Data e sotme
June 19, 2018

Kaosi me ndotjen: Inspektorët mbyllin zyrat ose nuk janë në punë

Autorë: Sandra Nikçevska

               Iva Andreevska

 

Pasi në tetor të vitit 2017 u ndryshua qeverisja lokale në Komunën e Qendrës, dy inspektorët e mjedisit i kanë mbyllur procesverbalet për punën e tyre dhe nuk kanë ardhur më në vendin e punës. Si inspektorë ata kanë punuar në periudhën prej vitit 2012 deri në vitin 2017, por askush nga komuna nuk ka informata se çfarë kanë punuar ata në drejtim të ndëshkimit të ndotësve të qytetit.

 

Edhe inspektorja e re e mjedisit, Vesna Nikollovska, nuk ka qasje në dokumentacionin i cili është i mbyllur në zyrën ku kanë punuar dy kolegët e saj.

 

Të gjitha Procesverbalet gjenden në zyrën ku nuk kemi qasje. Njëkohësisht, dua të potencoj faktin se në procesverbalet janë shkruar të dhënat personale të personave përgjegjës të subjekteve juridike, të cilat nuk mund të prezantohen publikisht”, thuhet në përgjigjen me shkrim të inspektores Nikollovska, të dërguar në SCOOP në përputhje me Ligjin për qasje të lirë deri te informatat e karakterit publik. “Në ditët e fundit të muajit dhjetorit, kur unë erdha në vendin e punës – inspektori i autorizuar i mjedisit, është bërë një kontroll inspektues në disa restorante në zonën qendrore me qëllim që të kontrollohet mënyra e ngrohjes dhe ndotja e mundshme e ajrit“, thotë ajo.

 

Nikollovska shpjegon për SCOOP-in se miratimin për punën e kompanive e jep Ministria e Mjedisit. Licencat (Lejet) B i lëshon Sektori i mbrojtjes së mjedisit të Qytetit të Shkupit, ndërsa kontrollin inspektues e kryejnë inspektorët e autorizuar të qytetit.

 

Komuna, shton Nikollovska, “miraton Elaboratet e mjedisit për subjektet juridike në territorin e saj“.

 

Kontrollin inspektues e zbatojnë inspektorët e autorizuar të mjedisit të komunës. Deri më tani, janë dorëzuar elaborate për kafe bare, restorante, shitore për ushqim të shpejtë, punëtori automekanike dhe autolarje“, thotë Nikollovska.

 

Edhe pse ka kompetenca për të vepruar kundër ndotësve, të dhënat të cilat i ka SCOOP-i tregojnë se komunat në Republikën e Maqedonisë nuk e trajtojnë seriozisht problemin e ndotjes. Pothuajse të gjitha kanë një numër të vogël inspektorësh me një kontribut minimal pune dhe pothuajse pa gjoba të shqiptuara për ndotësit.

 

 

 

INSPEKTOR KA, POR NUK KA PASUR NDOTJE

 

 

SCOOP-i ka kërkuar rezultatet e inspektorëve të mjedisit, jo vetëm të Komunës së Qendrës, por edhe të njësive të tjera të qeverisjes lokale të Qytetit të Shkupit.

Nga Komuna e Gjorçe Petrovit, ndryshe, po thonë se nuk kanë procesverbale sepse “nuk paska ndotje”.

Në territorin e Komunës së Gjorçe Petrovit nuk ka kompani për menaxhim me mbeturina (të rrezikshme dhe të parrezikshme). Komuna e Gjorçe Petrovit nuk është kompetente për lëshimin e lejeve të integruara ekologjike B, këtë kompetencë e ka Qyteti i Shkupit. Lidhur me kërkesën e dytë, Ju informojmë se Komuna e Gjorçe Petrovit nuk ka procesverbale të inspektorit të mjedisit për periudhën e caktuar kohore“, shkruan në shkresën Angele Boshkovski nga Departamenti i marrëdhënieve me opinionin në komunë.

Në një bisedë telefonike, Boshkovski më tej sqaron se inspektori i mjedisit nuk ka bërë procesverbale dhe si rrjedhojë Komuna nuk posedon dokumente për ndonjë mosrespektim eventual të rregullave mjedisore në territorin e saj. Prej atje nuk ka përgjigje për atë nëse nuk ka as subjekte ndotëse për shkak se nuk ka procesverbale për kontrolle ekologjike.

Nga të gjitha komunat e Shkupit, vetëm Komuna e Kisella Vodës na ka dërguar kopjet e procesverbaleve të inspektorëve të mjedisit për periudhën e kërkuar kohore.

Nga ato mund të shihet se problemi kryesor te personat fizikë, por edhe te personat juridikë në territorin e Komunës së Kisella Vodës në periudhën prej vitit 2014 deri në vitin 2015 është ngrohja e shtëpive, gjegjësisht lokaleve afariste.

Janë konstatuar djegie të thëngjillit, tallashit (zdrugulinave) të drurit, llojeve të ndryshme të drurit dhe mbetjeve të drurit dhe substancave të tjera që e bëjnë ajrin në komunë të rrezikshëm për qytetarët. Inspektorët atje kanë gjetur gjithashtu disa subjekte juridike, kompani me veprimtari të ndryshme ekonomike, të cilat nuk posedojnë elaborate për mbrojtje të mjedisit.

 

 

NDOTËSIT MË TË MËDHENJ

 

Vetëm 21% e amvisërive të Shkupit janë të lidhura me ngrohjen qendrore ekologjike. Gazi për konsumatorët individualë ende është një dëshirë e parealizuar. Më shumë se 45% e familjeve ngrohen me dru, por nuk ka të dhëna se sa prej tyre përdorin edhe materiale të tjera (mbeturina) kryesisht si një mjet primar ose si një mjet shtesë të ngrohjes.

Sipas statistikave të shtetit dhe të qytetit, amvisëritë janë ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Shkup. Kjo statistikë tregon se qytetarët dhe vetëm ata ose shumica e tyre janë fajtorë për ajrin që e thithin.

Por, qytetarët çdo ditë janë dëshmitarë të ngrohjes së ambienteve të shumë serviseve automekanike dhe ofruesve të shërbimeve të tjera me soba (stufa) të hapura në të cilat digjet vaj mbeturinash, goma automobilash, shishe plastike dhe mbeturina të tjera me një përqendrim të lartë të substancave ndotëse që përfundojnë në mushkëritë e qytetarëve të Shkupit.

 

 

 

SHKUPI ËSHTË MË I NDOTUR EDHE NGA QYTETET MË TË NDOTURA NË BOTË

 

Kryeqyteti i Maqedonisë gjatë një viti ka qenë i ndotur mbi kufirin e lejuar madje më shumë se njëqind ditë. Statistikat mjekësore tregojnë se në atë periudhë kohore nga 1.350 njerëz vdesin para kohe vetëm për shkak të ajrit të ndotur.

Organizatat joqeveritare thonë se komunat kanë kompetenca për të reduktuar ndotjen, por nuk kanë staf adekuat dhe vetëdije për këtë problem.

Ka ndotje, ka ndotës, e kjo do të thotë se nuk ka një kontroll të mjaftueshëm institucional mbi ndotjen e ajrit në Shkup. Por, tani pyetja është se çfarë stafi kanë komunat për ta ndjekur situatën në ata ndotës më të vegjël, cilat janë kapacitetet që i kanë në dispozicion për t’i sanksionuar”, thotë për SCOOP-in Aleksandra Bojarovska nga shoqata ekologjike “Front 21/42”.

Sipas saj, inspektorët atje kanë kompetenca edhe për një sërë aktivitetesh të tjera, për trajtimin e mbeturinave, mbeturinave komunale, disa janë edhe në sferën e urbanizmit dhe “nuk kanë mundësi që me aktivitete të rregullta nga ana e komunave të shihet se deri ku është harmonizimi i teknologjisë në përputhje me standardet te ndotësit më të vegjël“.

Bojarovska thotë se nuk është vetëm industria ndotësi i vetëm për të cilin inspektorët komunalë duhet të bëjnë kontrolle, por është vetëm një nga autorët e ndotjes.

Sa i përket kapaciteteve më të vogla industriale që duhet ta kenë lejen e integruar ekologjike ”B”, Bojarovski thotë se “situata është edhe më e keqe, sepse kompetenca për monitorimin, mbikëqyrjen e këtyre instalimeve më të vogla është një detyrë e komunave“.

 

PSE NUK VENDOSEN STACIONE TË REJA MATËSE?

Grimcat PM10 dhe PM2.5 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë klasifikohen në Grupin 1 të grimcave kancerogjene si grimca me efekt të fuqishëm kancerogjen. Nëse niveli i grimcave PM10 në ajër rritet për vetëm 10 mikrogramë në metër kub, atëherë, sipas monitorimit të statistikave, madje për 22% do të rritej mundësia për rritjen e numrit të rasteve të kancerit të mushkërive. Rritja e grimcave PM2.5 për 10 mikrogramë në metër kub sjell mundësinë, thotë rekomandimi i OBSH-së, për rritjen e rasteve të kancerit të mushkërive për 36%. Direktivat evropiane për informimin e qytetarëve për nivelin e ndotjes së ajrit rekomandojnë të ketë së paku dy pika matëse në zonat urbane. Por, nën presionin e opinionit demokratik në Barcelonë, kjo shifër sot është 10, në Paris madje 70, në Shkup vetëm 5.

 

 

JANARI MUAJI MË I NDOTUR, INSPEKTORËT MË PAK AKTIVË

 

Sipas kompetentëve të Qytetit të Shkupit, në muajin më të ndotur të vitit të kaluar – janar, inspektorët komunalë kanë përgatitur vetëm 8 procesverbale, në të cilat nuk është evidentuar se është regjistruar as një ndotës. E pikërisht në janar, stacionet matëse në Shkup regjistruan se në ditë të caktuara ka pasur në ajër edhe nga 1000 mikrogramë nga grimcat e dëmshme në metër kub.

Në njoftimin e nënshkruar nga Time Andonov, udhëheqësi i departamentit në Qytetin e Shkupit thuhet:

Procesverbalet e viteve të kaluara gjenden në depon e arkivit dhe për këtë arsye jua dërgojmë për inspektim vetëm procesverbalet e muajit janar të vitit 2017. Në janar të vitit 2017 kemi tre inspektorë nga të cilët një inspektor ka qenë në operacion dhe për këtë arsye nuk ka asnjë procesverbal, ndërsa një inspektor tjetër ka qenë me pushime për gati një muaj dhe ka vetëm një procesverbal“.

Fotografia e kujdesit institucional për korrektësinë e ajrit të ambientit në Shkup është e qartë -inspektori që ka qenë në vendin e punës për 20 ditë pune, ka përgatitur vetëm 7 procesverbale dhe në muajin më të ndotur – janar nuk ka regjistruar asnjë ndotës të ajrit jashtëzakonisht të ndotur.

“NPT Shkup” në vitin 2017 ka shpenzuar 8 milionë litra naftë dhe zero metra kub gaz. Që nga viti 2017, asnjë autobus i NPT-së nuk vozit me gaz. Në vitin 2007, NPT-ja ka pasur 375 autobusë që përdorin naftë si lëndë djegëse, ndërsa 30 autobusë përdorin gazin natyror. Në vitin 2017, numri i autobusëve me naftë është rritur në 428 autobusë. Ndërkohë, të gjithë autobusët me metan janë jashtë përdorimit.

Edhe më e keqe është gjendja e përdorimit të karburanteve. Në vitin 2007, NPT-ja ka shpenzuar 5.6 milionë litra naftë dhe rreth 200.000 metra kub gaz. Për 10 vjet, konsumi i naftës është rritur jashtëzakonisht shumë për 60%. Kështu, në vitin 2017, NPT-ja ka shpenzuar rreth 8 milionë litra naftë dhe zero metra kub gaz natyror.

 

900 KILOMETRA RRUGË AUTOMOBILASH, 20 KILOMETRA SHTIGJE BIÇIKLETASH

Në mesin e vitit 2015, Qyteti i Shkupit filloi projektin “Shkupi – qyteti i biçikletave”. Me të, deri në vitin 2017, u planifikuan shtigje biçikletash në gjatësi prej 51 km përgjatë bulevardeve kryesore të Shkupit.

Por, OJQ-të informojnë se me rekonstruksionin e disa shtigjeve të biçikletave në kuadër të projektit të paralajmëruar “Shkupi – qytet i biçikletave”, janë realizuar jo më shumë se 20 kilometra kryesisht në Qendër në bulevardet “Aradhet e partizanëve” dhe “Ilinden”, në Aerodrom në bulevardin “Jane Sandanski” dhe në bulevardin “Aleksandri i Madh” në Gazi Babë.

Në këto bulevarde ekzistojnë shtigje funksionale të biçikletave, por edhe ato nuk janë realizuar plotësisht. Në pjesët e tjera të Shkupit nuk ka shtigje biçikletash”, thotë Snezhana Domazetovska, anëtare e OJQ-së “Me biçikletë”, e cila angazhohet për përmirësimin e kushteve të biçikletave në Shkup.

Biçikleta nuk trajtohet seriozisht si një mjet kryesor i transportit. Madje jo edhe si një mjet alternativ. Fillon të trajtohet më mirë si një mjet alternativ i transportit, në stilin ‘le të bëjmë pak shtigje biçikletash për ata që ngasin biçikletë. Megjithatë, kjo nuk është një pjesë serioze e politikave të qytetit. Biçikleta ende nuk shihet si një zgjidhje për problemet e qytetit“, thotë ajo.

Sipas të dhënave të organizatave joqeveritare, vetëm 1.4% e qytetarëve të Shkupit përdorin biçikletën si një mjet kryesor i transportit.

Për dallim nga Shkupi, Kopenhaga është shpallur kryeqytet evropian i transportit me biçikleta. Danezët kanë llogaritur se kostoja e transportit me automobil në Kopenhagë është gjashtë herë më e madhe sesa që qytetarët e saj të transportohen me biçikleta.

Sipas të gjithë parametrave, çdo kilometër i kaluar me automobil, banorët e kryeqytetit danez i kushton 50 euro-centë ose rreth 30 denarë. Por, me biçikletë, nga xhepi i tyre ata shpenzojnë vetëm 5 denarë. Në Shkup, diferenca është shumë më e madhe në favor të biçikletës, për shkak se në Kopenhagë udhëtimi me biçikletë merr më shumë kohë për shkak se qyteti është më pak i banuar në krahasim me kryeqytetin e Maqedonisë. Pra, duke shikuar nga ky aspekt dhe nga aspekti i funksionalitetit, Shkupi është më ekonomik për qytetarët e Shkupit sesa Kopenhaga për qytetarët e Kopenhagës. Këtë përsëri e tregon statistika: Shkupi ka 3.600 banorë në kilometër katror, ​​ndërsa Kopenhaga vetëm 722.

Sipas hulumtimeve të Komisionit Evropian, madje 70% e qytetarëve do të përdornin biçikletën nëse ka një infrastrukturë të mirë për biçikleta.

Në përgjithësi, Shkupi mbetet lider në Evropë dhe në botë sipas ndotjes së ajrit, ndërsa institucionet e tija dhe ato shtetërore janë “liderë” për neglizhencë për shëndetin e qytetarëve të tyre, të cilët aleatin e vetëm në luftën kundër ndotjes e kanë erën.

 

Instituti i Shëndetit Publik të RM-së – raporti i vitit 2017:

“Nga kanceri në Maqedoni në vitin 2016 kanë vdekur 3.882 njerëz, kurse shkalla e vdekshmërisë lëvizet nga 183.3 për 100.000 banorë në vitin 2010 në 187.3 në vitin 2016. Shumicat e pacientëve janë të sëmurë nga kanceri i bronkeve dhe i mushkërive, kurse rajoni i Shkupit prin me sëmundje të parregullta.

Në raport thuhet se pas rajonit të Shkupit, i cili është me morbiditet më të lartë, vijon rajoni i Pellagonisë me 126.2 banorë për 100.000 banorë, të cilët janë trajtuar në institucionet shëndetësore spitalore nga neoplazmat malinje”.

 

Statistika:

Në vitin 2007, në Shkup janë regjistruar rreth 19.000 automjete me naftë, në vitin 2016 ky numër është rritur për 4 herë në 72.000 automjete. Numri i mjeteve transportuese në territorin e Sektorit të Punëve të Brendshme të Shkupit, të cilat si karburant përdorin benzinën ​​për të njëjtën periudhë është ulur për rreth 10.000. Sipas Asociacionit Britanik të Automobilave, motorët me djegie të brendshme me naftë lëshojnë 10 herë më shumë grimca dhe okside të azotit se motorët me benzinë.

Policia në Shkup në vitin 2017 ka larguar nga trafiku vetëm 3 automjete për shkak të sasive më të mëdha të gazrave të lëshuara, ndërsa në vitin 2016 dhe 2015 asnjë automjet nuk është larguar nga trafiku për shkak të sasisë së palejuar të gazrave të lëshuara në ajër.

“Plani vjetor i punës është mbështetur nga CIVICA Mobilitas”.

civica_mobilitas_logo

“Përmbajtja e këtij publikimi është një përgjegjësi vetëm e SCOOP Maqedonia dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i  pasqyron pikëpamjet e CIVICA Mobilitas, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) ose organizatave që e zbatojnë”.

Shkruaj një koment

Koment(e)