Data e sotme
September 21, 2017

Goce Dellçev Todev, Konfederata e Organizatave Sindikaliste të Maqedonisë (KOSM): Pesëdhjetë mijë honoraristë do të largohen nga vendi

Më 22 dhjetor janë caktuar protestat kundër ligjit për honoraristët. Dhjetëra organizata sindikaliste të bashkuara në Lidhjen e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), sindikatat e të punësuarve në drejtorinë, gjyqësorin dhe shoqatat e qytetarëve (DOQSH), Shoqata për Drejtësi Sociale “Lenka” si dhe Konfederata e Organizatave Sindikaliste të Maqedonisë (KOSM) do ta ngrenë zërin kundër ligjit të ri për honoraristët. Me këtë rast, në një intervistë për Inbox 7 bisedojmë me Goce Dellçev Todev, koordinatorin kryesor të KOSM-it.

Z-ri Dellçev Todev, na tregoni se cili është qëllimi dhe në cilën cilësi paraqiteni Ju në protestën?

Delçev Todev: Qëllimi fillimisht është stopimi i  ligjit. Të mos fillojë zbatimi i tij nga data 1.1.2015. Urgjentisht të miratohet ndonjë zgjidhje, përkatësisht njerëzit e parë që qeverisin me Maqedoninë ta stopojnë ligjin urgjentisht. Sipas vlerësimit tonë, jo vetëm që do të përfshihen 150.000 qytetarë, por 50.000, pra një e treta e tyre do të duhet të kërkojnë një biletë më shumë që të mund sa më shpejt të ikin nga ky shtet. E dimë paraprakisht se nuk do të kemi sukses. Nuk jam një skeptik, por e dimë se si përfundojnë kërkesat në këtë vend sidomos në katër, pesë vitet e fundit. Nuk jam kundër pushtetit, por jam kundër disa vendimeve ligjore, të cilat merren aktualisht nga ana e pushtetit. Dhe në qoftë se nuk hidhet poshtë ky ligj, ne jemi të përgatitur për të përfshirë një numër të madh të ekspertëve për të sjellë, nëse jo më shumë, të paktën një variant me të cilin do të balancohet mundësia e lehtësimit financiar të qytetarëve, të cilët punojnë dhe jetojnë nga honorarët.

Iskra i Goce Delcev

Këto ditë jemi dëshmitarë të përplasjeve në mediat për atë se kush organizon protesta dhe në cilën mënyrë organizohen ato. Duke u nisur nga kjo, imponohet pyetja se si e imagjinoni ju protestën? Si do të organizohet ajo?

Dellçev Todev: Çdo gjë që është me qëllim të mirë, çdo gjë që quhet organizim i çfarëdo proteste, me të cilën zotërinjve që janë në kabinetin e kryeministrit Nikolla Gruevski do t’u bëhet qartë se nuk mund ad-akta t’i hedhin poshtë ato dokumente. Për shkak se ata mendojnë se atë që e kanë paramenduar dhe duan ta zbatojnë, është zgjidhja më e mençur. Ky është praktikisht momenti më irritues të cilin KOSM-i e merr parasysh. Do të kërkojmë që Ministri i Punës dhe Politikës Sociale urgjentisht të na pranojë në një takim në të cilin do t’i shpjegojmë çdo gjë që e kanë lëshuar dhe nuk e kanë marrë parasysh si pjesë e mundësisë për përparimin e qytetarëve dhe të shoqërisë në përgjithësi me këtë ligj.

Ju thoni se nuk jeni kundër pagesës së taksave ndaj shtetit, por se jeni kundër kësaj mënyre të pagesës për ata që punojnë për honorar. Përse?

Dellçev Todev: Nuk mund që qytetarët të cilët punojnë dhe të cilët janë të angazhuar nga bosët, pronarët, madje edhe nga ministritë sektoriale t’i paguajnë taksat. Nuk mund që ministria sektoriale të mos i paguajë taksat për ata që i ka angazhuar, kurse punëtori i cili punon për një honorar, të jetë ai që duhet ta paguajë shumën prej 19 për qind të shumës totale të sigurimit pensional, invalidor dhe shëndetësor. Ne nuk jemi për atë të mos paguhet shuma, por atë shumë ta paguajë punëdhënësi.

Ka edhe kategori të tjera qytetarësh të cilët janë të pakënaqur me situatën në të cilën gjenden ata. Keni vërejtje për Ligjin e marrëdhënieve të punës në pjesën e mënyrës së organizimit sindikal? Para një kohe keni pasur takim të KOSM-it. Për çfarë biseduat dhe çfarë përfundimesh sollët?

Dellçev Todev: Do t’i bëj një korrigjim të vogël pyetjes suaj. Ligji është i përsosur. Por, njerëzit që e zbatojnë, duke filluar nga Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, ata e frenojnë dhe nuk e zbatojnë ligjin. Ndërsa Ligji i marrëdhënieve të punës përcakton saktë se në cilën mënyrë formohet organizimi  sindikal. E gjithë kjo që kërkohet me ligj ne e kemi vënë në letër si kusht. E kemi dorëzuar në ministrinë dhe po presim dy vjet për regjistrim përmes sistemit njësportel. Është një turp. I drejtohem Kryeministrit që t’u kushton vëmendje atyre të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale sepse Ligjin për marrëdhëniet e punës në pjesën e organizimit sindikal nuk e respektojnë, e shkelin. Madje edhe avokatët të cilët desha t’i angazhoja për zgjidhjen e këtij problemi thonë, aman, mos ta padisim Ministrinë ose Qeverinë, sepse e dimë se si do të përfundoni.

Le të flasim për paditë të cilat i parashtrojnë një pjesë të punonjësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) kundër institucionit në të cilin ata punojnë. Pse ka pakënaqësi në mesin e punonjësve të MPB-së?

Dellçev Todev: Shtatë vjet më parë, kur kemi themeluar Sindikatën e Pavarur të punonjësve të MPB-së, u përcaktua saktë se cilat nene duhet t’i respektojë ministria. T’i respektojë të drejtat për shfrytëzimin e biletave të transportit, shpenzimet e udhëtimit, ushqim, për dallimin në mbajtjen e uniformës. Këto të drejta nuk respektohen dhe fundi rezultoi me derdhjen e tetë milionë eurove. Në fund ministria është ajo që humb. Në vend që të planifikohen para për çështje të tjera të rëndësishme për sigurinë e Maqedonisë, ne merremi me padi. Kemi ardhur në një situatë të ndarë në “ata që kërkuan, ata që paditën dhe ata që fituan, të njëjtët ata të jenë si dele të zeza. Ata me disa krye-shefa të caktuar policorë ndiqen si qentë nëpër stacione të caktuara policore. Do të vijë momenti kur nëse jo unë, atëherë njerëzit të cilët merren me analitikë të këtij lloji, të mos them edhe me Prokurori Publike dhe krim të organizuar, do të duhet të merren me atë se çfarë po ndodh në MPB-në.

Këto janë akuza serioze. A keni prova për këtë? Përmendni krimin e organizuar dhe punë për Prokurorinë Publike?

Dellçev Todev: Nga ajo që kemi si numra, ja për shembull shuma ime e pranuar e parave është më shumë se 300.000 denarë. Për këto para MPB-ja ka paguar kamata, kamata për vonesë, përmbaruesit, shpenzimet gjyqësore. Dhe kur do të mblidhen të gjitha këto me numrin e punëtorëve që kanë paditur, afërsisht del një shumë prej tetë milionë eurosh. Nëse këtë e ka keqpërdorur një individ apo jo, kjo është një lëndë për të cilën prokuroria duhet menjëherë të fillojë një proces. Kush ka lejuar për kërkesat që janë parashtruar që në vitin 2007 të ketë një sjellje injorante.

Shkruaj një koment

Koment(e)

opetceska@inbox7.mk