Data e sotme
October 20, 2017

LIDERË MODESTË APO MILIONERË TË MASKUAR: SA “PESHOJNË” GRUEVSKI, ZAEV, AHMETI DHE THAÇI?

Autorë: Lubisha Arsiq, Goran Lefkov, Zharko Nastovski

Gruevski, Ahmeti, Zaev, Thaçi… Këta janë liderët e katër partive më të mëdha politike që marrin vendime në emër të të gjithë neve, qytetarëve. Qëndrimet e tyre i dëgjojmë çdo ditë, por shumë pak e dimë se çfarë fshihet pas kostumeve moderne dhe makinave luksoze në të cilat voziten.

Nëse gjykohet sipas dukjes, gjëja e përbashkët për katër liderët e partive më të mëdha është se atyre u konvenon politika – kanë disa kilogramë plus pasi janë në krye. Por, edhe shumë më të pasur në aspektin e votuesve të tyre. A ka qenë politika një kombinim fitues për Gruevskin, Zaevin, Ahmetin dhe Thaçin – katër liderët që kanë në duart fatin e vendit?

Gruevski grafikon al
Një milion denarë – kaq përfiton Kryeministri Gruevski në vit. Nëse llogaritet se sa mund të kursente në qoftë se nuk harxhonte asgjë, atëherë Gruevski për më pak se 10 vjet mund të kursente 10 milionë denarë ose rreth 150 mijë eurosh. Lideri i opozitës Zaev me një pagë prej 60 mijë denarësh, si kryetar i komunës së Strumicës, sipas së njëjtës matematike mund të kursente shtatë deri tetë milionë denarë ose 100 mijë euro. Deputetët Ahmeti dhe Thaçi, të cilët njëkohësisht janë edhe liderë të BDI-së dhe PDSH-së,përmes parlamentit kanë fituar nga 900 mijë denarë në vit, ose për 10 vitet e fundit rreth 130 mijë eurosh.

 

SHKELJA E LIGJEVE SI SPORT NACIONAL

 

Anëtarët e Komisionit kundër Korrupsionit dyshohen se pasuria e tyre është përfituar me pagat e tyre.

Jemi bërë kampion se si t’u shmangemi ligjeve. Shmangia e ligjeve apo gjetja e mundësive për të mos respektuar ligjet thuajse është bërë sport nacional në Maqedoni”, tha Slagjana Taseva nga Transparencë Maqedoni (TI).

Edhe ish-bashkëpunëtorët e liderëve analizojnë se të ardhurat e tyre mujore nuk  përshtaten me pasurinë aktuale të cilën e posedojnë.

“Këtu vijnë të varfër në politikë, të mos them fukarenj, të cilët nuk kanë asgjë, por brenda natës bëhen biznesmenë të mëdhenj me shuma të mëdha parash në llogaritë e tyre”, thotë Jove Kekenovski, ish-bashkëpunëtor i Gruevskit.

jove kekenovski

“Funksionarët shtetërorë kanë shkuar mbi kushtetutën, mbi ligjet dhe mbi institucionet”, vlerëson Zulfi Adili, deputet dhe bashkëpunëtor i dikurshëm i Ahmetit.

Alajdin Demiri, ish-funksionar i PDSH-së, thekson: “Nëse i analizojmë se çfarë kishin dhe çfarë kanë tash të katër liderët, do të kemi një rezultat të tmerrshëm”.

“Këtu liderët zakonisht bëhen kryeministra dhe këtu hapet mundësia për korrupsion”, vlerëson ish-nënkryetari i LSDM-së, Gordan Georgiev.

 

GRUEVSKI MË I PASUR PËR 170 MIJË EURO

 

Që nga viti 2007e deri më sot, deri parashtrimi i fletës së fundit anketuese, kur Gruevski për herë të parë si kryeministër ka deklaruar në Komisionin Kundër Korrupsionit se çfarë posedon, pasuria e tij është rritur shtatë herë. Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare, ai ka 200 mijë euro. Është karakteristike se ai nuk posedon asnjë pronë të patundshme dhe për këtë arsye mbetet e panjohur se në emrin e kujt është banesa në rrugën “Pavell Shatev” në Shkup, në të cilën banon. Është kjo ndërtesë,e cila nuk guxon të incizohet nga afër për shkak se sigurimi vazhdimisht kujdeset se kush i afrohet objektit.
Anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ta shqyrtojnë atë rast – thjeshtë të shohin prej ku vijnë ato para dhe si erdhën përnjëherë”, thotë profesori Kekekovski

Gruevski hyri në politikë në vitin 1999 si ministër i ekonomisë. Ai lë një përshtypje se ka besim më të madh në bankat dhe prandaj tërë pasurinë e ka në 30 depozita në denarë ose deviza, libreza të kursimeve dhe kartela kreditore. Paraprakisht, në vitin 2007 ai ka pasur vetëm 12. Atëherë vlera e përgjithshme e tij ka qenë rreth 40 mijë eurosh, kurse prona e gruas së tij, po ashtu në kartela kreditore, ka qenë tetë mijë euro. Me një vlerë të përafërt ose nëntë mijë euro, janë pikturat që janë të deklaruara në Komisionin kundër Korrupsionit. Si kanë kaluar vitet, Gruevski ka deklaruar gjithnjë e më shumë para në bankë, por kurrë nuk ka deklaruar pronën e patundshme.
Aktualisht ai ka deklaruar tetë milionë dhe 300 mijë denarë, 50 mijë euro, pesë mijë dollarë, 2.300 franga zvicerane dhe 800 funte ose gjithsej rreth 200 mijë eurosh. Por, për një pjesë të këtyre mjeteve, më saktësisht për 36.425 euro nuk e ka deklaruar prejardhjen e parave.

Praktikisht, prona e Gruevskit është rritur nga 40 mijë euro në 200 mijë euro ose ai është bërë më i pasur përafërsisht për 170 mijë euro – një shumë e përafërt me atë të cilën llogaritëm më parë se mund ta kursente nga rroga e kryeministrit për 10 vjet. Por, kjo do të thotë se nuk guxonte të harxhonte asgjë nga ato para. Fqinjët e perceptojnë si më të fuqishëm dhe më të pasur.

Qendra për Gazetari Hulumtuese “SCOOP” ka bërë kontrolle dhe në Kadastrën e Pasurive të Patundshme, ku të dhënat konfirmojnë se Gruevski nuk ka pasuri të patundshme. Kontrolle shtesë kemi bërë edhe në Regjistrin Qendror, ku emri i Gruevskit nuk është i lidhur me asnjë kompani.

Por, pavarësisht këtyre të dhënave zyrtare, LSDM-ja opozitare në vitin 2011 zbuloi se në emrin e nënës së kryeministrit Nadezhda Gruevska ka katër banesa.

Megjithatë, mbeti e panjohur se si pensionistja, e cila më parë ishte infermiere, mund të paguajë për kreditë, kësti mujor i të cilave thuhet se është shtatë mijë euro. Këtu përfundoi diskutimi, kurse përbërja e atëhershme e Komisionit Kundër Korrupsionit nuk kishte asnjë mënyrë se si të hetonte, sepse Gruevski ndërpreu të jetonte në bashkësi me prindin dhe me këtë automatikisht nuk ka pasur obligim që t’i deklarojë banesat e nënës së tij.

“Një shembull i qartë për të fshehur apo për të vënë diçka në emrin e dikujt  – kjo është mënyra e thjeshtë e larjes së parave dhe metoda më adekuate për fshehjen e lidhshmërisë me pronën”, tha Sllagjana Taseva nga TI.

Në audio materialet e publikuara nga përgjimi i paligjshëm, sipas pretendimit të opozitës, Gruevski gjoja ka dashur të blejë një pronë në Vodno me vlerë prej 17 milionë eurosh, kështu që u hap dilema se nga ka kryeministri kaq shumë para dhe pse nuk e bën atë në emrin e tij?

Gruevski: Ajo më është shumë më urgjente, ta dish. Bile më urgjente se kjo.

Janakievski: Mirë.

Gruevski: Ajo është shumë më e madhe, e gjeta për xhepallëk, i thashë.

Janakievski: E di, e di.

 

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, tha se nga fjalia e Gruevskit “për parcelat e mia i kam blerë me xhepallëk” shihet një shpjegim përshkrues se cilat janë parcelat dhe të kujt janë ato.

“Nga pronësia do të shihni se bëhet fjalë për pronë për të cilën Gruevski flet sikur ajo pronë të jetë e tij, kurse është regjistruar në Sirah Inzhenering, një kompani off-shore nga Belize”, shtoi ai.

 

ZAEV MË I PASUR NGA LIDERËT

 

Frontin kundër Gruevskit e hapi pikërisht lideri i opozitës Zoran Zaev. Përpiqet që nga posti i kryetarit të komunës të zhvendoset në postin e kryeministrit. Atje rroga është më e lartë, por edhe përgjegjësia është shumë më e madhe. Vetëm Zaevi i është përgjigjur kërkesës së “Nga afër” për të folur për pasurinë e tij, edhe pse një ftesë zyrtare kemi dërguar për të gjithë liderët.

Kjo është shtëpia familjare e Zaevit. Ai jeton me gruan dhe fëmijët, por edhe me prindërit. Prandaj, për dallim nga Gruevski ai është dashur ta deklarojë tërë pasurinë e familjes. Para se ta merrte funksionin e kryetarit të LSDM-së,për të është folur se politikën e ka një luks sepse gjithmonë ka pasur para. Edhe pse në paraqitjet publike dëshiron të japë përshtypjen se i takon klasës së mesme, megjithatë, prona e prindërve të tij dhe familjes më të gjerë, e vlerësuar në disa milionë euro, e bëjnë atë të pasur.

Zaev

“Prona jonë është në dispozicion dhe lehtë mund të bëhet një inspektim në listat e pronësisë, edhe të miat edhe ato të kompanive, pronësia por edhe kreditë që i kam tërhequr”, tha Zaev.

Sipas inspektimit të fletës anketuese të Zaevit,del se ai peshon 750 mijë euro. Ai e ka deklaruar këtë shtëpi në Strumicë, të cilën momentalisht e rinovon brenda dhe e cila kushton 300 mijë euro. Ai ka edhe një banesë prej 30 mijë eurosh, por edhe një tokë me vlerë prej 40 mijë eurosh. Përveç kësaj, Zaev ka deklaruar se zotëron edhe një hapësirë afariste me vlerë prej 60.000 eurosh. Në dokumentin janë deklaruar edhe aksionet me vlerë prej 200 mijë eurosh, një hua, disa depozita në deviza.

SCOOP- Maqedonia ka hulumtuar edhe në Regjistrin Qendror. Emri i tij nuk paraqitet në strukturën pronësore të asnjë kompanie ose organizate joqeveritare. Sipas Agjencisë për Kadastrën e Pasurive të Patundshme, Zaev nuk zotëron asnjë pronë.

“Unë nuk e di se sa para ka pasur më parë Zaev dhe sa para ka tash. Por ju siguroj se duke marrë parasysh se sa të mbyllura janë të gjitha çekmexhetë e opozitës, në një ambient të fortë, ju them se duke u bërë lider i LSDM-së jam i sigurte se më shumë ka humbur financiarisht nga bizneset sesa ka fituar”, tha Georgiev.

Fqinjët e Zaevit, të cilët i takuam në rrugën e tij, nuk mund ta lidhin pasurinë e tij me angazhimin e tij politik.

Zaev ishte cak i sulmeve të mediave se ka një vilë në Greqi, për të cilën është konstatuar se është në pronësi të një kushëriri të tij. Ai mbeti në kujtime se në vitin 2008 u fal nga presidenti i atëhershëm Branko Cërvenkovski për dyshimet për malverzimet financiare rreth objektit “Global” në Strumicë. Atëherë informacionet zbuluan se gjoja Zaev ka fituar tetë milionë euro përmes privatizimit të objektit, ndërsa i kryer nga SIM Inzhenering dhe DE LUKS Inzhenering, firmat me të cilat ishte i lidhur në opinion.

Aktualisht kundër tij, përveç dosjes “Puç” që lidhet me përgjimin,kryhet një proces edhe për marrje ryshfeti prej 200 mijë eurosh, të cilat ai gjoja i ka kërkuar nga një njeri të cilin e njeh, për t’ia përfunduar procesin e privatizimit të tokës shtetërore.

 

“AHMETI SI AZILANT NUK KISHTE AS 100 FRANGA NË XHEP”

 

Edhe pse gjatë publikimit të bombave opozita ishte më e ndjeshme ndaj liderëve të shqiptarëve në krahasim me funksionarët e VMRO DPMNE-së, megjithatë, në një prej tyre, opozita e ka përmendur liderin e BDI-së, Ahmeti.

“A i nevojitej Ahmetit kjo? Absolutisht jo. Ahmeti ishte një politikan i sinqertë dhe i mirë”, vlerëson Zulfi Adili. “Dhe si filloi karriera e tij politike, me cilët njerëz e filloi karrierën politike dhe deri ku arriti?”

“Unë e mbaj mend Ahmetin si një azilant që nuk kishte as 100 euro në xhep, as 100 franga në xhep dhe sot unë nuk mundem të them se sa posedon ai, por sipas asaj që flitet ka shumë. Edhe në Zajaz, edhe në Tetovë edhe në Shkup”, thotë Alajdin Demiri.

Zajasi. Fshati i lindjes së Ali Ahmetit. Në hyrje të fshatit është ndërtuar një përmendore memoriale për viktimat shqiptarë të luftërave ballkanike. Fshatarët konsiderojnë se kjo është merita e tij. Nga pamja panoramike në fillimin e fshatit, xhamia e mbulon shtëpinë familjare të Ahmetit. Para shtëpisë ka disa makina, disa të mbuluara që ndoshta nuk përdoren shpesh.

Zyrtarisht, Ahmeti ka deklaruar një pronë prej 140 mijë eurosh,edhe atë pronë të patundshme prej 120 mijë eurosh, pronë të tundshme prej vetëm shtatë mijë eurosh dhe një depozitë bankare prej 12 mijë eurosh. Ka një tokë bujqësore në Shqipëri me vlerë prej 30 mijë dollarësh, por edhe një shtëpi në Kërçovë prej 100 mijë dollarësh.

Për dallim nga viti 2013, Ahmeti është më i shkurtër përmbi 300 mijë euro. Në fletën më të re anketuese të Ahmetit nuk e ka shtëpinë në Shkup, me një sipërfaqe prej 803 metrash katrorë, vlera e së cilës ishte 150 mijë euro, si dhe toka bujqësore në Kërçovë e cila ka pasur vlerën prej 153 mijë eurosh.

Këto numra, sipas banorëve të Zajasit, nuk e bëjnë Ahmetin shumë i pasur, por e konsiderojnë si një njeri me ndikim.

Sipas raportit të Entit Shtetëror të Revizionit të vitit 2006, vëllai i Ahmetit, gjoja, ka nënshkruar një marrëveshje me “NP Kullotat” në vlerë prej 120 mijë eurosh (mjete të Ministrisë së Bujqësisë), për të ndërtuar katër stane, për të cilat mediat shkruanin se bëhet fjalë për vila luksoze. Për çdo stan, për “modernizimin” e tij nga arka e ndërmarrjes “NP Kullotat”, siç shkruan në raportin e entit, janë paguar rreth 30 mijë eurosh.

Dokumentet që SCOOP-Maqedonia i ka siguruar nga Agjencia për Kadastër të Pasurive të Patundshme të Republikës së Maqedonisë, thonë se Ahmeti nuk figuron si “bartës i së drejtës së pasurive të patundshme” dhe ai nuk lidhet as me subjekte juridike në Regjistrin Qendror.

 

PASURIA E THAÇIT

 

Ahmeti është në pushtet për një kohë të gjatë, partia e tij është dominuese në terren. Ai e ka të lehtë për të fituar kundërshtarin Thaçi, karizma dhe popullariteti i të cilit ishin i shkëlqyer dhjetë vjet më parë.

“Erdhi një situatë kur refugjatët erdhën nga Kosova dhe këtu u bë një burim i madh për biznes dhe kishin një super mundësi të bëhet ndonjë lëvizje, dhe ato veprime në fakt edhe i bënë. Këtu funksiononin vetëm krerët e PDSH-së, nuk mundeshe të funksiononte askush tjetër”, thotë Demiri.

Nga fitimet në krizën e refugjatëve, për emrin e Thaçit lidhet edhe privatizimin e kompanisë Interpromet në Tetovë në vitin 99-të, kur PDSH-ja ishte në pushtet me VMRO DPMNE-në. Proceset gjyqësore zgjasin ende.

BDI akuzonte se Thaçi është pronari i fshehtë dhe merr nga 200 mijë euro për qira, por partia e Ahmetit asnjëherë nuk e ka parashtruar padinë e paralajmëruar penale.

Pasardhësi i liderit të ndjerë të PDSH-së, Arben Xhaferi prej të cilit e ka marrë integritetin e partisë, sipas të dhënave zyrtare është pak më i varfër se Zaevi, por paraprin para Gruevskit dhe Ahmetit. Ai është një politikan aktiv për dy dekada. Posedon një pronë prej 613 mijë eurosh apo dy shtëpi në emrin e tij, prej të cilave njëra është e madhe dhe ka më shumë se 1000 metra katrorë. Njërën e ka trashëguar, ndërsa tjetrën e  ka blerë. Prona e familjes ku jeton është vendosur në një rrugë të ngushtë, pa trotuare. Edhe pse është një mëhallë pak e harruar, megjithatë ajo është afër qendrës së Tetovës.

Një përqindje e madhe e njerëzve që jetojnë këtu jetojnë me ndihmën sociale apo dërgesat nga të afërmit që jetojnë jashtë vendit. Thaçin e vozitin në një makinë BMW me vlerë prej 50 mijë eurosh, kurse gruaja e tij ka deklaruar një makinë Peugeot, që ka vlerën modeste prej shtatë mijë eurosh. Në bankë ka 197 mijë euro, për të cilat nuk ka deklaruar prejardhjen e tyre.

Nga ana tjetër, sipas dokumentit të cilin SCOOP-Maqedonia e ka marrë nga Agjencia për Kadastrën e Pasurive të Patundshme, Thaçi “është i regjistruar në Kadastrën e Pasurive të Patundshme” edhe atë në tetë lista pronësore, të gjitha në Tetovë.

“Thaçi ishte i papunë dhe asnjëherë nuk ka punuar gjë tjetër përveç politikës. Por sot nuk e di sa ka, por sigurisht ka shumë sipas asaj që thuhet”, thotë Demiri.

Në Maqedoni një gjë është e qartë – nëse je në krye të politikës, ka shumë mënyra dhe mundësi për pasurim të shpejtë, gjurmët e të cilave lehtë mund të fshihen. Ashtu edhe do të mbetet përderisa fillon të funksionojë sistemi.

Shkruaj një koment

Koment(e)