Data e sotme
September 21, 2017

Reagimi qytetar dhe prioritetet: për çka duhet të protestohet?

Protesta kundër ndotjes së ajrit, kundër taksës 35% të honorarëve, kundër ligjeve dhe reformave në arsim, për kushtet dhe mbrojtjet e mjekëve e shumë të tjera paralajmërohen çdo ditë e më shumë në Maqedoni. Qytetarët e pakënaqur nga gjendja e shprehin revoltën e tyre me anë të protestave,por kur vjen puna për pjesëmarrje në protesta  shumica e qytetarëve nuk marrin pjesë mjaftueshëm nëpër këto aktivitete.

Një fenomen tjetër që është shumë prezent tek qytetarët e Maqedonisë është gatishmëria e shumë qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në protesta që organizohen në përkrahje të qytetarëve nga Turqia, Kosova, Shqipëria apo dhe për vendet e Lindjes së Mesme.

Shpesh herë kemi qenë dëshmitarë për protestat që janë organizuar në Shkup në mbrojte të ngjarjeve të Erdoganit në Turqi, Mursit në Egjipt dhe së fundi janë paralajmëruar protesta në mbështetje të ngjarjeve të fundit në Kosovë. Po përse shumë qytetarë të Maqedonisë shprehin gatishmëri të protestojnë për gjërat që ndodhin jashtë vendit të tyre dhe anashkalojnë problemet në vendin e tyre? A është fakti që shumë qytetarë kanë humbur besimin në ndryshimin e vendimeve dhe janë të bindur se sado që të protestojnë asgjë nuk do të ndryshojë? Apo shumë të tillë dhe pse jetojnë dhe veprojnë në Maqedoni thjesht nuk ndjehen pjesë e këtij vendi dhe kanë frikë?

Për këtë çështje Valbona Reka themeluese dhe ideatore e faqes “Duam Çair të pastër”Facebook për Inbox7 thotë që është brengosëse fakti që popullata në Maqedoni është shumë indiferente ndaj çështjeve të cilat janë jetësore për ne dhe shprehin më shumë interesim për ngjarjet që ndodhin jashtë kufijve tonë.

 

Të përqendrohemi në problemet tona

 

“Mendoj se fillimisht duhet të përqendrohemi në problemet tona, në shtëpinë tonë dhe këto t’i luftojmë.E sa për përkrahje ndodhive në rajon, këtë mund ta shprehim në mënyra tjera, me peticione, shkrime, emisione debative, etj, por gjithsesi unë këtë fenomen  e kisha lidhur po ashtu edhe me frikën. Si qytetare unë personalisht nuk kam mundur të kem qëndrim pasiv ndaj dukurive që ndodhin përreth meje aty ku jetoj-dua të them komuna në të cilën jetoj me të gjitha dukuritë, ngecjet në çdo aspekt.  Nuk kam mundur të jem pasive ndaj dukurive sidomos ndaj uzurpimit të ambientit, në veçanti ndaj uzurpimit të parcelave që janë pa titullar, por si unë janë të paktë ato që mund të reagojnë pa frikë ”,tha Reka. 

Përndryshe “Duam Çair të pastër” është një fan page i krijuar në Facebook  nga Valbona Reka (ndërsa tani zyrtarisht është organizatë jo-qeveritare me emrin “Lëvizja për mjedis të pastër”)

“Shumë shpejtë kisha shumë bashkëmendimtarë dhe përkrahës në këtë iniciativë që e ndërmora.Aty komentohet, debatohet, kemi shumë diskutime konstruktive dhe kjo është mirë. Vetëm kështu mund të kemi lëvizje në zhvillim, progres për një jetë më të civilizuar që do të na shpijë kah Evropa”,tha Reka. Por Reka thotë që pavarësisht se ajo dhe shumë të tjerë si ajo nuk friken të flasin hapur për problemet që ju tangojnë, ka shumë qytetarë të cilët frikësohen publikisht të shprehin mendimet dhe shqetësimet e tyre.

 

Frika nga kërcënimet partiake 

 

Reka thotë se nuk frikësohet t’i thotë lirshëm mendimet e saja si qytetare aty ku është e bindur se ka të drejtë. Sipas saj, frika e shumë individëve që të komentojnë edhe pse duan të flasin dhe na përkrahin vjen nga shumë faktorë.

“ Unë do t’ua jap një shembull,pra një rast që ndodhi dhe vazhdon me tregimin: Kam një shoqe shumë të afërt e cila ka shumë vetëdije të lartë dhe e cila më përkrah në këtë iniciativën time. Ajo filloi të kontribuon me foto dhe komente. Por, një ditë më thërret dhe më thotë: “Valbona, unë më nuk guxoj të komentoj. Mua mu kërcënuan. Vëllain ma punësuan dhe tani do ta largojnë nga puna nëse unë flas.Vëllai i saj mban familjen pesë anëtarësh, i vetmi i punësuar. Përgjigja ime ishte: “ hesht dhe mos fol, unë do të flas edhe për ty!””,përfundoi Valbona Reka.

“Kështu ka qenë në kohën e monizmit.Mendoj se partitë politike që janë në qeveri po udhëheqin në mënyrë të njëanshme.I punësojnë në vende pune njerëzit e dëgjueshëm,që nuk guxojnë të mendojnë ndryshe dhe të veprojnë ndryshe prej liderëve të tyre”, thotë Reka

Edhe Arianit Xhaferi nga lëvizja EcoGuerilla Tetovë, për Inbox7 thotë që një ndër elementet kryesore se pse shumë njerëz nuk dalën në protesta aq sa do të duhet është pikërisht frika që ato kanë.

“Duke qenë se në Maqedoni fajtori për gjendjen e keqe dhe për arsyet e protestës shihet zakonisht qeveria e vendit, dhe në të njëjtën kohë qeveria është punëdhënësi më i madh në këtë vend, qytetarët shpeshherë kanë frikë të protestojnë për të drejtat e tyre, që po ju mohohen nga qeveria apo nga pushteti, sepse kanë frikë se do ta  humbasin punën ata ose të afërmit e tyre, ose do mbeten pa punë”.

 

Të njohim fuqinë e protestës brenda vetvetes

 

Por Xhaferi thekson se pavarësisht frikës për të protestuar,shpesh ne protestojmë për gjëra që s’kanë të bëjnë me përditshmërinë tonë. “Nevoja për të protestuar është aq e madhe saqë hidhemi në protesta për çfarëdo qoftë që na shqetëson, për shembull kemi protestuar në mbështetje të Erdoganit në Turqi, Mursit në Egjipt, armët siriane në Shqipëri, dhe tash protesta për Kosovën. Nuk është gabim të shprehet solidariteti me vendet tjera, qofshin kombi ynë ose jo, por duhet si fillim të njohim fuqinë e protestës brenda vetvetes, pra të shohim çfarë ndryshimi mund të na sjellë neve ajo”,thotë Xhaferi.Protestat paqësore janë një ndër mjetet identifikuese të një shteti demokratik.

Redaktor:Selim Ibraimi

Shkruaj një koment

Koment(e)

bajrami@inbox7.mk