Data e sotme
July 22, 2019

Rruga e shpejtë drejt problemeve afatgjata në Maqedoninë Lindore

Në vend të autostradës nga Shtipi deri në Koçan, siç është paraparë me studimin për ndërtimin e autostradës, qeveria vendos të ndërtojë një Rrugë të shpejtë (zgjerimi i rrugës ekzistuese) pa pasur nevojë për të përpiluar një projekt. Ky zgjerim i rrugës ekzistuese (rruga e shpejtë) me nga 2 korsi nga 2 metra do të kushtojë rreth 56 milionë euro, kurse gjithë autostrada me 6 korsi dhe 19 metra asfalt do të kushtojë rreth 70 milionë euro

author: Goran Lefkov

Projekti i rrugës së shpejtë në Maqedoninë Lindore me vlerë prej 23 milionë eurosh, siç premtoi partia në pushtet në zgjedhjet e fundit, u bë më i shtrenjtë dhe vlera e tij u rrit në 56 milionë, por jo për autostradë, por për zgjerimin e rrugës ekzistuese, e cila duhet të bëhet një Rrugë të shpejtë. Studimi i një kompanie gjermane, megjithatë, tregon se autostrada do të kushtojë 70 milionë euro. Banorët e zonave përreth janë në panik për sigurinë e tyre.

Kjo është rruga Shtip – Koçan. Me rikonstruksionin e kësaj rruge në nivel të një rruge të shpejtë, shpejtësia e lëvizjes nga të tanishmet 50-70 kilometra në orë do të rritet, do të kryhet një rikonstruksion dhe një zgjerim të gjerësisë ekzistuese të rrugës në gjatësi prej 26 km. Rruga fillon nga Shtipi, vazhdon nëpër disa vendbanime dhe përfundon në Koçan. Ky është një investim me vlerë prej 23 milionë eurosh”, kjo është zgjidhja të cilën VMRO-DPMNE-ja ua plasonte rreth 200.000 qytetarëve të Maqedonisë Lindore në zgjedhjet e fundit në programin e saj “Të kontrolluar”.

Për sqarim, rruga e shpejtë është një rrugë dydrejtimësh me nga 2 korsi nga 3,5 metra për vozitje në të dy drejtimet dhe nga një korsi me gjerësi prej 2,45 metra në të dy anët për të ndaluar.

Ky hulumtim do të tregojë se ky projekt është larg programit të partisë “të kontrolluar” nga disa aspekte.

Gjëja më e rëndësishme është se zgjerimi i rrugës Shtip – Koçan nuk do të kushtojë 23 milionë euro. SKUP u drejtua në Agjencinë për rrugët shtetërore për t’u përgjigjur se ku në programin e VMRO-DPMNE-së është publikuar se rruga e shpejtë do të kushtojë 23 milionë euro. Deri më tani jo zyrtarisht nga kjo agjenci na kanë thënë se punojnë në llogaritjet për këtë rrugë dhe se nuk mund të thonë se sa do të kushtojë.

patokaz

Burime anonime të Agjencisë për rrugët shtetërore, për SKUP thonë se nuk e dinë se ku në programin e VMRO-DPMNE-së doli se kjo rrugë do të kushtojë 23 milionë euro.

Se sa do të jetë shuma përfundimtare e Rrugës së shpejtë, nuk e dinë as në Bankën evropiane nga është marrë kredia me vlerë prej 160 milionë eurosh për ndërtimin e autostradës nga Struga deri në Trebenist, për rrugën e shpejtë Ohrid-Peshtan, për rehabilitimin e 10 kilometrave të rrugës Prilep – Gradsko dhe për rrugën e shpejtë Shtip – Koçan. Për informata më të hollësishme na drejtuan në Agjencinë për rrugët shtetërore.

Në debatin publik në fshatin Obleshevë në shtator të këtij viti janë përmendur shifra më të mëdha se 40 milionë euro.

Në një lajm të televizionit të Koçanit Kanal 8, në të cilin një deklaratë jep zëvendës- drejtori i Agjencisë për rrugët shtetërore, Aleksandar Stojanov, përmendet se seksioni do të kushtojë 56 milionë euro, që është dyfish më shumë se shuma që është shkruar në programin e VMRO-DPMNE-së.

Shumë para për pak punë

Për të njëjtin seksion, “Divi Maqedonia”, kompania degë e kompanisë gjermane “Divi Interneshënël”, ka përgatitur një studim fizibiliteti për autostradën, në të cilin për seksion e njëjtë ajo ka parashikuar se do të kushtojë 70-80 milionë euro.

SKUP-i bëri llogaritjen se sa do të kushtojë çdo metër katror shtesë asfalti, përkatësisht se çfarë do të fitojnë qytetarët e Maqedonisë Lindore për paratë që do të investohen.

Në tabelën 1 janë dhënë dy opsionet e rrugës së shpejtë dhe autostradës në gjatësi prej 26 kilometrash sa është shkruar në programin e VMRO-DPMNE-së.

Në tabelë shihet qartë se çdo metër katror shtesë sipërfaqe me asfalt te rruga e shpejtë do ta kushtojë shtetin 490 euro për metër katror, ndërsa për autostradë, qytetarët e Maqedonisë do të ndajnë nga 150 euro për metër katror.

Është shumë i palogjikshëm vendimi i Qeverisë dhe Agjencisë për rrugët shtetërore që me 56 milionë euro të ndërtohet një rrugë të shpejtë me 2 korsi shtesë, kurse me 70 milionë euro mund të ndërtohet një autostradë, thotë Stojce Samarxhiski, ekonomist nga Shtipi.

Ky vendim nuk ka asnjë logjikë ekonomike. Për 75 milionë euro do të kemi 6 korsi me një gjerësi totale prej 19 metrash, mendoj do të kemi autostradën dhe plus rrugën ekzistuese magjistrale. Në anën tjetër, për 56 milionë euro do të kemi një rrugë të shpejtë (rruga ekzistuese plus nga dy korsi të tjera nga ana e ndalimit me nga 2,5 metra, gjithsej 5 metra)“, thotë Samarxhiski.

Ai shton se është e palogjikshme që për 75 milionë euro do të kemi dy objekte drejt Koçanit, njëri do të jetë rruga aktuale magjistrale, kurse i dytë do të jetë autostrada e cila do të lidhet me rrugën e re prej fshatit Milladinovc për në Shtip, të cilën e ndërton Agjencia për rrugët shtetërore. Ndërsa me propozimin e Qeverisë, për 56 milionë euro, do të kemi një objekt problematik, i cili do të ndërtohet me shumë nervozë, sepse trafiku do të destinohet. Po të ndërtohet autostrada, nuk do t’i kemi këto probleme, thotë Samarxhiski.

Për Sashko Stefanovskin, një profesor i gjeografisë, i cili është i interesuar për lidhjen e Koçanit me një lidhje cilësore të trafikut, rruga e shpejtë do të jetë “një fund” për Maqedoninë Lindore.

Shtimi i dy metrave asfalt në të dyja anët është vetëm sa për sy e faqe. Këto dy metra vetëm do të hapin problemet e këtij rajoni. Ajo rrugë e shpejtë do t’i zgjidhë problemet e Koçanit, Vinicës, Berovës, Dellçevës, Pehçevës dhe Makedonska Kamenicës“, shton Stefanovski.

Ai shtoi se në qoftë se ndërtohet rruga e shpejtë, në 50 vitet e ardhshme Koçani dhe rajoni nuk do të shohin më investime shtesë në infrastrukturën rrugore.

Rruga e shpejtë do të shkatërrojë infrastrukturën ujore të HS Bregallnica

Përveç rrugës së shpejtë Shtip – Koçan, do të ketë kanale kulluese dhe kanale të betonit dhe vada për ujitje. Me rrugën e shpejtë kjo infrastrukturë do të mbyllet dhe do të duhet të bëhet një të re. Për drejtorin i ndërmarrjes së ekonomizimit të ujërave Bregalnica Koçan, Zoran Beliçev, Agjencia për rrugët shtetërore duhet ta aftësojë këtë infrastrukturë.

Nuk do t’i japim pëlqim Agjencisë që ajo t’i zhvendosë kanalet, hendekët dhe vadat tona nëse ajo nuk gjen një zgjidhje të përshtatshme, ne duam që ato të jenë përsëri në funksion“, është decid Beliçev.

Ai shtoi se dislokimi i infrastrukturës së HS Bregalnicës pranë rrugës së tanishme A3 (rruga e ardhshme e shpejtë prej Shtipit deri në Koçan), aspak nuk është një gjë e thjeshtë.

Hendekët e ujitjes duhet të vendosen nëpër izohipsa, përkatësisht ata duhet të kalojnë nëpër pikat më të larta të territorit që ujitin, ndërsa kanalet kulluese duhet të kalojnë nëpër pikat më të ulëta. Që të bëhet kjo, duhet të përpilohet një projekt të tërësishëm për dislokimin e kësaj infrastrukture.

Bujku 50-vjeçar nga fshati Çeshinovë, Sane Jovanov thotë se me kanalet e ujitjes mund të ballafaqohen më lehtë, por me kanalet kulluese do të kenë shumë probleme. Ai kujton se të gjitha fshatrat në Luginën e Koçanit si Çeshinova, Uljarci, Çifliku, Oblesheva, Podllogu i Poshtëm, Mojanci dhe Gërdovci mund të përmbyten nëse nuk ka një sistem adekuat të kullimit.

Fshati Obleshevë do të jetë “mish topi” për rrugën e shpejtë

grobista

Oblesheva është mbushur me frikë dhe padituri për rrugën e shpejtë. Shumë njerëz janë të frikësuar se si do të zhvillohet trafiku në të ardhmen në fshatin e tyre. Ky vendbanim ndoshta ka më shumë viktima të aksidenteve në vend. Sipas kujtimeve të banorëve të këtij fshati, deri tani mbi 60 njerëz të fshatit janë vrarë në këtë rrugë magjistrale.

Ende i kemi të freskëta kujtimet, kur dy vajza të fshatit ishin shkelur me makinë në të njëjtën kohë në këtë rrugë. Është dashur të protestojmë për të vënë një gardh mbrojtës përreth rrugës“, thotë një banor 40-vjeçar i këtij fshati.

Frika e tij është se rruga e shpejtë që ua përgatis Agjencia për rrugët shtetërore do t’i rrisë rreziqet e aksidenteve në këtë fshat.

Sipas deklaratave të projektuesve në debatin publik në këtë fshat që u organizua më 30 shtator, rreth fshatit nuk është paraparë të ndërtohet rrethore. Deri në fshat do të ketë nga një korsi për të ndaluar nga të dyja anët, ndërsa në fshat do të jetë vetëm rruga ekzistuese. Shpejtësia aktuale në rrugë prej 80 kilometra në orë do të rritet në 100 kilometra dhe ajo shpejtësi do të vlejë deri para fshatit. Shoferët në fshat do të duhet të ulin shpejtësinë në 50 kilometra në orë.

Kjo shkakton shumë dyshime për banorët e fshatit

Shpejtësia e lejuar aktuale para fshatit është 80 kilometra në orë, rrallë ndonjë shofer e ul shpejtësinë në 50 kilometra në orë. Unë mund ta imagjinoj se çfarë do të ndodhë kur shpejtësia e lejuar do të jetë 100 kilometra në orë. Në 2-3 kilometra para fshatit dhe po aq kilometra pas fshatit rruga është e drejtë dhe do të vozitet shumë shpejtë. Kam frikë se do të na shkelin si bretkosa“, thotë 39-vjeçari Goran.

Ai shton se policia duhet vazhdimisht të ketë nga dy pika në hyrje dhe në dalje të fshatit për të mos shkelen nga makinat.

Nga Agjencia për rrugët shtetërore nuk janë përgjigjur se si do ta zgjidhin problemin me fshatin Obleshevë dhe nëse do të ketë një rrethore përreth tij. E kemi pyetur edhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim lidhur me këtë projekt, por prej atje na kanë thënë se përgjigjen mund ta marrim në Agjencinë për rrugët shtetërore.

Mekanizim bujqësor edhe në të ardhmen e rrugës

Rreziku që të gjenden makineritë bujqësore në rrugë është i madh. Nga Agjencia për rrugët shtetërore parashikojnë ndërtimin e dy rrugëve me tamponë nga 3,5 metra në të dyja anët e rrugës së shpejtë. Këto korsi do të dedikohen për lëvizjen e automjeteve bujqësore, por problemi është se me rrugën e shpejtë parashikohet të mbyllen rrugët lokale që çojnë deri në arat e fshatrave Çiflik dhe Uljarci. Ata duhet të vozitin edhe nga disa kilometra përreth rrugës për të arritur deri në arat e tyre.

Unë nuk e di se si do të jetë me rrugën e shpejtë. Por, nëse nuk ka asnjë urë te fshati Çiflik, askush nuk do të vozitë 4 kilometra në njërin drejtim e 4 kilometra në tjetrin drejtim dhe anasjelltas për të arritur në arën e tij. Të gjithë këta traktorë dhe kombajna përsëri do të shkojnë pa drita nëpër rrugën e shpejtë siç ndodh edhe tani në rrugën magjistrale“, thotë një banor i fshatit Çiflik.

Ai pret që në aspektin e sigurisë në komunikacion me rrugën e shpejtë kushtet do të përkeqësohen.

Një përmirësim të kushteve të lëvizjes me rrugën e shpejtë nuk pret të ketë edhe 35 vjeçari Stojan nga Koçani.

Agjencia e rrugëve do të ndërtojë rrugë tamponi përveç rrugës së shpejtë, por në pjesën e rrugës që kalon nëpër Koçan ka disa zona me moçale, pikërisht këtë vit pranë rrugës magjistrale u mbyt një kombajnë, do të mbytet edhe tamponi dhe traktorë përsëri do të shkojnë nëpër rrugën magjistrale, përkatësisht në të ardhmen do të shkojnë nëpër rrugën e shpejtë“, thotë Stojani.

Ai ka frikë se rruga e shpejtë nuk është e përshtatshme për kushtet në terren dhe se në vend të lehtësojë trafikun, ajo do të jetë një “thertore”.

Parakalimi është i rrezikshëm

Photo0400

Parakalimi në rrugën e shpejtë është simptomatik, frikësohen njohësit e gjendjes së trafikut në Koçan.

Kthesat do të korrigjohen, nuk do të ketë kthesa, gropat do të rrafshohen. Në rrugë do të lejohet që të vozitet 100, kurse shoferët do të praktikojnë të vozisin edhe me shpejtësi prej 130 kilometrash në orë. Në rrugë do të ketë kamionë që do të shkojnë me 40 kilometra në orë. Do të ketë shumë parakalime. Dyshoj se do të ketë aksidente të drejtpërdrejta sepse trafiku do të zhvillohet në të dyja drejtimet dhe vetëm në dy korsi. As nuk dua të mendoj se çfarë do të ndodhë me udhëtarët dhe shoferët në aksidente të drejtpërdrejtë nëse të dyja automjetet lëvizen me mbi 100 kilometra në orë“, thotë instruktori i vozitjes nga Koçani, i cili deshi të mbetet anonim.

Ai kalon rrugën Shtip – Koçan nga disa herë në ditë me kandidatët e tij.

Sipas zëvendës-drejtorit të Agjencisë për rrugët shtetërore, Aleksandar Stojanov, dy korsitë e reja të asfaltuara do të jenë në funksion për parakalim. “Korsitë për ndalim mund të përdoren që automjetet më të ngadalshme të hiqen anash kur do të ndodhë parakalimi“,  tha Stojanov për televizionin e Koçanit Kanal 8.

Por, nga Agjencia për rrugët shtetërore nuk u përgjigjën se nëse me atë që automjetet e ngadalshme do të hiqen në korsinë për ndalim, ato nuk bëjnë një shkelje trafiku? Në debatin publik përgjegjësit për projektimin e rrugës nuk iu përgjigjën nëse me këtë deklaratë zëvendës-drejtori nuk u bën thirrje shoferëve që t’i shkelin rregullat e trafikut edhe para se të ndërtohet rruga?
Agjencia për rrugët shtetërore nuk iu përgjigj edhe pyetjes se nëse korsia shtesë prej 2,45 metrash do të jetë vetëm korsi për të ndaluar automjetet e ngadalshme apo korsi për ndalimin dhe heqjen e kamionëve, siç tha zëvendës-drejtori i Agjencisë për rrugët shtetërore?

Rruga e shpejtë do të jetë tepër e ngushtë 3-4 vite pas ndërtimit

Sipas studimit për zgjidhje të autostradave të kompanisë “Divi Maqedonia”, seksioni prej Koçanit deri në Shtip, për 4-5 vite do të ketë mjaft trafik për një autostradë me një profil të plotë, përkatësisht 12.000 automjete mesatarisht në ditë (PGDS). Kjo do të thotë se pas vetëm katër viteve pasi do të ndërtohet rruga e shpejtë, ajo do të jetë shumë e ngushtë për t’i pranuar të gjitha automjetet që do të lëvizen nëpër të.

Qytetarët e Koçanit mendojnë se qeveria nuk mendon afatgjatë për zhvillimin e këtij rajoni. Për 33 vjeçarin Zoran L., Qeveria duhet të planifikojë zhvillimin afatgjatë të rajonit, e jo të shikojë vetëm për 2-3 vitet e ardhshme.

Projekti më afatgjatë i kësaj qeverie është deri në zgjedhjet e ardhshme. Ata nuk mendojnë se objektet ndërtimore në Maqedoninë Lindore duhet të shërbejnë edhe për gjeneratat e ardhshme“, thotë Zorani.

Përndryshe, planet afatgjata në ndërtim përfshijnë një periudhë më të gjatë se 10 vjet.

(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”).