Data e sotme
July 22, 2017

KRIZA POLITIKE TRONDITI EDHE BIZNESIN – FRIKË, TËRHEQJE DHE TRANSFERIM I KAPITALIT

Autor: Gorazd Çomovski

 

Paraqitja e televizionit TV NOVA në tregun е mediumeve në vitin 2015 tërhoqi një vëmendje të madhe në opinion. Në të njëjtin vit, pronari i këtij mediumi, Sead Koçan, përmes kompanisë së tij “Transmet” kishte lidhur kontrata për punë ndërtimore me kompanitë shtetërore në vlerë prej 3.2 milionë eurosh.

Rritja e bizneseve të tija ishte e shpejtë, një sukses për të cilin ekspertët thonë se është rezultat i afërsisë së tij me pushtetin. Në njërin e materialeve të përgjuara, të cilat i ka publikuar opozita, nga ana e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski ishte përmendur edhe emri i tij. Në një bisedë me ish-drejtorin e ELEM-it, Vllatko Çingovski, Gruevski kërkon që t’i kryhet puna biznesmenit të cilin e emëron si “ai që ka Sead Ibiza”.

Kjo ishte e mjaftueshme që Prokuroria Publike Speciale (PSP) të fillojë një rast të ri, të ciline emëroi si „Trust“, në të cilin Koçan si pronar i kompanisë “TRANSMET”, së bashku me një nënshkrues të autorizuar të kompanisë “Sileks Nemetali”, Vasilije Aviroviq dhe udhëheqësin e kompanisë “VATO”nga Shkupi, Safet Vatiq, janë të dyshuar se me dokumente të falsifikuara kanë fituar një tender në vlerë prej 17 milionë eurosh.

Hulumtimi i SCOOP-it  ka treguar se firmat e Koçanit në periudhën e kaluar kanë fituar tenderë në vlerë prej rreth 56 milionë eurosh.

Sipas të dhënave të Regjistrit Qendror nga dhjetori i vitit 2016, Koçan vitin e kaluar paraqitet si themelues i kompanive “Transmet” dhe “TV Nova”, si dhe dy kompanive të tjera “BKS Kompani SHPK eksport-import”dhe “Shoqata për tregti dhe shërbime Tibel-media SHPK Shkup”, ku këtë vit nuk mund të shihet si themeluesi i tyre, që do të thotë se është tërhequr prej pronësinë e tyre. Edhe pse Koçani ende paraqitet si themelues i kompanisë “Transmet” dhe “TV Nova”, megjithatë, ka pasur ndryshime në këto kompani. Sipas NOVA TV, bashkëshortja e Koçanit, Asmira Koçan, është tërhequr nga pensioni i menaxherit të kompanisë “Transmet Lab SHPK” – kompania simotër e kompanisë “Transmet SHPK”. Këto ndryshime, sipas mediumit, kanë ndodhur disa ditë pasi bashkëshorti i saj e ka lëshuar vendin. Ajo gjithashtu është tërhequr nga pozicioni i drejtorit në “TV Nova”, ndërsa periudha përshtatet me veprimet para-hetimore për kompaninë “Transmet” nga ana e PSP-së, pohon NovaTV.

Pasi Trupi gjykues i Gjykatës Themelore Shkup 1 ka lëshuar një urdhër për të marrë Koçanin në pyetje dhe në hetim, ai nga data 9 mars nuk është në dispozicion për organet gjyqësore.

Por, një emër tjetër i njohur ka bërë një bujë të madhe në opinion. Njeriu më i pasur në vend (sipas Forbs), biznesmeni Jordan Kamçev, përkatësisht kompania e tij “Orka Holding” në shkurt të këtij viti doli nga struktura pronësore e manjati më i madh i mediumeve “Media Print Maqedoni” vetëm dy ditë para se të hyjnë hetuesit e Prokurorisë Speciale Publike në hapësirat e MPM-së, kompania që i boton tri gazetat me tirazh më të madh në vend. E gjithë kjo ndodhte në periudhën kur të punësuarit mbanin grevë për pagat dhe kontributet e papaguara.

 

 

 

BIZNESI I VARUR NGA POLITIKA

 

Kamçev, i cili përndryshe është konsideruar si i afërt me strukturën aktuale qeverisëse, vitin e kaluar ishte marrë në pyetje në PSP-në, por i shmangi gazetarët për të thënë se në cilën cilësi është thirrur. Në vitet e fundit ajo ka zgjeruar biznesin e tij. Përveç që u bë i njohur si bashkë-pronar i spitalit “Axhibadem Sistina” dhe si pronari gazetave me tirazh më të madh në vend, ai ka zgjeruar biznesin e tij edhe në bujqësi, në ndërtimtarinë përmes kompanive “ZIK Pelagonija Bitola” dhe “Beton Shtip”, kompania që fitoi tenderë për projektin “Shkupi 2014” në vlerë prej të paktën 46 milionë eurosh, projekti për të cilin PSP-ja ka konfiskuar një pjesë të dokumentacionit.

Por për dallim nga viti i kaluar, këtë vit Kamçev nuk qëndron në strukturën e pronësisë të qumështores “Zdravje Radovo”, ku ishte bashkë-pronar së bashku me biznesmenin rus Sergej Samsonenko, si dhe me një nga themeluesit e kompanisë “Pelisterka”, Cvetan Pandeleski.

Përveç Kamçevit dhe Koçanit, në dy vitet e fundit bizneset kryesisht i kanë fituar edhe kompania “Granit”, e udhëhequr nga Strasho Milkovski, “Sileks-Nemetali”, pronari kryesor i së cilës është Ljubisav Ivanov-Xingo dhe “Beton Skopje” ku dominojnë aksionet e Minço Jordanovit. Secili prej tyre ka qenë deputet apo ministër i emëruar përmes partive LSDM apo VMRO-DPMNE, kurse në rastin e Xingos edhe nga dy opsionet.

Nikola Popovski, ish-Ministri i Financave, thotë se nëse një biznes është zhvilluar duke përdorur privilegjet e politikës, atëherë janë normale tronditjet të cilat i shkakton çdo ndryshimi i pushtetit.

Kur kompanitë i përforcojnë dhe rrisin pozitat e tyre ekonomike – financiare me anë të intervenimit të shtetit, afërsisë me pushtetin, përdorimit të përfitimeve, tenderëve të kurdisur dhe në këtë mënyrë janë zhvilluar shpejt dhe pa logjikë, atëherë shumë lehtë mund të kuptohet reagimi i tyre për vigjilencë dhe frikën nga ndryshimi i pushtetit” thotë ai. “Për shkak se biznesi ka sjellë profit në mënyrë të paligjshme dhe jo me favorizimin e tregut, pronarët e tillë dëshirojnë të lirohen nga kompanitë e tyre dhe t’i shesin shpejt”.

Në tranzicionin e Maqedonisë çdo pushtet ka manjatët e tij. Vetë i krijon ose i ndërmerr si “lulediej”,një sinonim politik edhe për sipërmarrësit-kalimtarë nga një elitë në një elitë tjetër partiake-qeveritare. Për të dy kategoritë e kompanive gjatë dekadës së kaluar kishte një rëndësi të madhe afërsia me pushtetin, qasje në privilegjet e tregut, tenderë-bizneset ndarjen e profiteve ose provizioneve.

Sipas Qendrës për komunikime qytetare (QKQ), për prokurimin publik dhe tenderët ndahen në vit rreth një miliard eurosh nga buxhetet qendrore dhe lokale, si dhe për investimet nga shoqatat aksionare që janë në pronësi të shtetit. Çdo kompani e pestë nga 70 mijë kompanitë aktive ka qenë e përfshirë në bizneset e prokurimit publik dhe tenderëve, qarkullimi vjetor i së cilës është një e treta e buxhetit aktual.

Puna e PSP-sëi ka lëvizur bizneset që ishin fituesit më të mëdhenj të tenderëve dhe hapi temën për konfiskimin e mundshëm të pronës dhe aseteve, në rast se të dyshuarit nuk mund të dëshmojnë se e kanë fituar atë në mënyrë të ligjshme.

Tatjana Ashtallkoska Balloska, profesoresha universitare, thotë se ngrirja e përkohshme e pronës lejohet me Ligjin për procedurën penale. “Kjo është një mënyrë për të realizuar konfiskimin si një masë e veçantë ndëshkuese-përmirësuese“, shtoi ajo.

Problemi, sipas Ashtallkoska Balloskës, është në pjesën e zbatimit të konfiskimit si masë. “Gjykata, mund në cilëndo fazë të procedurës të marrë vendim për të ngrirë pronën pasi fillimit të procedura penale. I gjithë përfitimi që është konfiskuar,edhe ai direkt edhe ai indirekt, mund të shkojë në buxhet. Bartja e barrës së dëshmimit nuk shkon te prokurori, por te personi që ka përfitim të pronës. I dyshuari do të duhet të dëshmojë se atë përfitim të pronës e ka fituar në mënyrë të ligjshme. Praktika ka treguar se kemi problem, së pari me gjetjen e përfitimit të pronës, së dyti përcaktimi e një lidhjeje shkakësore të atij përfitimit të pronës dhe veprës konkrete penale“.

Të dhënat tregojnë se në çdo thirrje të katërt publike, të shpallur nga institucionet shtetërore ka vetëm një ofertues. Në tenderët shtetërorë për vite marrin pjesë dhe i fitojnë pothuajse të njëjtat firmat.

 

KORRUPSIONI NË BIZNES-MARRËVESHJET MIQËSORE

 

Ekspertët thonë se biznes statuset dhe marrëveshjet e tilla të privilegjuara fillojnë gjithmonë me korrupsion ose me ndarje të presë – profitit. Njëkohësisht forcohen modele të kombinuara. Një prej tyre është kontrolli financiar, mbyllja e kanaleve të biznesit dhe pastaj marrja armiqësore e kompanive. Mënyra e dytë për legalizimin e donacioneve kriminele, provizionet, paratë e ryshfetit, është sulmi në bursë me blerjen e pakicës së aksioneve me të drejtë vote, jo më shumë se 4.99 për qind, që i garanton një anonimitet zbatuesit. Që të fshihet gjurma e një pjese të kapitalit, fillon procesi i ndarjes së formave, riemërtimi i tyre ose regjistrohen të ashtuquajturat firma satelit-njeri, të cilat sipas rregullës, janë të lidhura me selinë “e huaj”, selia e të cilave është diku në off-shore kompanitë në ishujt.

Sipas ish-Ministrit të Financave, Nikolla Popovski,u formuan rrathë koncentrikë të lidhjes së biznesit: vertikalisht Qeveria-kompani, pastaj kontraktori kryesor dhe shumë ad-hoc kompani të themeluara si nënkontraktorë.

Për një dekadë kemi kompani-individ apo kompani që janë themeluar me 10-15 të punësuar që të punësojnë 20 herë më shumë të punësuar. Falë privilegjeve të favorizuara te pushteti, me tenderë të kurdisur, një pjesë e këtyre firmave e ka zgjeruar biznesin e tyre në mënyrë marramendëse dhe e kanë transferuar kapitalin në shëndetësi, banka, bujqësi, media, ndërtimtari…“, thotë Popovski.

Emri i ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov, përmendej shpesh në kontekstin e relacionit qeveri-biznes, kurse në disa raste edhe si pronar kompanish. Por, për biznesmenin Trifun Kostovski, Mijallkovi nuk është biznesmen. “Ku është, në cilat kompani është regjistruar biznesin e tij? Me se menaxhon në treg, përveç me fuqinë e Qeverisë dhe institucionit me të cilin udhëhiqej deri dje?“, pyet ai.

Investitorët e huaj, thotë ai, “sipas rregullës, duan të jenë të afërt me pushtetin, të identifikohen me garniturën qeverisëse që i gjeneron përfitimeve të biznesit“.

Z-ri Samsoneko, të cilin nuk e gjykoj, vetëm i shfrytëzon përfitimet që ia dha qeveria e deritanishme. Ai vetë thotë se pagesa e taksave komunale për objektet e tija është një obligim i harruar. Por, Samsonenko është biznesmen dhe është e logjikshme, pas një periudhe të caktuar, të zhvendosë një pjesë të kapitalit të tij. Edhe Orce Kamçev është biznesmen, por Sasho Mijallkov, unë nuk e di se është biznesmen“, thotë Kostovski.

 

TËRHEQJA SI SHPËTIM NGA PËRGJEGJËSIA

 

Avokatja Suzana Joshevska Anastasovska thotë se në raste të tjera, tërheqja nga postet udhëheqëse mund të thotë heqja e përgjegjësisë për kompaninë nga vetvetja.

I ngjashëm ishte rasti i Kërpaçit. Ai u zëvendësua kur ka filluar të parashtrojë pyetje për punën e kompanisë e cila fiton tenderë, e nuk ka asnjë të punësuar, cilës kompani është drejtor ai, kurse themelues është një kompani amerikane,njerëzit e së cilës ai kurrë nuk i ka takuar e as nuk i ka parë“, shton Joshevska Anastasovska.

Sipas saj, prona dhe përfitimi i pronës të fituara me kryerjen e veprës penale verifikohen në procedurën penale.

Prokurori publik është i detyruar që gjatë procedurës të mbledhë prova dhe t’i hetojë rrethanat që janë të rëndësishme për verifikimin e pronës dhe përfitimit të pronës dhe të propozojë masa për konfiskimin e tyre të përkohshëm. Për më tepër, në qoftë se konstatohet se një pronë e caktuar është fituar me një vepër penale dhe pastaj në një farë mënyre është tjetërsuar apo bartur dikujt tjetër, kjo nuk e pengon konfiskimin dhe mundësinë që prokurori të kërkojë që të “ngrihet” prona gjatë procedurës, e në qoftë se konstatohet se bëhet fjalë për një pronë të fituar me në vepër penale, pastaj edhe në qoftë se konfiskohet pa marrë parasysh se i është bartur personit tjetër gjegjësisht personit të tretë, gjithsesi duke respektuar kushtet dhe afatet specifike që janë të specifikuara në Ligjin e procedurës penale”, thotë Joshevska Anastasovska.

Me fjalë të tjera, shpjegon ajo, “nëse prokurori gjen të ardhura nga vepra penale dhe pastaj konstaton një bartje të atyre të ardhurave një personi tjetër dhe arrin ta dëshmojë të gjitha këto gjëra, shikuar teorikisht, megjithatë mund të kërkohet që kjo pronë “të ngrihet” dhe pastaj të konfiskohet, pa marrë parasysh se është e tjetërsuar dhe është regjistruar në emër të një personi të tretë. Kjo natyrisht në masë të madhe e komplikon procedurën, por teorikisht është e mundur“.

 

BESA ARIFI: KANË FRIKË ATA QË KANË PUNUAR NË MËNYRË TË PALIGJSHME

SCOOP Maqedonia: Si e interpretoni tërheqjen e biznesmenëve nga struktura pronësore e kompanisë dhe nga pozitat e drejtorit?

 

Besa Arifi: Mendoj se është një akt i vonuar. Pa dallim se tani nuk figurojnë si themelues të kompanive për të cilat ka indikacione të kryerjes së veprave të rënda penale nga sfera e korrupsionit, megjithatë kjo nuk e fshin rolin e tyre në themelimin e këtyre kompanive si dhe përgjegjësinë lidhur me punën e tyre. Situata është e njëjtë për shembull me dorëheqjen e Gruevskit ose Janakievskit ose Jankullovskës. Fakti që ata nuk janë më funksionarë qeveritarë nuk e përjashton përgjegjësinë e tyre për pretendimet për vepra të rënda penale, të kryera në kohën kur i kanë kryer funksionet e tyre.

 

SCOOP Maqedonia: A duhet të ngrihet prona e tyre dhe pastaj të konfiskohet prona e të gjithë biznesmenëve dhe politikanëve për të cilët ka indikacione për një funksionim të kundërligjshëm?

 

Besa Arifi: Në nenin 202 të Ligjit të procedurës penale parashihet mundësia për Konfiskimin e përkohshme të pronës ose sendeve për shkak të sigurimit, me çka mund të parandalohet përdorimi, tjetërsimi ose posedimi i asaj prone apo atyre sendeve. Pas një kërkese të tillë të prokurorit publik, gjykata është e detyruar të vendosë menjëherë ose më së shumti brenda një periudhe prej 12 orësh, që thotë shumë për urgjencën e kësaj mase. Unë mendoj se kjo është një masë shumë e rëndësishëm që duhet të përdoret për një qëllim të dyfishtë: komplikon largimin e personit të dyshuar nga vendi, kurse njëkohësisht ngrin pronën përkohësisht me qëllim që e njëjta të sigurohet në rast të konfiskimit. Sepse, pa këtë masë, mund të ndodhë të mos ekzistojë prona që duhet të konfiskohet. Megjithatë, për të folur për këto masa, të cilat në vendet normale janë hapa të thjeshtë në ndjekjen e veprave penale, duhet të ekzistojë një sistem të sundimit të ligjit në të cilin gjykata bashkëpunon me prokurorinë në luftën kundër krimit, e jo si në vendin tonë, ku gjykata publikisht dhe qëllimisht pengon punën e PSP-së me atë që i refuzon pjesën më të madhe të kërkesave të tyre për masat e paraburgimit, masat e kujdesit edhe kërkesa për bastisje.

 

SCOOP Maqedonia: Si e vlerësoni punën e deritanishme të PSP-së dhe dinamikën me të cilën procedohen lëndët dhe pse njerëz të caktuar të fuqishëm të politikës dhe biznesit kanë frikë nga ekipi i Katica Janevës nëse janë të sigurt se kanë punuar në përputhje me ligjin?  

Besa Arifi: Mendoj se ai është reagimi i parë i panikut të personave të cilët e dinë se kanë bërë diçka që nuk duhet ta bëjnë. Një njeri që e di se ka vepruar sipas ligjit dhe se ka punuar sipas rregullave të parapara, nuk ka arsye për frikë, e akoma më shumë nga një institucion i pavarur siç është PSP-ja. Të mos harrojmë,PSP-ja gëzon besimin më të madh të qytetarëve dhe është një institucion i formuar për të ndjekur krimin në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, pasi u konstatua se Prokuroria e rregullt publike nuk është në gjendje për ta bërë këtë. Prandaj, ata që kanë frikë nga PSP-ja, me siguri e dinë mirë se çfarë kanë bërë në të kaluarën dhe janë të vetëdijshëm me se do të ballafaqohen në të ardhmen dhe prandaj janë në panik. Lidhur me dinamikën e punës së PSP-së, unë mendoj se ata kanë bërë një punë të shkëlqyeshme deri më tani në lidhje me kushtet në të cilat kanë punuar, në kushtet ë një sabotimi të tërësishëm të punës së tyre nga ana e institucioneve shtetërore dhe në veçanti nga ana e Gjykatës Themelore Shkupi 1. Nëse kishte një bashkëpunim më të madh, në vend të obstruksioneve me të cilat ballafaqohej PSP-ja, unë jam e sigurt se ata do të ishin edhe më efektivë në punën e tyre.

“Plani vjetor i punës është mbështetur nga CIVICA Mobilitas”.

civica_mobilitas_logo

“Përmbajtja e këtij publikimi është një përgjegjësi vetëm e SCOOP Maqedonia dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i  pasqyron pikëpamjet e CIVICA Mobilitas, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) ose organizatave që e zbatojnë”.

Shkruaj një koment

Koment(e)