Data e sotme
May 23, 2019

KOMUNAT JO TRANSPARENTE – QYTETARËT TË PAINFORMUAR

Komuna që nuk përdorin asnjë mjet i komunikimit me qytetarët, kryetarë komunash që njëherë në muaj i pranojnë qytetarët në bisedë, të dhëna jo të azhurnuara dhe informacione të paqarta në faqen e internetit, ky është imazhi i njësive lokale në Maqedoni

Komuna e Zelenikovës është e vetmja komunë në rajonin e Shkupit, e cila nuk ka faqe interneti, edhe pse ai është një detyrim i transparencës ndaj qytetarëve. Në këtë njësi lokale që gjendet afër kryeqytetit banojnë mbi 5000 banorë, kurse ajo vazhdon të ekzistojë në mënyrë të pavarur për 18 vjet, pasi që në vitin 2004 me propozim-ligjin e organizimit territorial të komunave nuk u miratua propozimi që komuna e Zelenikovës të bashkohet me komunën e Petrovecit, me arsyetim se si një komunë e pavarur do të ketë mundësi më të mëdha të zhvillimit.

opstina zelenikovo

Inbox 7 është përpjekur për ta kontaktuar kryetarin e komunës Vele Gruevski, për të cilin na thanë në telefon se ka një ditë të hapur çdo të enjte, por para se të vinim do të duhet të paraqitemi për të na futur në listën sepse paska pasur shumë tollovi. Në pyetjen tonë se kur do të mund t’u drejtohemi përmes faqes së internetit, nga komuna na kanë thënë se nuk e dinë kur do të jetë gati faqja e internetit, por me siguri se ajo nuk do të jetë gati deri në Vitin e Ri.
Se mbyllja e këtillë e komunave krijon një apati te qytetarët për veprimin e përbashkët në nivel lokal, treguan edhe rezultatet e hulumtimit të organizatës joqeveritare “Koalicioni për monitorimin e buxhetit”, e cila monitoronte komunat e Shkupit Karposh, Aerodrom, Gjorçe Petrov, Çair, Shuto Orizarë dhe Zelenikovë.

Debata Agim Selmani ZIP

Agim Selami

Komunat e rajonit të Shkupit, të cilat i monitoron Instituti ZIP, nuk janë shembulli më i mirë lidhur me transparencën dhe llogaridhënien para qytetarëve. Sipas rezultateve të para nga tremujori i parë i monitorimit, ka komuna që nuk përdorin asnjë mjet të komunikimit me qytetarët, që tregon qartë se sa është e madhe shkalla e apatisë dhe indiferencës te të dyja palët për veprim të përbashkët në proceset e rëndësishme në nivel lokal. Përveç mungesës së faqes së internetit në një prej komunave, një tjetër problem paraqitet edhe tek ato komuna që kanë një faqe interneti, megjithatë të njëjtat nuk azhurnohen rregullisht me çka është pamundësuar qasja deri në dokumentet e karakterit publik në një masë të madhe. Na ka ndodhur që për një dokument të thjeshtë siç është statuti i komunës, të kemi nevojë të parashtrojmë një kërkesë për qasje deri në informacionet e karakterit publik, sepse i njëjti (edhe pse duhet), nuk është në dispozicion publikisht në faqen e internetit të komunës“, thotë për Inboks7, Agim Selami nga “Instituti ZIP”.

 

Inbox 7 ka kontrolluar një pjesë të faqeve të internetit të njësive lokale. Në faqen e internetit të komunës së Aerodromit, për shembull, në faqen e parë qëndron linku i llogaridhënies për periudhën 2009 – 1012  kurse pas dy ose tre klikimeve vini edhe deri në publikimin e draft-buxhetit për vitin 2015. Faqja është e pasur me informacione dhe të gjitha janë në dispozicion në gjashtë gjuhë, përveç gjuhës maqedonase ka përkthim në gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht dhe spanjisht, por jo në gjuhën shqipe.

service.aerodrom.gov.mk ka një rekomandim për qytetarët me këtë përmbajtje:

Nuk duhet të paraqiteni më në telefon dhe të prisni që dikush të ju përgjigjet dhe të ju shërbejë dhe në ndërkohë të shpenzoni pa nevojë shumë kohë. Për një kohë të shkurtër ekipet kujdestare dalin në terren për të zgjidhur problemet. Brenda 48 orëve do të merrni një përgjigje për statusin e zgjidhjes së problemit Tuaj“.

Me kryetarin e komunës, Elvis Bajram, banorët e komunës Shuto Orizarë nuk mund të caktojnë një takim përmes internetit, e as të informohen për punën e departamenteve dhe sektorëve sepse nuk janë në dispozicion. Sa i përket buxhetit, raporti i fundit i publikuar është ai i vitit të kaluar.


NË TAKIM ME KRYETARIN E KOMUNËS

Megjithatë, disa nga njësitë e qeverisjes lokale disponueshmërinë e tyre për qytetarët e manifestojnë edhe përmes portaleve të internetit, ku drejtpërdrejt mund të parashtrohet një kërkesë për një takim me kryetarin e komunës.

opstina-kumanovo

Ja se si duket kërkesa të cilën duhet ta plotësojnë qytetarët me qëllim që shërbimet komunale t’u caktojnë një takim me shërbimin resor ose me kryetarin e komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski.

Për dallim nga Damjanovski, Zoran Zaev, kryetari i komunës së Strumicës ka publikuar një formular interneti me detaje të shumta për parashtruesit e kërkesës, si arsimi, punësimi e ngjashme, me shënim që çdo qytetar duhet personalisht ta plotësojë atë.

opstina strumica

Azem Sadiki, Kryetarin e Komunës së Studeniçanit nuk mund ta merrnim as në telefon, e as nuk mund të gjenim terma në faqen e tyre të internetit për ditët e pranimit te kryetari i komunës. Në faqen e internetit vërehet se të gjitha tekstet nuk janë në dispozicion edhe në gjuhën maqedonase edhe në gjuhën shqipe, gjegjësisht dominon gjuha shqipe. Madje as biografia e kryetarit të komunës nuk është në dispozicion në gjuhën maqedonase.
Në faqen e parë të portalit të internetit të komunës së Berovës qëndron se qytetarët e kanë në dispozicion kryetarin e komunës çdo ditë pune prej orës 8.30 deri në orën 16.30, sikur të jetë ky detyrimi i vetëm i kryetarit të komunës. Megjithatë, kur do të klikoni në këtë link me qëllim që të caktoni një takim, në dritaren e re shkruan se Dragi Naxhinski ka një ditë të hapur për qytetarët e Berovës çdo të enjte të tretë të muajit, gjegjësisht një herë në muaj.
opstina berovo1

U përpoqëm që të zbulojmë edhe kur banorët e Kamenicës së Maqedonisë kanë një takim me kryetarin e komunës Darko Mitevski, por pasi pamë se nuk janë publikuar të dhëna të tilla në faqen e tyre të internetit, në telefon na thanë se kryetari i komunës zakonisht ka një ditë të hapur të premten, por këtë të premte do të shkojë në udhëtim në Shkup.

Qytetarët e Strugës nuk kanë mundësi t’i drejtohen kryetarit të komunës Zijadin Sela sepse ai thjeshtë nuk ka adresë postare, por mbetet vetëm në telefon. Në dritaren “informacionet e karakterit publikparaqitet eror 404. Megjithatë, në faqen e internetit.

është publikuar një Thirrje publike për ndarjen e mjeteve financiare të buxhetit të komunës së Strugës për vitin 2015, e cila është e hapur për dhjetë ditë, kurse ka filluar të skadojë nga 26 nëntor 2014.

Faqja e internetit të komunës së Ohrit është dygjuhësore, në gjuhën angleze dhe gjuhën maqedonase, kurse është publikuar buxheti për periudhën 2008-2014.

opstina-aracinovo
Në fund të këtij hulumtimi të Inboks7 në internet, e kemi kontrolluar faqen e internetit të komunës së Haraçinës.

E tërë faqja është në gjuhën shqipe, duke thyer ligjin e vetëqeverisjes lokale, nuk ka projekte dhe histori, as biografinë e Kryetarit të komunës.

QYTETARËT JASHTË PLANIFIKIMIT BUXHETOR


Hulumtimi i organizatave joqeveritare e ka sjellë konkluzionin se qytetarët aspak nuk konsultohen ose përfshihen në proceset buxhetore në nivel lokal.

 

Ka disa arsye. Autoritetet komunale nuk i konsiderojnë qytetarët si aktorë të rëndësishëm në proceset buxhetore dhe nuk mund ta kuptojnë rëndësinë e mbajtjes së konsultimeve me ta nëpërmjet të cilave mundësohet një transparencë më të madhe, një demokraci më të madhe dhe një qeverisje më të mirë në nivel lokal. Nga ana tjetër, qytetarët nuk janë mjaft të njohur me të drejtat dhe obligimet e tyre dhe të hollat e komunës nuk i konsiderojnë si të tyre“, thotë Selami.
Sipas tij, mospërpilimi i të ashtuquajturit buxhet qytetar (buxheti i komunës i përgatitur në gjuhën lehtësisht të kuptueshme për qytetarët e thjeshtë), nga ana e komunave e nxit apatinë te qytetarët.
Ata që duan të marrin pjesë në proceset buxhetore shumë shpesh ankohen se klasifikimet dhe terminologjia që përdoret në dokumentet e buxhetit është komplekse dhe e pakuptueshme“, i bart Selami konkluzionet e një sondazhi të organizatës joqeveritare “Koalicioni për monitorimin e buxhetit.”
Për t’u përmirësuar imazhi i pushtetit lokal në Maqedoni, bashkësia e organizatave joqeveritare rekomandon që komunat t’i përdorin të gjitha kanalet e komunikimit me qytetarët në bazë ditore, sidomos faqen e internetit dhe mediat sociale.
Të fillojnë të publikojnë buxhetet e qytetarëve me qëllim që qytetarët më lehtë t’i kuptojnë dokumentet buxhetore. T’i publikojnë njoftimet për mbledhjet e Këshillit me kohë në kanalet e tyre të komunikimit me qytetarët dhe së bashku me njoftimin të bashkëngjitin edhe rendin e ditës për të inkurajuar më shumë qytetarë, aktorë të tjerë të rëndësishëm për të ndjekur nga afër punën e Këshillit, veçanërisht kur në rendin e ditës janë çështje të rëndësishme lidhur me buxhetin“, tha Selami.
Në të njëjtën kohë, është e nevojshme që edhe qytetarët të vendosin një komunikim më të shpeshtë me autoritetet komunale, të shprehin një interes për ndjekjen e proceseve buxhetore. Selami thekson se qytetarët duhet të bashkohen me njëri-tjetrin për të kryer monitorimin dhe kontrollimin e asaj se si dhe ku harxhohen të hollat publike, që në fakt janë paratë e tyre.

PËRVEÇ PREMTIMEVE NUK NDËRMERRET ASGJË, THONË QYTETARËT

Qytetarët kanë përvoja të ndryshme nga komunikimi i tyre me vetëqeverisjen lokale. Një pjesë e tyre janë të pakënaqur me shpejtësinë e zgjidhjes së kërkesave të tyre nga vetëqeverisja lokale, një pjesë e tyre janë të kënaqur me marrëdhënien e sektorëve kompetente komunale, kurse ka nga ata që kurrë nuk kanë kërkuar shërbime nga kryetari i komunës. I tillë është imazhi i kryeqytetit sipas sondazhit të zbatuar të Inboks7 për përvojat e qytetarëve në kontaktet me autoritetet komunale.

Në përgjigjet që i kemi marrë, qytetarët kryesisht nga zona qendrore të qytetit të Shkupit thonë se janë të ballafaquar me shumë probleme – zhurma e tepruar, ndotja nga lokalet në hapësirat e katit përdhes të ndërtesave banesore, si dhe largimi jo me kohë të mbeturinave. Të pakënaqur nga angazhimi dhe efikasiteti i qeverisjes vendore, qytetarët thonë se ka edhe nepotizëm për shkak të të cilit kryetarët e komunave haptas thonë se problemet për të cilat ankohen qytetarët, nuk mund të zgjidhen.

Është i vogël numri i qytetarëve të cilët kërkesat e tyre i parashtrojnë nëpërmjet internetit, kurse më shumë në numër janë ata që thonë se ndërtesa komunale është afër vendbanimit të tyre, kështu që ata zgjedhin personalisht t’i parashtrojnë kërkesat e tyre. Përvojat e qytetarëve tregojnë se qytetarët janë të zhgënjyer nga takimet me kryetarët e komunave, pas të cilave përveç premtimeve nuk ndërmerret asgjë.

 

TE NJË PJESË E KOMUNAVE INTENSIFIKOHET INTERNET KOMUNIKIMI

 

Nga Qyteti i Shkupit, i cili bashkon 10 komuna, për Inbox 7 shpjegojnë gamën e tyre të gjerë të kërkesave që vijnë nga qytetarët – miratime të ndryshme, leje, pajtime, certifikata, si për individët ashtu edhe për bizneset.

Për shembull lëshohen licenca për taksi, certifikata për adresën e saktë, miratime për vendosjen e mobileve në vende publike, miratime për prerjen e drurëve, për përdorimin e hapësirave publike për manifestime publike dhe një sërë dokumentesh të tjera të atij lloji. Përveç kësaj, Qyteti i Shkupit i kryen shërbimet e llogaritjeve dhe mbledhjes së tatimit në pronë dhe taksave komunale të bizneseve, si dhe taksavw të tjera komunale, kështu që komunikimi me qytetarët në bazë ditore është shumë i madh. Qyteti i Shkupit lëshon tridhjetë dokumente të ndryshme të këtij lloji.

Gjatë një viti kalendarik, të gjitha lëndët që janë duke punuar në të gjitha komunat e Shkupit për marrjen e lejeve të ndërtimit vijnë në Qytetin e Shkupit për llogaritjen dhe përgatitjen e kontratës për pagesën e shërbimeve komunale. Më shumë se 10.000 kërkesa arrijnë për marrjen e Certifikatave të adresës së saktë, të gjitha kontratat për shitjen e pronës së patundshme dhe për trashëgime e etj … “, thuhet në shkresën e Qytetit të Shkupit për Inboks7.

Sipas tyre, është rritur numri i përdoruesve të internetit të shërbimeve të Qytetit të Shkupit dhe gjithnjë e më shpesh ndodh që qytetarët t’i kenë të përgatitura të gjitha dokumentet për të dorëzuar me ardhjen në Qytetin e Shkupit. Prej atje njoftojnë se hapi i ardhshëm do të jetë mundësimi i qytetarëve të aplikojnë në mënyrë elektronike.

Një zbatim masiv ka adresa postare e Qytetit të Shkupit, sidomos ajo që është për mediat dhe në të kemi një shkëmbim vjetor të përmbajtjeve të specializuara për mediat prej rreth 2.000 porosish elektronike në të dyja drejtimet“, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Nga Komuna e Strumicës, megjithatë, thonë se rreth 90% të kërkesave të qytetarëve arrijnë t’i realizojnë gjatë një muaji.

Qytetarët zakonisht drejtohen atje për të zgjidhur problemet e sferës komunale, urbanizmit dhe zgjidhjen e problemeve të papunësisë.

Deri te Kryetari i komunës, Zoran Zaev, mesatarisht në muaj drejtohen rreth 150 qytetarësh nëpërmjet internetit. Përmes Departamentit të shërbimeve të qytetarëve dhe pushtetit vendor, në formuralarët me formën e standardizuar, qytetarët mesatarisht drejtojnë 170 kërkesa“, informojnë për Inbox 7 nga Komuna e Strumicës.

Sipas shërbimeve komunale, është vërejtur një praktikë e rritur e komunikimit në Internet, si dhe përmes Departamentit të shërbimeve të qytetarëve dhe Qendrës së Kontaktit, Sistemit 48 me një linjë telefonike pa pagesë, përmes postës dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Ekspertët të cilët i ka kontaktuar Inbox 7, tregojnë se sipas numrit, administrata, qoftë ajo në nivel lokal ose ajo në nivel qendror, është mjaft e madhe për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve dhe kërkesave të qytetarëve. Ata theksojnë se edhe qytetarët duhet të informohen mirë për të ndikuar ndaj zbatimit të kërkesave të tyre.

Aleksandar Kerzhalovski: Raporti i OSBE-së nuk është real

Aleksandar Kerzhalovski

Mendoj se ne kemi një administratë të madhe dhe ajo duhet t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve. Ka progres në qasjen në Internet. Sipas meje, është dashur shumë më shpejtë dhe me më pak njerëz të bëhen të gjitha këto gjëra për shkak se në vendet e tjera minimizohet pjesëmarrja e burokracisë në të gjitha segmentet“, deklaroi para një kohe në intervistën për Inboks7, Aleksandar Kërzhallovski, Drejtori i parë ekzekutiv i Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN).

 

Redaktor: Stojanka Mitreska

stavrova@inbox7.mk