Data e sotme
November 23, 2017

Në mbretërinë toksike Jugohrom

Autor: Xhelal Neziri

Kur në vitin 2005 u miratua Ligji i ri mbi mjedisin, kishte besim se në Maqedoni më në fund do të fillojë me zgjidhjen e ndotjes së madhe. Vendi, i cili po përballet me treguesit e këqij ekonomikë dhe papunësinë e lartë, edhe pas 10 vitesh përballet me të njëjtin problem.
Gjatë kësaj dekade, qeveria ka vënë disa afate për vendosjen e filtrave ekologjikë për ndotësit më të mëdhenj, por vetëm një pjesë e vogël prej tyre i respektuan ato. Afati i fundit ishte 31 tetor, kur Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) duhej t’i mbyllte të gjithë ndotësit të cilët nuk kanë filluar procedurën për instalimin e filtrave të kërkuar në përputhje me ligjin. Por, një ditë më vonë në një konferencë të përbashkët për shtyp në Shkup u paraqitën Zëvendës Kryeministri për Çështje Ekonomike, Vlladimir Peshevski dhe Ministri i MMPH-së, Nurhan Izairi me një lajm të mirë për ndotësit: afati për Jugohrom vazhdohet edhe për dy vjet. Ky ishte rasti i dytë i vazhdimit të afatit për Jugohrom gjatë vitit 2014, pasi në mars paralajmëroi se “në dy vitet e ardhshme do të investojë 10 milionë euro në sistemin e pastrimit të pluhurit”.

Ndotja katcerogjene me numra të trishtueshëm

Foto 01

Si rezultat i kësaj politike, ajri në Tetovë është i ndotur dhe varion nga 5 deri më 20 herë më shumë se sa lejohet. Sipas matjeve zyrtare të Ministrisë, ndotja më e lartë sesa është lejuar është matur në 285 ditë gjatë vitit 2014. Në muajt dhjetor dhe janar, nuk ka asnjë ditë të vetme kur ndotja është nën kufirin e lejuar prej 50 mikrogramë të grimcave të ngurta për metër kub.

jugohrom

Jugohrom

Ilaz Ilazi është inxhinier dhe ekspert i mjedisit, i cili për disa vjet ka punuar në Jugohrom. Ai thotë se ndotja nga ana e këtij kombinati është shqetësuese.
“Me kapacitetin me të cilin po punon tani, Jugohrom-i lëshon rreth 30 mijë tonelata pluhur në ditë. Në rast se i instalon filtrat, atëherë do të lëshojë vetëm 800 kilogramë pluhur. Dallimi është i madh”, thotë ai.
Sipas llogaritjeve të tija, një banor i këtij rajoni, i cili kalon të paktën katër orë jashtë ose në hapësira të hapura, thith 5 miligramë pluhur në ditë.
“Kjo është katastrofë. Pothuajse çdo shtëpi në Tetovë dhe në rrethinë, ka një të sëmurë me alergji dhe astmë”, shtoi Ilazi.
Përqendrimi i këtillë i grimcave të ngurta në ajër (PM), shpeshherë e radhiti Tetovën në vendin e tretë në botë sipas ndotjes, pas qytetit Akra në Gana dhe qytetit Kajro në Egjipt.
Punonjësit shëndetësorë alarmojnë për pasojat për shëndetin e banorëve për shkak të sëmundjeve të rrezikshme që i shkakton ky nivel i ndotjes së ajrit.
“Përqendrimet e rritura të grimcave PM10 janë një faktor serioz i rrezikut për paraqitjen e sëmundjeve të sistemit të frymëmarrjes dhe kardiovaskular”, thotë Ratko Davitkovski, specialist i higjienës dhe ekologjisë shëndetësore.
Sipas tij, grimcat PM10 veprojnë përmes diametrit të tyre që është më i vogël se 10 mikrometra, kështu që depërtojnë thellë në rrugët e frymëmarrjes. “Ato madje mund të hyjnë drejtpërdrejt në gjak dhe të veprojnë me përbërjen e tyre fizike dhe kimike. Në të mund të gjenden edhe alergjenë apo substanca mikrobiologjike”.
Pasojat për shëndetin, thotë ai, mund të jenë me afat të shkurtër dhe të gjatë. “Me afat të shkurtër janë pezmatimi i fytit, hundës, bronkiti, ndërsa me afat të gjatë është numri i rritur i të sëmurëve me sëmundjet e frymëmarrjes dhe kardiovaskulare”.
Me më shumë afat të gjatë, shton Davitkovski, është kanceri i mushkëri. “Rreziku i vdekjes nga kanceri, nga sëmundjet e frymëmarrjes dhe sëmundjet kardiovaskulare është rritur për 13 për qind te njerëzit që janë të ekspozuar në një afat të gjatë ndaj grimcave PM10”.

Foto 4
Numrat të cilët i ka siguruar SCOOP-i  nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), i mbështesin gjetjet e mjekut Davitkovski. Nga viti 2010 deri në vitin 2013, numri i njerëzve të sëmurë me kancer është rritur për rreth 80 për qind. Edhe nëpër komunat në rajonin e Tetovës ka një rritje të konsiderueshme të njerëzve të sëmurë me kancer. Në Tetovë në vitin 2010, numri i të sëmurëve ka qenë 1054, kurse tre vjet më vonë ai numër është rritur në 1801. Sipas numrit të përgjithshëm në këtë periudhë kohore, komuna e Tetovës ka 4.848 pacientë të rinj. Në vendin e dytë është Jegunoci, vendi ku është vendosur ndotësi Jugohrom, me një numër të përgjithshëm prej 402 pacientëve të rinj. Në vendin e tretë është Tearca me 394, në të katërtin është Bogovina me 253, në të pestin është Bërvenica me 145, ndërsa Zhelina është në vendin e gjashtë me 120 pacientë të rinj të sëmurë me kancer në periudhën trevjeçare.
Sipas raportit të ISHP-së për vitin 2013, Tetova është në majë të listës sipas numrit të fëmijëve të sëmurë me sëmundje specifike të frymëmarrjes, të shkaktuara nga ndotja me rreth 6 herë më shumë se mesatarja kombëtare.

Problemi serioz, qasja joserioze

ariantit dzaferi

Arianit Xhaferi

“Ky është një problem shumë serioz të cilin shteti e trajton në mënyrën më joserioze”, thotë Arianit Xhaferi nga lëvizja ekologjike EcoGuerila. Ai me aktivistët e kësaj lëvizjeje organizuan një sërë protestash kundër ndotjes, por thonë se qeveria është ende e shurdhër ndaj kërkesave të tyre.
“Ne nuk kërkojmë mbylljen e fabrikës, por instalimin e filtrave. Tani, pa kurrfarë standardesh ekologjike, nuk bëhet fjalë për ndotje, por për helmim të mbi 300 mijë banorëve”, tha Xhaferi. Sipas tij, është absurde që qeveria të kujdeset për zbatimin e ligjit kundër duhanit në çajtore, kurse t’i mbyllë sytë para tymit të dendur të Jugohrom-it, i cili mbulon gjithë rajonin e Pollogut.
Nga ana tjetër, si një përgjigje për pakënaqësinë e qytetarëve të, MMPH-ja ka paralajmëruar një padi kundër Jugohrom-it për shkak të shkeljes së kontratës së punës, sepse e ka ndezur edhe furrën e dytë.

02-1 - Krivicna prijava protiv JugohromPor, Xhaferi thotë se kjo është vetëm një blerje kohe nga ana e ministrit Nurhan Izairi, por edhe nga vet ndotësi.
Në këtë drejtim, SCOOP-i erdhi deri te dokumente të kallëzimit penal, të cilin që në muajin qershor të vitit 2014 e ka ngritur partia DOM, një subjekt politik në fokusin e të cilit është pikërisht mjedisi, i cili është pjesë e koalicionit qeveritar.
“Këtë padi penale e ngremë kundër subjektit juridik Jugohrom Feroalojs SHPK për rrezikimin e shëndetit të qytetarëve të Tetovës dhe shkatërrimit të mjedisit, duke filluar nga data 11.07.2005 e deri më sot. Është shkelur ligji i mjedisit dhe Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë, me të cilat garantohet e drejta për të pasur ajër dhe mjedis të pastër”, thuhet në padinë e parashtruar në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë, të nënshkruar nga Kryetarja e DOM-it, Liljana Popovska.

Foto 03 - Odgovor od OJO Tetovo
Përgjigja nga Prokuroria Publike, e marrë më 5 dhjetor 2014, është negative me arsyetimin se veprat e denoncuara nuk janë vepra që ndiqen sipas detyrës zyrtare. Derisa ministri Izairi paralajmëron padi kundër Jugohrom-it, në dokumentin e prokurorisë shihet se gjatë marrjes së përgjigjes negative është konsultuar edhe një përfaqësues i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Pas dëgjimit të përfaqësuesit të subjektit juridik Jugohrom Feroalojs SHPK… dhe ekspertit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me të cilët është bërë një procesverbal KO nr. 700/14, si dhe një Kërkesë për dorëzimin e Vendimit të Qeverisë së RM-së. .. Prokurori Publik më datë 05.12.2014 ka marrë një Vendim për të hedhur poshtë procesverbalin KO nr. 700/14, me të cilin Vendim e hedh poshtë Kallëzimin Penal për veprat penale të lartpërmendura, sepse veprat e denoncuara nuk janë vepra penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare, e as në veprimin e personit juridik përmbahen elemente të tjera të një vepre penale… “, thuhet ndër të tjera në vendimin e Prokurorisë së Tetovës, të nënshkruar nga Prokurori Publik Besir Aliu.
Edhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, institucioni i cili është pjesë e MMPH-së, është treguar si i pafuqishëm para ndotësve. Sipas raportit të organizatës joqeveritare “Fronti 21/42”, gjatë katër viteve të fundit Inspektorati Shtetëror ka shqiptuar gjoba për ndotësit me shumën prej 103 mijë eurosh, kurse ka arritur të mbledhë vetëm 3 mijë euro.

Foto 05

Pronarët misteriozë të Jugohrom-it

SCOOP-i u përpoq për të kontaktuar me menaxhmentin e këtij subjekti juridik, por nuk kishte sukses. Fabrika që prodhon ferro-legura dhe ferro-silikon gjendet në fshatin Jegunoc, 15 kilometra në lindje të qytetit të Tetovës. Tymi fluturon mbi rajonin e Tetovës, ndërsa fshati është i mësuar të jetojë me tymin dhe erën e keqe të metaleve. Oxhaqet e mëdha lëshojnë vazhdimisht me tonelata pluhur në një ditë, grimcat kancerogjene e të cilave përhapen në diametër prej mbi 50 kilometra.
Sigurimi i fabrikës është duke u përpjekur për të ndaluar fotografimin, me arsyetim se bëhet fjalë për një pronë private. Banorët e Jegunocit janë të ndarë në mendimet e tyre në lidhje me fabrikën.
“Nëse mbyllet fabrika, ne s’ka ku të punojmë. Është mirë që të kemi ajër të pastër, por gjëja më e rëndësishme është që të kemi mjaft ushqim”, thotë Bllagoja. Ai punon në Jugohrom dhe ekzistenca e tij varet nga puna e kësaj fabrike.
Të njëjtin mendim e ka edhe Mehmeti, gjithashtu një punëtor në këtë ndotës. “Të gjithë ata që këmbëngulin për filtra dëshirojnë që ta mbyllin fabrikën. Si do të qëndrojmë ne pa punë? Fabrika punon tashmë për 60 vjet, dhe tani disave u ka rënë në mend se ajo ndot. Në vend se të kërkojnë hapjen e vendeve të reja pune, ata kërkojnë që të mbyllet ajo”.
Por, të gjithë nuk pajtohen me mendimin e Bllagojës dhe Mehmetit, të cilat janë vetëm dy prej 1.200 të punësuarve në Jugohrom. Shumicat e qytetarëve të anketuar janë të shqetësuar jo vetëm për shëndetin, por edhe për ndotjen e tokës.
“Na i kthejnë produktet mbrapa. Në Itali eksportojmë fasulen dhe boronicat, por vitin e kaluar na i kthyen mbrapa sepse kanë gjetur metale në sasi më të mëdha sesa normat e lejuara. Nëse ata (të punësuarit në Jugohrom) i mbrojnë vendet e tyre të punës, edhe ne duam që të mbijetojmë. Duhet patjetër të vendosen filtrat ose të mbyllet ajo”, thotë Islami.
Por, pronarët e Jugohromit vlerësohet se blejnë kohë për të marrë një hapësirë sa ​​më të madhe për të punuar pa filtra. Në kërkesën për vazhdimin e A-Lejes për shtyrjen e afatit, të dorëzuar deri në MMPH-në më 18 shkurt 2011, është futur edhe plani i riprogramuar për vendosjen e filtrave. Ky subjekt para 4 vjetësh ka paraparë që gjithë procedura të përfundojë këtë vit, kur do ta rrumbullakojë investimin prej 20 milion eurosh për përmbushjen e standardeve ekologjike ligjore. Për vitin 2011, Jugohrom-i ka premtuar investime në vlerë prej 652 mijë eurosh, në vitin 2012 – investim prej një milion e 60 mijë euro, në vitin 2013 – 9 milionë dhe 815 mijë euro, në vitin 2014 -5 milionë e 100 mijë euro, ndërsa në vitin 2015 ta përfundojë planin me një investim prej 2 milionë dhe 950 mijë euro.
Megjithatë, nuk ka paralajmërime se Jugohrom-i do të fillojë procedurën edhe në këtë vit, kur sipas këtij plani është propozuar për të përfunduar.

Struktura komplekse e pronësisë

Kush qëndron prapa këtij ndotësi, para të cilit institucionet janë treguar të dobëta në drejtim të zbatimit të dispozitave ligjore dhe kushtetuese? Sipas dokumenteve të siguruara nga Regjistri Qendror i Maqedonisë, si pronar i Jugohrom-it paraqitet kompania Sirkatlent Developments LTD me seli në qytetin Limasol në Qipro.
Si menaxher dhe person i autorizuar figuron emri i 69-vjeçarit Branisllav Gjuroviq. Në bilancin e gjendjes dhe të suksesit shihet se mjetet e përgjithshme të kësaj kompanie, të raportuara për vitin 2013 janë 13.325.862.342 denarë, ose rreth 217 milionë eurosh. Numri i punonjësve shkruhet se është 1874, kështu që neto paga mesatare që është e paguar në vitin 2013 është 20.576 denarë, apo 335 euro.

Foto 10Në Regjistrin e kompanive të Qipros, si themelues dhe pronar i kompanisë Sirkatlent Developments LTD figuron një kompani tjetër me seli në Hong Kong në Kinë. Bëhet fjalë për holdingun e njohur në tregun botëror të metaleve – Camelot Group Limited. Kompania është themeluar në vitin 1997, kurse kapitali i regjistruar për vitin 2013 është 10.3 milionë dollarë amerikanë.
Si pronarë figurojnë Maksim Moskalev me adresën e raportuar të banimit në kryeqytetin kinez Pekin, dhe Dimitri Agramakov me adresë të banimit në Moskë – kryeqytetin e Rusisë.
Rrallëkush në Maqedoni e di se pikërisht këta dy biznesmenë janë pronarë të një nga ndotësit më të mëdhenj në Maqedoni, të cilin e kanë në pronësi që nga viti 2010. Në adresën ku është regjistruar kompania e tyre (Suite 2006, 20th Floor 340 Queen’s Road Central Hong Kong) njëkohësisht është edhe selia e shumë kompanive të tjera nga e tërë bota.

General Meeting of Alexander Pyatigorsky Foundation at GUM

Maksim Moskalev (foto: RIA novosti)

SIXTY restaurant opens in Federation Tower

Dimitri Agramakov (foto: RIA Novosti)

 

 

E njëjta gjë mund të vërehet dhe me adresën në qytetin Limasol në Qipro, e cila shërben si seli e disa kompanive. Edhe Qiproja edhe Hong Kongu janë në listën e të ashtuquajturave ofshor vende, të cilat e kanë primatin e vendeve me politikat fleksibile tatimore, të cilat shpesh tërheqin kompanitë kontroverse dhe bizneset e pista.
Derisa Moskalev dhe Agramakov edhe njëherë e vazhduan afatin për punë pa filluar procedurën për vendosjen e filtrave, qytetarët e Tetovës shpresojnë se vendimi nuk do të jetë zgjedhja në mes të ajrit dhe vendit të punës, por një pako e cila do t’i kuptojë të dyja kategoritë.

 

 

(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”).

Shkruaj një koment

Koment(e)