Data e sotme
December 9, 2019

SAHARA NË MAQEDONI: PLANET E PAPËRFUNDUARA TË NJË BIZNESMENI KONTROVERS

Në një kohë kur ai ishte nën hetim për mashtrim financiar në Indi, pronari i kompanisë

Autorë: Xhelal Neziri, Zhaklina Haxhi-Zafirova, Aleksandar Bozhinovski

Me një buzëqeshje të gjerë dhe plot optimizëm, si një aktor i filmave të Bollivudit, në qershor të vitit 2012 në Maqedoni erdhi Subrata Roj, një biznesmen kontrovers 66 vjeçar nga India. I veshur me një këmishë të bardhë me mëngë të shkurtra dhe jelek të zi, një version modern i veshjeve tradicionale indiane, ai u prezantua në Maqedoni si shpëtimtar i ekonomisë së vendit.


U takua me numrin më të madh të ministrave, kryetarin e qytetit të Ohrit dhe kryeministrin Nikolla Gruevski. Planet e tija, të cilat u publikuan pas takimeve, kishin parashikuar ndërtimin e një kompleksi turistik në bregun e Ohrit, ndërtimin e një fabrike për ushqim bagëtie dhe ndërtimin e një qumështoreje me fermë prej 20 mijë krerësh bagëti. Me këto dhe investimet e tjera të paralajmëruara pritej punësim për mbi 3 mijë të papunë në Maqedoni. U vlerësua se kjo do të thotë një sukses të madh për një vend me 30 për qind papunësi.
Si një dhuratë, Subrata Roj paralajmëroi ndërtimin e monumentit të Nënës Terezë në sheshin e Shkupit.

majka-tereza-subrata roj
“Kur kam dëgjuar për herë të parë për Maqedoninë e dija që Nëna Terezë ka lindur këtu. Unë shpesh jam shoqëruar me të”, thotë Roj në një intervistë për një televizion lokal të Maqedonisë.

Pastaj ai flet edhe për takimin e parë me kryeministrin e Maqedonisë, Gruevski dhe me ministrin e Financave, Zoran Stavrevski.

“Kryeministri juaj dhe Ministri i Financave kanë ardhur në Indi. I kam takuar në Delhi. Mu dukën si njerëz të mrekullueshëm. Pastaj unë kam ardhur këtu dhe në Ohër. Kam takuar njerëz këtu, kam ardhur në përfundim se ata janë njerëz aq të pafajshëm dhe të mirë. U thashë njerëzve të mi të bëjnë një film për këtë vend. Pastaj do të tërheqim këtu incizime nga Bollivudi dhe Hollivudi. Besoni se vetëm me filma të mëdhenj një vend paraqitet në hartën e botës”, deklaronte Roj.

E tërë aventura e tij në Maqedoni po ndodhte në një kohë kur në vendin e tij të lindjes India, i ngushtohej hapësira e veprimit.

Pas vendimit të Gjykatës Supreme të Indisë, të marrë në gusht të vitit 2012, kompanitë e tija “Sahara” është dashur t’u kthejnë rreth 5 miliardë dollarësh miliona investitorëve, të cilët ishin të mashtruar në biznesin e ndërtimit.

 

INDIKACIONE TË FORTA PËR KORRUPSION



Ky skandal filloi në vitin 2010, kur një nga kontabilistët e kompanisë “Sahara”, Roshan Lai ka dërguar një letër në Komisionin për letra me vlerë të Indisë (SEBI) për të hetuar lëshimin e letrave me vlerë në sferën e ndërtimit nga ana e kompanive të Rojit.

Pas katër viteve të hetimit, në shkurt të vitit 2014 Roj u arrestua nga autoritetet e Indisë. Atij i është lejuar për të komunikuar nga burgu me qëllim që ta shesë pronën e tij në dhe jashtë Indisë dhe për t’i mbledhur paratë e nevojshme për të kompensuar investitorët.

Qeveria e Maqedonisë është mbrojtur me aktivizimin e garancisë bankare prej 3 milionë eurosh, e cila “Sahara” e kishte deponuar si garanci për përmbushjen e detyrimeve për investimin në kombinatin Xhumajli.

Slagana-Taseva-slika-video

Sllagjana Taseva

Por, mbetet i paqartë motivi i vërtetë i planeve investuese të Rojit në Maqedoni pikërisht në një kohë kur ai ka qenë nën hetim në vendin e tij!

“Motivet për të hyrë në tregti të këtilla duhet patjetër të jenë më të pagueshme sesa që mund të humbet. Ai tashmë është një indikacion shumë serioz për ekzistencën e ndonjë interesi, i cili nuk është interes publik dhe është një indikacion shumë i fortë për korrupsion”, thotë kryetarja e Transparency International në Maqedoni, Sllagjana Taseva.

saso-ordanovski

Sasho Ordanovski

Se prapa rastit të Rojit mund të fshihet një aferë korrupsioni dyshohet edhe eksperti për antikorrupsion, Sasho Ordanovski. Ai thotë se që nga ardhja e parë e Rojit në vend ishte e qartë se e tërë përralla tingëllon shumë mirë për të qenë e vërtetë.

“Por, zbulimi i saj me debaklin total të investimeve të këtij indiani dhe burgimi i tij në vendin e tij të lindjes ndoshta vetëm i shpëtoi zyrtarët e lartë të VMRO-DPMNE-së për të mos hyrë më thellë në ujërat e rrezikshme të kriminelit financiar dhe llojeve të tjera të krimeve të rënda në këtë rast”, shton Ordanovski.

 

TË GJITHA KOMPANITË E SAHARA NË MAQEDONI

Duke u nisur nga këto dyshime, Qendra për Gazetari Hulumtuese SKUP Maqedoni gjeti dokumente ku janë treguar të gjitha firmat e Rojit dhe të njerëzve të tij të ngushtë në vend, si dhe raportet e tyre financiare.

Njerëzit e “Sahara” në Maqedoni kanë regjistruar gjithsej katër kompani.

Kompania e parë e regjistruar është Shoqata për ndërtimtari dhe shërbime Sahara Global Com SHPK Shkup, e cila daton nga 16 gusht 2012, dy muaj pas vizitës së parë të Rojit në Maqedoni. Si themelues paraqitet vetë Subrata Roj Sahara, së bashku me djalin e tij të dytë – 37 vjeçari Semanto Roj. Kapitali i përgjithshëm themelor është vetëm 5 mijë euro, nga të cilat 2.600 janë të regjistruara në emër të Subratës, ndërsa 2.400 të tjera në emër të Semantos.

Kompania e dytë është regjistruar më 24 gusht 2012 dhe është në emrin e djalit të parë të Subratës – 39 vjeçarit Sushanto Roj. Kompania në Regjistrin Qendror të Maqedonisë është regjistruar nën emrin Shoqata për përpunimin e produkteve bujqësore Sahara Pure Eatables Corporation Limited Shpknjp Shkup. Depozita bazë është 5.000 euro, ndërsa tek adresa e Sushantos shkruan se është qytetar i Republikës së Maqedonisë. Duke përdorur të drejtën ligjore për dhënien e shtetësisë për investitorët e huaj që do të investojnë më shumë se 400 mije euro, Sushanto dhe gruaja e tij Svampa tani kanë pasaporta të Maqedonisë.

Sipas raportit të dorëzuar financiar, mjetet totale të cilat i ka pasur në dispozicion kompania në vitin 2013 janë 9.1 milionë euro. Rreth 3.6 milionë eurosh janë mjete fikse, rreth 5.5 milionë janë mjete rrjedhëse, rreth 4 milionë eurosh janë kapital dhe rezerva, ndërsa rreth 5 milionë eurosh janë raportuar si detyrime afatshkurtra dhe afatgjata.

Të hyrat e përgjithshme për vitin 2013 janë rreth 2.3 milionë eurosh, ndërsa fitimi për vitin afarist është rreth 200 mijë eurosh. Neto paga e paguar mesatare në këtë kompani ka qenë 14.802 denarë.

Kompania e tretë është regjistruar më 14 dhjetor 2012, me emrin Shoqata për ndërtimtari, shërbime dhe zhvillim Sahara Global Shpknjp Shkup. Si themelues paraqitet firma e huaj Aambu Valleu (UK) Limited, me seli në Londër, Angli. Në dokumentet zyrtare të Mbretërisë së Bashkuar si drejtorë të kësaj kompanie të fuqishme figurojnë  vetë Subrata me të dy djemtë e tij –Semanto dhe Sushanta, vëllai i tij Svampa si dhe personi Om Prakaç Svikatrava, të gjithë nga India. Në këtë pozicion të gjithë janë emëruar më 9 korrik 2012.

Sipas raportit financiar të kësaj kompanie, e cila ka 9 punonjës, gjatë vitit 2012 nuk ka pasur pothuajse asnjë qarkullim parash. Por, gjatë vitit 2013 si të ardhura janë raportuar 520.8 milionë euro, nga të cilat 459.8 milionë euro janë harxhime, kurse fitimi i përgjithshëm është 75.4 milionë euro.

Si mjete të përgjithshme, të cilat kompania i ka në dispozicion janë raportuar mbi 1 miliard euro, rreth 335 milionë janë mjete fikse, rreth 687 milionë janë mjete rrjedhëse, rreth 361 milionë euro janë kapital dhe rezerva, ndërsa rreth 650 milionë euro janë raportuar në grafikun “detyrime afatgjata dhe afatshkurtra”. Gjatë vitit 2013, neto paga mesatare në këtë kompani ka qenë 13.939 denarë.

Kompania e katërt është Shoqata për tregti MARINE HOSPITALITI SHPJNJP Shkup, e themeluar gjithashtu nga firma e Londrës Aambu Valleu (UK) Limited.

raportin financiar të dorëzuar në institucionet e Maqedonisë është raportuar se kompania gjatë vitit 2013 ka në dispozicion rreth 245 mijë eurosh. Rreth 155 mijë eurosh janë mjete fikse, rreth 90 mijë euro janë mjete rrjedhëse, si kapital dhe rezerva janë raportuar rreth 82 mijë eurosh, ndërsa detyrat afatshkurtra dhe afatgjata janë rreth 163 mijë eurosh.

Kompania ka realizuar të ardhurat totale në vlerë prej 150 mijë eurosh, kështu që ka realizuar një fitim prej rreth 34 mijë eurosh. Sipas dokumenteve, neto paga e paguar mesatare nga kjo kompani ka qenë 9.045 denarë.

Sipas dokumenteve, vetëm kompania e parë e regjistruar Sahara Global Com SHPK Shkup nuk ka dorëzuar asnjë raport për bilancin e punës dhe bilancin e suksesit për vitin 2013. “Subjekti nuk ka dorëzuar llogari vjetore apo njoftim se nuk ka aktivitet afarist për vitin 2013”, shkruan në dokumentin e Regjistrit për llogaritë vjetore të RQM-së. Më 30 nëntor 2013 është miratuar procedura për likuidimin e kompanisë, por mbetet i panjohur aktiviteti i saj afarist gjatë funksionimit të saj njëvjeçar në Maqedoni.

KOMPANIA MISTERIOZE

Vetëm kompania e parë e regjistruar Sahara Global Com SHPK Shkup nuk ka dorëzuar asnjë raport për bilancin e punës dhe bilancin e suksesit për vitin 2013. “Subjekti nuk ka dorëzuar llogari vjetore apo njoftim se nuk ka aktivitet afarist për vitin 2013”, shkruan në dokumentin e Regjistrit për llogaritë vjetore të RQM-së. Më 30 nëntor 2013 është miratuar procedura për likuidimin e kompanisë, por mbetet i panjohur aktiviteti i saj afarist gjatë funksionimit të saj njëvjeçar në Maqedoni.

 

MUNGESA E STUDIMEVE PËR PROJEKTET E ROJIT

Ekspertët për antikorrupsion, Taseva dhe Ordanovski konsiderojnë që aventura e Rojit  edhe gjatë do të mbahet mend në Maqedoni.

ljubanista proekt

“Zotëriu Roj do të mbahet mend në analet e shtetit maqedonas një kohë të gjatë pas largimit të Gruevskit dhe Stavrevskit nga pushteti dhe duhet të na mësojë që nga politikanët të presim projekte reale dhe të realizueshme, e jo të merremi me çfarëdo palaçosh dhe manekinësh të ndryshëm investues, të cilët na i shërben pushteti për shkak të nevojës së tmerrshme për t’u mos biseduar për gjendjet reale në vend”, thotë ai.
Nga ana tjetër, thotë Ordanovski, është rekomanduar që të presim dhe të shohim se çfarë dhe kush do të dalë në hektarët e tokës së nacionalizuar buzë Liqenit të Ohrit dhe në arat e papërpunuara në Sveti Nikollë. “Dhe atëherë të flasim për korrupsionin e vërtetë prapa rastit me zotëriun Roj”, thekson ai.

Edhe Taseva kritikon se për asnjë nga projektet e paralajmëruara të Rojit nuk ka asnjë studim për nevojën e një projekti të tillë, si do të ndikojë ai mbi jetën e qytetarëve, për ligjshmërinë e procedurave, si dhe për kredibilitetin e investitorit.

“Mungesa e këtyre treguesve është një indikator serioz se me këto projekte diçka nuk është në rregull. Kishte informacione se janë marrë dhe “blerë” objekte me forcë, duke përfshirë edhe kontestin me KOM-in”, thotë Taseva.

Roj nga burgu Tihar në Indi vazhdon t’i shesë pronat e kompanive të tija me qëllim që të kompletohet shuma totale prej rreth 5 miliardë dollarësh për të kompensuar miliona investitorë, të cilët i kanë investuar paratë e tyre në letra me vlerë të “Sahara”. Mediat raportojnë se me shitjet e fundit janë siguruar 93 për qind të shumës totale. Përfaqësuesit e “Sahara” thonë se ata nuk heqin dorë nga planet për të investuar në Maqedoni, si dhe nga plani për të ndërtuar monumentin e Nënës Terezë.

KORRUPSIONI I LARTË MORAL DHE POLITIK

“Nëse korrupsionin nuk e kuptojmë vetëm si delikuencë në fushën e mallrave dhe transaksioneve materiale dhe financiare, atëherë rasti me Subrata Rojin gjendet në shembujt eklatantë të korrupsionit të lartë moral dhe politik, i projektuar dhe i mundësuar nga majat e pushtetit aktual në Maqedoni”, thotë Sasho Oradnovski, ekspert për antikorrupsion.

(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”).