Data e sotme
June 25, 2017

Korrupsioni metastazë e emigrimit!

Kosova,Maqedonia dhe Bosnja ,shtete fragjile me ikje masive të popullatës.Kriza i kaploi thellë banorët e Ballkanit.”Shpërthim” demografik në Kosovë,ndërsa Maqedonia është duke lozur me “bomba”.Pushteti akuzon opozitën për grushtshtet,ndërsa opozita për përgjime kundërligjore.

Në Kosovë ikjet nuk ishin të rastit,dyndja e re e grumbulluar me vite nga dëshpërimi i qytetarëve të Kosovës prej pushtetmbajtësve u bë aktuale në 2015.Në Maqedoni,përgjimet,akuzat,kriza etnike dhe ajo ekonomike mund ti japin fund ëndrrës së ‘Oazës’ për stabilitet afatgjatë.Paraliza i ka prekur të gjitha shtetet.

Sipas ngjarjeve, përleshjet në mes opozitës dhe pushtetit mund të dëmtojnë ekonominë e vendit.Numri i investitorëve është në rënie. Varfëria, tatime të larta, borxhe të huaja shëndetësi të shkatërruar dhe infrastrukturë të dalë jashtë kohe,janë një ndër shqetësimet e Maqedonisë.

Banorë nga të dyja anët e shtetit e kanë lëshuar vendin. Kriza e fundit politike mund të sjellë një vërshim të ri të banorëve drejt shteteve të BE-së dhe kjo, sipas analistëve, do të  bëhej nga  komunat apo rajonet e pazhvilluara, ku me vite kanë munguar investimet shtetërore dhe private.Investimet nuk kanë prekur xhepin e qytetarëve si në Kosovë dhe po ashtu në Maqedoni.

Disa mijëra qytetarë të Kosovës janë nisur drejt shteteve të BE-së.Largohen po nuk e dijnë se ku shkojnë.Veriu destinacioni ku ëndërrojnë një jetë më të mirë se në Kosovë.Kjo është dyndja më e madhe e shtetasve të Kosovës pas dy shpalljeve të pavarësisë (90 dhe 08).

E para ishte e vitit 1990,ajo e dyta e pas vitit 1999 dhe e treta e vitit 2015.Këtu nuk i kemi përfshirë të gjitha ikjet shekullore.Shpërnguljet e para të vitit 1990 u bënë menjëherë pasi suprimimit të autonomisë së Kosovës, e dyta e vitit 1999 ishte e detyruar,përshkak të dhunës të forcave serbe dhe qëllimit të qeverisë së Beogradit për të spastruar Kosovën nga banorët shqiptarë.Shpërngulja e tretë bëhet kur Kosova qeveriset nga partitë politike shqiptare.Qeveritë e Kosovës nuk arritën të krijojnë mekanizma për të parandaluar eksodin e stimuluar po nga vetëqeverisja e keqe.

Kosova është duke e humbur karakteristikën më të rëndësishme shtetërore dhe gjeopolitike:demografinë dhe pasuritë nëntokësore.Sot Kosova e qeverisur nga vetë shqiptarët po zbrazet nga vetë pronarët lokalë.

A mund një qeveri të qeverisë pa banorë, pa elementin popull?! Këtë si duket mund ta bëjnë vetëm  qeveritë e Ballkanit Perëndimorë. Qeveritarët,sipas shtypit të pavarur nuk kanë punuar për mirëqenien sociale dhe stabilitetin afatgjatë të vendit.Ikjet masive janë treguesit më të rëndësishëm të kapaciteteve të ekonomisë dhe shoqërisë kosovare të pas luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë.

BE dhe shtetet ku emigrantët aktualisht janë strehuar, kanë përgatitur një strategji të parandalimit të ardhjes së valës më të madhe të banorëve në pranverë.Qeveria e Kosovës ka thënë se do t’ua shlyejë borxhet banorëve të ikur.Qeverisë, si deri më sot,i ka munguar planifikimi dhe ngritja e standartit jetësorë të qytetarit.SHBA tha se e gjithë kjo është si pasojë e korrupsionit në Kosovë.

Kështu po ndodh aktualisht me Kosovën,ku pas vitit 1999,vala e re e “ikjeve vullnetare”,mund të konsiderohet si pasojë e politikave të mbrapshta të Qeverisë së Kosovës.Po,a mund ti ndodhë edhe Maqedonisë eksodi kosovarë?

Në Maqedoni përshkak të krizës së re dhe luftës për pushtet,një emigrim i lehtë dhe konstant mund ti paraqitet vendit.Një ikje masive edhe ashtu ka ndodhur gjatë dy dekadave,ku sipas Bankës Botërore,mbi 400 mijë banorë të Maqedonisë e kanë lëshuar shtetin.

Nëse ikjet e para kanë qenë vetëm përshkak të faktorëve socio-ekonomik,dyndjet e dyta mund të jenë të sferës së sigurisë,asaj sociale dhe humbjes totale të besimit të qytetarëve në institucionet.

Jostabiliteti politik nuk do të sjellë mirëqenie ekonomike në Maqedoni.Ka gjasa të shpëtojë vetëm ajo klasë që e solli vendin deri në këtë gjendje,ku  niveli i papunësisë në nivel kombëtarë arrin deri në 30%.Depresioni ekonomik që kanë krijuar partitë politike,mund të “shpërthejë”,njëjtë ashtu si në Kosovë.

Administrata e stërmbushur me anëtarë të bazës partiake nuk është zgjidhje për të reduktuar nivelin e papunësisë.Disa njoftime bëjnë të ditur se qeveria do të punësojë një numër të caktuar të qytetarëve apo të anëtarëve partiakë.Profesionistë janë larguar nga vendi.Vala tjetër, sipas demografëve mund të jetë si pasojë e alternativave zero të politikanëve për të ecur drejt tregut europian apo kërkimit të një tregu më të favorshëm për banorët e Maqedonisë.

Zgjidhjet politikanët i kanë kërkuar në biznese të vogla dhe ndërtimtari lokale pirateske.Dhe kjo,sipas organizatave hulumtuese, është bërë për të  pasuruar një shtresë tjetër dhe grupe që i shkon pas liderit apo partive politike.Më shumë janë kujdesur për investime private se sa ato të nivelit të përgjithshëm.Dëshpërimi qytetarë në rritje është i pamundur të ndalohet me konferenca shtypi dhe konkurse partiake.Linja e kuqe është përpara dhe sipas reagimeve të jashtme një valë e keqe mund ta përfshijë vendin.Problemet private dhe financiare tashmë i kanë tejkaluar liderët,po gjendja nuk ka ndryshuar për qytetarët e thjeshtë.

Projektet e partive politike për zhvillim ekonomik kanë dështuar.Kosova për nga struktura i ngjason Maqedonisë dhe anasjelltas.Replikimi i situatave është në natyrën e shteteve të Ballkanit.Vetëm qasjet ekonomike afatgjata të investimeve mund ti shpëtojnë shtetet nga eksodet demografike.Kriza politike në Maqedoni qëndron në shkallë të nivelit të lartë dhe shkon baraz me eksodin e heshtur në proces.Nuk dihet se cila anë gjeografike  e shtetit po zbrazet më së shpejti.

Politikanët vazhdojnë të qëndrojnë dhe të qeverisin pa elementin popull. Kufirin e kanë hapur.

Politikanët sipas komikëve,dëshirojnë ta zbrazin vendin, të shtrihen në plazhe,të rreziten të qetë dhe të jetojnë të lumtur në shkretëtirat e krijuara me dekada.”Strehë të sigurta” i presin liderët,e populli në eksod.

Luftimi i korrupsionit si bazë për të parandaluar emigrimin e pakontrolluar është një ndër premtimet dhe zotimet që qeveritë i kanë dhënë dhe marrë kur i kanë nënshkruar Konventat ndërkombëtare.Mos vallë politikanët i kanë bërë magji popullit,e që kaq shpejtë po largohet?! Jo,”grabitja”e ardhmërisë së tyre nga liderët i ka detyruar të ikin.Një eksod biblik i llojit ballkanik.

Shkruaj një koment

Koment(e)

ibraimi@inbox7.mk