Data e sotme
August 8, 2020

Midis Ivanovit, Pendarovskit dhe bojkotit

Partitë shqiptare zhvillojnë më shumë fushatë për parlamentaret dhe rrethi i dytë presidencial shfrytëzohet si ‘lidhje’ për të hyrë në bisedime me partitë maqedonase për koalicionin e ardhshëm

Bashkimi Demokratik për Integrim(BDI) bëri thirrje që shqiptarët të bojkotojnë edhe raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. PDSH-ja dhe RDK-ja akuzojnë BDI-në se bojkoti i saj ishte i paarsyeshëm.

Si do të sillen shqiptarët në raundin e dytë të zgjedhjeve për president? Po edhe nëse dalin në raundin e dytë a mund të nxjerrin fitues kandidatin opozitar, Stevo Pendarovski. Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate(LSDM)Zoran Zaev, i vetëdijshëm se votat e shqiptarëve mund të ndryshojnë rezultatin për sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri, tha se varret nga vetë shqiptarët se cili do të jetë presidenti i ardhshëm i Maqedonisë.

Besoj se në rrethin e dytë,shqiptarët do të tregohen vigjilent duke dalë në votime për të dhënë votën e tyre në mënyrë demokratike”, tha Zaev.

BDI dhe PDSH nuk bëjnë thirrje për dalje të shqiptarëve

Por,BDI një ditë pas rrethit të parë të zgjedhjeve, përmes liderit Ali Ahmeti, njoftoi se më 27 prill thërret në bojkot. “Kjo është ide e shumicës dërmuese të qytetarëve shqiptarë në Maqedoni dhe ne nuk do e cenojmë, as nuk do ta lëndojmë idenë, sepse ajo është shumë më shumë se sa një dalje më 27 prill për kandidatin e dytë të radhës Stevo Pendarovski”, theksoi Ahmeti.

BDI-ja bojkotoi rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, pasi partneri i saj qeveritar, VMRO-DPMNE nuk pranoi idenë e kësaj partie për president konsensual.

Partia Demokratike Shqiptare(PDSH) e cila në raundin e parë garoi me kandidatin e saj, Iljaz Halimi dhe shënoi rezultat jo të favorshëm, duke marrë 38 mijë vota, nuk është deklaruar se si do të veprojë në raundin e dytë. Megjithatë meqë dihet se kjo parti nuk ka raporte të mira me LSDM-në e opozitës, ndërsa VMRO-DPMNE-ja nuk ka nevojë urgjente për mbështetje nga shqiptarët, ‘pritet’ që anëtarësia dhe simpatizuesit e kësaj partie të abstenojnë në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Ndërkohë Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) ka tërhequr vërejtjen se me bojkotimin e zgjedhjeve presidenciale nga BDI, i garantohet fitore e sigurtë kandidatit të VMRO-DPMNE-së, Gjorgje Ivanov, ndërsa kërkesën për president konsensual e ka cilësuar një mashtrim të madh të palogjikshëm.Akualisht partitë shqiptare zhvillojnë fushatë për parlamentaret dhe rrethi i dytë presidencial shfrytëzohet si një ‘lidhje’ për të hyrë në bisedime me partitë maqedonase.Fushata lidhet me qeverinë e re dhe partitë pjesmarrëse në të.

 

RamadanAnalisti politik Ramadan Ramadani vlerëson për INBOX7 se shqiptarëve në rrethin e dytë të zgjedhjeve mund t’u ‘paraprijë’ vetëm PDSH-ja, si subjekt i vetëm shqiptar që mori pjesë në zgjedhjet presidenciale.

Mbetet të shihet qëndrimi i RDK-së dhe nëse bojkoti i BDI-së do jetë ’terrorizues’ ndaj votuesve. E them këtë sepse në raundin e parë pati njoftime për kërcënime ndaj votuesve”, tha Ramadani. Sipas tij, nëse analizohen raportet e forcave politike maqedonase, që garojnë në rrethin e dytë, është e qartë se votat shqiptare në vete nuk mund të shkaktojnë ndonjë ndryshim për sa i përket rezultatit përfundimtar.

 

Ylber Sela

Ylber Sela

 

Nga ana tjetër, profesori universitar, Ylber Sela thotë për INBOX7 se shqiptarët duhet të bojkotojnë rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Modeli aktual i zgjedhjes së presidentit nuk jep zgjidhje dhe nuk është në interesin e Maqedonisë evropiane”, tha Sela. Sipas tij, rrugën e bojkotit duhet ta ndjekin edhe partitë tjera politike shqiptare dhe të insistojnë për një model të ri, atë të Maqedonisë evropiane, i bazuar ne elementet e multietnicizmit.

 

 

Shqiptarët historikisht nuk kanë bojkotuar presidencialet

 

Ndryshe shqiptarët me votën e tyre kanë dëshmuar se mund të bëjnë kthesë sa i përket rezultatit të zgjedhjeve presidenciale.

Megjithë këtë fakt, viti 2014 është hera e parë kur shqiptarëve nuk do tu bëhet thirrje politike, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, për të dalë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Edhe presidenti i parë i Maqedonisë, Kiro Gligorov në janar të vitit 1991, i zgjedhur nga Kuvendi i Maqedonisë, ka marrë bekimin e shumicës së deputetëve shqiptarë Partisë së Prosperitetit Demokratik(PPD).

Ndërsa më vonë të gjitha partitë shqiptare, pa përjashtim, kanë kërkuar nga shqiptarët që të votojnë presidentin në rrethin e dytë.Në zgjedhjet presidenciale, që janë mbajtur në vitin 1994, një pjesë e shqiptarëve kanë mbështetur zgjedhjen e presidentit Kiro Gligorov, pas thirrjes së PPD-së.

Aritmetika zgjedhore tregon se në vitin 1994 shqiptarët nuk patën rol vendimtar në zgjedhjen e presidentit. Pikërisht kjo ka ndodhur në vitin 1999, kur president u zgjodh i ndjeri Boris Trajkovski, edhe pse komuniteti ndërkombëtar atëkohë pati shumë vërejtje sa i përket rregullshmërisë së procesit zgjedhor.

Në raundin e parë kandidati i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë(LSDM), Tito Petkovski kishte 343.606 vota, ndërsa Boris Trajkovski219.098 vota. Pas raundit të dytë, Petkovski fitoi 509.933, ndërsa Trajkovski 449.026 vota. Pas rivotimit në 230 vendvotime të njësive zgjedhore, në të cilat u anulua rezultati, Trajkovski pati 582.808(52.40%), ndërsa Petkovski 513.614 vota (46.18%).

Ndërkohë Bashkimi Demokratik për Integrim(BDI) fshehtas, ka mbështetur presidentin Branko Cërvenkovski në vitin 2004 dhe së fundi Gjorgje Ivanovin në vitin 2009. Në zgjedhjet e 27 prillit duket se një skenar i viteve 1994, 2004 e veçanërisht i vitit 1999 nuk mund të paramendohet dhe është thuajse i parealizueshëm!  

Redaktor: Selim Ibraimi

tahiri@inbox7.mk