Data e sotme
October 22, 2018

Zinxhiri gjyqësor: Pse aktorët e ndryshëm në procedurat penale duhet të bashkëpunojnë

Kur e shohim efektivitetin e gjykatave në një sistem të caktuar ligjor, shpesh harrojmë se numri i dënimeve dhe lirimeve nga akuzat nuk varet vetëm nga gjykatësit­. Ç’mund të themi për cilësinë e provave të mbledhura nga prokuroria? Apo për mënyrën se si policia i ka kryer aktivitetet hetimore? Për më tepër, si do ta vlerësonim një sistem ligjor në të cilin vendimet – e një gjyqësori të themi efikas  – zbatohen dhe ekzekutohen në mënyrë të vakët? Dhënia e drejtësisë, në veçanti në procedurat penale, është një proces ku duhet të bashkëpunojnë aktorë të ndryshëm. Efektiviteti dhe efikasiteti i procedurave penale do të varet mjaft nga mënyra se si zhvillohet ky bashkëpunim. Prandaj është e rëndësishme të kuptohet se aktorët e ndryshëm në faza të ndryshme të procedurës penale  (policia, prokuroria, gjyqësori, institucionet penitenciare, shërbimet e provës dhe Ministria e Drejtësisë) janë të ndërlidhur, duke formuar një zinxhir. Dhënia e drejtësisë kushtëzohet nga bashkëpunimi i të gjithë aktorëve të zinxhirit dhe ashtu si çdo zinxhir, ai është aq i fortë sa edhe hallka më e dobët e tij.

Bashkëpunimi në kuadër të këtij zinxhiri aktivizohet nga një akt kriminal. Nëse në një shtëpi kanë hyrë me dhunë, në polici do të hapet një dosje me një raport penal në bazë të të cilit do të fillojë një hetim policor. Në një pikë të caktuar gjatë hetimit do të përfshihet prokurori dhe varësisht nga sistemi ligjor në fuqi, prokurori mund t’i drejtojë hetimet e policisë. Nëse është identifikuar një i dyshuar, ai do të marrë ndihmë nga një avokat mbrojtës. Pasi hetimi të ketë përfunduar, prokurori mund të vendosë për ta çuar çështjen në gjykatë. Gjatë gjykimit, gjykatësi do t’i vlerësojë provat e mbledhura nga ana e policisë gjatë fazës së hetimit. Situata do të varet shumë nga cilësia e hetimit të kryer. Nëse i pandehuri gjendet fajtor, do të pasojë dënimi dhe sapo ky dënim të bëhet përfundimtar, do të shqiptohet sanksioni penal. Në varësi të vendimit të gjykatës, autori  i veprës penale do të dërgohet në burg, do të paguajë dëmet ose një gjobë, do të bëjë punë në komunitet, ose do të bashkëpunojnë me shërbimin e lirimit me kusht nëse është shqiptuar një dënim i tillë.

Rezultati i çdo faze brenda këtij procesi varet nga bashkëpunimi i dy ose më shumë aktorëve të përfshirë, ndërsa objektivi i përbashkët i të gjithë aktorëve brenda zinxhirit është dhënia e drejtësisë. Nëse aktorët brenda zinxhirit nuk janë të vetëdijshëm për rëndësinë e punës së tyre për të tjerët brenda zinxhirit, kjo mund të rezultojë me humbje të rasteve ose me një proces joefikas dhe të gjatë, në mënyrë të panevojshme. Kjo nuk do të kompromentonte vetëm ofrimin e drejtësisë efektive dhe efikase, por do ta zvogëlojë edhe besimin e qytetarëve në rezultatin e procedurave gjyqësore, duke rezultuar kështu në dobësimin e sundimit të ligjit.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm që duhet konsideruar sa i përket besimit në procedurat gjyqësore është ndryshimi i vlerave të vendosura në shoqëri. Duke pasur parasysh kapacitetet e kufizuara  brenda sistemit të drejtësisë penale, është e pamundur të shpenzohet një kohë e barabartë për të gjitha krimet me të cilat përballet shoqëria. Të marrim një shembull tipik holandez: vjedhja e një biçiklete. Qindra mijëra biçikleta vidhen çdo vit në Holandë. Nëse policia dhe aktorët pasues të zinxhirit do të hetonin për çdo biçikletë deri në masën e plotë të aftësive të tyre, do të pësojë ndjekja penale e krimeve të tjera. Andaj, aktorët në zinxhirin e drejtësisë penale duhet t’i përcaktojnë prioritetet dhe të gjejnë një  baraspeshë mes të gjitha interesave të përfshira, interesave të individit, të shoqërisë dhe të komunitetit ndërkombëtar.

Qeveritë e Malit të Zi dhe të Holandës organizuan një konferencë rajonale dy-ditore më 11 dhe 12 dhjetor në Budva të Malit të Zi, mbi temën e bashkëpunimit në kuadër të zinxhirit gjyqësor. Të gjitha shtetet potenciale për anëtarësim në BE nga Ballkani Perëndimor morën pjesë në këtë konferencë me delegatë nga institucione të ndryshme, pjesë e këtij të ashtuquajturi zinxhir gjyqësor. Tema e këtij viti sillej rreth nevojës për bashkëpunim dhe jo rreth një modeli të veçantë. Konferenca synonte grumbullimin e praktikuesve dhe agjentëve të ndryshimit – të cilët bazuar në përvojën e tyre, mund t’i shkëmbejnë idetë dhe praktikat më të mira me homologët e tyre nga rajoni.

“Iniciativa për organizimin e kësaj konference së bashku me Malin e Zi është një shenjë e njohjes së rëndësisë themelore  që Holanda ia jep sundimit të ligjit,” thotë Onny Jalink, Udhëheqëse e  Njësisë rajonale të sundimit  të ligjit të përbërë nga oficerë të përkushtuar të politikave që punojnë ambasadat e Mbretërisë së Holandës në rajon. “Holanda i ka intensifikuar prioritetet e politikave në fushën  e sundimit të ligjit në rajon; nëpërmjet projekteve të ndryshme të financuara përmes fondit tonë MATRA, por edhe përmes projekteve të binjakëzimit të BE-së, Holanda mbetet e angazhuar në mënyrë aktive në rajon për çështjen. Duke qenë në gjendje t’i analizojmë proceset transformuese në sistemet e veçanta të shteteve të ardhshme anëtare të BE-së, ne besojmë fort se do të jemi të pajisur më mirë për të kontribuar në përpjekjet e bëra nga shtetet e rajonit, drejt kapërcimit të sfidave të ndryshme që lindin si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE”.

Fokusi i rritur i qeverisë holandeze për forcimin e sundimit të ligjit në rajon  e ndjek qasjen e re “Bazat në vend të parë” q­ë është miratuar nga Komisioni Evropian. Dimensioneve të ndryshme të konceptit të gjerë të sundimit të ligjit – të tilla si përmirësimi i efikasitetit, pavarësisë dhe efikasitetit të gjyqësorit, respektimi i të drejtave themelore, lufta kundër korrupsionit – i është dhënë prioritet në procesin e zgjerimit të BE-së. Të grupuara në kapitujt 23 dhe 24 të EU Acquis, këto tema trajtohen në fazat e hershme të procesit të pranimit. Këta kapituj janë ndër të parët për t’u hapur dhe mes atyre për t’u  mbyllur në fund. Në fakt, edhe kur të mbyllen negociatat mbi kapitujt 23 dhe 24, përpjekjet për të forcuar sundimin e ligjit do të vazhdojnë. Një nga qëllimet e konferencës ishte reflektimi mbi faktin se sistemet ligjore janë vazhdimisht në zhvillim dhe në ndryshim, për t’u përshtatur me realitetet e reja dhe avancimin teknologjik. Në mbështetje të kësaj, kjo konferencë rajonale planifikohet të shndërrohet në një  ngjarje të përvitshme, e organizuar çdo vit nga një shtet-anëtar i BE-së së bashku me një shtet-kandidat potencial, duke theksuar tema të ndryshme të konferencës që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Mbretëria e Bashkuar do ta organizojë konferencën e ardhshme vjetore, duke e siguruar kështu vazhdimësinë e nismës në fjalë.

Aleksandar Momirov, Këshilltar i lartë politik, Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Beograd

Cornelie Peeck, Gjykatës penal, Gjykata e Distriktit të Roterdamit, Holandë

Shkruaj një koment

Koment(e)