe të DAP-it. Por Hajdari nuk beson se mosmarrëveshjet brenda BDI-së kanë qenë reale, sepse po të bëhej fjalë për mosmarrëveshje të vërteta, ndonjëri nga funksionarët e implikuar në këto mosmarrëveshje, do të duhej të japë dorëheqje nga posti shtetëror, por edhe nga posti partiak.

BDI me metoda të kombinuara politiko-agjentureske, me sukses arriti edhe një herë të defokusojë vëmendjen e opinionit nga qendra e problemeve dhe e transferoi në periferinë e tyre. Pas deklaratave të funksionarëve të kësaj partie, të gjithë harruam se ende jemi duke thithur tymin e helmuar të “Jugohromit” dhe se akoma jemi duke jetuar nën kërcënimin e aksioneve ndëshkuese të DAP-it. Për fat të keq të gjithë filluam të merremi me atë se çka tha Argëtimi, Artani, çka tha Zemrija e çka tha Musa”, u shpreh Hajdari sipas të cilit një pjesë e konsiderueshme naivisht besuan se “Bekim Neziri me të vërtetë do të kërkojë përgjegjësi për aksionet e DAP-it”.

Kriza politike brenda qeverisë Gruevski është e pranishme gjatë kohë dhe përveç çështjeve të brendshme siç janë përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, emërtimi i shkollave fillore dhe të mesme me emrat e historisë së personaliteteve shqiptare, dallimet lidhur me projektin “Shkupi 2014”, dhe së fundi edhe lidhur me gjykimin e procesit “Monstra”, e  fuqizojnë mozaikun kompleks të dallimeve për politikën e jashtme dhe integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO.

 

Redakor: Selim Ibraimi

Shkruaj një koment

Koment(e)

tahiri@inbox7.mk