Data e sotme
February 16, 2019

(KEQ)PËRDORIMI I AUTOMJETEVE ZYRTARE: FUNKSIONARËT RRALLË SHPENZOJNË PARA NGA XHEPI I TYRE KUR BËHET FJALË PËR UDHËTIME

Shkruan: Teodora Cvetkovska

 

Institucionet e Maqedonisë kanë shumë automjete zyrtare që përdoren shpesh edhe për nevoja personale. Këtë e tregon anketa e detajuar e INBOX7 në Facebook, ku 68.5% e të anketuarve janë përgjigjur se funksionarët kanë në dispozicion shumë automjete zyrtare.

Anketa tregoi se përshtypja e tyre, por edhe informacionet që i kanë tregojnë se institucionet kanë një numër të panevojshëm të madh të automjeteve zyrtare, veçanërisht ato i përdorin ministrat, zëvendësit e tyre, sekretarët shtetërorë, si dhe drejtorët e shumë agjencive shtetërore, ndërmarrjeve publike, instituteve, komisioneve.

Përshtypja e qytetarëve, e shprehur në këtë anketë, është se funksionarë të caktuar harrojmë se posedojnë edhe veturën personale dhe nuk mbajnë mend kur, nga marrja e funksionit, kanë shpenzuar para nga xhepi i tyre për karburant, servis, për mirëmbajtjen e rregullt të automjetit të tyre. 

Ja se çfarë mendojnë qytetarët për këtë temë në anketën e INBOX7 në FAcebook: 

cila është përshtypja juaj: a ka pak, mjaft ose shumë automjete zyrtare në RM dhe a i keqpërdorin ato? 

 

 

VETËM 5 MINISTRI TREGOJNË SA AUTOMJETE KANË DJE KUSH I VOZIT ATO

Funksionarët, megjithatë, thonë se gjithçka është brenda nevojave reale dhe se nuk ka keqpërdorim të parave të shtetit, dhe atje ku është zbuluar një gjë e tillë, është marrë përgjegjësia. Por, a e ndryshon kjo faktin se madje 27 automjete zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, për shembull, nuk janë gjetur në parkingun zyrtar gjatë regjistrimit të jashtëzakonshme të bërë më 12 shtator dy vjet më parë?

Pikërisht në këtë ministri redaksia e INBOX7 dërgoi një kërkesë sipas Ligjit për qasje të lirë deri te informacionet me karakter publik, me të cilën kërkonte të dërgohen informacione lidhur me atë se sa automjete janë në pronësi të kësaj ministrie, kush dhe kur i drejton ato. Një kërkesë e tillë u dërgua në 13 ministri dhe në 14 ndërmarrje publike dhe agjenci shtetërore. Megjithatë, një përgjigje u mor vetëm nga pesë ministri dhe nga tri ndërmarrje dhe agjenci publike.

Sipas përgjigjes së dërguar, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave ka 140 automjete për nevojat zyrtare të ministrisë. Nga Byroja e Prokurimit Publik kemi marrë një informatë se kjo ministri në vitin 2014 ka lidhur një kontratë për karburante në vlerë prej 22.105.000 denarësh.

Ministria e Drejtësisë ka 11 automjete. Me vendimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë është përcaktuar e drejta për përdorimin e një automjeti motorik zyrtar dhe një shoferi. Këtë të drejtë e përdor vetëm Ministri i Drejtësisë.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës përdor një automjet në pronësi të Shërbimit të punëve të përgjithshme dhe të përbashkëta. Në nivel vjetor, për këtë automjet shpenzohen rreth tre milionë e gjysmë denarë vetëm për karburante.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale shpenzon çdo vit nga buxheti i shtetit 3 milion denarë për karburante.

Ministria e Punëve të Jashtme ka nëntë automjete.

Ministria e Kulturës, nga e cila nuk kemi marrë përgjigje për kërkesën tonë për numrin e automjeteve zyrtare të cilat i ka në dispozicion, në vitin 2015 ka shpenzuar 2 milionë denarë për t’i mbushur rezervuarët e automjeteve të saja zyrtare.

Kështu është te ne. Ndërsa në Evropë shpesh mund të shihet një shembull ose një kryetar shteti të përdorë edhe transportin publik.

 

KEQPËRDORIMI I PRIVILEGJEVE ËSHTË GJITHASHTU KORRUPSION

Ekspertët thonë se keqpërdorimi i resurseve shtetërore, ndër të cilat janë edhe “privilegjet” e ndryshme që i mundëson vetë funksioni, është gjithashtu korrupsion.

Ish-ministri i punëve të brendshme dhe deri zgjedhjet e fundit edhe deputet në Parlamentin e Maqedonisë në disa mandate, Pavle Trajanov, tani në pozicionin e Koordinatorit kombëtar për implementimin e platformës kombëtare për reduktimin e rreziqeve nga fatkeqësi dhe katastrofa të Republikës së Maqedonisë.

Trajanov në vitin 2010 kishte përgatitur një projekt të quajtur “Lufta kundër krimit të organizuar – DEKRI”, me të cilin ishte paraparë që në mënyrë sistematike të bëhet një luftë efektive kundër krimit të të gjitha llojeve dhe në të gjitha nivelet, veçanërisht në radhët e pushtetit dhe institucioneve të shtetit. Në atë program gjithashtu në mënyrë të veçantë u detektuan prona e fshehur e funksionarëve, pastaj konfiskimi e pasurisë së fituar me krim, ndalimin e veprimit politik, si dhe keqpërdorimi i funksioneve.

“Me projektin propozohej të miratohej një ligj të veçantë dhe të formohej një agjenci për luftë kundër krimit të organizuar, megjithatë asnjë nga kjo nuk ka ndodhur. Automjetet zyrtare në shumicën e rasteve përdoren edhe për qëllime private. Përpjekjet e deritanishme për të parandaluar keqpërdorimet kanë mbetur pa rezultate serioze, për shkak se të njëjtat i bëjnë bartësit e funksioneve publikë apo të punësuarit në institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike. Një pjesë e përdoruesve të automjeteve shtetërore marrin edhe vendime për një përdorim të tyre të pandërprerë për qëllime zyrtare dhe private. Sa kam unë informacione, të gjitha institucionet dhe shumica e tyre kërkojnë më shumë automjete për kryerjen e funksioneve dhe flota e automjeteve zgjerohet vazhdimisht”, thotë Trajanov.

 

Sipas tij, në kushte të mungesës së zgjidhjeve për transportin publik, përdorimin e vogël të biçikletave, mungesën e shprehjes për të ecur, “nevoja” e automjeteve vazhdon rritet. Si pasojë, është e vështirë që funksionarët në kohën e ardhshme do t’i shohim si arrijnë në zyrat e tyre me transport publik apo biçikletë.

 

“GPS” PËR AUTOMJETET OSE NDËRGJEGJE TE FUNKSIONARËT

 

Ministri Robert Popovski, i detyruar për transparencë dhe llogaridhënie, si opsion më i pranueshëm për të parandaluar keqpërdorimin e automjeteve zyrtare në përgjigjen e INBOX7 thekson se “është e nevojshme të instalohen GPS pajisje brenda automjeteve si një mundësi për të kontrolluar përdorimin e tyre racional”.

Damjan Mançevski, Ministri i Administrimit dhe Shoqërisë Informatike, megjithatë, nuk mendon se kjo do të zgjidhte keqpërdorimin e automjeteve zyrtare. Ai u bën thirrje politikanëve për “një ndërgjegje dhe përgjegjësi më të madhe”.

Drejtori i Shërbimit të punëve të përgjithshme dhe të përbashkëta të qeverisë, Pece Mirçevski, si organ përgjegjës për flotën e automjeteve të zyrtarëve të qeverisë, duke përfshirë ministrat, zëvendësit të tyre dhe sekretarët e shtetit, si dhe bartësit e tjerë të funksioneve publike, në një deklaratë për INBOX7 tha se “nga aspekti i sigurisë, nuk është mirë të ketë çfarëdo shënimi të automjeteve”. Mirçevski beson se rregulloret për përdorimin e automjeteve zyrtare janë një garanci e mjaftueshme dhe një mbrojtje për keqpërdorimin e automjeteve nga ana e funksionarëve, sepse, siç tha: “çdokush që do t’i shkelë rregullat e mënyrës së përdorimit të tyre do të mbajë përgjegjësi”.

 

EDHE NDËRMARRJET PUBLIKE SIPAS “SHEMBULLIT” TË MINISTRIVE

 

Institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike në Republikën e Maqedonisë po ashtu nuk mbeten mbrapa ministrive kështu që edhe ato i shfrytëzojnë privilegjet të kenë automjet zyrtar.

 

Ndërmarrja publike “Pyjet e Maqedonisë” ka 30 automjete zyrtare.

 

Ndërmarrja publike “Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë” në parkingun e saj ka 4 automjete.

 

Radiotelevizioni i Maqedonisë në pronësi të tij ka 39 automjete prej të cilave, sipas informacioneve që vijnë nga atje, vetëm 19 janë në përdorim.

 

Sipas përgjigjes së dërguar në bazë të Ligjit për qasje të lirë deri te informacionet, Agjencia informative e Maqedonisë – AIM (MIA) ka në dispozicion dy automjete zyrtare. Për to për një vit (nga gushti i vitit 2017 deri në gushtin e vitit 2018) për karburante, servisim, sigurim dje regjistrim ka shpenzuar 290.580 denarë ose pothuajse 5.000 euro.

 

Ekipi menaxhues i MEPSO-së ka 8 automjete. Në vitin 2017 për karburante, për servisim, regjistrim të automjeteve, për karton të gjelbër dhe për policën e sigurimit janë shpenzuar gjithsej 1.158.616 denarë.

 

Funksionet sjellin privilegje. Autoritetet ndryshojnë, shprehitë mbeten.

Për dallim nga demokracitë më të zhvilluara evropiane, tregoi edhe ky hulumtimi gazetaresk, e përshtypjen e tillë e ndajnë dhe e shprehën në anketën e INBOX7 edhe qytetarët, funksionarët e Maqedonisë nuk janë imunë ndaj komforteve që i sjellin funksionet.

Konkretisht për automjetet zyrtare. Në përgjithësi, bartësit e funksioneve i përdorin ato kur u nevojiten për obligime zyrtare dhe kur u shërbejnë për qëllime private. Kjo është ende e mundur në vendin tonë për shkak të opinionit inert dhe mungesës së reagimit adekuat.