Data e sotme
August 8, 2020

Richard Boh, Oda Federale e Noterëve së Gjermanisë: Avokatët nuk e kanë vendin te noterët

Avokatët janë të detyruar me ligj t’i përfaqësojnë interesat e klientit të tyre, e jo të kujdesen për interesat e klientit tjetër ose të më të dobëtit në një situatë të caktuar. Noteri ka një detyrë tjetër dhe prandaj mendoj se avokatët nuk e kanë vendin në punën që e bëjnë noterët, thotë Richard Boh, nënkryetari i Odës Federale të Noterëve të Gjermanisë. Në një intervistë për Inboks7, Boh thotë se Maqedonia është i vetmi vend në botë ku duhet të keni avokatin tuaj në qoftë se doni të vërtetoni një dokument te noteri

Noterët në Maqedoni punojnë mirë dhe prandaj është çudi se pse vendi juaj është vendi i vetëm në botë në të cilën është e detyrueshme prania e avokatit te noteri, thotë Richard Boh, nënkryetari i Odës Federale të Noterëve të Gjermanisë. Në intervistën për Inboks7, Boh i komenton edhe ndryshimet e tjera në Ligjin për Noteri

 

Z-ri Boh, si do ta vlerësonit punën e noterëve në Maqedoni?

Boh: Duke vlerësuar nga ajo që na thonë, por edhe nga ajo që pamë, noterët në Maqedoni shumë mirë e kryejnë punën e tyre kështu që jam i habitur kur kam dëgjuar për ndryshimet e propozuara të Ligjit për Noteri lidhur me përfshirjen e avokatëve në punën e noterëve.

Boh 2

Çfarë mendoni për këtë propozim?

Boh: Propozimi i ri i Qeverisë së Maqedonisë është një zgjidhje unike në nivelin botëror. Unë nuk e di ndonjë zgjidhje tjetër të këtillë. Është e vështirë të vlerësohet se çfarë qëndron prapa kësaj zgjidhjeje. Pse qeveria ka vendosur të bëjë ndryshime të këtilla dhe cilat janë përfitimet që do të dalin nga ky propozim unë nuk e di. Unë mendoj se noterët në Maqedoni janë mjaftë profesionalë dhe kanë mjaftë përvojë për të qenë në gjendje t’i hartojnë dokumentet për të cilat ata janë të autorizuar dhe të cilat duhet t’i verifikojnë. Prandaj, në të vërtetë nuk e di se pse ata kanë nevojë për ndihmë nga profesionet e tjera juridike-këshillëdhënëse.

Cilat janë problemet kryesore të noterëve në Maqedoni, si dhe të atyre në Evropën Lindore?

Boh: Kjo është një çështje e ndërlikuar. Problemet me të cilat ballafaqohen noterët në vendet e rajonit dhe në përgjithësi në vendet në tranzicion janë të ndryshme. Por, megjithatë mund të theksohen disa probleme. Problemi i parë është klima ose ambienti i pasigurt në të cilin veprojnë noterët në aspektin e legjislacionit, por edhe në aspektin e besimit në regjistrat publikë, siç janë Kadastra, Regjistri Qendror. Në shumë vende, njerëzit nuk mund të mbështetet në këto institucione, e ato janë baza për punën e një noteri. Një problem tjetër është çështja dhe trajnimi i  noterëve. Duket se situata në Maqedoni është e mirë, por në vende të tjera situata është problematike dhe problemi i tretë është kufizimi i numrit të noterëve që punojnë. Parashtrohet pyetja nëse çdo jurist, i cili do ta kalojë provimin e noterisë, duhet në të vërtetë të emërohet për noter ose duhet të ketë kufizime të caktuara. Unë mendoj se nuk duhet të ketë kufizime. Për shembull Kazakistani. Atje, gjendja është katastrofë. Atje ka një noter për dy mijë banorë. Ju mund të imagjinoni se atje asnjë noter nuk mund të jetojë nga puna që e punon.

Boh 4
A mendoni se me propozimin e ri të Qeverisë do të prishet siguria juridike në Maqedoni, duke pasur parasysh që noterët kontrollohen nga më shumë institucione shtetërore, kurse për avokatët institucioni i vetëm kompetent është Oda e avokatëve?

Boh: Ju keni të drejtë. Noteri është bartës i një shërbimi publik si çdo shërbyes tjetër civil apo si gjyqtarët, për shembull. Nga ana tjetër, avokatët janë persona privatë dhe nuk kanë një mbikëqyrje të tillë siç kanë noterët, të cilët kanë një kontroll të rreptë jo vetëm nga institucionet shtetërore, por edhe nga vetë Odat e noterëve. Nëse noteri shkel ndonjë ligj, ai do të shkarkohet. Unë punoj 14 vjet si noter në Gjermani, në një odë të vogël në të cilën ka qindra noterë. Tre prej tyre tashmë janë shkarkuar. Te avokatët nuk është ashtu. Ata duhet të bëjnë në të vërtetë një vepër serioze kriminale që të shkarkohen nga posti i tyre. Ju e dini që avokatët në esencë janë përfaqësues të interesave. Ligji i obligon ata për t’i përfaqësuar interesat e klientit të tyre, e jo të kujdesen për interesat e klientit tjetër ose të më të dobëtit në një situatë të caktuar. Noteri ka një detyrë tjetër dhe prandaj mendoj se avokatët nuk e kanë vendin në punën që e bëjnë noterët. Këtu duhet të kihet parasysh një aspekt tjetër. Ne nuk duhet t’i shikojmë vetëm avokatët që punojnë në Maqedoni, por duhet të keni parasysh se në botë ka firma të mëdha avokatësh për të cilat nuk dihet fare se kush është pronari (avokat, një tjetër investitor, një fond investues). A mund ta imagjinoni se në cilën situatë do të silleni nëse shitet ndonjë pronë e paluajtshme në Shkup dhe një kompani e madhe është e interesuar për ta blerë këtë pronë. Ajo do ta dërgojë avokatin e saj dhe imagjinoni se çfarë presionesh do të përpiqet të bëjë avokati, sepse në qoftë se nuk e bën atë, atëherë ai do të ketë probleme me pronarët që e paguajnë. Dhe nëse u jepet një mundësi avokatëve të tillë që të ndikojnë në procedurën para noterit, atëherë me të vërtetë ajo mund të jetë shumë problematike.

Duke ditur të gjitha këto gjëra, cilat janë rekomandimet Tuaja z-ri Boh?

Boh 1

Boh: Në lidhje me ndryshimet e propozuara të Ligjit për noteri, unë sinqerisht nuk e di pse ekziston një nevojë të tillë, sepse mendoj se noteria në Maqedoni funksionon shumë mirë. Një nga ndryshimet është gjithashtu që të bëhet ndonjë institut për trajnim të përjetshëm të noterëve. Kjo është një ide e mirë dhe unë e mbështes atë, por mendoj se atë duhet ta bëjnë noterët, vetë odat e tyre, jo atë ta bëjë shteti. Ajo është në fakt detyra e tyre kryesore, të kujdesen për shkollimin e anëtarëve të tyre dhe t’i detyrojnë ata të arsimohen gjithë jetën. Kam dëgjuar se do të aplikohet dokumenti elektronik i noterit. Ky është një trend botëror dhe kjo mund të bëhet. Por, këtu duhet të jeni shumë të kujdesshëm, sepse ju nuk mund gjithmonë të dini se kush dhe ku do të mund ta lexojë këtë dokument elektronik dhe kush do të ketë qasje deri te ai. Ai komunikim elektronik që zhvillohet midis noterëve dhe institucioneve të tjera, siç janë kadastra për shembull, duhet të jenë plotësisht i sigurt dhe i koduar. Mendoni atë si një tunel të gjatë në të cilin nga njëra anë arrin mesazhi i koduar me një vlera të mëdha të shifruara hash, siç quhen në terminologjinë kompjuterike dhe vetëm ai që gjendet në fund të tunelit mund dhe guxon ta ketë çelësin me të cilin do të mund ta hapë këtë mesazh. Ajo është me të vërtetë një teknologji e përparuar e informacioneve, që nuk është shumë e shtrenjtë dhe unë personalisht dyshoj se kjo teknologji do të ishte në dispozicion për të gjitha vendet. Një problem tjetër është ruajtja e dokumenteve të noterëve. Ne në Gjermani shqyrtojmë mundësi të ndryshme se ku do të ruheshin këto dokumentet dhe kemi ardhur në përfundim se opsioni më i lirë dhe më i arritshëm është që dokumentet të ruhen në të ashtuquajturat re. Por, kjo masë nuk është e përshtatshme, sepse ajo nuk është më e sigurt. Ne planifikojmë të bëjmë dy serverë të rinj dhe të mëdhenj, ku do t’i ruajmë dokumentet e noterëve që do të konvertohen në formë elektronike me rregulla të rrepta se kush do të ketë qasje deri tek serverët. Ata serverë do të jetë plotësisht të pavarur nga njëri-tjetri. Nëse ndodh diçka me njërin server, atëherë  në dispozicion ta kemi tjetrin server.

opetceska@inbox7.mk