Data e sotme
June 23, 2018

Maqedonia vë bast në kalin që humbë

Latest posts by Мерсел Биљали (see all)

Disa vite propagohet orientimi pro Rusisë. Këso nevoje kanë regjimet me orientim totalitar për të gjetur mbështetje në putinizëm. Segmente të ndryshme mediale, madje edhe ndër këshilltarë të kryetarit Ivanov, gjithë kohën lëvdonin Rusinë, kurse shanin Perëndimin. Por, edhe kjo është legjitime në një ambient demokratik, që s’jemi ne. Madje tani kemi investime serioze ruse në Maqedoni, si fillim në klube sportive të cilët menaxhohen nga magnati rus Sergej Samsonenko, ku me të madhe ndërtohen salla e hotele në shuma maramendëse. Një kompani tjetër ruse, pos investimeve, tani pregatit të ndërtojë statujën e kozmonautit të parë rus Jurij Gagarin, kurse planifikon ndërtimin edhe të disa komplekseve të mëdha fetare këtu. Dëshirohet që përmes këtyre investimeve lehtë të ndikohet në opinion, për qëllime politike.

Por, realiteti lëviz në kahje të kundërt me këto qëllime, por edhe nga fati i promotorëve të këtyre qëllimeve. Sipas analizave relevante, Rusia tani më dukshëm humb relevancën ndërkombëtare dhe zhytet në një krizë të thellë si pasojë e politikave të gabuara. Analistët rus akuzojnë Putinin për politikë provincialiste, me çka shteti jo vetëm që ka humbë relevancën me Perëndimin, por edhe me Kinën. Për dallim nga Putinizmi që bazohet në politikën e kapriçove, konspiracioneve dhe apokalipsave, kinezët tani zaptojnë ekonominë botërore. Miq të Putinit mbeten vetëm Lukashënko, Orban dhe udhëheqësit tanë. Në samitin e paradokohshëm të G-20, Putini as që u rregjistrua nga magnatët medial. Madje, që të bjerë në sy ai ia hedhi shallin zonjës së parë të Kinës, por kjo u komentua si komike, me çka Putini lëshoi samitin para kohe. Atje yll kryesor krahas presidentit Obama ishte kryeministri kinez Ksi Xhinping, i cili tregoi se seriozisht është duke punuar që shtetin e vet ta shndërrojë në një superfuqi ekonomike botërore. Këtu amerikanët dhe kinezët nënshkruan disa marrëveshje me peshë nga të cilat priten përfitime astronomike. Kurse “Lidhja Euro-Aziatike “ e Putinit as që u përmend. Në të njëjtën kohë kinezët nënshkruan marrëveshje për tregti të lirë edhe me Australinë, hap që mund ta bëjnë vetëm shtete me vetëbesim të fuqishëm. Të njëjtën gjë pritet ta bëjnë edhe me Korenë e Jugut.

Se kinezët që moti nuk i praktikojnë kapriçot në politikë, shihet, jo vetëm nga tolerimi shumë dekadësh lidhur me Hong Kongun dhe Makaon, por edhe me kontestin e fundit për do ujëdhesa me Japoninë, por i cili nuk ishte pengesë që të lidhin marrëveshje për tregëti të lirë edhe me këtë shtet. Pra, kinezët problemet i ndajnë nga ekonomia, andaj atyre nuk u japin dozë agresiviteti. Ata tani seriozisht planifikojnë ndërtimin e megaprojektit “Një zonë – një rrugë” për ndikim në Azi dhe Evropë, një variantë e tyre e “Planit të Marëshalit” në vlerë fillestare prej 40 miliardë euro, e cila do të finansohet nga megabanka AII (Asian Infrastructure Investment), me seli në Pekin. Ndërkohë që Putini luan rolin e një fëmie që vajton përse ia kanë marrë lodrat. “Disa vende duan ta shkatërrojnë Rusinë, madje atë kanë dashur ta bëjnë ndër shekuj” – do të thotë Putini! Tani ekonomia ruse shkon drejtë kolapsit. Rubla ka shënuar rënie rekorde prej afro 30 përqind në bursa, kurse borxhi i jashtëm arrinvlerën prej rreth 550 miliardë dollarë. Putini lypi nga Banka qendrore që të ndërmarrë masa për ndaljen e davalvimit të mëtejmë të Rublës, por rezultate s’ka. Nëse nuk dini se për ku lundroni, atëherë asnjë erë nuk mumf të ju del në ndihmë.

Në fakt, loja është shumë më e madhe. Perëndimi bashkë me OPEK-un kanë vendosur që maksimalisht ta shtojnë prodhimin e naftës, me çka çmimi ka rënë nga 110 dollarë sa ishte vjet, në 68 dollarë tani, kurse “The Wall Street Journal” parasheh që çmimi të bjerë gjer në 60 dollarë për fuçi. Rusia tani është në kolaps, pasi buxheti dhe potenciali i saj kryesisht bazohet në naftë dhe gaz. Tani ajo pëson havari finansiare. Me probleme të mëdha tani ndeshen edhe gjigantët e mëdhenj rus “Gasprom”, “Novatek” dhe “Rosneft” që kanë afro një milion të punësuar. Tani në pikëpyetje është edhe ndërtimi i naftëpërçuesit aq të propaguar drejtë Kinës – “Fuqia e Sibirit”. Kurse ditë më parë nga vet goja e Putinit u tha se dështoi edhe “Rrjedha Jugore”, me të cilin aq shumë, edhe pse bosh u lëvdua Stavrevski! Tani thonë se kurrë nuk e kanë përmendur atë!!! Ashtu siç thonë se nuk e njohin Subrata Roj-in!!!

Derisa regjimi ynë me kokë të vogla bënte plane të ,,mëdha,, Grekët përvetësuan korridorret. Derisa këtu groponin varre antike, Grekët gropuan autostrada e gazësjellësa në vlerë prej dhjetra miljardë evro (të cilat paraprakisht duheshte të kalojnë përmes Maqedonisë). Ata fituan të ardhmen, kurse ne të kaluarën. Ata fituan “Via Ignatinë” dhe TAP-in, kurse ne Aleksandrin dhe Filipin! Abraham Linkoln do të thotë – “E di se kush është gjyshi im, por më shumë dua të kujdesem për nipërit e mi”. Tragjedi është të kesh këso pushteti që bënë stemë shtetërore me simbole partiake. Me luana të mëdhenj do vazhdojnë t’i mashtrojnë njerëzit e vegjël, por edhe të varfër, në rend të parë në shpirt. Bashkë me partnerin shqiptar, partinë e të cilëve e kanë shndërruar në një degë të veten. Sikur ajo e Dolnodupenit!

Sërisht kemi vënë bast në kalin që humbë. Do të fundosemi bashkë me putinizmin, të cilit tani Ukraina i thehet për koke. Por, kështu është kur bashkëjetohet me djallin. Sikur ai tërësisht na e ka okupuar mendjen. U shoqëruam me pushtet që aq shume energji harxhoj që të na shndërroj në masë jonormale! Definitivisht këtij djalli duhet dhënë një emër. Sugjeroj – “Koalicioni qeveritar”!

Magazina online INBOX7 jo çdo herë pajtohet me qëndrimet e autorëve të kolumnave. Përgjegjësia për mendimet e shpalosura në këtë rubrikë janë vetëm të autorit

Shkruaj një koment

Koment(e)

bilali@inbox7.mk