Data e sotme
October 23, 2018

Absurd në sistemin shëndetësor: specializantët si skllevër

Kur ka vendosur të shkojë në specializim privatisht në Klinikën e Radiologjisë në Shkup, 28-vjeçarja Ivana Panchevska nuk ka menduar se do të ballafaqohet me një situatë absurde. Ajo si një specializante private është e detyruar të punojë pothuajse dy herë më shumë se punëtorët e tjerë, pa pasur njëkohësisht çfarëdo të drejtash të rregulluara të punës apo mbrojtje nga shteti dhe sindikatat.

“Specializimet private krejtësisht na kanë ndryshuar jetën. Nuk kam sigurim shëndetësor edhe pse jam mjeke. Kam frikë nga mendimi nëse sëmurem”, thotë Panchevska.

Sipas Ligjit për mbrojtje shëndetësore, specializantët privatë janë të detyruar të kalojnë nga 40 orë në javë në klinikat dhe të jenë kujdestarë të paktën 24 orë në një javë.

Specializantët në klinikat shtetërore përveç që nuk marrin rrogë, nuk kanë as sigurim shëndetësor, social dhe pensional. Ky është një problem shtesë për specializantet e reja. Të njëjtat obligime i kanë edhe kolegët e tyre, të cilët janë në specializime shtetërore, por, për këtë gjë ata marrin rrogë dhe të gjitha shtesat që u takojnë me ligj.

“Asgjë nuk kam të mbuluar. A duhet të mendoj për familje, për fëmijë. Nëse vendosem të kem fëmijë nuk mund të jem pa sigurim shëndetësor”, thotë Panchevska. Ajo thotë se nuk është e vetme në këtë situatë absurde. 

 

Mundësi vetëm për mjekët e pasur

 

Pajtim Asani, specializant në Gjinekologji, ndan të njëjtat probleme sikur Panchevska. Ai thotë se Ligji për mbrojtje shëndetësore është shumë i keq për specializantët privatë.

“Jam në specializim tashmë një vit dhe harxhimet për specializimin tim janë shumë të mëdha. Çdo ditë udhëtoj nga Kumanova deri në Shkup dhe mbrapa. Harxhimet e udhëtimit askush nuk m’i mbulon, nuk marr rrogë, nuk kam asnjë sigurim pensional, shëndetësor ose social”, thotë mjeku i ri, i cili ka kryer Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, me shpresë për të qëndruar në vend dhe për të ndihmuar bashkëqytetarët e tij në Kumanovë.

Ai shton se ky specializim është shumë diskriminues dhe se kolegët e tij më të varfër nuk mund t’i lejojnë vetes të shkojnë në specializim për shkak se nuk kanë të holla. Vetë specializimi familjen e tij do ta kushtojë prej 40.000 deri 50.000 euro.

Prof. D-r. Koço Çakallarovski, kryetari i Odës së Mjekëve të Maqedonisë, thotë se në pjesën e specializimit bëhet një ndarje.

koco cakalarovski

“Ata që janë nga familjet më të pasura mund ta lejojnë për veten atë, ndërsa mjekë të tjerë që janë më entuziastë, por nuk kanë mjete, nuk mund të shkojnë në specializim”, thotë ai.

Çakallarov thotë se duhet t’u lejohet mjekëve specializantë të shkojnë në specializim paradite, ndërsa pasdite të mund të punojnë.

“Nuk është në rregull që ndonjë mjek nga shëndetësia publike të lirohet nga obligimet në shëndetësinë publike për 6 vjet dhe të marrë rrogë dhe të gjitha shtesat e tjera, kurse ndonjë specializant privat ta punojë të njëjtën punë pa kurrfarë të drejtash”, thotë profesori Çakallarovski.

 

Specialistë në “të zezë”

 

Për dallim nga Panchevska dhe Asani, Elena Cvetinovska është në specializim shtetëror në Klinikën e Nefrologjisë. Megjithatë, ajo nuk mund të pajtohet me gjendjen e kolegeve të saja të cilat janë në specializim privat. Ajo thotë se është pothuajse e pamundur që ato të formojnë familje derisa janë në specializim.

“Koleget që janë me specializime private kanë opsionin vetëm të zgjedhin mes karrierës dhe familjes. Nëse presin të shkojnë në specializim, do të hyjnë në një periudhë të rrezikshme kur shanset e shtatzënisë janë më të vogla”, thotë Cvetinovska.

Ajo shton se ligji i kufizon të mungojnë më shumë se 24 muaj, që nuk u lejon atyre të kenë dy shtatzëni në këto 6 vite, e lëre më të mendojnë për t’i dëgjuar këshillat e qeverisë së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski që të kenë fëmijë të tretë. Në qoftë se në këtë periudhë kanë të gjitha tri shtatzënitë, atëherë do ta humbasin specializimin.

Edhe Aleksandar Karevski, specializant dhe anëtar i Bordit Drejtues të Asociacionit të mjekëve dhe specialistëve të rinj, ndan mendimin e Cvetinovskës.

Aleksandar Karevski

“Ligji u lejon kolegeve që të bëjnë një pauzë nëse vendosin të formojnë familje. Por, çfarë do të bëjnë koleget në specializimet private pa rrogë dhe pa sigurim shëndetësor?”, pyet Karevski.

Përveç kësaj, specializantëve privatë nuk u lejohet të jenë anëtarë të Sindikatës së Pavarur të Klinikave universitare, qendrave, spitaleve klinike dhe institucioneve të tjera publike shëndetësore. Si arsye, sipas Sindikatës, theksohet fakti se ato janë të punësuara në shëndetësinë publike.

Opsioni i specializantëve privatë është që të regjistrohen si të papunë në Agjencinë për punësim dhe kështu të marrin sigurim shëndetësor falas. Problemi këtu është që, nëse Agjencia për punësim u ofron punë, ato duhet patjetër ta pranojnë atë për shkak se do të humbasin statusin e të papunëve. Ato nuk mund të punojnë në vende të tjera, sepse janë të obliguara si specializante të kalojnë më shumë se 65 orë në javë në Klinikat, që është për 60% më shumë se java normale e punës prej 40 orësh pune.

 

 

Specialistë me pensione të punëtorëve

 

Njohësit e gjendjes thonë se ky lloj specializimi do të bëjë një problem serioz për të ardhmen e specializantëve të tanishëm privatë edhe kur do të dalin në pension. Ata periudhën efektive të punës do ta përfundojnë me shumë pak stazh pune dhe prandaj do të kenë një pension të vogël. Mosha mesatare e specializantëve privatë është rreth 35 vitesh, atyre për punë u mbeten prej 25 deri 30 vite. Rroga mesatare e specialistëve është rreth 40.000 denarësh, kjo periudhë është e shkurtër që të mund të realizojnë të ardhura me të cilat në të ardhmen do të mund të presim ditë të sigurta në pension. Pensioni i tyre me këtë pagë baze nuk do të jetë më e madhe se pensioni i një punëtori të zakonshëm.

Sipas Aleksandar Karevskit, kjo situatë është shumë e keqe për arsye se të gjithë punëtorët shëndetësorë kanë të ardhura shumë të vogla për punën që e kryejnë.

“Ata çdo ditë janë përgjegjës për jetën e dikujt, kurse janë të barabartë me të ardhurat e administratës shtetërore, që është e pakrahasueshme. Mjekët dalin në pension me të njëjtat koeficiente si punëtorët e zakonshëm”, thotë Karevski.

Ai shton se specializantët kanë shumë probleme, por ata janë duke u përpjekur për të ndihmuar si Asociacion për zgjidhjen e problemeve në periudhën e ardhshme.

Sipas llogaritjeve të specializantëve, nëse një mjek shkon në një specializim privat, ai paratë që i ka investuar në specializim mund t’i kthejë madje kur do të mbushë 50 deri 55 vjet.

Vendimet e tilla të shëndetësisë, sipas të dhënave zyrtare, “largojnë” nga 150 deri 200 mjekë në vit nga Maqedonia, një shifër që vlerësohet si alarmante për shëndetësinë.

 

Heshtje në Ministrinë e Shëndetësisë

 

Një deklaratë për gjendjen me specializantët privatë kemi kërkuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fakulteti i Mjekësisë, por deri në mbylljen e këtij teksti nuk kemi marrë deklaratën e tyre.

 

“Plani vjetor i punës është mbështetur nga CIVICA Mobilitas”.

civica_mobilitas_logo

“Përmbajtja e këtij publikimi është një përgjegjësi vetëm e SCOOP Maqedonia dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i  pasqyron pikëpamjet e CIVICA Mobilitas, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) ose organizatave që e zbatojnë”.

Shkruaj një koment

Koment(e)

lefkov@inbox7.mk