Data e sotme
November 23, 2017

Demokracia në Maqedoni: propaganda i zë vendin debatit

Në Maqedoni ka mungesë të debatit demokratik dhe të hapur mbi çështjet politike dhe shoqërore. Nuk organizohen debate televizive, të cilat madje janë organizuar në vitet 90-ta, që do të thotë se ballafaqimi i ideve, qëndrimeve dhe pikëpamjeve të ndryshme politike ka qenë më i zhvilluar që në fillet e pluralizmit demokratik, se sa tani. Madje edhe debatet që organizohen në media ose në forume tjera të hapësirës publike janë të njëanshme dhe në to nuk ka konfrontim tezash dhe opinionesh politike.Mungesa e debatit u vërejt edhe gjatë miratimit të ligjeve nga fusha e arsimit.

 

Pse mungon debati?

 

Profesorët, por edhe pjesa më e madhe e studentëve kritikuan Qeverinë Gruevski se ligjet që sipas pushtetit promovojnë reforma në arsim u miratuan pa debat pikërisht me ata që u dedikohen ligjet. Ndërsa kryeministri Nikolla Gruevski u shpreh: “Debat kemi në vazhdimësi. Debat është edhe dalja publike e studentëve, profesorëve, ministrave, zëvendësministrave dhe rektorëve”.

Këto vlerësime mbi mungesën e kulturës së debatit demokratik i kanë edhe gazetarët e medieve të ndryshme, të cilët konsiderojnë se mungesa e debatit pengon zhvillimin e demokracisë në Maqedoni. Kryeredaktori i portalit “Aktuale”, Fami Bajrami vlerëson për Inbox7 se debati në Maqedoni ndodhet në udhë pa krye dhe mungesa e masës kritike, madje rezulton që ky debat në Maqedoni të jetë i varfër qoftë në media apo politikë.

Fami Bajrami

Fami Bajrami

Ky debat mungon edhe në sfera tjera të jetës shoqërore në vend, atë nuk e kemi të zhvilluar sa duhet as në ekonomi, kulturë, arsim, që është poashtu një kauzë në vetvete.  Edhe nëse është dominont ky debat, ai ose do jetë i njënashëm ose do të mungojë përsiatja e balancuar. Kjo e fundit në një shoqëri të sotme me kaq polarizime, rëndë edhe të figurojë si e tillë. Pra, ky debat i bazuar në dy segmentet e kohës sonë, përveç se në politikë, ka gjetur shteg edhe tek mediat, ku përsëri vijnë në shprehje do thoja ‘pretendimet proqeveritare apo opozitare’?!”, thotë Bajrami duke shtuar se “situata aktuale e debatit lexohet nga qielli, pasi sipas tij “individi zgjedh të gjejë veten në media ku i dëshiron zemra, ose të mbrojë atë proviniencë politike të interesit!””.

Ndërkohë gazetari i Televizionit Telma, Bobi Hristov u shpreh se pushteti është përcaktuar për propagandë, e jo për debat.

Bobi Hristov

Bobi Hristov

Pushteti dukshëm edhe më tej konsideron se fushata e saj e vazhdueshme është e mjaftueshme, që ta supstituojë dialogun dhe debatin, veçanërisht në situatën kur strategjitë e tyre të spinimit mund t’i disperzojë në disa televizione nacionale, të cilat i mban nën kontroll të plotë. Pikërisht ky kontroll  mundëson të ngulfaten të gjitha tentimet që të dalin në mejdan të ballafaqimit, përkundër propagandës së ashpër njëkahëshe”, tha Hristov.

 

Mungesa e mediave të pavarura

 

Ndërkohë gazetari Shpëtim Nuredini gjykon se shoqëria vuan fillimisht nga mungesa e mediave të pavarura.

Shpetim Nuredini

Shpetim Nuredini

Nuk është sekret se në Maqedoni nuk ka media të pavarura, të paktën në masën e tolerueshme kur nuk cënohet qëllimi bazë i funksionimit të mediave, siç është informimi i drejtë, i plotë, i paanshëm dhe në kohë. Botërisht dihet se në cilin vend ndodhet Maqedonia në listat që bëjnë organizatat e specializuara për matjen e lirisë së shprehjes. Edhe KE këtë e konstaton qartë. Në Maqedoni ka media të polarizuara. Pjesa dërmuese nën kontroll të pushtetit dhe ca të tjera të afërta me partitë opozitare. Nuk duhet harruar “sojin” e mediave që nuk kanë politikë redaktuese të definuar, por që politika e tyre varet nga mbështetja financiare e subjekteve. Këto media janë të prirura të “reketojnë” zyrtarë, institucione madje edhe parti politike”, konstatoi Nuredini.

Sipas tij me një gjendje të tillë në media nuk mund të pretendohet debat cilësor.

Nëse këtë çështje e ulim në nivel etnik, përkatësisht në nivelin e mediave në gjuhën shqipe, me dy gjysëm televizione, atëherë gjendja është edhe më zi. Për rrahje mendimesh rreth një çështjeje politike, shoqërore, etj fillimisht duhen dy a më shumë palë.Një tjetër arsye që frenon diskutimin e gjerë dhe të hapur për një çështje me rëndësi është edhe përcaktimi i palëve. Shpeshherë edhe palët kundërshtare kanë një emërues të përbashkët, i cili mund t’u diktojë edhe qëndrimet, kur duhet e kur nuk duhet debatuar një çështje e caktuar”, mendon Nuredini.

 

Vonesa historike

Drejt një shoqërie të mbyllur, debatet mungojnë edhe në media

Drejt një shoqërie të mbyllur, debatet mungojnë edhe në media

Gazetari Nuredini komenton se në Maqedoni mungon debati në Kuvend, institucionin më të lartë ku pretendohet të jenë të përfaqësuar të gjithë qytetarët, dhe ku duhet të kuvendohet hapur dhe me kompetencë.

Sipas tij të gjithë jemi vonuar, edhe atë jo vetëm mediat, por edhe institucionet akademike dhe shkencore, inteligjenca dhe shoqëria civile.

Heshtën kur u paraqitën shenjat e para dhe tendenca e pushtetit për të heshtur të gjithë që mendojnë ndyshe. Heshtën për të mbajtur vendin e punës, a për të kaluar një projekt. Tani, pushteti me manjatin e tij mediatik, aktron debat, imponon opinion, zbaton projektet pa iu trembur syri dhe përpiqet të hesht çdokënd që mendon ndryshe dhe që i prish punë. Prandaj them se debat ka, por sipas llojit të këngëve toske, ku zërin e parë, të tjerët e ndjekin me iso”, tha Nuredini.

Ndërsa gazetari Hristov u shpreh se “nuk mund të bëhet krahasim me të kaluarën, sepse ne essence kjo shumë e dhimbshme, sepse gjendje tatëpjetë sikur nuk ka fund”.

Por si do ndryshonte ky mentalitet?

Bajrami theksoi se ky mentalitet mund të ndryshohet vetëm me heqjen e stereotipeve dhe frustracioneve tek “mendjet e politikës”, nëse dëshirohet të kontribuohet për një shoqëri të shëndoshë dhe pa ndasi: “Këtu fjalën kryesore duhet ta ketë përsëri politika, pasi kësisoj do thonim se kemi demokraci, ku secili të thotë fjalën e tij lirshëm, të “protestojë” lirshëm dhe pa ndikime politike”, mendon Bajrami.

Ndërsa Nuredini tha se debati mund të rikthehet me rikthimin e mediave dhe kuadrove të arsimuar dhe me kompetencë.

 

Redaktor: Selim Ibraimi

Shkruaj një koment

Koment(e)

tahiri@inbox7.mk