Data e sotme
January 16, 2018

Aksionet policore ngjallin dilema në opinion

Nuk kalon një ditë pa mos lexuar dhe dëgjuar lajme që policia e shtetit ushtron kontrolle dhe arrestime të ndryshme si nëpër shtëpi private ashtu dhe nëpër kompani të ndryshme. Arsyet varrojnë si: kontroll për pirje të duhanit, kontroll inspektimi për kasa fiskale, kontroll për raste korrupsioni, arrestime të personave të ndryshëm për vepra penale etj. Në një vështrim të parë një gjë e tillë mund të duket krejt normale duke e konsideruar në fakt si një veprim të një shteti funksional që kërkon rregull në punë dhe sundim të ligjit në mënyrë të drejtë. Dilemat që lindin për këto çështje janë padyshim përse këto aksione policore ndodhin gjithmonë në fund të vitit kur duhet të vendoset buxheti i vitit të ardhshëm? A është kjo një mënyrë për ta mbushur arkën e zbrazur të vendit nga borxhet e shumta që Maqedonia ka? Apo një gjë e tillë ka vërtetë të bëjë me sundimin e ligjit në vend?

Derisa nga MPB kanë thënë se bëhet fjalë për shoqërim të inspektorëve financiarë, në opinion është interpretuar se këto aksione kanë edhe prapavijë etnike dhe politike.

 

Aksione ligjore dhe politike

 

Analisti Sefer Tahiri për Inbox7 thotë: “Aksionet e fundit policore janë pjesë e skenarit të pushtetit maqedonas për tua treguar ‘dhëmbët’ shqiptarëve. Sjellja e këtillë e shtetit dhe sistemit “policor” me arrogancë, agresivitet dhe policë ka për qëllim t’ua bëjë me dije shqiptarëve se duhet t’u nënshtrohen institucioneve dhe rregullave të sistemit ose shtetit ligjor dhe se duhet njëherë e përgjithmonë të binden se duhet të jenë jo vetëm luajalë politikë, por edhe luajalë ekonomikë ndaj shtetit. Prandaj mendoj se këto aksione nuk kanë pasur synime vetëm ligjore, por më tepër politike, sepse qeveria Gruevski dëshiron që të ndryshojë opinionin e përgjithshëm se shteti dhe institucionet nuk kanë pushtet në pjesët banuara me shqiptarë dhe se pushteti është i shtrirë në tërë territorin e Maqedonisë” 

Ndërsa analisti Ramadan Ramadani thotë që aksionet policore janë edhe në vendbanimet tjera por fatkeqësisht përshtypja që mbizotëron tek opinioni maqedonas është që në viset shqiptare ligji nuk zbatohet sipas rregullave.

“Ka aksione edhe në tjera vendbanime, por përshtypja mbetet nga këto pasi ka një paragjykim në pjesën e opinionit maqedonas se në viset shqiptare nuk respektohet ligji etj. Duke dashtë regjimi të heq këtë perceptim të gabuar u jep me shumë pompozitet mu këtyre aksioneve dhe përdorë prezencë joproporcionale policore dhe militante gjatë këtyre aksioneve”,thotë ai. 

Analizat shkojnë deri në pikë që mendohet se qeveria aktuale i paraqet shqiptarët si element destabilizues dhe që nuk arrin të adaptohen në një shoqëri demokratike. Kjo sipas analistit Fejzi Hajdari buron nga fakti që tentativat e këtilla janë lehtësisht të lexueshme për një pjesë të mirë të shqiptarëve sepse gjenezën e kanë që në sistemin e mëparshëm.

 

Pakënaqësia qeveritare

 

“Përpjekjet dhe skenarët e deritanishëm të qeverive në Maqedoni, sidomos qeverisë së tanishme BDI-VMRO, është që shqiptarët të paraqiten si element destabilizues dhe i padenjë për të jetuar në një shoqëri demokratike. Në fakt tentativat e këtilla janë lehtësisht të lexueshme për një pjesë të mirë të shqiptarëve sepse gjenezën e kanë që në sistemin e mëparshëm. Natyrisht që në këto raste nuk përjashtohen edhe skenarë tjerë të errët nga elemente të ndryshme, por që rrethanat e tanishme të krijuara në Maqedoni, sidomos tani kur qeveria ndodhet para një presioni jashtëzakonisht të madh nga ndërkombëtarët, të cilët po e shohin se qeveria Ahmeti-Gruevski nga po e lëviz Maqedoninë, dyshimet shkojnë më shumë në adresë të qeverisë”, thotë Hajdari. 

Hajdari thekson që shqiptarët janë shumë të pakënaqur nga kjo qeveri, por po ashtu edhe të ofenduar dhe nënçmuar nga shumë projekte anti-shqiptare që janë zhvilluar në këtë periudhë. Ai vlerëson që fajin për gjithë të bëmat i takon Ali Ahmetit sepse është partia e tij që ka dështuar tash  tre mandate.“Projektet anti-shqiptare si Projekti Shkupi-2014, Sopoti, Monstra, Gjorce, Enciklopedia, Rrahja e nxënësve shqiptarë, mos zyrtarizmi i gjuhës shqipe, flamuri dhe tani së fundmi Stema, rrjedhimisht shumë lehtë këtë mllef dhe revoltë të shqiptarëve mund edhe ta keqpërdor ose ta kanalizojë për qëllime të veta. Prandaj, fajin për cfarëdo që ndodh në rajonet shqiptare, e ka ekskluzivisht Ali Ahmeti dhe partia e tij e cila për tre mandate me radhë shqiptarët i ka shty drejt një regresi të paparë” 

Por nëse partia shqiptare në pushtet dështon ti mbrojë interesat primare të shqiptarëve në vend, përse po kjo parti i fiton zgjedhjet tash tre mandate me radhë? Përse pjesa më e madhe e shqiptarëve vazhdon ta votojë BDI-në? Ku qëndron gjeneza e këtij problemi? Pse nuk e ndëshkojmë me votë BDI-në nëse konstatohet që ajo është fajtorë për gjitha këto probleme?

Tahiri shprehet që shqiptarët në fakt gëzojnë disa institucione udhëheqëse që kanë fuqi për vendimmarrje, por problemi qëndron tek fakti se politika dhe shteti ndikojnë ndaj punësimeve të personave nëpër këto institucioneve e cila ul rëndësinë dhe potencialin mbrojtës.

“Në aspektin institucional ekzistojnë institucione siç është Komiteti për Marrëdhënie midis Bashkësive, i formuar në bazë të Kushtetutës të vendit dhe i menduar si institucion që do të merret me çështje që i tangojnë të drejtat e bashkësive etnike. Në kuptim, ekziston edhe Avokati i Popullit dhe Komisioni Shtetëror i Anti-diskriminimit, por fakti që politika dhe shteti ndikojnë ndaj punës së tyre këtyre institucioneve u ul peshën e nevojshme dhe potencialin e mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”,thekson Tahiri.

 

Institucionet e pavarura nën presion

 

Ndërsa Hajdari vlerëson që problemi kryesor është tek statusi juridiko-politik tejet diskriminues i shqiptarëve dhe se me politikë mashtruese që kemi ne nga partia shqiptare, statusi i shqiptarëve nuk do të ndryshojë kurrë.

“Gjeneza e problemit fillon dhe mbaron tek statusi juridiko-politik tejet diskriminues i shqiptarëve, me aminin e politikës shqiptare. Nuk mund të pajtohen shqiptarët me politikanët sharrllatanë të tipit, që sa herë e hapin gojën gënjejnë, jo që këtë dinë ta bëjnë, por mendojnë se do ta mashtrojnë popullatën. Paramendoni Ali Ahmeti në vitin 2002 pohonte në mënyrë triumfaliste: E zyrtarizuam gjuhën shqipe, e zyrtarizuam flamurin!!! Kurse në vitin 2014, pak para zgjedhjeve pa fije turpi deklaron: Ma jipni edhe një mandat ta zyrtarizoj gjuhën shqipe, ndërsa për të qenë edhe më qesharak (këtë rol din më së miri ta luaj), deklaron se kinse e ka “sakrifikuar” zyrtarizimin e shqipes vetëm e vetëm për të hyrë në NATO. Pra tallet me shqiptarët sikur dikush e pyet Alinë për hyrje në NATO. Si duket këtë tallje vetëm disa shqiptarë të Maqedonisë e durojnë .Hajdari po ashtu konstaton që politika e këtillë që bëhet në vend ku mandatet merren pa kurrfarë përgjegjësie, incidentet eventuale të cilat do të kishin parashtesën “ndëretnike” nuk do të ndalen.

“Këto incidente nuk do të ndalen sepse ata shërbejnë për të mbuluar paaftësinë e partive të tipit BDI, të cilët nuk kanë kapacitet politik e aq më tepër intelektualë, për t’i zgjidhur problemet e shqiptarëve”,tha Hajdari.

 

Redaktor: Selim Ibraimi

Shkruaj një koment

Koment(e)

bajrami@inbox7.mk