Data e sotme
June 25, 2019

Pjesëtarët e Plenumit do të protestojnë, bllokojnë dhe bojkotojnë mësimin

Deputetët votonin, kurse studentët protestonin simbolikisht para Parlamentit. Planumi i studentëve paralajmëron okupim dhe bllokim, një luftë jashtë-institucionale, kurse profesorët paralajmërojnë një padëgjueshmëri qytetare dhe bojkot inventiv të mësimit

“Nuk është reformë nëse na largon nga shtëpia” “Kujt i bëni inat?” “Dëgjoni të ardhmen”, “Nëse nuk kryej fakultetin mund të bëhem ministër”, “Kë e përfaqësoni?”, “Autonomi”, ishin disa nga mesazhet e studentët, të cilët së bashku me profesorët dhe bashkëqytetarët e tyre sot okupuan hapësirën para Parlamentit. Tubimi protestues ishte me titullin “Deputetët e vrapojnë rrethin e nderit” si një maratonë simbolike e reformave të Plenumit  të studentëve. Derisa në shtëpinë ligjdhënëse përgatitej seanca e dytë plenare për “votimin” e ndryshimeve në arsimin e lartë, qytetarët e tubuar me duartrokitje të zhurmshme, urime, brohoritjet “UA”, por edhe me bilbila, parulla dhe shirita të kuq maratonikë e shprehnin mospajtimin e tyre me reformat e propozuara. “Le t’i përkrahim maratonistët në garën e tyre të vështirë – se kush i pari do ta shtypë butonin “PËR” ligjin dhe shkatërrimin e arsimit”, thërrisnin studentët derisa nga një altoparlant i madh dëgjohej vazhdimisht “Maqedonia e skllavërisë”.

Këto mesazhe jehonin në kokat e të pranishmëve. Në mesin e tyre kishte nxënës të shkollave të mesme, studentë, pensionistë… U ngritën qindra mesazhe të shkruara me parullën “Jo!”.

Nga Plenumi i studentëve mendojnë se nëse sot kalojnë ndryshimet, qeveria do ta mbajë me duar arsimin e lartë, dhe nuk do të ketë një program mësimor pa bekimin e qeverisë. Ata përkujtuan se secili që shkon në provim do të transmetohet në internet. Dekanët do të shkojnë në burg në qoftë se nuk i respektojnë dispozitat ligjore. Pastaj përkujtuan se do të paguhet për çdo shkuarje në provim për herë të dytë, kurse për çdo shkuarje tjetër në provim do të paguhet nga 200 euro.

Protest-sobranie-studneti-2

“Sot edhe po të jemi 10.000 veta dhe po të mërdhijmë këtu para Kuvendit deri në mbrëmje nuk do të bëjë ndonjë ndryshim për zotërinjtë dhe zonjat brenda kuvendit. Deputetët sot votojnë reformat në arsimin e lartë. Nëse kjo ndodh, ndonjë grup profesorësh, të zgjedhur nga ministri ynë i dashur Ademi, sipas ligjit të ri, do të marrin paga si shtatë paga mesatare në Maqedoni? Për ligjet rreth vonesës me studimet ose regjistrimin e punëve të magjistraturës nuk u pyet asnjë fakultet. Të gjitha letrat dhe thirrjet të cilat i dërguam deri te kompetentët u injoruan. Askush deri më tani nuk e ka kontestuar argumentin tonë se këto ligje në mënyrë të rreptë shkelin Kushtetutën e Maqedonisë. Nëse ligji kalon, qysh nesër mund t’i shpërbëjmë universitetet dhe të marrim diplomë personalisht nga zotëri Ademi, pasi do të na parashtrojë pesë pyetje quizi”, tha përpara audiencës së tubuar Ana Leshovska nga Plenumi i studentëve.

Studentët drejtuan edhe pyetje për ministrin Abdylaqim Ademi dhe Qeverinë – se a duhet studentët të sjellin një librezë partiake në provim, ose, siç thonë ata, vetëm për një intervistë pune? Mendojnë se është e paligjshme të bëhet një i ashtuquajtur debat publik, pasi ligji tashmë ka hyrë në procedurën parlamentare. Theksojnë se nuk është e paarritshme ëndrra që flet për largpamësi dhe demokraci, dhe në qoftë se miratohen ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë, plenumi do të vazhdojë të luftojë me të gjitha masat e mundshme jashtë institucionale.

“E kemi atë të drejtë, ndiejmë një përgjegjësi qytetare për të mbrojtur mendimin e lirë. Autoritetet nuk duhet të jenë absolute, prandaj do të bojkotojmë, bllokojmë dhe okupojmë. Kjo protestë sot është simbolike. Ne e dimë se institucionet, para të cilave qëndrojmë, janë të kalbura. Kam një mesazh për ta – Universiteti është i yni dhe do ta marrim përsëri. Lejoni të lirohet edhe aktivizimi i qytetarëve –  jeta ekziston edhe jashtë partisë”, tha Leshovska nga Plenumi i Studentëve.

Edhe Plenumi i profesorëve pret rezultatin e sotëm parlamentar, por pret të shohë edhe nëse presidenti Gjorgje Ivanov do t’i nënshkruajë ose t’ua vërë veton ndryshimeve, dhe varësisht nga ajo do të marrë një qëndrim dhe do të përqendrohet në të ashtuquajturën padëgjueshmëri qytetare. Kjo do të thotë se do të përpiqen t’i inkurajojmë të gjitha organet zyrtare universitare, dekanate dhe rektorate që përsëri ta konfirmojnë qëndrimin e mëparshëm negativ ndaj ndryshimeve ligjore. Pastaj, në koordinim me komunitetin akademik dhe studentët do të fillojnë një bojkot inventiv të mësimit.

Protest-sobranie-studneti-1

“Unë mendoj se si një grup dhe një profil njerëzish, në njëfarë mënyre nuk është në rregull që ai të manifestohet vetëm si një bojkot të” kategorisë zero”, përkatësisht si një bojkot me pasivitet, joaktivitet dhe zbrazëti. Ai do të jetë një bojkot me aktivitete të ndryshme inovative, por edhe me aktivitete jo më pak dramatike dhe të dukshme. Esenca nuk është që të ngrihet fakulteti, por pikërisht e kundërta – të lulëzojë ai. Të lulëzojë në atë formë që askush nuk e pret. Njëra nga mënyrat është lëvizja e profesorëve dhe studentëve nëpër fakultetet dhe universitetet, përkatësisht braktisja e fakultetit të tyre dhe vizitimi i një fakulteti tjetër. Duke ftuar studentët që merren me artin, format alternative të kulturës dhe të shkencës, të jenë prezentë jashtë fakulteteve të tyre dhe me aktivitetet e tyre ta bllokojnë dhe ta eliminojnë funksionimin klasik stereotip jo inventiv dhe konservativ të fakulteteve si “enë të ndara”, që nuk komunikojnë me njëri-tjetrin”, shpjegon profesori d-r. Nikos Çausidis nga Plenumi i profesorëve.

Ndër të tjera, Çausidis thekson se ka iniciativa që profesorët dhe bashkëpunëtorët e tyre më të rinj të mbajnë ligjërata të hapura. Jo vetëm për ata për të cilët ligjëratat e këtilla janë të parapara me programet mësimore, por edhe para studentëve të katedrave, fakulteteve dhe universiteteve të tjera, dhe madje edhe para profesorëve të tjerë nga disiplina të ndryshme shkencore. Gjithashtu, ka ide për mbajtjen e të ashtuquajturve “duele të profesorëve” – dy profesorë njëri pas tjetrit të mbajnë ligjëratë në të njëjtën temë, njëri përballë tjetrit, madje edhe nëse ata janë kontradiktorë në konceptin e tyre, me mundësi që edhe studentët, përmes konfrontimit dhe debatit të tyre akademik, të krijojnë qëndrimin e tyre personal.

“Me këto dhe shumë veprime të tjera ne synojmë të nxisim dimensionin ndërdisiplinar, çiltërsinë e fakulteteve dhe sidomos çiltërsinë e mendjes dhe të studentëve. Të menduarit e tyre kritik, ndërtimi i qëndrimit personal për përmbajtjet e ligjëratave – aftësitë që në asnjë mënyrë nuk mund të vlerësohen me rrumbullakësimin idiotik të përgjigjeve në testin famëkeq shtetëror. Një tjetër objektiv i yni është përafrimi i profesorëve dhe studentëve, përkohësisht ndërtimi i respektit dhe besimit të ndërsjellë në mes tyre. Një proces që kohët e fundit hyri me të madhe në universitetet tona”, thotë Çausidis, duke theksuar se ky është i vetmi parakusht për eliminimin e tërësishëm të ligjit të ri të propozuar për arsimin e lartë dhe zbatimin e një ligji të ri, për të cilin, siç paralajmëron ai, Plenumi tashmë ka filluar të punojë.

Editor: Stojanka Mitreska