Data e sotme
November 18, 2017

Stuart Gilman: Patriotizmi i vërtetë është luftimi i korrupsionit

Sot kemi nderin të takohemi me z-rin Stuart Gilman, një ekspert i njohur ndërkombëtar i luftës kundër korrupsionit, i cili gjatë më shumë dekadave ka punuar me shumë qeveri dhe organizata ndërkombëtare në tema siç janë korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Z-ri, Gilman, mirë se vini në Maqedoni..

– Faleminderit. Është një kënaqësi të jem këtu. Unë do të doja të ju falënderoja për intervistën dhe për mundësinë që të jem me ju këto ditë.

Ditët e mëparshme u takuat me përfaqësues të disa institucioneve shtetërore, si Enti Shtetëror i Revizionit, Drejtoria e të Hyrave Publike dhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Cilat janë përshtypjet tuaja të para? A mund të thuhet se Maqedonia është e përsosur si Danimarka apo aq e korruptuar si Somalia?

Gilman i Zaki

– Unë nuk mendoj se është aq e korruptuar si Somalia, as se është aq e mirë si Danimarka. Mendoj se populli i Maqedonisë pret shumë nga Qeveria e tij, mendoj se u ngritën disa çështje të cilat më shqetësojnë. Është bërë shumë. Kam qenë i impresionuar nga vizita e sotme në Veles dhe angazhimi i tyre për programin shumë të rëndësishëm kundër korrupsionit. Takimet e mia ishin interesante. Unë e di se njerëzit fillojnë të punojnë në këto çështje. Por, si edhe në të gjitha rastet e tjera, ka edhe shumë për t’u bërë. Unë jam këtu vetëm disa ditë. Ndoshta është bërë 20 për qind të punës, por ka shumë punë për t’u bërë.

A mendoni se Maqedonia është në rrugën e duhur në luftën kundër korrupsionit?

– Është shumë e vështirë në këtë periudhë të shkurtër për të bërë një vlerësim. Kam punuar shumë vite në vendet e Evropës Lindore dhe në Ballkan. Në fillim të viteve 90-ta, ka pasur një frikë të madhe te njerëzit për të diskutuar rreth problemeve. Pashë se si ata zhduken gjatë 10 viteve të fundit. Për mua ishin shqetësuese deklaratat e njerëzve të cilët kishin frikë të ankohen. Kishin frikë se nëse ankohen, diçka do t’u ndodhë, se do të humbin ndonjë kontratë, dikush nga të afërmit e tyre do të humbë punën, që është me të vërtetë për të ardhur keq. Për shembull, sado  që ta dua vendin tim, unë ndiej se ajo dashuri më obligon që ta kritikoj Qeverinë. Ajo është pjesë e një shoqërie demokratike dhe e një regjimi demokratik. Ka shumë gjëra për të cilat ka nevojë për të qenë pozitiv, por nëse më pyesni se çfarë më shqetësoi më shumë dhe për përshtypjen me të cilën do të largohem prej këtu, ajo është se madje edhe në takimet ku njerëzit heshtnin, kisha ndjenjë se një pjesë e kësaj heshtjeje ishte për shkak të frikës se nëse fillojnë të flasin, do të ndodhë diçka negative. Kjo është diçka që më shqetëson.

Maqedonia, siç e dini, promovohet në mediat botërore si një destinacion tërheqës për investime, duke u promovuar si një vend me taksa të ulëta dhe me një sistem njësportel për lejet. A është ky imazhi të cilin e keni fituar përmes takimeve me biznesmenët e vendit këto disa ditë?

– Para të gjithash, duhet të them se ky është një vend i bukur dhe njerëzit janë shumë të sjellshëm. Sistemi njësportel duket mirë, por i dëgjova nga biznesmenët pritjet e tyre jo për mitëmarrje, por për dhurata, punësime etj. Unë mendoj se Maqedonia është një vend ideal për biznes, në qoftë se ka një rol më aktiv në parandalimin e korrupsionit. Mendoj se ka shqetësime për Maqedoninë. Mendoj se nevojitet një vullnet politik nga kreu për të angazhuar agjenci të pavarura, njerëz të cilët nuk janë të lidhur me Qeverinë, njerëz të cilët nuk mund të largohen nga aty sepse Qeverisë nuk i pëlqejnë vendimet e tyre, për shembull, në Komisionin e Antikorrupsionit, Entin Shtetëror të Revizionit ose Drejtorinë e të Hyrave Publike. Mendoj se qeveria ka obligim për të thënë: “Ne besojmë në atë që e punojmë kështu që do të lejojmë që njerëz të pavarur të vlerësojmë se sa mirë punojmë”.

Si ky reklamim i Maqedonisë ndikon ndaj investitorëve amerikanë, duke e ditur situatën politike në Maqedoni?

– Investitorët amerikanë, si dhe ata evropianë realisht nuk e njohin Maqedoninë. Unë nuk dua të jem i pasjellshëm. Atë gjë në të cilën mbështeten janë biznesmenët, të cilët që do të vijnë këtu dhe do të bëjnë vlerësim, do të shikojnë në statistikat. Ata duan të shohin se çfarë fshihet prapa statistikave për të vlerësuar se çfarë do të ndodhë. Nëse një kompani dëshiron të ndërtojë një ndërtesë këtu, cilat janë pritjet në drejtim të rregullave të arsyeshme. Për shembull, sa kushton qiraja ekonomike? Qiraja ekonomike është një term i shkëlqyeshëm ekonomik i cili është aq neutral, por i përshkruan gjërat siç është korrupsioni. Sa mjete shtesë do të na kushtojë ajo gjë? Dhe një gjë edhe më e rëndësishme nga pikëpamja amerikane, si në pjesën më të madhe të vendeve evropiane, është se gjithnjë e më shumë kompani janë përgjegjëse për zinxhirin e furnizimit. Kështu që, nëse një kompani në Maqedoni paguan ryshfet, sado që të tingëllojë kjo e çuditshme për shikuesit tuaj, drejtori i kësaj kompanie në SHBA mund të shkojë në burg dhe ka pasur raste të tilla. Kjo nuk del nga librat, njerëzit shkojnë në burg. Kompanitë ballafaqohen me dënime prej 10 apo 20 milionë dollarë për dhënien e ryshfetit për zyrtarët në vende të tjera përmes zinxhirit të furnizimit. Edhe pse kjo tingëllon e sofistikuar, zinxhiri i furnizimit janë njerëzit të cilët kryejnë furnizimin e kompjuterëve ose bëjnë gjëra të tjera të ndryshme. Kështu që, kur njerëzit bëjnë vlerësimin e ndërtesave apo krijojnë zhvillimin ekonomik në Maqedoni, ata e vënë atë në llogaritjet e tyre. Sa më shumë Qeveria e Maqedonisë do të përpiqet të prezantojë se ka më shumë statistika, se ajo që flitet është reale dhe se Qeveria bën më shumë për korrupsionin, aq më shumë mjedisi do të jetë më tërheqës për investime. Kështu që, është e rëndësishme jo vetëm t’i tërhiqni njerëzit që të vijnë këtu, por kur do të vijnë, t’u mundësoni atyre që të kuptojnë dhe të shohin realitetin e vendit.

Raporti i fundit i Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar tregoi se Maqedonia ka marrë më shumë të holla nga BE-ja për luftën kundër korrupsionit, kurse është treguar si më pak efikase në këtë fushë. A keni një përshtypje të tillë pas informacionit se nga 200 raste në vit që denoncohen në Komisionin e Antikorrupsionit, hapen 9 raste, kurse asnjë prej tyre nuk procedohet?

– Në takimin me përfaqësuesit e disa agjencive shtetërore, atë që më habiti, edhe pse është e vështirë të analizohen numrat, më duket se është fakti që ka shumë pak lëndë për cilindo vend. Për shembull, unë punoj për Inspektoratin kryesor dhe vetëm për një departament, atë të thesarit, marrja e 1.000 ankesave në vit është diçka e zakonshme. Kjo rezulton me qindra raste dhe përafërsisht 50 akuza. Megjithatë, flasim për burokracinë që është dukshëm më e vogël sesa kjo këtu. Duke folur për Maqedoninë, ajo që do të më shqetësonte është nëse kjo ka ndonjë kuptim? Nëse nuk keni akuza apo keni vetëm një akuzë, pse atëherë shpenzojmë para për Komisionin e Antikorrupsionit? Në takim, një përfaqësues i një institucioni tjetër përmendi se marrin 1.000 ankesa në vit. Megjithatë, askush në Komisionin e Antikorrupsionit nuk kishte asnjë informacion për këto raste. Pra, është e mundur që këto raste të mos jenë të grumbulluara në një vend për të kontrolluar dhe për të zgjidhur. Nuk dua të përmend askënd, por shpesh kur formohen Komisionet e  Antikorrupsionit, nuk dihet se si të ballafaqohen me rastet, si zhvillohen informacionet, çfarë roli kanë ato. Shpresoj që do të jenë të pavarura dhe aktive, por është e lehtë kur dikush tjetër e thotë këtë. Prandaj, qytetarët e Maqedonisë janë ata që duhet të thonë: a është e mjaftueshme kjo dhe nëse duhet të presim më shumë?

Duke shikuar në numrat, a do të thotë kjo se nuk ka korrupsion në Maqedoni?

– Së pari, kurrë nuk mund të largoheni nga korrupsioni. Të gjitha vendet e kanë atë. Pyetja është se sa shpejt do ta zbuloni dhe sa shpejt do ta dënoni atë. Në fund të ditës, doni ta kontrolloni korrupsionin me qëllim që ai ta ketë një ndikim më të vogël ndaj ekonomisë dhe sigurisë së çdo qytetari në Maqedoni. Unë mendoj se Qeveria duhet ta pyesë veten nëse qytetarët ndjehen të liruar nga ryshfeti, nëse ndiejnë kërcënime, nëse mendojnë se do të ballafaqohen me një formë apo me tjetrën formë të korrupsionit? Unë do t’u bëj thirrje qytetarëve për të menduar për këtë. Nëse në të vërtet e do vendin tënd, atëherë do të duhet ta mbrosh nga korrupsioni sa më shumë të jetë e mundur. Sepse, shpresoj se të gjitha qeveritë duan t’u shërbejnë qytetarëve. A ka një mënyrë më të mirë për të bërë atë sesa të largohet ai nivel i pasigurisë, niveli i frikës, i cili mund të vijë së bashku me korrupsionin, kur ndien se nuk ke kontroll mbi jetën tënde.

A mund ta krahasoni frikën te njerëzit në Maqedoni ose në Serbi, duke krahasuar më parë dhe tani?

– Do të isha shumë i kujdesshëm për këtë çështje. Këtu jam më pak se një javë. Kam pasur disa takime. Kisha informata të kufizuara. Por, ishte e habitshme se sa shumë qytetarë thanë se ndihen të frikësuar, jo të frikësuar për jetën e tyre, por të frikësuar për t’u ankuar. Ata mendojnë se do të dënohen për këtë gjë. Ndonjëherë mund të bëhet fjalë për imagjinatë, por mendoj se Qeveria do të bëjë një hap të mirë nëse ua lehtëson njerëzve se kritika e Qeverisë nuk është vetëm e drejta e tyre, por edhe obligim në jetesën e një shoqërie, e cila e quan veten demokratike. Ajo gjë është e shëndoshë, nuk është e keqe. Si do të ndryshojë nëse nuk e di se ku janë problemet? Qytetarët janë testi më i mirë se ku qëndrojnë problemet. Bisedova me biznesmenë, organizata joqeveritare, përfaqësues të kompanive të mëdha multinacionale, zyrtarë qeveritarë, media… Një nga ndjenjat të cilat i kam, jo për të gjithë, por për shumicat, është ndjenja se nëse them diçka, atëherë diçka e keqe do të ndodhë me mua. Madje edhe nëse është ankesë për një gjë të vogël. Ajo kurrë nuk është e shëndetshme. Pa gjeneralizuar, ajo është diçka që duhet të hulumtohet, si nga mediat, ashtu edhe nga Qeveria sepse, nëse atë ua impononi njerëzve për të menduar kështu, në mënyrë të paqëllimshme, atëherë krijoni një mjedis ku asnjë ndryshim nuk mund të ndodhë.

Maqedonia e ka nënshkruar Konventën e OKB-së për luftën kundër korrupsionit. Çfarë e obligon Maqedoninë ky dokument?

– E obligon për shumë gjëra. Kjo Konventë me nënshkrimin e saj bëhet pjesë e së drejtës suaj. Me fjalë të tjera, ju obligon ligjërisht. Nëse shikoni në dispozitat për agjencitë e pavarura kundër korrupsionit, për linjat telefonike për “fishkëllyesit” e së vërtetës, për sistemin efektiv për pronat, për mbajtjen e informacioneve për korporatat, në aspektin e kryerjes së punëve të kontabilitetit në librat e tyre, për kufizimet e angazhimit të ish-zyrtarëve qeveritarë në këto situata dhe pritjet për gjyqësorin, qasja është e hapur. Ajo duhet të jetë e hapur për opinionin, mediat në aspektin e informatave, si dhe qasja deri në Komisionin e Antikorrupsionit, jo vetëm të shihen raportet e tyre, por edhe për të pasur takime të rregullta me Komisionin e Antikorrupsionit në aspektin e qasjes aktive ndaj mediave dhe qytetarëve.

Do të ishte mirë jo vetëm për Qeverinë, por edhe për qytetarin mesatar të Maqedonisë për ta parë Konventën, e cila është në dispozicion në internet. Ajo është një dokument i mirë me qëllim që të dihet jo vetëm se cilat janë obligimet e Qeverisë, por edhe se cilat janë të drejtat e qytetarëve me Konventën. Ajo është shumë e rëndësishme dhe është pjesë e së drejtës suaj.

Deri tani keni punuar me më shumë qeveri në temën e korrupsionit si me Serbinë, Egjiptin, Marokun, Afrikën e Jugut, Filipinet. Kur flasim për korrupsionin, a ka diçka të përbashkët për të gjitha këto vende?

– Mendoj se ka. Në të gjitha këto vende, si edhe në SHBA, historikisht, apo Kanada apo vende si Zelanda e Re, të gjitha këto vende kanë burimet e korrupsionit. Ato janë qeveri të reja që kanë qenë në regjimet autoritare. Ka zakone të vjetra, por ka edhe zakone të këqija. Zakonet e vjetra janë në atë se: duhet ta lejojmë korrupsionin sepse nuk mund t’i paguajmë zyrtarët mjaftë. Apo, si një zyrtar qeveritar kam të drejtë të kërkoj nga njerëzit të paraqiten në zyrën time. Dua të ndërtohet një kishë të re dhe prifti im më tha se kemi nevojë për këtë, dhe do të donim si një qytetar i mirë të paguani për këtë gjë. Dikush e ka kërkuar atë. Kjo ndodhi në Filipinet. Por, çfarë zgjedhje e keni? Nëse keni një kompani dhe ju thërret Ministri i Financave, si mund të thoni jo? Çfarë do të ndodhë me biznesin tuaj? A do të ju bëjnë një revizion njerëzit e shërbimit të taksave, sepse nuk keni dhënë kontribut për kishën e tij?

Poenta është se nëpunësit shtetërorë duhet të kuptojnë që duhet të jenë të obliguar me standarde më të larta në krahasim me qytetarët e tjerë. Ata duhet të jenë mbi dyshimet. Nuk do të donim të kishit pyetje në lidhje me integritetin tuaj. Në demokraci, nëpunësit shtetërorë punojnë për njerëzit, e jo për veten. Ata nuk i marrin pagat nga paratë e tyre. Pagat e tyre janë një shpërblim për atë që e bëjnë në kurriz të qytetarëve. Unë mendoj se në disa qeveri, për fat të keq, në tranzicionin drejt institucioneve demokratike, ai zë në kokën e tyre është humbur. Është mirë të kenë dikë, i cili do t’i kujtojë nga koha në kohë se punojnë për njerëzit. Çfarë punon ti për njerëzit? Jo për partinë, jo për Qeverinë, jo për veten, jo për gruan time, për dajën tim, familjarin tim, por çfarë punoj për njerëzit në Maqedoni, nga cila gjë do të kenë përfitim ata, si dhe fëmijët e fëmijëve tanë, si e krijoj të ardhmen e vendit im.

 

 

Shkruaj një koment

Koment(e)