Data e sotme
August 16, 2017

Pas nëntë vite golgotë – fund i regjimit!

Latest posts by Мерсел Биљали (see all)

Erdhi fundi! Regjimi numëron ditët e fundit. Asgjë më nuk e shpëton. Këtë e shohin edhe ata që s’kanë sy, kurse e nuhasin edhe ata që s’kanë hundë. Do struktura të pushtetit tani më vozhdit ia kanë hequr dëgjueshmërinë, madje edhe në vet partinë e tij. Tani do të ketë plotë edhe nga ata që do t’i mëshojnë kokës së vet, apo do t’i shkulin flokët për atë se si kanë mundur të krenohen me një regjim që e gjithë bota normale turpërohet. Do të rënkojnë e vajtojnë duke e lutur djallin që t’ua këthejë shpirtërat që atij ia patën falur. Kjo edhe nuk është aq me rëndësi. Por, me rëndësi është se në çfarë mënyre do të shkojë regjimi, gjë e cila varet vetëm nga Gruevski. Po të ketë ai ndjenjë elementare për racionalitet (për të cilën gjë nuk jemi aq të sigurtë), atëherë ai duhet menjëherë të jep dorëheqje. Por, nëse ai edhe më tej vazhdon t’i dëgjojë intrigantët medial të cilët tani më janë tejet nervoz ngase malli i prishur aspak nuk u shitet, atëherë do të jetë shumë keq, madje edhe për të personalisht. Ata që u mbushën me miliona tani duke lexuar lajmet për bombat dridhen nga shizofrenia, pasi ndjejnë se u ikin nga dora milionat e grabitura nga popullata që e kanë sjellë gjer në skamje të skajshme. Ata janë të njëjtët që e lëvdonin Millosheviqin gjatë golgotës ballkanike dhe tani këtu sjellin mercenarë medial të tij për ta mbrojtur Gruevskin dhe vetveten, duke insistuar njerëzit t’i bindin se djalli sjellka drejtësi!

Por, tani më askush nuk i dëgjon ata që ndërtuan imperitë e tyre finansiare mbi fatkeqësinë njerëzore. Për dhjetë vite Kina ka trefishuar standardin jetësor, India dy herë e gjysmë, Turqia tri herë, madje edhe vendet për rreth dukshëm na kanë larguar. Kurse ne mbetëm një ujdhesë e shkretë e banuar me hororе ku pushtetarët ndërtojnë kështjella me patriotizëm të rrejshëm që të fshehin paratë e fituara nga kriminaliteti i vërtetë. Kurse neve si kujtim do të na mbeten shumë monumente nga “Shkupi 2014” siç janë – “Porta e ekzodit” që të na e rikujtojë ekzodin e qindra mijë qytetarëve të cilët janë detyruar ta lëshojnë vendin! Do të na mbetet – “Mashtruesi në kalë” që të na e rikujtojë mashtrimin e miliona njerëzve për një jetë më të mirë, kurse në fakt kemi dyfishim të borxhit e po aq edhe të skamjes! Do të na mbetet – “Muzeu i skamjes dhe i varfërisë” si monument ku në emër të së kaluarës së rrejshme na është shkelur e ardhmja e vërtetë! Do të na mbetet – “Qoseto që therr gjyqësorin” të cilit thika i ka mbërri gjer në asht, pasi gjykatësit dhe prokurorët në vend të ligjit kishin lexuar lajmet nga mediume të kriminalizuara. Do të na mbeten – fontanat që të na i rikujtojnë vërshimet e Noit, të cilët nuk do të ndodhnin po të ishin orientuar së paku paratë e parapara për rrotën panoramike për sisteme e kanale.

Para do muaj, Viktorija Nuland na e tërhoqi vërrejtjen se korrupsioni jo vetëm që është vrrasës i demokracisë, por edhe instrument shtesë në duart e kleptokratëve të cilët vazhdimisht duan të zgjerojnë ndikimin e tyre që të pasurohen në dëm të qytetarëve. Kurse tani patëm habitur edhe ekspertin ndërkombëtar kundër korrupsionit Stjuard Gillman, për atë se si është e mundur në një vend kandidat për UE, qytetarët të frikësohen t’u drejtohen institucioneve kundër korrupsionit! Për fat të keq, Maqedonia nga një tregim i suksesshëm u shndërrua në shtet problematik të Ballkanit – thotë Andreas Ernst nga „Noje Cirher Cajtung“ zvicerane, duke e krahasuar Gruevskin me Fyrerin. Nga ana tjetër “Finacial Times” pat publikuar analizën se Maqedonia është e pesta në botë për nga ekonomia e dobët, e teta për nga mjerimi, kurse në mes të të parëve për nga dëshpërimi kolektiv. Kurse revista me renome “The Economist“ na pat paraparë shkallë të lartë të kryengritjes sociale. Përkundër këtyre sinjaleve, regjimi vazhdoi ta përsos sistemin e frikësimeve, kërcënimeve, kushtëzimeve, falsifikimeve, montimeve, shantazheve dhe shumë keqpërdorimeve tjera. Andaj fundi u përshpejtua. Megjithate, BDI akoma vazhdon t’i jep infuzion këtij regjimit që tani më është në komë!

Tani më ka ardhur koha kur instikti për normalen u bë më i fortë se frika. Policët, prokurorët dhe gjykatësit tani më e kanë të qartë se regjimit i shihet fundi. Edhe ata që aktrojnë se me forca të fundit do ta mbrojnë Qeverinë, në fakt kanë planifikuar ikje. Me asnjë çmim nuk duhet të lejojmë vazhdimin e dhunës, mashtrimeve, vjedhjeve, e nënçmimeve të këtij pushteti. Doemos duhet të kthehemi në atë që është normale, edhe pse aspak nuk është lehtë pas kësaj havarie. Nuk mund të lejojmë që për shkak të frikës për ne, të shkelim mbi jetën dhe ardhmërinë e fëmijëve tanë. Frika jonë nuk mund të jetë mbi nevojat ekzistenciale të tyre. Fundja të guximshmit vdesin njëherë, kurse qyqarët çdo ditë. Frikacakët madje janë në pozitë edhe më të keqe sa sa shtazët. Pasi këto kanë vetëm një patron, kurse qyqarët kanë me qindra patronë. Me ne është e vërteta, është drejtësia, është i gjithë opinioni demokratik dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare. Kurse me ata janë vetëm mashtrimet e prodhuara nga gazetarë dhe mediume të korruptuar, të cilët tani më kanë planifikuar ikjen. Nëse shpresojnë në Rusinë, është mirë për këtë t’i pyesin Serbët. Ata thonë – fatkeqësi e dyfishtë është nëse Amerikanët i keni armiq, kurse Rusët miq! Siç shihet shumë më rëndë është të jesh njeri se sa pushtetar.

Magazina online INBOX7 jo çdo herë pajtohet me qëndrimet e autorëve të kolumnave. Përgjegjësia për mendimet e shpalosura në këtë rubrikë janë vetëm të autorit

Shkruaj një koment

Koment(e)

bilali@inbox7.mk