Data e sotme
June 25, 2017

Në mes të përfitimeve personale dhe interesit publik: A janë mediat fajtore për krizën?

Kur qeveria filloi të zbatojë fushata dhe t’i reklamojë të njëjtat, shumicat e mediave private në Maqedoni hynë në garë se kush do të fitojë pjesën më të madhe të kulaçit. Ekspertët thonë se nuk janë vetëm reklamat, por edhe tenderët me të cilët blihet mbështetja mediale.

Kjo situatë në tregun e mediave në Maqedoni ka ngritur disa pyetje dhe dilema: A bëhen mediat një mbulesë e biznesit? A mundet që një medium si pronë private të kujdeset vetëm për të ardhurat e veta, edhe pse merret me një veprimtari publike? A kanë obligim mediat private të kujdesen për interesin publik?

Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Përzhinos, me të cilën u ndërmor obligimi për reforma në sferën e mediave, u hap edhe një pyetje të rëndësishme: A janë fajtore edhe mediat për krizën politike, duke pasur parasysh se nuk i respektonin standardet dhe etikën e gazetarisë në punën e tyre?

BIZNISI DHE MEDIAT – KOMBINIMI FITUES

Në përgjithësi, prapa mediave qëndrojnë kompani apo individë të cilët së pari kanë interesa biznesi. Sinergjia midis këtyre fushave shpesh e jep kombinimin fitues.

minco jordanov

Minço Jordanov

Sipas „Forbs“-it, biznesmeni Minço Jordanov është personi më i pasur në Maqedoni. Ai zotëron më shumë kompani të fushave të ndryshme, nga të cilat shumicat janë nga sektori i çelikut. Sipas Wikipedia-s, ai është pronar i gazetës së përditshmes “Nova Makedonija” dhe gazetës së përjavshme “Kapital”.

Vlado Buckovski

Vllado Buçkovski

Së bashku me Ljupço Zikovin, njëri nga pronarët e gazetës së përjavshme “Kapital”, nëpërmjet kompanisë “Kamburis dhe Barba”, së bashku janë anëtarë në Shoqatën Aleanca për Maqedoninë Pozitive. Në këtë organizatë politike është anëtar edhe profesori universitar Vllado Buçkovski, i cili në kohën kur ishte kryeministër ka punuar së bashku të Jordanovin, të cilin e angazhoi në cilësi të zëvendës-kryeministrit.

Selia e kompanisë “Repro One Limited”, e cila në mënyrë indirekte është pronar i gazetës së përditshme “Nova Makedonija”, çon deri në Ishujt e Virgjër Britanikë, ku është e regjistruar. Kjo kompani është e regjistruar në institucionet e atjeshme që nga 25 tetor 1999, ndërsa në Maqedoni paraqitet si themelues i kompanisë së regjistruar në Shkup me emrin “Nova Print DOOEL”, e cila është pronar i kompanisë “Nik Nova Print DOOEL”, e cila është botues i gazetës “Nova Makedonija”.

Kompania me të njëjtin numër të biznesit si “Repro One Limited”, e regjistruar po ashtu në Ishujt e Virgjër Britanikë, por me një emër të ngjashëm “Repro One Limited AD Tortola”, paraqitet si një nga pronarët e gazetës së përjavshme “Kapitalit”, nëpërmjet një kompanie e cila në Shkup është e regjistruar si “Kapital Media Group DOO”.

Sipas Depozitarit Qendror për Letra me Vlerë, kompania “Repro One Limited” paraqitet si aksionar në më shumë kompani. Kështu, kjo kompani ka 97,23% të aksioneve në Shoqërinë për projektim, prodhim dhe montim të konstruksioneve të çelikut dhe për pajisje dhe shërbime Import-Eksport Fakom AD, pastaj ka në pronësi 76,49% të aksioneve në Minierat dhe Hekurudhat “Instituti” shoqata aksionare Shkup, si dhe 80,96% të aksioneve në Minierat dhe Hekurudhat KPOR AD për shërbime të tjera kadrovike, juridike dhe ligjore që nuk janë përmendur, ndërsa zotëron edhe 22.21% të aksioneve në kompaninë ndërtimore “Beton” Shkup, fitues i disa tenderëve në kuadër të projektit “Shkupi 2014”.

Sipas Depozitarit Qendror, deri më 1 janar 2009 “Repro One Limited” paraqitet si aksionar edhe në “Makstil” me 19,38 për qind të aksioneve, kompania e cila është e lidhur me biznesmenin Minço Jordanov, ku ai është anëtar jo ekzekutiv i Bordit të Drejtorëve. Që nga viti 2009 në vend të kësaj kompanie, si aksionar në “Makstil” qëndron “Minjork Oversis Inc”, ndërsa në bilancin më të fundit mund të shihen si aksionarë dy kompani: Duferko SKOP Investment Limited dhe Duferko SKOP LTD.

Sipas Wikipedia-s, Jordanov që nga viti 1992 është i angazhuar në “Duferko” SA të Luganos.
PARTI DHE TELEVISIONE

TV Sitel për shumë vite me radhë ishte në hijen e Ljubisav Ivanovit – Xingo, një nga deputetët me përvojë më të gjatë parlamentare në historinë e re të Maqedonisë. Në vitin 2012, kur më në fund filloi të funksionojë Ligji për veprimtarinë radiodifuzive, ai dha dorëheqje nga funksioni i deputetit për shkak se nuk pajtohej me nenin 11 të këtij ligji, i cili nuk i lejonte funksionarët publikë apo anëtarët e familjeve të tyre të zotërojnë edhe media.

dzingo

Ljubisav Ivanovit – Xingo

Ivanov është lider i Partisë Socialiste të Maqedonisë që nga viti 1996 dhe partner i partisë në pushtet VMRO-DPMNE brenda koalicionit qeveritar të përbërë nga më shumë parti. Në faqen e internetit të partisë thuhet se Xingoja është themelues dhe më shumë se 30 vjet është drejtor i përgjithshëm i kompanisë, në kuadër të së cilës punojnë  më shumë miniera, fabrika dhe firma të ndryshme nga më shumë fusha. “Sitel”, siç thuhet në këtë faqe të internetit, është pjesë e këtij konglomerati.

Redaktor shumëvjeçar i televizionit Sitel është Dragan Pavlloviq-Llatas, i cili për një kohë ishte edhe kryeredaktor i së përditshmes “Veçer”. Në vendin e redaktorit e zëvendësoi Ivona Talevska, e cila paraprakisht ishte zëvendës-redaktore në TV Sitel.

Ivonа

Ivona Talevska

latas

Dragan Pavlloviq-Llatas

Talevska u tërhoq nga ekranet derisa punonte në TV “Sitel” pas shpërthimit të aferës, në të cilën, gjoja kompania e nënës së saj “Visaris” nga Ministria e Shëndetësisë ka fituar një tender që vlen miliona euro.

Opozita ka theksuar se Llatasi, gjoja, paraqitet në një pjesë të incizimeve të cilat i publikoi opozita, ku, sipas pohimeve, Llatasi, së bashku me ish-shefin e policisë sekrete, Sasho Mijallkov bisedojnë rreth mënyrës së arrestimit të liderit të partisë Të Bashkuar për Maqedoninë, Ljube Boshkovski.

Emill Stojmenov, njëri nga bijtë e biznesmenit dhe politikanit të njohur Boris Stojmenov, në opinion ende lidhet me pronësinë e televizionit “Kanal 5”. Edhe pse zyrtarisht ai nuk qëndron më në dokumentin e kompanisë, siç ishte gjendja në fund të vitit 2012, tani në vend ai qëndron emri i Vanja Gavrillovskit, drejtor i shtypshkronjës „11 Tetori“, për të cilin në mediat shkruante se është një njeri i afërt i Stojmenovit.

boris stojmenov

Boris Stojmenov

Sipas dokumenteve që i ka publikuar Media pedia dhe portali NOVA TV në vitin 1999, përderisa Borisllav Stojmenov është ministër i financave, djali i tij Marjan, nusja e tij dhe Vanja Gavrillovski kanë hapur një kompani të përbashkët në off-shore destinacionin Panama në Amerikën Qendrore. “Media pedia” publikoi se Gavrillovski pas marrjes së televizionit Kanal 5 e lëshon postin e drejtorit të shtypshkronjës “11 Tetori”, por mbetet në organet e kompanisë si anëtar i bordit të drejtorëve. Së bashku me të, anëtar i bordit është edhe pak e njohura Jelica Psaltirova. “Media pedia” zbuloi se Psaltirova është drejtoreshë e kompanisë “Ekonomsko biro” në pronësi të Marjan Stojmenovit, kurse në firmat familjare të familjes Stojmenov punon vazhdimisht që nga viti 1996.

Edhe pse në treg vitin e kaluar u paraqitën tri televizione të reja – TV Nova, TV 21 dhe TV Shenja, më shumë pluhur u ngrit rreth paraqitjes së televizionit TV Nova, e cila është në pronësi të biznesmenit Sead Koçan, Ai është i njohur në opinion me kompaninë e tij “Transmet”, fitues i një numër të madh të tenderëve për punë ndërtimore. Vetëm në vitin 2015, kompania e Koçanit “Transmet” ka lidhur kontrata për punë ndërtimore me kompanitë shtetërore në vlerë prej 3.2 milion eurosh.

sead kocan

Sead Koçan

Sipas dokumenteve që janë në dispozicion në Regjistrin Qendror, Koçan paraqitet si pronar edhe në dy kompani të tjera ndërtimore.

Kompania Transmet është një nga top 10 kompanitë nga 100 kompani me numrin më të madh të tenderëve të fituar në pesë vitet e fundit, sipas hulumtimit të Qendrës për komunikime qytetare.

Në opinion biznesmenin Koçan e lidhnin me një nga bisedimet e bombave politike të opozitës, ku kinse përmendet  “Seat Ibica“.

BIZNESMENË NË FUSHËN E MEDIAVE

Robert Dimitrov, themeluesi i operatorit të parë kabllor në Maqedoni, ose i njohur më mirë si Robi, në opinion është i njohur si pronar i televizionit TV 24 lajme. Megjithatë, emri i tij nuk qëndron në dokumentet që pasqyrojnë strukturën e pronësisë të televizionit. Televizioni, sipas gjendjes aktuale, është e themeluar me kapital të huaj, ndërsa pronar është “Cable 24 DOO” Linc nga Austria.

robi-telekabel

Robert Dimitrov

Në vitin 2014, ai u burgos për vuajtjen e dënimit me burg prej gjashtë muajsh për shkak se në vitin 2012 e ka sulmuar birin e pronarit të kompanisë “Niko Petrol”.

Vitin e kaluar, Dimitrov paralajmëroi mbylljen e lokalit të tij në Shtip, “Anxhells Kafe”, për shkak se, siç tha ai,  „janë të lodhur nga inspektimet“.

TV 24 lajme në opinion flitet se është televizion që është i balancuar në raportimin.

Ferik Velija e ka trashëguar kompaninë “Veve Group” nga babai i tij Vehbi, i cili vdiq në maj të vitit 2009. Kjo kompani, së bashku me Mira Meksin, shkrimtare nga Shqipëria, dhe kompania amerikane “International Energie Enginering & Petroleum Konstalting” themelojnë  televizionin “Alsat M”, televizionin e parë privat në gjuhën shqipe me koncesion kombëtar. Me ndryshimet e fundit, si bashkë-pronar i televizionit nuk qëndron më kompania amerikane si dhe emri i Meksit. Aktualisht, Velija është pronar i vetëm i televizionit, një pjesë si person fizik dhe një pjesë nëpërmjet subjektit juridik “Veve Group”.

faqen e internetit të „Veve Group“ qëndron se kompania është themeluar në vitin 1990 dhe është një biznes grup rajonal konsulent nga sfera e energjisë, infrastrukturës, mjedisit, zhvillimit socio-ekonomik dhe fondeve strukturore të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës. Si një shërbim shtesë është vënë edhe mbështetja e mediave dhe marrëdhëniet me publikun.

andreja-josifovski

Andreja Josifovski

Njeriu i parë shumëvjeçar i gjigantit të naftës “Makpetrol”, Andreja Josifovski u gjet në qendrën e opinionit vitin e kaluar, kur Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se është ngritur një aktakuzë penale kundër tij dhe njëzet personave të tjerë, të cilët, sipas policisë, ngarkohen për transferimin e paligjshëm të kapitalit nga kompania Makpetrol në Shoqatën partnere me aksione Oilko, kompani të cilën e zotëron Makpetrol. Pas aktakuzës, në opinion u paraqitën spekulime se bëhet fjalë për përpjekje për të heshtur televizionin “Telma”, të cilën e zotëron kompania Makpetrol. Prej atëherë, opinioni nuk dëgjoi se cili është rezultati i aktakuzës.

Për dallim nga katër vjet më parë kur personi i autorizuar i televizionit ishte Risto Llazarov, tani në vendin e tij qëndron gazetari shumëvjeçar Atanas Kirovski. Rreth hyrjes së Kirovskit në televizion ka pasur komente të ndryshme – se ajo është një përpjekje për të kontrolluar mediumin, kurse nga ana tjetër se televizioni tani do të ketë një qasje më kritike.
Kirovski, ndryshe, është anëtar i Shoqatës Kopi Rajt, ku janë edhe përfaqësuesit e televizioneve të tjera kombëtare.

(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”)

Shkruaj një koment

Koment(e)