Data e sotme
December 12, 2019

Koalicioni fiton, VMRO s’merr absoluten

Nëse përsëritet rezultati i zgjedhjeve presidenciale në zgjedhjet parlamentare, fitues do të jenë partitë në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI. Simulimi i mandateve, i bërë në mënyrë aproksimative nga analistët nuk e nxjerr VMRO-DPMNE-në fitues absolut, përkatësisht nuk parashikojnë fitore të saj prej 62 deputetësh

Rezultati i raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale nëse përsëritet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 27 prillit, nxjerr fitues dy subjektet politike qeveritare: VMRO-DPMNE dhe Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI).

Pavarësisht se në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale BDI-ja nuk mori pjesë, nga kjo parti, bojkotin e zgjedhjeve nga votuesit e kanë vlerësuar si respektim i vendimit të saj për të kërkuar president konsensual.

Pas rezultatit të dobët të kandidatit presidencial të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH),Iljaz Halimi, media raportoi për mundësinë e bojkotit të zgjedhjeve parlamentare nga kjo parti, për shkak të trysnive nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

Por, pavarësisht se kjo parti u shpreh se për shkak të mungesës së demokracisë, qytetarët shqiptarë nuk kanë mundur të shprehin lirshëm vullnetin politik, vetë lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi ka mohuar bojkotin e zgjedhjeve parlamentare. Në disa vendvotime kandidati presidencial i PDSH-së ka fituar vetëm nga 20 vota, rezultat ky që nëse përsëritet në zgjedhjet parlamentare, kësaj partie i siguron rezultat të dobët zgjedhor.

 

Projeksione të ndryshme partiake

 

Në bllokun maqedonas VMRO-DPMNE-ja, si parti në pushtet ka shënuar një fitore të jashtëzakonshme, madje e papritur edhe për vetë krerët e kësaj partie. Nga VMRO-DPMNE kanë theksuar se fitorja është rezultat i projekteve të realizuara dhe të atyre që po realizohen në vazhdimësi. VMRO-DPMNE pret që suksesin e njëjtë ta përsëris edhe në 27 prill dhe me këtë të shënojë fitore bindëse në zgjedhjet e dyfishta.

Epërsia e VMRO-DPMNE-së prej 120 mijë votash ndaj opozitës maqedonase, ka shtuar edhe më shumë ‘oreksin’ e kësaj partie që t’i kërkojë elektoratit  maqedonas 62 deputetë.

Me shumicën parlamentare prej 62 deputetëve, nuk do të mund të kushtëzohemi apo shantazhohemi nga BDI-ja”, ka thënë kryeministri Nikolla Gruevski.

LSDM-ja opozitare, e cila ka shënuar rezultat të dobët zgjedhor, shkakun e disfatës nuk e ka kërkuar në radhët e veta.Humbjen e ka arsyetuar me presionin e vazhdueshëm që bëri pushteti ndaj zgjedhësve. Opozita mendon se qytetarët kanë frikë se nëse nuk votojnë për VMRO-DPMNE-në mund të kenë pasoja të ndryshme, ndërsa ndër shkaqet numërohen si partizimi i institucioneve të shtetit si dhe kontrolli ndaj mediave.

Por, pavarësisht kësaj LSDM-ja vlerëson se beteja nuk është e humbur dhe rezultat më të mirë kjo parti do të kërkojë në raundin e dytë.

 

Zgjedhje, rejting dhe rezultate

 

Analisti politik, Zhidas Daskallovski nga Qendra për Hulumtimin dhe Krijimin e Politikave (QHKP)Shkup shprehet për INBOX7 se rezultati i arritur në zgjedhjet presidenciale, në disa njësi zgjedhore mund të ndikojë pozitivisht ndaj rezultatit të partive politike në ato parlamentare.

Rejtingu i partive është ai që do të ndikojë ndaj rezultatit të kandidatëve për president”, tha Daskallovski.

Kështu rezultatet e Stevo Pendarovskit në raundin e parë, flasin se ai ka besueshmëri më të lartë se sa partia e tij-Lidhja Socialdemokrate(LSDM).

Ky rezultat evidentohet nëse krahasohet rezultati i tij me atë të partisë së tij në zgjedhjet vendore, edhe atë në njësinë zgjedhore 1, 2 dhe sidomos në njësinë zgjedhore 3 dhe 6. Ndërsa në njësinë numër 4 dhe 5 besueshmëria e Pendarovskit me atë partiake nuk dallon shumë”, tha Daskallovski.

Ndërsa edhe kandidati i VMRO-DPMNE-së për president, Gjorge Ivanov ka besueshmëri të njëjtë me atë të partisë.

Në njësinë e parë zgjedhore Ivanov ka rezultat pak më të dobët se sa besueshmëria e partisë, në dysh ka rezultat më të mirë, në tresh 6 mijë më pak se VMRO-DPMNE-ja, në njësinë e katërt ka rezultat shumë më të dobët se sa partia e tij, në njësinë 5 dhe 6 rezultati është i përfaërt me atë partiak”, theksoi Daskallovski.

zhidas daskalovski

Parashikimi i Daskallovskit:

VMRO-DPMNE-57 deputetë

LSDM-37 deputetë

BDI-17 deputetë

PDSH-6 deputetë

GROM-1-deputet

RDK-2 deputetë 

Ndërsa profesori universitar dhe analisti politik, Mersel Bilalli  për INBOX7 deklaroi se akoma ka mundësi për ndryshimin e raporteve në raundin e dytë zgjedhor. Ai shtoi se faktori shqiptar nuk e shfrytëzoi shansin për të dëshmuar potencialin e tij politik.

Subjekti politik shqiptar për herë të parë kishte rastin t’i japë grusht të fortë nacionalizmit të Gruevskit, por si duket pak na u duk që 8 vite ishim peng i tij”, tha Bilalli.

Lufta për mekanizma kushtetuese nuk ndryshon gjë, përderisa vetë partitë shqiptare kanë lëshuar pe kur ka qenë në pyetje ulja e pragut zgjedhor prej 50 40 % ”, specifikoi Bilalli.

mersel bilali

Parashikimi i Bilallit

VMRO-DPMNE-60 deputetë

LSDM-38 deputetë

BDI-18 deputetë

PDSH-5 deputetë

RDK- 1 ose 2 deputetë

 

Analistët Daskallovski dhe Bilalli parashikojnë se rezultati i zgjedhjeve presidenciale nëse konvertohet në mandate deputetësh në zgjedhjet parlamentare të 27 prillit, VMRO-DPMNE dhe BDI do të shënojnë fitore bindëse.

Megjithatë simulimi i mandateve, i bërë në mënyrë aproksimative nga dy analistët nuk e nxjerr VMRO-DPMNE-në fitues absolut, përkatësisht nuk parashikojnë fitore të saj prej 62 deputetësh.

Partitë politike maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM presin rezultat më të mirë se sa ai i zgjedhjeve presidenciale, BDI pret të konfirmojë besimin që sipas saj, shqiptarët i dhanë me bojkotin presidencial, ndërsa PDSH në votimet parlamentare pret trefishimin e votave të saj.

Redaktor: Selim Ibraimi

tahiri@inbox7.mk