Data e sotme
September 21, 2017

Pëlset diga në Qeveri?

Latest posts by Мерсел Биљали (see all)

Do persona e kishin pyetur filozofin e famshëm grek Aristotelin diçka rreth planetëve. Nuk e di – ishte pëgjigjur ai. E si të paguan mbreti aq shumë kur ti nuk ditke?! – e kishin ngacmuar ata! Mbreti më paguan për atë që di, e jo për atë që s’di. Po të më paguante për atë që s’di, e gjithë arka shtetërore s’do të mjaftonte që të më paguajë – ishte përgjigjur ai. Në fakt ai kishte dashur të thotë se punët e mira kanë kufinj, kurse ato të këqijat jo. Shembull tipik për të jemi ne. Ne shtrenjtë paguajmë njerëz që s’dijnë gjë, madje as që duan të dijnë. Madje dijen e konsiderojnë si diçka që ka lidhje me djallin. Ne jemi rast i rrallë në botë ku udhëheqësit e shtetit, jo vetëm që s’dijnë atë që duhet, por ata nuk dijnë as për etikën, për ndërgjegjen, e aq më pak për përgjegjësinë morale.

Dy vite më parë kryetari i atëhershëm i Gjermanisë Kristijan Vulf pat dhënë dorëheqje pasi qe akuzuar se gjatë kohës kur kishte qenë premier i një province, kishte shfrytëzuar një kredi shtëpiake me kamatë më të ulët se zakonisht edhe pse fjala ishte për bankë private. Prokurori kishte kërkuar heqjen e imunitetit që hetimet të realizohen paanshëm. Vitin që shkoi dy ministresha në Qeverinë japoneze, ajo e Drejtësisë Midori Macushima dhe ajo e Industrisë Juko Obuçi dhanë dorëheqje pasi mediat i kishin përmendur për njëfarë mallverzimi të vogël finansiar. Dy muaj më parë, ministri portugez për punë të Brendëshme Migel Masedo dha dorëheqje, për shkak të kritikave se nuk ka vepruar adekuat në aferën “Vizat e arta”, që kishin të bëjnë me një investitor të huaj.

Edhe në shtetet që deri dje emëroheshin “banana-republika” tani vlejnë do norma elementare të moralit. Kështu, kohë më parë premieri i Haitit – Lorent Lamote dha dorëheqje për shkak të pakënaqësive sociale në vend, të cilat kishin rezultuar me protesta. Ai mori përgjegjësinë mbi vete për atë që s’ka mund të bëjë sa duhet që problemet të ishin pakësuar. Madje edhe te shtetet ku njerëzit jetojnë si nomadë siç është Mali, kohë më parë pat dhënë dorëheqje kryeministri i këtij shteti Musa Mara, i cili pranoi se nuk kishte mund të bëjë diç më shumë në zbutjen e ndasive fetare në vend. Edhe ndër fqinjësinë tonë të afërt kemi shembuj të mirë. Në Mal të Zi, disa muaj më parë dha dorëheqje ministri i Shëndetësisë, pasi në spitalin e Bijelo Poles kishte ndodhur një infekcion masiv, me ç’rast kishte vdekur një foshnjë.

Kemi edhe shumë raste tjera kur qeveritë, kryeministra, ministra apo bartës tjerë të funksioneve publike janë dorëhequr madje edhe për raste që ne i konsiderojmë banale. Por, ndërgjegjia është ajo që i ka shtyrë në të. Funksionarët tanë nuk mund t’i vret ndërgjegjia pasi as që e kanë atë. Për udhëheqësit tanë nuk janë asgjë mega-aferat – “Makedonska banka” “Zagorac” “Aktor” “banesat” “Milionçet” e shumë të tjera. Nuk mba peshë as havaria sociale e ekonomike në vend! Punë e madhe se janë zhduk afro pesë miliardë evro nga shteti! Nuk është problem se borxhi është dyfishuar, a s’kemi ndërtuar asgjë pos kiqit “Shkupi 2014” ku u pastruan para e u nxinë shumë fytyra! Nuk prekin asgjë traumat kolektive, vrasjet e vetëvrasjet! Kurgjë për atë se dështoi regjistrimi! U vodhën vota e u falsifikuan dokumente identifikimi dhe prap askujt kurgjë! Ekzodusi i gjysmë milion të rinjëve jashtë na qenka turizëm! Madje, nuk është ndonjë problem se tri kompani që fitojnë tenderë shumëmilionësh nga pushteti të jenë të regjistruara në shtëpinë e ministrit! Pyesim, se çka duhet të ndodhë më shumë që ndokush nga këto njerëz të mbajë çfarëdo qoftë përgjegjësie?! Duhet të bjerë ndonjë asteroid nga qielli me fajin e tyre! Por, edhe atëherë do ta fajësonin Zotin!?

A nuk është për dorëheqje dhe përgjegjësi ajo që 15 herë të ndryshohen ligjet për arsim të lartë dhe përsëri fajtorë të mbeten profesorët e studentët. Këso nënçmimi as Hitleri nuk u ka bë profesorëve, përkundrazi ai kishte konsideratë ndaj universiteteve. Çka duhet të ndodhë që ata si pushtet të ndjehen fajtorë apo përgjegjës për diçka?! Kaq papërgjegjësi nuk njihet as në Kolumbinë latinoamerikane ku sundojnë narko-kartelet dhe bandat! Edhe në botën e kafshëve ekziston njëfarë instikti për racionalitet, kurse te këta jo! Këtu dashuria ndaj parave të huaja ka prodhuar urrejtje ndaj të gjithë të tjerëve. Çfarë qenie do të kishin qenë këta subjekte që kanë aq moral të shkurtër kurse aq ambicie të gjatë?! Po ta donin arsimin do të mjaftonte vetëm një nen ta ndyshojnë ku do të thonin se – në punë shtetërore do të pranohen e avansohen ato kuadro që kanë mesatare më të lartë. Dhe ja arsimi do të lulëzonte. Përkundrazi, ata e vranë kualitetin. E shkelën dijen e dinjitetin. Kot thonë se pranimi në punë bëhet në mënyrë transparente, kur pranojnë ata që kanë mbajtur transparencë partiake! Kur pllakatet partiake janë shpallur më të vlefshme se sa diplomat e dijes!

Mashtrimet dhe manipulimet tani janë shndërruar në pjesë të jetës dhe kulturës sonë. Tani është mëkat të jesh i ndershëm! Premtuan shumë të mira, kurse realizuan vetëm të këqija. Tani përvojën e vmrovcëve me sukses e kanë mësuar edhe integristët, disa nga të cilët bukur mirë integrohen në krim të organizuar. Mashtruan për kandidatin konsensual që të fitojë ky i tanishmi që funksionin e kryetarit e ka shndërruar në humor të botës. Premtuan njërin nga tri funksionet e s’e fituan asnjërin. Premtuan ndryshime kushtetuese për gjuhën dhe zgjedhjen e kryetarit të shtetit kurse tani bëjnë ndryshime kushtetuese për larje të parave. Premtuan NATO-n për gjashtë muaj, kurse realizojnë stemën me luanin!

Por, çdo gjë ka fundin e vet. Diga ka filluar të pëlset. Së shpejti do të kemi përmbytje. Plasi edhe uniteti i rrejshëm në VMRO. Tani njerëz për rreth liderit koordinohen që kryeministrin ta fusin sa më thellë në gabime, që t’i jep fund politikës para se t’i fundosë të gjithë për rreth. Në BDI kemi gati gjysmën e grupit parlamentar që kërkon ndryshime radikale në parti. Atje ekziston konflikt tani më i hapur në mes anës së korruptuar dhe tjetrës e cila megjithatë ndjen kafshimin e ndërgjegjes. Ngadalë e sigurtë njerëzit sikur çlirohen nga frika. Tani frika shpërngulet te pushteti. Njerëzit sikur e kanë kuptuar se për ta fituar lirinë duhet të luftojnë për të.

Magazina online INBOX7 jo çdo herë pajtohet me qëndrimet e autorëve të kolumnave. Përgjegjësia për mendimet e shpalosura në këtë rubrikë janë vetëm të autorit

Shkruaj një koment

Koment(e)

bilali@inbox7.mk