Data e sotme
November 23, 2017

Për një dekadë, numri i të punësuarve në komunat është rritur për dy herë

autor: Goran Lefkov

 

 

Mbi-punësime në komunat. Ky është konkluzioni i parë i hulumtimit të Qendrës për Gazetari Hulumtuese SCOOP Maqedoni. Nga një mostër reprezentative prej 10% të numrit të përgjithshëm të komunave në vend, numri i të punësuarve është rritur të paktën dy herë, për 10 vjet.

Numri i të punësuarve në një mostër reprezentative të komunave në vitin 2005 dhe 2014

Nga tabela shihet se komuna e Krivogashtanit ka rritjen më të madhe të numrit të të punësuarve. Ajo në vitin 2005 ka pasur vetëm 5 të punësuar, ndërsa në vitin 2014 ka 21. Kjo është një rritje për 4 herë. Kryetari i kësaj komune, Toni Zatkoski, thotë se punësimet janë bërë nga paraardhësit e tij.

Komuna Numri i të punësuarve në komunë në vitin 2005 Numri i të punësuarve në komunë në vitin 2014 Rritje
Berovë 23 34 11
Bogdancë 13 22 9
Çashkë 12 19 7
Demir Hisar 28 33 5
Karposh 123 299 176
Bërvenicë 12 24 12
Krivogashtan 5 21 16
Butel 35 60 25
Jegunoc 11 22 11
Gostivar 82 124 42
Shuto Orizari 21 23 2
Mogillë 8 14 6
Ilinden 11 40 29
Dojran 8 16 8
Llozovë 4 13 9
Gjithsej 396 764 368

Unë jam kryetar komune për dy vjet, kemi vetëm dy punësime, një sekretare dhe një kontabilist të autorizuar. Nga 70 vende, siç është paraparë në sistematizimin për komunën e Krivogashtanit, ne kemi punësuar vetëm 30%“, thotë Zatkoski, kryetari i kësaj komune.

toni zatkovski

Toni Zatkoski

Komuna e Krivogashtanit ka 6.150 banorë, kurse sipas pretendimeve të Zatkoskit, ata nuk kanë probleme me financimin e obligimeve që i ka vetëqeverisja e tij lokale.

Për ekspertët, punësimi i njerëzve në departamentet e taksave dhe buxhetit është një gjë pozitive.

Sipas profesoreshës së Fakultetit Juridik në Shkup, Aleksandra Maksimovska, puna specifike e së cilës është decentralizimi fiskal dhe financat lokale, nuk ka mbi-punësime në departamentet financiare për shkak se njerëzit atje janë më të nevojshëm.

Aleksandra Maksimovska

Aleksandra Maksimovska

Komuna ka më shumë punë dhe fiton më shumë, duke mbledhur taksa, por në sektorë të tjerë mund të ketë presione politike për punësim“, mendon Maksimovska.

Komuna e Karposhit ka dy rekorde në pjesën e punësimeve në administratën komunale. Nga kjo vetëqeverisje lokale në Shkup kemi kërkuar të dhëna për numrin e të punësuarve nga viti 2005 deri në vitin 2014, por na dhanë nga viti 2009 deri në vitin 2014. Sipas përgjigjeve, në Karposh në vitin 2009 ka pasur 123 të punësuar në kohë të pacaktuar, numër i cili mbahet konstant deri në vitin 2011. Tabela 2.

Në vitin 2012 dhe 2013, kur janë përgatitjet dhe mbajtja e zgjedhjeve lokale, Stevço Jakimovski e dyfishoi numrin e të punësuarve në kohë të pacaktuar pune. Vendime në këto dy vite jepen në mënyrë shtesë për 104 vende të reja pune në komunën e Karposhit. Ky është rekordi i parë.

Rekordi i dytë është në vitin 2015, kur administrata komunale në këtë komunë të Shkupit reduktohet në 105 vende pune. Ky është ndoshta zvogëlimi më i madh i numrit të të punësuarve në ndonjë komunë në historinë e Maqedonisë. Dhe parashtrohet pyetja se a ndoshta u kanë ndërprerë marrëdhëniet e punës të punësuarve që janë të afërt me LSDM-në, partinë e tij paraprake.

Disa herë kemi kërkuar një deklaratë nga Jakimovski, por ai nuk iu përgjigj thirrjeve telefonike. Përveç të punësuarve në kohë të pacaktuar, Komuna e Karposhit ka mbi 100 të punësuar në kohë të caktuar pune, kurse rekord është viti 2015 ku komuna ka angazhuar 167 njerëz.

Nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës nuk kemi marrë përgjigje brenda 30 ditëve ligjore sa kishin kohë për t’iu përgjigjur, në bazë të Ligjit për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik. Përgjigjet i kemi marrë pasi kaluan 45 ditë nga momenti i dërgimit. Në përgjigjet nuk ishin të dhënat e kërkuara, por vetëm shpjegim se i kanë pasur të dhënat nga viti 2011 deri në vitin 2013, kurse për vitin 2014 për shkak të problemeve teknike, Raporti vjetor për të dhënat nga Regjistri i nëpunësve civilë për vitin 2014 do të publikohet me një vonesë të caktuar. Sipas të dhënave të fundit për vitin 2013, në vend ka 11.524 nëpunës publikë, që është një rritje për 3.400 njerëz vetëm për një vit.

Në vitin 2014 numri i nëpunësve shtetërorë në Maqedoni është rritur për 900 njerëz dhe është 16.212, ndërsa numri i nëpunësve publikë për vitin 2014 ende nuk është publikuar.

Në raportet për të cilat na thanë në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës nuk është bërë ndarje e nëpunësve të pushtetit lokal dhe të nivelit shtetëror.

 

Punësime pa standarde

 

Komunat e Maqedonisë nuk kanë standardet për punësim. Nuk dihet se sa të punësuar  duhet të ketë në një numër të caktuar të banorëve. Kështu, në numrin eksperimental të komunave që i morëm, një punonjës në komunën e Karposhit shërben vetëm 161 banorë, në komunën e Bërvenicës një punonjës i administratës komunale shërben 660 banorë, ndërsa në Haraçinë një punonjës shërben 1.100 banorë. Tabela 3.

Maksimovska thekson se secila komunë vetë e bën politikën e saj të punësimit.

Qyteti i Shkupit bën evidencë për të gjitha taksat lokale dhe pastaj i transferon ato deri te të gjitha 10 komunat“, thotë ajo.

Nga kjo del se komunat e Shkupit, në mesin e të cilave është edhe Komuna e Karposhit, duhet të ketë një numër më të vogël të të punësuarve në krahasim me komunat tjera, sepse një pjesë të punës ia kryen Qyteti i Shkupit.

Por në praktikë nuk është ashtu.

Se ka mbi-punësim pajtohet edhe Stojçe Samarxhiski, ish-kryetari i Këshillit Ekzekutiv të Komunës së Shtipit nga viti 1986 deri në vitin 1990 (një funksion që është i barabartë me funksionin e sotëm të kryetarit të komunës).

Komuna e Shtipit, kur unë isha kryetar i këshillit ekzekutiv kishte rreth 100 të punësuar. Vlerësimi im ishte se komuna mund të funksionojë me 60 të punësuar. Komuna e atëhershme e Shtipit kishte shumë më tepër kompetenca sesa që ka komuna e tashme. Tani Komuna e Shtipit ka disa herë më shumë të punësuar me kompetenca të zvogëluara“, thotë Samarxhiski.

Ai shton se mbi-punësimi i bën komunat joekonomike dhe joproduktive.

Nëse llogariten edhe harxhimet e çdo punonjësi, mbi-punësimi i kushton qytetarët e rëndomtë shumë. Kështu bruto paga mesatare në Maqedoni, e paguar në janar është 32.015 denarë. Çdo qytetar i  Komunës së Karposhit për shërbimet e administratës komunale duhet të ndajë nga 200 denarë ose një familje mesatare duhet të ndajë nga 800 denarë. Të njëjtat shërbime në vetëm 10 kilometra nga Komuna e Karposhit, në Komunën e Haraçinës do të kushtojnë qytetarin vetëm 30 denarë.

 

Mbi-punësimi i ha paratë e qytetarëve

 

Në vend të investimeve, paratë e qytetarëve shpenzohen për punësime joracionale. Në disa komuna kjo përqindje merr përmasa epidemike në buxhetet e vetëqeverisjeve lokale. Mbi 80% e buxhetit shkojnë për pagat, kompensimet e pagave dhe shpenzimet materiale për funksionimin e komunave.

Sipas Bekim Imerit, përgjegjës për ndikimet sociale (shoqërore) të projekteve të financuara nga Banka Botërore, mbi-punësimi në ndonjë komunë shkakton një reduktim të fondeve për përmirësimin e shërbimeve të qytetarëve.

Akademiku Abdulmenaf Bexheti, profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë mendon se paratë e qytetarëve shpenzohen në mënyrën jashtëzakonisht joracionale.

Abdulmenaf Bedzeti intervju slika

Abdulmenaf Bexheti

Komunat shndërrohen në platforma për punësimin e militantëve partiakë. Vetë akti i mbi-punësimit do të thotë edhe ndryshimi i qëllimit në pjesën e potencialeve të cilat i kanë në dispozicion vetëqeverisjet lokale. Paratë në komunat përdoren në mënyrë joefikase, joefektive dhe joekonomike. Mbi-punësimi në Tetovë është dyfishtë më i madh në krahasim me Manastirin, edhe pse të dy komunat kanë numrin e ngjashëm të banorëve. Një tjetër arsye është se politikanët shqiptarë nuk mund të avancojnë në pushtetin qendror në pjesën e punësimeve dhe prandaj e përdorin pushtetin lokal për të mbushur atë me administratë“, thotë Bexheti.

Ai shton se mbi-punësimi do të jetë një problem afatgjatë, sepse buxhetet e komunave harmonizohen me nevojat ditore politike të ushtrisë partiake, dhe jo me nevojat e qytetarëve, të cilët financojnë punën e komunave.

Për të bërë një ndryshim pozitiv, duhet të vendosen kufij.

Duhet të përcaktohet se cila përqindje e buxheteve mund të shkojë për rroga, e cila për investime dhe zhvillimin ekonomik lokal. Tendenca tani për tani shkon në favor të pagave, që është shumë e keqe për zhvillimin e komunave. Duhet të vendoset një sekretar republikan i cili do t’i mbikëqyrë raportet për pagat dhe investimet, thotë Bexheti.

Me këtë pajtohet edhe Samarxhiski.

Në ish-Jugosllavi kishte kufij konkretë për shkallë të caktuara dhe ata kufij si komunë nuk guxon assesi t’i tejkalosh. Nëse tejkaloheshin kufijtë, vinin kontrolle nga Shkupi dhe Beogradi dhe menjëherë propozonin dënime për përgjegjësitë për ekzekutimin e buxhetit te gjyqtari për kundërvajtje“, thotë Samardziski.

Ai shton se tani kontrolli i shpenzimit të parave të qytetarëve është shumë i vogël.

Deklaratë kemi kërkuar edhe nga Goran Angellov, ish-kryetari i komunës së Vinicës, i cili më vonë ka punuar edhe si konsulent për vetëqeverisje lokale. Ai së pari na premtoi një deklaratë, por më vonë nuk paraqitej në telefonin e tij celular. Përndryshe, ai tani është drejtor i deponisë Drisla.

(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”)

Shkruaj një koment

Koment(e)