Data e sotme
October 15, 2019

SCOOP zbulon pronat e partive politike: nga ara dhe kullota, deri në banesa dhe pallate luksoze

Sipas dokumenteve që i ka siguruar SCOOP-i, VMRO-DPMNE-ja posedon pasuri në pothuajse të gjitha komunat e Maqedonisë, LSDM-ja me pasurinë e saj është e pranishme në 12 komuna, BDI-ja posedon pasuri vetëm në Çair dhe Debresh, ndërsa në pyetje është pasuria pyjore e PDSH-së në fshatin Sellcë të Tetovës


DOKUMENTACIONI


Dyqane, oborre, ara, ndërtesa, banesa… Kjo është vetëm një pjesë e pronësisë së partisë qeverisëse VMRO-DPMNE, e cila paraqitet si pronar në 100 fletë pronësore, ku mund të shihen vende që janë të panjohura për opinionin më të gjerë. Pronat më të mëdha të cilat i ka partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, gjenden në Saraj, Kisella Vodë dhe Qendër, ku partia VMRO-DPMNE posedon ndërtesa, banesa dhe kullota. Për dallim nga ata, LSDM-ja posedon një pronë shumë më të vogël, ndërsa prona më e madhe që e ka gjendet në rrugën Bihaqka. BDI-ja është renditur e treta në listën zyrtare të pasurisë së fituar, ndërsa PDSH-ja nuk figuron se ka pronë.

 

VMRO-DPMNE-JA ME PRONË MË TË MADHE

 

Sipas dokumenteve që i ka siguruar SCOOP, VMRO-DPMNE-ja posedon pasuri në pothuajse të gjitha komunat e Maqedonisë. Partia ka pronë madje edhe në Papranikun e Vogël, vendi ku ka vetëm pesëdhjetë shtëpi.

Partia e Nikolla Gruevskit ka më shumë fletë pronësore në komunën e Sarajit – tetë, në komunën Qendër ka 7, ndërsa 6 ka në Kisella Vodë. Nga dy fletë pronësore ka në komunat Jegunoc, Bërvenicë, Karposh, Gradoc, Ilinden, Ohër, Gostivar dhe Mogillë, ndërsa në Dellçevë paraqitet me tre fletë pronësore.

Partia figuron me një fletë pronësore në Berovë, Pehçevë, Novacë, Manastir, Maqedoni Brod, Plasnicë, Vinicë, Bogdancë, Gjevgjeli, Dojran, Stojakovë, Kamenicë, Demir Hisar, Rosoman, Kavadar, Drugovë, Kërçovë, Zërnoc, Koçan, Obleshevë, Orizari, Kratovë, Kriva Pallankë, Rankoc, Krushevë, Kumanovë, Nagoriçi i Vogël, Demir Kapi, Negotinë, Krivogashtan, Ropotovë, Probishtip, Radovish, Resnjë, Llozovë, Butel, Mirkoc, Petrovec, Sopisht, Gjorçe Petrov, Gazi Babë, Vevçan, Strugë, Bosillovë, Vasilevë, Kuklish, Novosellë, Strumicë, Tearcë, Tetovë, Grackë, Veles, Çashkë, Tarincë dhe Shtip.

Por, një përshtypje më të madhe lë ndërtesa ku është vendosur selia e partisë së VMRO-DPMNE-së, e vendosur mu në qendrën e qytetit, ndërtesë rreth së cilës kishte mosmarrëveshje partiake në të kaluarën.

Në dokumentet që i zotëron SCOOP-Maqedonia, të cilat janë marrë nga Agjencia për Kadastër e Republikës së Maqedonisë, qëndron se nga e gjithë ndërtesa ku është vendosur selia partiake e VMRO-DPMNE-së, partia posedon gjithsej 675 metra katrorë. Në këtë ndërtesë, për të cilën partia pretendon se nuk ka investuar asnjë qindarkë, VMRO-DPMNE-ja posedon tetë banesa, por edhe ballkone dhe hapësira shtesë. Sipas partisë, ndërtesa është ndërtuar me një partneritet publik-privat.

Por, LSDM-ja pretendonte të kundërtën.

“Nëse niset nga fakti se në komunën Qendër çmimi mesatar i një metri katror është mbi 1.200 euro, kjo do të thotë se për shtabin e ri të VMRO-DPMNE-së janë dhënë rreth 15 milionë eurosh! Nëse shkojmë sipas logjikës së kostos së objekteve të reja të ndërtuara nga projekti Shkupi 2014, të cilat kushtojnë edhe nga 3.000 euro për metër katror, atëherë del se ndërtesa kushton mbi 35 milionë euro”, deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov lidhur me ndërtimin e ndërtesës ku u zhvendos VMRO-DPMNE-ja, për të cilën ai pretendonte se “është rritur gradualisht”.

Kryetari i komunës së Qendrës, Andrej Zhernovski deri tani të paktën në dy raste paralajmëronte se do ta rrënonte ballkonin e ndërtesës së re, ku është vendosur VMRO-DPMNE-ja për shkak se pretendonte se është ndërtuar në mënyrë të paligjshme, por kjo nuk ndodhi deri më tani.

Sipas faqes së internetit të Agjencisë për Kadastër, një metër katror në qendrën e qytetit është 1.100 euro për metër katror. Nëse kjo shumë shumëzohet me sipërfaqen të cilën aktualisht e posedon partia e Gruevskit, vlerësimet e përafërta tregojnë se ata kanë në dispozicion një pronë që vlen të paktën 742.500 euro, edhe atë vetëm në një lokacion në Shkup. Por, shuma është shumë më e madhe në qoftë se merret parasysh se rreth ndërtesës ka një tokë të pandërtuar ndërtimore me sipërfaqe prej 1015 metrash katrorë, e cila po ashtu është në pronësi të partisë së Gruevskit. Çmimi i tregut i tokës së këtillë në qendrën e qytetit, sipas Kadastrës, mesatarisht është rreth 1.000 eurosh për metër katror.

Nga partia VMRO-DPMNE dy vjet më parë kanë konfirmuar se në periudhën e kaluarën kanë blerë prona në disa qytete të vendit, por opinioni nuk ka mësuar se për cilën pronë dhe për cilën vlerë bëhet fjalë. Vetëm kanë theksuar se është paguar tatim për këtë. Sipas LSDM-së,  kundërshtarët e tyre politikë kanë pasuri me vlerë prej 11 milionë eurosh, prej së cilës pjesën më të madhe e kanë blerë në vitin 2014.

Por, partia paraqitet si pronare edhe në një sëre pronash të tjera. Kështu, ajo posedon 246 metra katrorë të ndërtesës së njohur “Pellagonia”, e cila ndodhet menjëherë pranë Portës Maqedonia, si dhe një pjesë të hapësirave në rrugën “Cvetan Dimov”.

Partia ka më shumë banesa dhe dyqane edhe në lagjen e Shkupit Kisella Vodë, si dhe një pronë në Saraj, një pjesë e së cilës janë kullota.

VMRO-DPMNE-ja posedon edhe banesa me një sipërfaqe totale prej 374 metrash katrorë në zonën qendrore të Manastirit. Nëse llogariten çmimet e shitjeve të objekteve në faqen e internetit të Agjencisë për Kadastër, del se kjo pronë kushton përafërsisht rreth 187.000 eurosh, duke llogaritur se një metër katror kushton rreth 500 eurosh.

VMRO-DPMNE-ja posedon toka, banesa, objekte të ndryshme edhe në shumë vende të tjera, ndërsa në Krushevë ka një objekt i cili në kadastër është regjistruar si shoqatë aksionare.

 

“BIHAQKA” – PASURIA MË E MADHE E LSDM-SË

 

Për dallim prej VMRO-DPMNE-së, LSDM-ja ka një pasuri shumë më të vogël. Pasuria më e madhe të cilën e ka në dispozicion partia është selia partiake që është e vendosur në rrugën “Bihaqka”, e cila gjendet në qendrën e Shkupit. Në duart e partisë së Zoran Zaevit janë gjithsej 2042 metra katrorë dhe duke llogaritur përafërsisht sipas çmimeve të tregut do të vlerësohej se kjo pronë vlen më shumë se 2 milionë euro. Ndërtesa nxiti një vëmendje të madhe te opinioni pas informacionit se ish-lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski e ka vënë pronën e partisë nën hipotekë. Por, pastaj me një njoftim u paraqit Banka Komerciale, prej ku pohonin se bëhet fjalë për një kredi hipotekare prej 1 milion eurosh, e jo për donacion siç spekulohej atëherë në një pjesë të mediave. Sipas Petre Shilegovit, zëdhënësi i LSDM-së, partia ende e shlyen kredinë për pronën në rrugën “Bihaqka.”

Nga pronat më të mëdha, LSDM-ja ka 507 metra katrorë në Manastir, ndërsa nga dy fletë pronësore ka në Negotinë, Kriva Pallankë dhe Strugë. Partia e Zaevit me një fletë pronësore paraqitet në Qendër, Llozovë, Resnjë, Krushevë, Kavadar, Bogdancë dhe Vallandovë.

Përveç LSDM-së, asnjë parti tjetër nga katër partitë nuk e zbulon publikisht raportin financiar të punës së tyre, ku mund të shihen të ardhurat dhe shpenzimet e partisë në vitin e kaluar.

 

BDI-JA ME TRI OBJEKTE NË SHKUP DHE ARA NË DEBRESH

 

Edhe pse është e vendosur në shtëpi dykatëshe në Reçicë të Vogël, BDI-ja megjithatë zyrtarisht zotëron pasuri edhe në vende të tjera. Kështu, në Kadastër është regjistruar se BDI-ja zotëron pronë në Çair të Shkupit, ku zotëron 274 metra katrorë, duke mos llogaritur oborrin e objektit prej 318 metrash katrorë, ku është e vendosur partia. Nëse merren parasysh çmimet e kadastrës për shitjen e tokës në këtë pjesë, atëherë mund të llogaritet përafërsisht se partia zotëron pasuri prej rreth 355.000 eurosh.

BDI-ja zotëron edhe hapësira afariste prej 413 metrave katrorë në Qendrën Tregtare “Mavrovasja”. Por, ata kanë edhe sipërfaqe të mëdha në fshatin Debresh të Prilepit.

 

E KUJT ËSHTË PRONA, E PDSH-SË OSE E RDK-SË

PDSH-ja nuk është regjistruar si pronar i tokës ose objekteve në Agjencinë për Kadastër. Kur kërkuam informacione për pasurinë e PDSH-së, nga Kadastra na dhanë informacione se me numrin konkret të identifikimit të biznesit është evidentuar një subjekt tjetër juridik, partia politike RDK. Ajo posedon një pjesë të një prone të madhe pyjore në fshatin e Tetovës, Sellcë.

PDSH-ja, siç dihet në opinion, është e vendosur në qendrën e Tetovës, në zyrat që janë në pronësi të Shoqatës Aksionare “Komunaproekt” nga Tetova.

(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”)