Data e sotme
November 23, 2017

Erhard Busek: Maqedonia gjithnjë e më shumë larg integrimit evropian

INBOX7: Para një kohe morët pjesë në konferencën ndërkombëtare për mediumet SEEMO, e cila në tetor të këtij viti u mbajt në Shkup me një fokus mbi situatën me mediat, ndër të tjera edhe në Maqedoni. Cilat janë përshtypjet tuaja lidhur me situatën e mediumeve në Maqedoni?

Busek: Gjendja me mediumet është nën hije për shkak të problemeve të hapura politike në Maqedoni, sidomos çështjes së emrit. Gjithashtu, mund të vërehet një largim nga procesi i integrimit evropian, që është e kuptueshme duke pasur parasysh rrugën e gjatë që duhet të kalohet. Mendoj se duhet të ketë një diskutim më të hapur për pozicionin e Maqedonisë në rajon dhe për atë se çfarë është bërë në mënyrë të saktë dhe të gabuar.

Busek1

INBOX7: Duke pasur parasysh njohuritë tuaja të tanishme dhe të mëparshme si një ekspert për Evropën Juglindore, a keni një mendim optimist për integrimin e vendeve të Ballkanit që aspirojnë të bëhen pjesë e familjes së BE-së?

Busek: Unë mendoj se është gabim nëse kemi një përshtypje negative nga deklarata e Jean-Claude Juncker-it për pesë vjet pa zgjerim. Arsyeja është se vendet e rajonit mund të bëjnë çdo gjë për të kryer procesin e nevojshëm të transformimit, i cili në shumicën e rasteve është ai kusht i cili është me të vërtetë i domosdoshëm. Nëse arrihen rezultatet dhe ndiqen parimet e BE-së, askush nuk mund t’i refuzojë vendet e Evropës Juglindore në BE-në. Unë kam pikëpamje optimiste se Ballkani do të bëhet pjesë e familjes së BE-së, sepse gjendja e përgjithshme politike shtyn integrimin për të stabilizuar Evropën ndaj pjesëve të tjera të fqinjësisë.

INBOX7: Para një kohe në opinionin e Maqedonisë u paraqitën dokumente të reja me një propozim të ri për çështjen e emrit -,”Republika e Epërme e Maqedonisë”, gjoja të propozuar nga mediatori Nimic. Qeveria mohoi se ka progres në çështjen e emrit. A jeni optimist se emri do të zgjidhet në një të ardhme të afërt?

Busek: Unë jam i vetëdijshëm për komentet e mediatorit  Nimic, por edhe për komentet e kryeministrit Gruevski ndaj meje se nuk ka përparim në këtë temë. Unë luftoj shumë, në çdo mundësi me shtetet anëtare të BE-së në mënyrë që ato të shtyjnë dy vendet (Maqedoninë dhe Greqinë), me qëllim që të arrihet një zgjidhje. Nëse ajo nuk mund të zgjidhet, si mund të zgjedhim probleme të tjera me rëndësi më të madhe?

INBOX7: Sipas mendimit tuaj, a është Kosova pjesë e problemit apo është zgjidhje për demokratizimin dhe përparimin e mëtejshëm të vendeve rreth saj?

Busek: Kosova nuk është problem dhe zgjidhje për demokratizimin dhe përparimin e mëtejshëm të shteteve fqinje. Problemi në mes Kosovës dhe Serbisë është i veçantë. Unë mendoj se nuk duhet të bëhet gabim që Kosova të përdoret për aktivitete të tjera politike. Në Kosovë duhet të bëhet një demokratizim, por edhe në vendet rreth saj.

 

INBOX7: Në rajonin ekziston ende frika nga përhapja e mundshme e ISIS-it në këtë pjesë të botës. A besoni se sulmet terroriste në baza fetare mund të transferohen edhe në Ballkani?

Busek: Sulmet terroriste në baza fetare mund të transferohen kudo, jo vetëm në Ballkan. Prandaj është e nevojshme për arsye sigurie, të jemi të kujdesshëm. Kjo nuk është vetëm puna e pushteteve. Mendoj se ajo është një detyrë e të gjitha religjioneve dhe në përgjithësi e arsimit demokratik dhe humanist.

busek3

 

Në Austri universitetet janë autonome gjatë kontrollimit të njohurive të studentëve dhe kjo është mënyra më e mirë

 

INBOX7: Ju jeni të njohur edhe si një reformator i rëndësishëm i universiteteve austriake. Aktualisht në Maqedoni ka pakënaqësi të madhe për shkak të përpjekjes së Qeverisë së Maqedonisë për të futur një sistem të provimit shtetëror për testimin e njohurive pas vitit të dytë dhe të katërt të studimeve. Studentët organizuan protesta. Si është sistemi i kontrollimit të njohurive të universiteteve austriake dhe a besoni se kjo është mënyra më e mirë për të pasur një sistem më të mirë arsimor?

Busek: Në Austri, universitetet janë autonome gjatë kontrollimit të njohurive të studentëve. Unë mendoj se kjo është mënyra më e mirë. Mund të ndihmohet me një marrëveshje me universitetet në vendet fqinje apo në tërë Evropën. Sistemi i Bolonjës është në njëfarë mënyre shumë i dobishëm dhe mund të ndihmojë gjithashtu për të pasur një sistem më të mirë arsimor. Konkurrenca me sistemet e tjera universitare në Evropë është veçanërisht e dobishme për shkak se mund të vëreni anët e forta dhe të dobëta të sistemit tuaj. Është shumë e rëndësishme që të bëhet kjo, përndryshe do të humbni studentët e talentuar në pjesët e tjera të Evropës.

Shkruaj një koment

Koment(e)