Data e sotme
October 22, 2018

Pushteti mbi fushë të minuar

Latest posts by Мерсел Биљали (see all)

Fuqia motorike e kësaj Qeverie janë mashtrimet. Kjo është arsyeja se përse ne lëvizim mbrapsht. Kaluan nëntë vite, kurse ne gjithnjë e më shumë jemi afër rrethit të nëntë të ferrit të Dantes. Nga një lider rajonal jemi shndërruar në bartës të epiteteve “I sëmuri i Ballkanit”, “Titaniku Ballkanik”. Kurse rinia na iku jashë. Këtë e kemi dhuratë nga “patriotë” të denjë që ndërtuan piramidat e tyre duke shkatërruar jetën tonë. Patriotë të cilët kanë bërë që njerëzit më tepër t’i frikësohen jetës se sa vdekjes. Prej këtu edhe e drejta legjitime për rrëzim të kësaj Qeverie, e cila jo vetëm që nuk di për vlera elementare demokratike, por aq më shumë gjendjen e ka sjellë gjer në kaos total. Kurse fajtorë qenkan gjithë të tjerët pos pushtetit, i cili ka ndërruar çdo gjë dhe tani i mbetet që ta ndërrojë edhe popullin, i cili si duket ka filluar mos të dëgjojë.

Popullata, edhe pse gjithçka di, ajo nuk përkushtohet lehtë në rrëzimin e pushtetit nëse nuk është e bindur se e pret fitore. Popullata e di mirë se ndershmëria te ky pushtet është më e vogël se sa te vjedhësit e xhepave. Popullata di për “Aktor”, për “Zagorac”, për “Makedonska banka”, Për “Milionin e Ivonës”, për “banesat partiake” për “ndriçimin rrugor” dhe për afera tjera që edhe Koza Nostra mund t’ua heq kapuçin. Popullata di se paratë për “Shkupin 2014” janë krejt të pastra, pasi janë shpërlarë mirë. Ajo e di se gjatë tetë vite qeverisjeje ky pushtet ka harxhuar 27 miliardë euro, a gjendja jonë është në nivel të turpit botëror. Popullata e ndjen mirë se varfëria na është bërë anëtarë familjar. Ajo e di se borxhi i jashtëm për tetë vite na është dyfishuar, kurse ai i brendshëm mbetet fshehtësi e thellë! Ajo e di se nga shteti janë zhdukë rreth 4,8 miliardë evro (e dhënë nga Instituti amerikan me renome “Adriatic”). Ajo e di mirë për tetë miliardet investime që janë në mjegulla. Të freskëta i janë trikat me gjoja investimet e kompanive “Shishe Xham”, “Svedmilk”, “Veibo Group”, “Sahara Gropup” e vëllaut Subrata dhe së fundit me “Genterm”. Njerëzit dinë mirë për privatizimin e Parlamentit, Qeverisë, administratës, shërbimeve publike, gjyqësisë dhe të gjitha institucioneve tjera. Por, ajo nuk di se çka të bëjë, pasi frikësohet nga normalja. Do persona akoma nuk e kuptojmë se nëse nuk e lufton të keqen nuk je diç më shumë se sa një i vdekur, por akoma i pavarrosur! Sikur janë kapluar nga një smundje kolektive e cila nuk është aq lehtë të shërohet. Por, atë detyrë e kanë të gjithë ata që akoma duken si normalë. Veçanërisht opozita, e cila edhe ashtu mbanë përgjegjësi për atë që nuk e ka penguar një gjë të tillë.

Pra, rol të veçantë këtu ka opozita, e cila ka për obligim që të krijojë atmosferë fitimtare. Çdoherë ka njerëz që vështirë kuptojnë se jo gjithë herë Zoti është në anën e më të fortit. Ai është në anën e së vërtetës, por nëse ka angazhime për të. Në fakt, fuqia e vërtetë është te popullata, te studentët, te honorarxhinjtë, te të papunësuarit, te të shkelurit. Me një strategji të mirë, me një taktikë të detajuar, e me një propagandë profesionale, opozita mund dhe duhet të jetë faktor kyq i ndryshimeve. Fakt është se shefi i tanishëm i opozitës, vite me radhë është dëshmuar si tejet i suksesshmëm, e kjo është premtim për kthesë radikale për dalje nga ky kaos. Në këso terri, Strumica është e vetmja pikë e bardhë në shtet që tregon se nëse diçka dëshirohet me sinqeritet ajo edhe arrihet. Ai madje aspak nuk konsumon kartën etnike, nuk luan me nacionalizëm, edhe pse ajo lojë sjellë prëfitime të mira politike. Ai, si duket do diçka krejtësisht të re, diçka të shëndoshë, të pastruar nga bacilat e këtij pushteti. E jo rastësisht tani i kemi studentët të bashkuar për një të ardhme më të mirë të përbashkët.

Megjithatë, opozita duhet të ndërrojë diçka nga veprimi i saj i gjertanishëm. Asaj i duhet strukturë shumë më profesionale për marrëdhënie me publikun. Pra, tani është momenti kur të gjithë ne duhet të vendosim, se a do të tolerojmë edhe më tej që të na shkelin e nënçmojnë liliputët trupor e mental, apo fuqishëm do t’u kundërvihemi? I sigurt jam se një kundërvënie e fuqishme masovike pushtetit aktual, do të hasë në përkrahje të bashkësisë ndërkombëtare (përkundër dy viteve më parë). Nëse tani nuk e rrëzojmë këtë pushtet, ai edhe më shumë do të na rrëzoj neve. I sigurt jam se jemi shumë afër masës kritike për një gjë të tillë. Të gjitha diktaturat duken të fuqishme, por në fakt ato janë shumë të dobëta. Rrënohen si kulla prej letre. Pushteti qëllimisht aktron kokëfortësi, pasi e di mirë se po të lëshojë pe, në pah do të del pafuqia e tij. Njerëzit do të shihnin se fjala është për një tigër pa dhëmbë. Pra, ai doemos ka nevojë të tregohet i fuqishëm për të mbuluar dobësinë e vet. Ai tenton të ngadhënjejë mbi studentët dhe profesorët, që rrallë dikujt në botë i ka shkuar për dore, pasi kjo fitore do t’ia shtonte jetën. Por, shanset e pushtetit janë të dobëta. Manipulimi me poltrona vetëm se e forcon rezistencën.

Gjer në fund është komike e tragjike që pas tetë vitesh “reformash të suksesshme” në arsimin e lartë, tani të thuhet se asgjë s’bëjka! Po zoti premier, ti mirë e di se sëmundja kryesore për këtë havari qëndron në rend të parë te qeverisja juaj totalisht e partizuar. Kur studentët të shihnin se për punësim e avansim nuk lypet libreza partiake, por dituri, atëherë ajo me automatizëm do të shndërrohej në kualitet. Ju devalvuat dijen. Nga politika juaj tani kemi aq shumë diploma e aq pak dije! Dhe për këtë qenkan fajtorë profesorët e jo sistemi juaj! Falë juve shteti na është mbushë me njerëz të zbrazur. Po të donte pushteti reforma të suksesshme, ai do të ulej të bisedojë me profesorët që para shtatë viteve. Ata më së miri e dinë se çka duhet bërë. Mirë u tha Jellko Kacini – shtetin e keni kthyer kah koha e gurrit. Tani me gurrin tuaj mëshoni kokës suaj. Vet vendosët që të siguroni regjistrim për mbi 90 për qind të maturantëve, gjë e cila po të mos ishte një katastrofë do të ishtë humor i rrallë. Por, para së gjithash duhet të kuptojmë se me këso pushteti nuk bisedohet. Ai rrënohet. Në fakt ai vetëm se është duke shkelur mbi fushë të minuar.

Magazina online INBOX7 jo çdo herë pajtohet me qëndrimet e autorëve të kolumnave. Përgjegjësia për mendimet e shpalosura në këtë rubrikë janë vetëm të autorit

Shkruaj një koment

Koment(e)

bilali@inbox7.mk