Data e sotme
December 12, 2019

Dëshmitë e pjesëtarëve të ushtrisë Skorpionët: "Lepeza" është një mashtrim i madh – nuk mora as licencë, as punë!

autor: Stojanka Mitreska

 

Zoran Karadakovski, ish-ushtri i njësisë “Skoprionët”, pretendon se është mashtruar me “Lepeza”, programin e Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë, i mbështetur nga Mbretëria e Norvegjisë, dhe se nuk ka marrë licencën e merituar  për sigurim, edhe pse ka ndjekur ligjëratat në kazermën në Shtip, ku gjendet njëra nga tri qendrat e projektit të Maqedonisë dhe Norvegjisë për rikualifikimin e personelit ushtarak.

Zoran Karadkovski (2)

Zoran Karadakovski

 

Karadakovski para përfundimit të karrierës së tij ushtarake në ARM, thotë se sikurse shumë kolegë të tij kanë qenë në trajnim në kuadër të programit “Lepeza” për të marrë një licencë sigurimi. Për dokumentin (licencën) e lëshuar nga Dhoma e Republikës së Maqedonisë për sigurimin e personave dhe pronës, të cilin e posedon Karadakovski, pohon se ka paguar nga xhepi i tij, në vend se, siç i kanë shpjeguar atij, harxhimet t’i mbulojë donacioni norvegjez. Ish-skorpioni ushtarak kërkon nga përgjegjësit e projektit “Lepeza” t’ia kthejnë paratë për licencën të cilën e ka paguar vetë, kurse Ministria e Mbrojtjes të hetojë se pse nuk është respektuar procedura në rastin e Karadakovskit dhe nuk është vepruar sipas shembullit të ushtarëve të tjerë, të cilëve u kanë paguar për trajnim për licencat e sigurimit, për patentat e shoferit, për gjuhët e huaja …..

Nga Lepeza” nuk mora asgjë. Kam qenë në ligjëratat në kazermën në Shtip, më premtuan se do të vazhdoj të punoj në Armatë, por gjithçka ishte për kot. Kërkoj të m’i kthejnë paratë që i kam dhënë. Për licencën kam paguar 26.000 denarë “, tha Karadakovski, ish-skorpioni i armatës, i cili tani punon në Agjencinë e sigurimit të personave dhe pronës “Nikob” në Shkup.

Zoran Karadkovski (4)

“Lepeza” është një program i Ministrisë së Mbrojtjes (MM) për rikualifikim të personelit ushtarak, i mbështetur financiarisht dhe profesionalisht nga Mbretëria e Norvegjisë. MO-ja me ndihmën dhe mbështetjen norvegjeze tashmë tetë vjet, që nga koha kur sektorin e mbrojtjes e udhëhoqi Llaze Elenovski, zbaton tranzicionin e pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë, të cilët pas skadimit të kontratave janë të detyruar të largohen nga armata dhe të fillojnë një karrierë të re si persona civilë. Trajnimi zhvillohet në tri qendra në Maqedoni – Shkup, Kërçovë dhe Shtip.

Ushtari Karadakovski pretendon se ka qenë në trajnim në kohën kur “Lepeza” është prezantuar në opinion si një projekt me të cilin Ministria e Mbrojtjes tregon një përkujdesje të plotë për ushtarët të cilët në moshën 35 vjeçare kanë qenë të detyruar ta lëshojnë shërbimin e ARM-së. Më vonë u bënë ndryshime në Ligjin për Shërbimin Ushtarak me të cilat ushtarët janë lejuar të qëndrojnë në punë deri në moshën 38 vjeçare, kurse nga viti 2012 kufiri i moshës për personelin profesional ushtarak është 45 vjet. Karadakovski, pas të gjitha sukseseve të arritura në disiplinën e atletikës, pas të gjitha trofeve të fituara në garat në të cilat ka marrë pjesë si përfaqësues i Armatës, e ka lëshuar shërbimin në moshën 35 vjeçare, një javë para se të bëheshin ndryshimet në Ligjin për Shërbimin Ushtarak me të cilat vazhdohet afati i ushtarëve deri në moshën 38 vjeçare. Në disa muajt e fundit para skadimit të kontratës së punës, ushtari vazhdimisht ka marrë bindje dhe garanci nga oficerët ushtarakë dhe siç thotë, shpresa të rrejshme, se do të mbetet në punë, se do t’ia vazhdojnë kontratën, se nuk do të harrojnë çfarë ka bërë Karadakovski për ARM-në:

Zoran Karadkovski (5)

Kam një certifikatë për ABHO, për shkak të së cilës më premtonin se do të fitoj gradën e rreshterit, por më kanë mashtruar edhe për këtë gjë. Kam shkuar në gara të atletikës (vrapim) dhe kam përfaqësuar ARM-në në shumë gara, kam marrë diploma, trofe, medalje, të cilat mbetën në kazermën për të dëshmuar se çfarë kam bërë unë për Armatën“, thotë Karadakovski, të cilit oficerët nuk kanë arritur t’ia paguajnë as licencën që i takon për shkak të vendimit të tij për t’u kthyer në jetën civile përmes programit “Lepeza”.

Megjithatë, ky ish-ushtar thotë se zhgënjimin më të madh, përveç në “Lepeza”, e ka përjetuar kur ka qenë i penguar për të marrë pjesë në një sfidë të madhe sportive jashtë Maqedonisë, për të cilën ngjarje është përgatitur shumë:

Përgatitesha për të shkuar në maratonë jashtë vendit në 21 km dhe 42 km si përfaqësues i ARM-së. Por, në ekzaminimet mjekësore gjoja doli se më kanë gjetur ndonjë tumor, kurse pastaj një muaj më vonë më lëshuan nga puna me arsyetim se jam 35 vjeçar. Më vonë asnjë ekzaminim mjekësor nuk e ka konfirmuar diagnozën që më kanë thënë. Dhe jo vetëm kaq, kisha 15 ditë të lira dhe plus pushimin vjetor dhe nëse donin të më jepnin të paktën një javë nga ditët e lira, unë do të kthehesha përsëri në punë, sepse një javë pasi më shkarkuan nga puna i sollën ndryshimet në Ligjin për Shërbimin Ushtarak me të cilin mund të qëndronte në punë deri në moshën 38 vjeçare. Më përzunë pikërisht në ditën e fundit të skadimit të kontratës. Kjo nuk i ka ndodhur askujt, edhe pse paraprakisht tre muaj më parë parashtronim kërkesë për të vazhduar kontratën“, kujtohet Karadakovski dhe flet me hidhërim për padrejtësitë në vendin e punës, për të cilat, siç pretendon ai ka qenë dëshmitar, duke marrë parasysh se një kohë më të gjatë ka punuar në zyrë, si evidentues çete, nën komandën e batalionit të dytë:

Ne kemi punuar punë sekrete. Kolegët të cilët u shkarkuan nga ARM-ja dhe nuk kishin asnjë gradë, brenda natës i kthenin mbrapa, ua jepnin gradën rreshter dhe i punësonin në policinë kufitare. Ministria e Punëve të Brendshme ka një marrëdhënie më të mirë dhe më fer ndaj të punësuarve në krahasim me ARM-në dhe për këtë arsye unë do të doja të punoja në polici“, thotë Karadakovski, i cili edhe pas lëshimit të ARM-së u detyrua të kërkojë drejtësinë përmes një kontesti gjyqësor:

Nuk m’i paguan as ditët e lira, as pushimin vjetor, kështu që u detyrova të padisë që të ma paguajnë të paktën pushimin vjetor. Ditët e lira ua fala. Për shkak të mënyrës në të cilën vepruan me mua, do të doja të harroja atë periudhë. Por, padrejtësinë nuk mund ta duroj“, shton Karadakovski me shpresë se megjithatë ndoshta “Lepeza” do ta korrigjojë padrejtësinë e bërë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ushtari profesional Zoran Karadakovski në periudhën kur e ka parashtruar kërkesën për të qenë pjesë e programit “Lepeza” u mbyll Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Republikën e Maqedonisë dhe për këtë arsye teksti përfundimtar dhe marrëveshja për bashkëpunim janë harmonizuar në gjysmën e dytë të vitit 2013, kurse Marrëveshja u nënshkrua në janar të vitit 2014 në kohën e ish-ministrit të Mbrojtjes Talat Xhaferi.

Jua transferojmë përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes tërësisht:

Ish-ushtari profesional Zoran Karadakovski i është ndërprerë marrëdhënia e punës më datë 06.06.2007, ndërsa ai ka parashtruar kërkesë për përfshirje në Programin LEPEZA më 17.09.2012, përkatësisht pesë vite dhe tre muaj pas përfundimit të shërbimit në Armatë.

Në fund të vitit 2007, të gjithë ish-ushtarët profesionalë, duke përfshirë edhe Zoran Karadakovskin, u informuan për mundësitë e përfshirjes në programin LEPEZA, kurse në program u përfshinë 17 ish-ushtarë profesionalë. Sepse përfshirja në Program është e drejtë dhe përcaktim personal i çdo individi, Karadakovski atëherë ka vendosur të mos përfshihet në Program.

Zoran Karadakovski pas më shumë se 5 vjet, përkatësisht më 17.09.2012 ka parashtruar kërkesë për përfshirje në Program. Komisioni i Ministrisë së Mbrojtjes ka shqyrtuar dhe ka miratuar kërkesën e tij për trajnim profesional, për të marrë një licencë për sigurimin e personave dhe pronës, në përputhje me nenin 46 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shërbimin Ushtarak nga data 24.02.2014.

Për shkak të mbylljes së Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë në Republikën e Maqedonisë, teksti përfundimtar dhe Marrëveshja për Bashkëpunim me Mbretërinë e Norvegjisë, me të cilën janë siguruar mjete financiare për realizimin e aktiviteteve, janë harmonizuar në gjysmën e dytë të vitit 2013, ndërsa Marrëveshja u nënshkrua në janar të vitit 2014.

Me ndryshimet e Ligjit për Shërbimin Ushtarak nga data 06.02.2014, ish-ushtarëve profesionalë, të cilëve u është ndërprerë marrëdhënia e punës për shkak të plotësimit të moshës 35 vjeçare, përkatësisht 38 vjeçare dhe të cilët nuk kanë qenë të punësuar më 31.12.2013, Qeveria e Republikës së Maqedonisë u siguron atyre punësim në institucionet shtetërore. Sepse Zoran Karadakovski në përputhje me të dhënat e Agjencisë për punësim të Republikës së Maqedonisë nuk kishte statusin e një personi të papunësuar më 31.12.2013, nuk kishte asnjë mundësi ligjore për punësimin e tij në një institucion shtetëror, në përputhje me dispozitat e ligjit në fjalë. Sepse qëllimi i programit LEPEZA është sigurimi i ndihmës dhe mbështetjes për punësim në strukturat civile, kurse Karadakovski në ndërkohë tashmë është i punësuar, nuk ka mundësi ligjore për përdorimin e mëtejshëm të programit LEPEZA nga ana e tij.”

“Lepeza” është tregim i mirë, por unë megjithatë do të shkoj jashtë vendit

Për projektin “Lepeza”, shikuar nëpër prizmin e përvojës së inxhinierëve dhe profesionistëve të shkarkuar, me stazh në misionet paqeruajtëse (sidomos në Afganistan), ushtarëve të cilët kanë punuar në logjistikë, lidhje mund të dëgjohen komente kontradiktore:

Lepeza” më ka mësuar se si të mendoj për biznes, si të fitoj para, e jo vetëm të pres rrogë. Për një kohë të gjatë përgatitesha psikikisht për karrierën time të ardhshme, sepse kam qenë i vetëdijshëm se pas skadimit të kontratës, do të duhet të largohem nga ARM-ja, edhe pse ende jam i ri dhe mund të punoj. “Lepeza” ishte një eksperiencë e bukur, por tani kur duhet të bëhen hapa konkretë, gjërat shkojnë ngadalë dhe vështirë. Do të filloj një biznes privat, por nuk e di se ku do të arrij, duke pasur parasysh situatën në vend. Ndoshta do të shkoj jashtë vendit për një jetë më të mirë”, thotë një nga kursistët e programit “Lepeza”.

Planifikoje të ardhmen, në vend që të përpiqesh ta ndryshosh të kaluarën“, me këtë moto, të vendosur në ballinën e doracakut të tranzicionit “Zgjidh karrierën e dytë”, të dedikuar për personelin në tranzicion, “Lepeza” duke ndjekur shembujt e përvojave të huaja, përpiqet për ta hyrë personelin ushtarak në një jetë të re profesionale. Megjithatë, një pjesë e ushtarëve të ballafaquar me përvoja të hidhura, vetë vendosin të zgjedhin rrugën e tyre profesionale.

Zoran Angellovski, një ish-ushtar i togut ushtarak VING thotë se “Lepeza” është një lavatriçe parash – e kanë krijuar për të gjetur punë për rreshterët dhe oficerët“. Angellovski, siç kujtohet, pasi është bindur se “Lepeza” është një kurth për humbjen e kohës në institucion të cilit i ka shërbyer më shumë se 10 vjet, ka nxjerrë një pasaportë bullgare dhe ka vendosur për ta shfrytëzuar patentën e shoferit në kërkim të jetesës më të mirë jashtë Maqedonisë. Si një shofer kamioni, Angellovski tani jeton dhe banon në Düsseldorf, së bashku me familjen.

Ushtarët profesionalë me të cilët kemi biseduar, e të cilët përmes projektit për rikualifikim e kanë përfunduar karrierë e tyre ushtarake, pajtohen në një gjë – se “Lepeza” është një tregim i menduar mirë, me të cilin personelit ushtarak në përgatitje për jetën civile i dërgohet mesazh se shteti nuk është njerkë, por atdhe i cili kujdeset për ushtarët e tij dhe nuk do t’i lërë ata në rrugë. Ata thonë se projekti është i nevojshëm dhe i dobishëm, por kanë vërejtje për zbatimin e tij.

Aksioni “Armët e armatës”, sabotim i projektit “Lepeza”

Projekti “Lepeza” është një element i planifikuar dhe i realizuar i nënsistemit të mbrojtjes, i quajtur Menaxhimi i resurseve njerëzore. Në fazën e transformimit të ARM-së, si pjesë e segmentit të resurseve njerëzore, është vlerësuar se struktura e moshës së përbërjes së përhershme të armatës dhe gjendja numërore nuk korrespondojnë me gjendjen e planifikuar dhe të nevojshme, në përputhje me objektivat e Partneritetit të NATO-s. Për të ndihmuar personelin ushtarak për t’u përshtatur më lehtë në jetën civile, dhe duke marrë si bazë modelin amerikan, në vitin 2005 është propozuar programi “Lepeza”, kurse në vitin 2006 filloi të zbatohet projekti si pjesë e planit të Ministrisë së Mbrojtjes. Është menduar që struktura financiare e projektit të jetë pjesë e buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, kurse një pjesë nga donatorët (vendas dhe të huaj). Hapja e qendrës së projektit “Lepeza” në Shkup ndodhi më 14 dhjetor 2006, në mesditë, në kazermën Goce Dellçev në komunën Aerodrom, para gjithë korit të oficerëve të Shtatmadhorisë dhe para personelit kryesor të Ministrisë së Mbrojtjes.

Sofe

majori Goran Sofeski

 

Pikërisht ajo ditë në orët e pasdites MPB-ja bëri një sërë arrestimesh të oficerëve dhe të nëpunësve me aksionin “Armët e armatës” me çfarë e sabotoi projektin “Lepeza”. Ekzistenca e mëtejshme e projektit Lepeza në kushtet e reja të krijuara me vendimin e Llaze Elenovskit si Ministër i Mbrojtjes ka marrë një rol kriminogjen, pa debat dhe diskutim për qëllimin e projektit Lepeza. Kori i nënoficerëve e humbi besimin në sinqeritetin e projektit në të cilin i përfshinë edhe ushtarët profesionalë, si pjesë e programit“, thotë majori Goran Sofeski, i cili është duke e pritur thirrjen nga projekti “Lepeza”, duke pasur parasysh se deri në fillim të karrierës së tij civile i mbeten vetëm edhe disa muaj.

Unë nuk e di pse, por ende nuk kam thirrje nga “Lepeza”. Është e zakonshme që personelin në tranzicion ta kontaktojnë disa muaj para skadimit të afatit për të dalë në pension“,  habitet Sofeski.

Ushtarët profesionalë, siç thotë Sofeski, janë një resurs i mbrojtjes që nuk i nënshtrohet pjesës normative të projektit “Lepeza” në atë fazë, sepse kontratat e tyre të punës në pjesën e obligimeve të punëdhënësit nuk kanë një shkallë të paraparë për përkujdese të MM-së pas skadimit të kontratës.

Situata e re e krijuar, sidomos pas vitit 2008, kur u bë e qartë se Republika e Maqedonisë nuk do të jetë pjesë e NATO-s, në vend se të shfuqizohet programi “Lepeza” ose të rivlerësohet efekti i tij, u vendos që ai të bëhet pjesë e sektorit për menaxhimin e resurseve njerëzore si departament, kurse qendra në Shtip dhe Kërçovë të fitojë nga një këshilltar. Dualiteti në qartësinë e projektit edhe sot krijon baza reale për abuzimin e personelit të MM-së, i cili ka pozitë udhëheqëse. Kështu, sot në sistematizimin e MM-së, projekti “Lepeza” nuk është më projekt, por departament për tranzicion i cili ka qendra për tranzicion, diçka që është jashtë mënyrës së përcaktuar dhe të zakonshme të përshkrimit të elementeve të sistemit të mbrojtjes”, thotë majori Sofeski.

Pasqyra e skemës së skematizimit në Sektorin e resurseve njerëzore

Shema

Ministria e Mbrojtjes në pyetjen tonë se nëse në Marrëveshjen e bashkëpunimit është paraparë që në procesin e kthimit të personelit ushtarak në jetën civile të përfshihen edhe ushtarët profesionalë, thekson se në bazë të kësaj, 225 ish-ushtarë profesionalë i kanë shfrytëzuar beneficionet që u janë siguruar përmes Programit LEPEZA (orientimi profesional për karrierën e dytë, trajnimi profesional për profesione civile dhe ndihmë dhe mbështetje për punësim).

Me Programin e vetëpunësimit (grant në vlerë prej 3500 euro), Programi i punësimit te një punëdhënës i njohur, Programi i trajnimit për punësim nga Plani operativ për Punësimin i Qeverisë së RM-së, i zbatuar përmes Agjencisë për punësim, një numër i madh i ushtarëve profesionalë vazhduan me karrierën e dytë pas ndërprerjes së shërbimit në ARM“, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.

Majori Sofeski e përmendi si problem edhe atë që në buxhetin prej vitit 2009 deri në vitin 2014 “Lepeza” nuk përmendet në asnjë formë, pavarësisht faktit se është një segment i cili për të funksionuar duhet të ketë llogarinë e vet.
Nga njëra anë “Lepeza” nuk ka një formë të veçantë në sistemin e Ministrisë së Mbrojtjes, kurse nga ana tjetër, ajo ka pjesën e saj në Planin e zhvillimit të mbrojtjes (2011-2020) 6.3.3.1.5.:

Në tre vitet e ardhshme Programi “Lepeza” do të vazhdojë të zhvillohet dhe të përmirësohet me qëllim që të sigurohet një mbështetje më të madhe për personelin ushtarak që kthehet në jetën civile.” (Burimi: Plani afatgjatë i zhvillimit të mbrojtjes 2011-2020).

Është e rëndësishme të theksohet se përfshirja e programit “Lepeza” në planin afatgjatë zgjerohet nga ideja fillestare, sepse sipas Ligjit për Shërbimin Ushtarak (Gazeta zyrtare e RM-së nr. 77/12) personeli ushtarak nënkupton:
1. Personeli ushtarak në aspektin e këtij ligji, është:
a) personeli ushtarak aktiv
– oficer ushtarak – oficer dhe nënoficer
– ushtar profesional;
b) personeli ushtarak në trajnim profesional
– ushtari i cili vullnetarisht kryen shërbimin,
– personi i cili është në trajnim profesional dhe përmirësim për t’u bërë oficer, përkatësisht nënoficer dhe
– kadet në Akademinë Ushtarake dhe
c) personeli rezervë aktiv
– personi i ushtrisë rezerve të Armatës që është vendosur në detyrë në përputhje me aktin e formacionit të Armatës.
2. Personeli civil, në aspektin e këtij ligji, është:
– personi civil që është vendosur në detyrë në përputhje me aktin e formacionit të Armatës.

Ose nëse duam të jemi maliciozë do të themi se edhe ushtarët të cilët shërbejnë afatin ushtarak tre muaj do të duhet të jenë pjesë e projektit “Lepeza”, që është jashtë çdo logjike dhe mendimit të shëndoshë“,  komenton majori para daljes në pension.

Çfarë thotë MM-ja?: Trajnimet për 421 persona, buxheti “top sekret”

Gjithsej 421 persona (ish-pjesëtarë të ARM-së – oficerë, nënoficerë dhe ushtarë profesionalë, të cilët kanë përmbushur kushtet ligjore) i kanë shfrytëzuar beneficionet të cilat ua ka siguruar Ministria e Mbrojtjes. Siç theksojnë në ministrinë përkatëse, në këtë shifër janë përfshirë personat e periudhës së deritanishme të funksionimit të programit “Lepeza”. Kjo do të thotë se në fund të vitit 2006 fillon realizimi praktik i programit “Lepeza”, të miratuar në vitin 2005 si pjesë e Strategjisë për menaxhim me resurset njerëzore në Ministrinë e Mbrojtjes.

Edhe pse nuk bëhet fjalë për një informatë që do të jetë nën mbrojtje të ashtuquajturit “konfidencial”, e as për një dokument të klasifikuar, Ministria e Mbrojtjes nuk iu përgjigj pyetjes sonë rreth buxhetit, përkatësisht se sa para janë fituar deri tani si donacion nga Mbretëria e Norvegjisë për projektin “Lepeza”.

Përndryshe, ky program, siç informon MM-ja, ushtarëve profesionalë u ofroi një gamë të gjerë të trajnimeve të mundshme për profesionet civile:
Gjithsej 225 ushtarë kanë marrë pjesë në trajnimet profesionale për profesionet civile. Interesi më i madh në mes të ushtarëve profesionalë ishte për trajnimet e sferës së profesionit shofer (shoferë profesionalë të mjeteve të transportit dhe autobusëve me marrjen e certifikatës për transportin ndërkombëtar), për trajnimin për marrjen e licencës për sigurimin e personave dhe pronës, trajnimin për zejtarë, trajnimin e informatikës, trajnimin për gjuhët e huaja, si dhe për trajnimin për fillimin dhe udhëheqjen e biznesit të vet. Ish-ushtarët profesionalë kishin mundësi për t’i shfrytëzuar edhe trajnimet e ofruara përmes Agjencisë për punësim, si dhe masat për punësim dhe vetëpunësim“.

Ministria e Mbrojtjes po ashtu thekson se ushtarët profesionalë kanë aftësi të jashtëzakonshme të punës dhe morale, si dhe një gamë të gjerë të njohurive, aftësive dhe shkathtësive që janë të transferueshme në profesionet civile.

Theksojmë se objektivi kryesor i programit “Lepeza” është përgatitja dhe sigurimi i ndihmës dhe mbështetjes cilësore për personat e tranzicionit (oficerë, nënoficerë, ushtarë profesionalë dhe personeli civil që shërbejnë në Armatë) të cilëve u përfundon shërbimi në Armatë, për t’u kthyer në jetën civile, dhënia e njohurive të përgjithshme dhe specifike në një nivel të lartë, aftësitë dhe kualifikimet, si dhe ndihma dhe mbështetja për punësim në sektorin civil, përkatësisht fillimi i karrierës së dytë në strukturat civile”, shpjegojnë në MM-në me detaje se në periudhën 2006-2009, objektivi kryesor i programit “Lepeza” ka qenë që të jepte një mbështetje për transformimin e Armatës dhe për procesin e reduktimit të personelit ushtarak. Në atë periudhë, programi ka funksionuar mbi parimet e programit-projekt, nga i cili dalin më shumë projekte, kurse ishte financuar nga Mbretëria e Norvegjisë.

Është vendosur një strukturë e veçantë organizative në Sektorin e resurseve njerëzore të Ministrisë së Mbrojtjes, në përbërjen e të cilit funksionojnë tri qendra të tranzicionit (në Shkup, në Shtip dhe në Kërçovë). Nëpër më shumë lloje të trajnimeve, të punësuarit  janë aftësuar për të kryer detyrat e procesit të përgatitjes për kthim në jetën civile”, thonë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Me Ligjin për shërbimin ushtarak të vitit 2010, përgatitja për t’u kthyer në jetën civile është bërë një funksion i përhershëm i menaxhimit me resurset njerëzore në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në ARM. Me Ligjin për shërbimin ushtarak është definuar pakoja për kthim në jetën civile, e cila përfshin: këshillim për t’u ballafaquar me ndryshimet dhe zgjedhja e karrierës së dytë në strukturat civile, trajnim profesional për profesionet civile dhe këshillim dhe mbështetje për përdorimin e programeve dhe projekteve të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për punësim apo vetë-punësim.

Në pyetjen tonë për realizimin e projektit ose për tërheqjen e tij eventual, Ministria e Mbrojtjes thekson se projekti vazhdon të jetë “një mundësi e shkëlqyeshme për përgatitjen e oficerëve, nënoficerëve dhe personelit civil për kthim në jetën civile, të cilëve u ndërpret shërbimi në ARM, për shkak të reformave strukturore ose humbjes së aftësisë shëndetësore dhe fizike”.

(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”).