Data e sotme
October 22, 2018

QYTETARËT TË DEKURAJUAR PËR TË LUFTUAR PËR DREJTËSINË NË GJYKATË

Qytetarët më shumë ankesa deri te Avokati i Popullit kanë dorëzuar për gjyqësorin – janë dërguar 780 ankesa gjatë vitit 2014. Megjithatë, kritikat nga sektori joqeveritar tregojnë se Avokati i Popullit sipas ligjit është një institucion i pavarur, por atë e zgjedh Kuvendi, me një marrëveshje paraprake të partive në pushtet. Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi ka pothuajse të njëjtën pozicion.
Pas qasjes së lirë në informatat me karakter publik, Inboks7 ka marrë një përgjigje nga Avokati i Popullit që gjatë vitit 2014, sipas numrit të ankesave të parashtruara, qytetarët më shpesh ankohen për gjyqësorin, gjegjësisht janë parashtruar mbi 780 ankesa. Kurse pastaj në mënyrë të shpejtë zvogëlohet numri i ankesave, përkatësisht për shkeljen e të drejtave të konsumatorëve ka pasur mbi 420 ankesa, për tejkalimin e autorizimeve policore 155, 78 për shkeljen e të drejtave të votimit.

 

Evidenca e Ombudsmanit shënon vetëm 59 raste të diskriminimit, kurse në fund të tabelës janë 10 raste të shkeljes së të drejtave të personave me nevoja të veçanta.

Kryetari i komisionit, Dushko Minovski, është Këshilltar shtetëror i Ministrit të Punës dhe Politikës Sociale, nga sigurohet edhe buxheti i plotë për funksionimin e këtij trupi. Në një hierarki të këtillë institucionale, beteja e qytetarëve për mbrojtjen e të drejtave të tyre gjithnjë e më shpesh përfundon para Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

DISKRIMINIMI POLITIK – 90% E RASTEVE NEGATIVE PËR VIKTIMAT

Sipas raporteve të Avokatit të Popullit, diskriminimi politik është veçanërisht evident para zgjedhjeve dhe pas proceseve zgjedhore. Siç zbulon Komiteti i Helsinkit i Maqedonisë, 90% e rasteve përfundojnë negativisht për viktimat e këtij diskriminimi, të cilin Avokati i Popullit e quan më mizor.
Për shembull, në një kontest gjyqësor në mes të një qytetari të thjeshtë dhe një funksionari të lartë, i cili është i afërt me pushtetin, rasti zakonisht përfundon negativisht për qytetarin. Kjo është vërejtur jo vetëm te diskriminimi politik, por edhe në rastet e brutalitetit të policisë dhe në të gjitha rastet në të cilat shteti duhet të përgjigjet se pse ka lejuar të ndodhë ajo shkelje të të drejtave të njeriut“, tha Uranija Pirovska, drejtoreshë e Komitetit të Helsinkit.

Ljubisa Arsic

Ljubisha Arsiq

Gazetarët Lubisha Arsiq dhe Zharko Nastoski me mbështetje të Komitetit të Helsinkit kanë bërë një film dokumentar me gjatësi prej 30 minutash, të titulluar “Drejt Drejtësisë“. Ata si autorë të stories për diskriminimin politik janë ballafaquar me realitetin në të cilin qytetarët janë seriozisht të frikësuar të flasin publikisht për padrejtësinë.

Nga tetë qytetarë që kanë pranuar dhe është dashur të paraqiten në film, vetëm gjysma e tyre kanë dalë para kamerës.
Madje edhe për ata që u inkurajuan të flisnin ishte e nevojshme disa ditë që t’i bindin dhe t’u shpjegojnë avokatëve të tyre se nuk do të kenë pasoja sepse gjithsesi nuk kanë çfarë të humbin. Ne jemi të fokusuar për të gjetur qytetarë të cilët shihen si viktima politike, por të cilët kanë parashtruar ankesa gjyqësore, kemi nevojë vetëm për persona të tillë“, shpjegojnë autorët për Inboks7.

Vëzhgimet e tyre në terren rezultojnë me të dhëna të frikshme.
Në Maqedoni, ku përkatësia partiake është para të gjitha aftësive dhe përvojës, ku libreza partiake është një zëvendësim i diplomës, ka vetëm 20 procese gjyqësore që janë ngritur nga qytetarë politikisht të diskriminuar. Më e keqja është se për katër vjet, sa kohë që ekziston Ligji për mbrojtjen e diskriminimit, asnjë qytetar nuk ka arritur të dëshmojë se është i diskriminuar në vendin e punës në bazë të përkatësisë politike, edhe pse çdo ditë dëgjojmë se si njerëzit i humbin punët e tyre, sepse nuk janë nga partitë në pushtet”, thotë gazetari Ljubisha Arsiq.

Së pari, shumë pak njerëz inkurajohen që të parashtrojnë padi dhe për të luftuar për drejtësi në gjykatë. Pastaj, gjykatat në vend të qëndrojnë në anën e qytetarëve – viktima, ata zgjedhin për t’i mbrojtur autoritetet shtetërore që diskriminojnë. Disi gjykatat e kanë më të lehtë për të vendosur kundër qytetarëve, sesa të merren me institucionet, thonë Arsiq dhe Nastoski. Pastaj, Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi shumë rrallë konfirmon diskriminimin politik, sepse vetë anëtarët e komisionit janë të punësuar në administratën publike dhe praktikisht sillen në situatë për të vendosur kundër kolegëve të tyre, apo edhe më keq, kundër shefave të tyre. Në film shihet se edhe Gjykata Kushtetuese ka pushtet të kufizuar në raste të tilla, kurse shumë punë me këto lëndë të Maqedonisë nuk ka as Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Në këtë moment, nëse një qytetar është dëbuar nga puna, ose ka dështuar në një konkurs për punësim ose nuk mund të përparojë në karrierë në vendin e punës, dhe në qoftë se e gjithë kjo është për shkak të përkatësisë politike, atëherë vështirë se do të arrijë të dëshmojë atë përmes institucioneve të sistemit. Të mos flasim se sa shumë kohë, nerva dhe të holla janë të nevojshme. Kështu që viktimat politike e kanë më të lehtë për të heshtur, për të ulur kokën, për të pritur një konkurs të ri ose një pushtet të ri sesa për t’u nisur në rrugën që paraprakisht ka fundin e saj – se shteti e ka të drejtën, e jo qytetari“, e tregon përvojën e tij gazetari Lubisha Arsiq.

PIROVSKA: EDHE AVOKATI I POPULLIT NUK ËSHTË I PAVARUR

Ne në Republikën e Maqedonisë nuk po ballafaqohemi me mosefikasitetin e një institucioni, ne po ballafaqohemi me probleme sistematike. Ne nuk mund të flasim më për pavarësinë e cilindo institucioni, kur e dimë se ekziston një partizim të plotë të sistemit. Ne nuk mund të flasim më as për ndonjë ndarje të pushtetit, kur ekziston një rol dominant të ekzekutivit. Gjyqësori fare nuk është më pushtet që mund të karakterizohet si një faktor relevant në realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për arsye se çdo ditë jemi dëshmitarë se gjyqësori është i ndikuar nga ekzekutivi. Në atë moment kur do të thyhet rregulla e prezumimit të pafajësisë, kur ka arrestim spektakolar nga Ministria e Brendshme, atëherë ekzekutivi dërgon një mesazh të qartë për gjykatën se çfarë vendimi duhet të merret“, thotë Uranija Pirovska, drejtoresha e Komitetit të Helsinkit.
Sipas saj, as Avokati i Popullit, e as Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi nuk janë institucione të pavarura. “Avokati i Popullit është zgjidhur me një marrëveshje paraprake të partive në pushtet. Ai nuk ka pavarësi financiare, e cila është shumë e rëndësishme. Në vendet me një traditë të gjatë evropiane thonë: “Ai Ombudsman që nuk është kritikuar nga pushteti është Ombudsman i keq, atë Ombudsman që e dëshiron pushteti është Ombudsman i keq“. Sepse nuk e përmbush rolin e tij, kurse ai duhet të jetë korrektor i pushtetit“, thotë Pirovska.
Ajo vëren se në miratimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, katër vjet më parë, është bërë një lëshim në tekstin e ligjit, në të cilin mungon një pjesë e orientimit themelor seksual, veçanërisht e rëndësishme nëse merret në parasysh me cilat presione ballafaqohet komuniteti LGBT në Maqedoni.

NDRYSHIMET E LIGJIT PËR MBROJTJEN NGA DISKRIMINIMI

Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi vepron tashmë katër vjet, në të veprojnë shtatë komisionerë të zgjedhur nga Parlamenti, të cilët marrin një pagesë mujore prej 40.000 denarësh, kurse kanë në dispozicion një buxhet prej 3.5 milionë denarësh. Kryetari i Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi, Dushko Minovski, në të njëjtën kohë është edhe këshilltar shtetëror i Ministrit të Punës dhe Politikës Sociale, nën patronazh të të cilit vepron komisioni. Organizatat joqeveritare kanë reaguar që si një anëtar i komisionit është emëruar një person – profesoreshë të pianos pa njohuri paraprake nga sfera e diskriminimit të të drejtave të njeriut. Komuniteti rom reagon që edhe ata nuk kanë përfaqësues të tyre në komision.

Kontest në favor të ministrit

Ankesa për ish-ministrin Spiro Ristovski, e parashtruar në Komisionin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, pas deklaratës së tij se fëmijët mund të edukohen dhe arsimohen pozitivisht vetëm në familje komplete, gjegjësisht me nënë dhe baba, u zgjidh në favor të ministrit.
Kjo u zvarrit shumë, sepse përveç incizimit nuk kishim dëshmi të tjera, është dashur të merrnin një deklaratë nga ministri, por ai ishte shumë i zënë. Ne si komision kemi thënë se nuk ka diskriminim në deklaratën e ministrit të atëhershëm, në të cilën ai tha se fëmijët mund të edukohen dhe arsimohen pozitivisht vetëm në familje komplete. Ai ishte i angazhuar shumë në mandatin e tij për të drejtat e fëmijëve. Ristovski vetëm tha se mjedisi më i mirë është mjedisi i nënës dhe babait. Nuk ka diskriminim kundër fëmijëve që rriten në familje jofunksionale“, shpjegon për Inboks7, kryetari i komisionit, Dushko Minovski.

 

Minovski paralajmëron se janë të nevojshme ndryshime në ligjin ekzistues për mbrojtjen nga diskriminimi, veçanërisht në pjesën e dëshmimit që të mos mbetet ajo ngarkesë për paditësin. Minovski theksoi se Komisioni do të propozojë ndryshime në ligjin në pjesën e formimit të të ashtuquajturit Sekretariati ose shërbimi profesional të komisionerëve, sepse sipas zgjedhjes aktuale ligjore, komisionerët përveç që kanë detyra të tjera pune, mbajnë takime një herë në javë sipas rregullores, por i publikojnë edhe punët profesionale, teknike dhe administrative.
Duhet të pranojmë njerëz, veçanërisht juristë, të cilët do të shkojnë në terren për të marrë provat dhe të cilët i dinë rregullat. Buxheti është mjaft i vogël, nuk ndodh diskriminim vetëm në Shkup, duhet të jemi të pranishëm në nivel lokal “, thotë Minovski.


Në Komisionin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, shumicat e ankesave janë shqyrtuar për diskriminim në bazë të përkatësisë etnike, politike dhe në aspektin e gjinisë. Vlerësojnë se ka problem me informimin e opinionit për shkak se qytetarët nuk janë të informuar mirë.
Ndoshta në administratën publike i dinë më shumë të drejtat që nuk është rast me sektorin privat. Diskriminimi është një shkelje specifike e të drejtave të njeriut, duhet të respektohen tri elemente përkatëse, të kemi një bazë në ligj, të kemi një trajtim të pafavorshëm dhe një krahasues“, thotë Minovski.

 

Maqedonia ishte një shembull, tani është në fund

 

Komuniteti rom reagon që në Komisionin për Mbrojtjen nga Diskriminimi nuk ka një anëtar të përhershëm të përkatësisë së tyre etnike. I pyetur nga Inboks 7 nëse Maqedonia ka bazë për ta festuar Ditën Botërore të të Drejtave të Njeriut, Ashmet Elezovski, thotë se kjo është një pyetje shumë e vështirë duke pasur parasysh varfërinë, papunësinë dhe arsimin, i cili është një proces që zbatohet, por kuadrot e rinj për fat të keq shkojnë të jetojnë jashtë vendit në kërkim të një të ardhme më të mirë.

Është e dhimbshme në këtë moment që Maqedonia është e detyruar nga BE-ja të zbatojë diskriminimin selektiv ndaj romëve në aspektin e së drejtës për lëvizje të lirë, edhe pse vendi është nënshkrues i Konventës së Gjenevës dhe Deklaratës Universale për lëvizje të lirë. Por, praktika e kthimit të romëve nga kufiri vazhdon vetëm në bazë të ngjyrës. Përderisa nuk shihemi si qytetarë të Republikës së Maqedonisë, se duam të ndihmojmë njëri me tjetrin, edhe më tej do të kemi situata ku njerëz të caktuar do të tregojnë “afinitetet” e tyre për diskriminim ndaj njerëzve tjetër të caktuar“, thotë Elezovski, i cili është përfaqësues i Forumit Evropian të Romëve (ERTF) në Strasburg.
Sipas tij, ka shumë shkelje të të drejtave të romëve. Ka situata kur një person i caktuar për pjesëmarrje në rrahje është i dënuar me 12 vjet burg, ka situata kur për një vjedhje të vogël një person është i dënuar me 6 vjet, si dhe raste kur punësimi i romëve në sektorin privat nuk është i mundshëm.
Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi është i njohur me rastet kur bëhet abuzimi i personave me aftësi të kufizuara nga kompani të caktuara private që shfrytëzojnë benefitet e shtetit. Së fundi, askush prej tyre nuk mund t’i realizojë të drejtat e tija, dhe askush nga organet kompetente nuk ndërmerr masa, sepse bëhet fjalë për një proces të mbrojtjes së interesave të një grupi të caktuar të njerëzve“, thotë Elezovski.
Ky luftëtar i madh për të drejtat e njeriut thekson se Maqedonia para disa vitesh mund të ishte krenare me abetaren e parë, me mediat e para dhe shumë gjëra të tjera që ishin revolucion për lëvizjen rome në botë. Tani, thotë ai, jemi diku në fund për respektimin e të drejtave të romëve në Maqedoni, madje mbetemi pas Bullgarisë dhe pas shumë vendeve të tjera që ishin prapa nesh.

Redaktor: Stojanka Mitreska

Shkruaj një koment

Koment(e)

stavrova@inbox7.mk